VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SCHWARZ-SHILLING: ADMIROJ DURIMIN E KOSOVËS NDAJ PADREJTËSIVE EVROPIANE
E Martë, 02.28.2012, 09:09am (GMT1)

Prishtinë Diplomati gjerman, ish-mbikëqyrës ndërkombëtar i Bosnje- Hercegovinës, Christian Shwarz-Schilling, thotë se Kosova po trajtohet në mënyrë të padrejtë nga Bashkimi Evropian. Në një intervistë për "Kohën Ditore" ai ka porositur që zgjidhja e veriut të jetë Pakoja e Ahtisaarit. Ish-ministri gjerman, që pati dhënë dorëheqje në vitin 1992, për shkak të pamundësisë së Gjermanisë për ta ndalur luftën në Bosnje, nuk ka fjalë të mira për politikanët e Ballkanit. Sipas tij, ka shumë politikanë oportunistë që bëjnë veprime popullore vetëm për të ardhur në pushtet, ndonëse veprimet janë të dëmshme. Dhënia e mundësisë një minoriteti që të ndalë vendimet e shumicës, e dëmton demokracinë, ka thënë ai. "Në demokraci, fare në fund vendos shumica", është shprehur ish-mbikëqyrësi i Bosnjës. Shwarz-Schilling Bosnjën e sheh si shtet që nuk funksionon.

Kosovën pas katër vjetësh pavarësi, sipas Shwarz-Schilling, ka pasur progres. Tash është shtet, Kosova ka qeverinë e vet, sovranitetin, sistemin zgjedhor. Flitej për një autonomi brenda ish-Jugosllavisë, por për shkak të ngjarjeve ndërmjet ajo ishte e pamundur. Tash Kosovës i duhet zhvillim ekonomik, rritja e prodhimeve vendore. Ka shumë për t'u bërë që të rritet eksporti dhe të ulet importi. Kosova duhet të punojë me institucionet ekonomike të BE-së. Për këto katër vjet Kosova ka kaluar një rrugë progresi. E adhuroj durimin e qytetarëve të Kosovës. Ju keni shumë durim, sepse ka shumë sfida dhe duhet të prisni për shumë. Ka shumë arsye për të bërë që rrugët të mbushen me njerëz, për shkak të mostrajtimit të barabartë që keni në krahasim me qytetarët e tjerë evropianë. Nuk trajtoheni të barabartë në çështjen e vizave, pra të pabarabartë në udhëtim, të pabarabartë në eksport dhe import, të pabarabartë në marrëveshje stabilizim-asocimi. Gjërat po ecin, por duhet të keni durim, më shumë vetëbesim dhe këmbëngulje. Duhet ta dini se fatin e keni në duart tuaja dhe duhet të merrni përgjegjësinë.

I pyetur se si mendoni se mund te zgjidhet çështja e veriut, ai ka përmendur një fushatë që po propagandohet që tri komunat atje i takojnë Serbisë. Ka disa principe, nëse tri komunat atje i takojnë Serbisë, atëherë çfarë duhet të ndodhë më shumicën e qytetarëve serbë të Kosovës në jug të lumit Ibër. Nuk ka më zgjidhje etnike. Lufta e Kosovës dhe ajo e Bosnjës duhet ta mësojnë këtë rajon se zgjidhjet e tilla nuk janë zgjidhje. Situata atje duhet të qetësohet dhe ajo zonë duhet të bëhet zonë normale e një shteti normal të Kosovës. Ata do të kenë të drejtat e veta sa të mund të qeverisin komunat e tyre.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.