VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GREQIA MERR VENDIM PËR DËBIMIN E GAZETARIT SHQIPTAR NIKO AGO
E Djelë, 05.20.2012, 03:47pm (GMT1)

 

Gazetari shqiptar Niko Ago, pas 20 vitesh jetë dhe pune në Greqi, rrezikon të deportohet në Shqipëri.

Gazetar dhe veprimtar i grupeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, babai i dy vajzave, Niko Ago tregoi për News24 arsyet që e detyruan të emigrojë në Greqi, peripecitë që ka kaluar sidomos gjatë viteve të para dhe punën që ka bërë.

Niko shkoi në Greqi 20 vjet më parë, ku pas përpjekjeve të shumta dhe punëve të ndryshme si çdo emigrant, mësoi gjuhën greke dhe më në fund realizoi ëndrrën e tij, të bëhet gazetar në mediat greke. "Ajo që di me siguri është se kam punuar me ndershmëri, iu përkushtova profesionit dhe angazhimit në shoqërinë civile", shprehet Ago.

"Rritjes së mbështetjes për partinë ksenofobe "Agimi i Artë", që e bëri atë një forcë parlamentare dhe kërcënimeve që kam marrë për jetën time, iu shtohet edhe një fakt tjetër i shëmtuar", tregon gazetari, i cili është njoftuar nga autoritetet greke se duhet të largohet nga vendi.

"Më 17 maj 2012, shteti grek, më informoi se brenda 30 ditëve duhet të largohem nga territori grek, pasi me sa duket grekët u kujtuan, se në vitet 2007-2008 kur unë kalova një problem serioz shëndetësor, nuk kisha të rinovuar librezën e shëndetit për një kohë shumë të shkurtër", tregon Ago për News24.

"Ky fat i kërcënon dhe shumë emigrantë të tjerë në Greqi të cilët për një arsye ose tjetër e kane lidhur jetën e tyre me Greqinë dhe vazhdojnë t'i japin këtij vendi kontributin e tyre edhe në këto ditë tepër të vështira për popullin grek", shprehet gazetari.

Ndërkaq në një editorial botuar në mediat greke, Ago shkruan se dikur pati shkruar një shkrim me titullin "Jam i detyruar të të falenderoj Greqi"!, ndërsa sot e përsërit sërish këtë falenderim, por këtë herë me hidhërim: "Faleminderit Greqi!"

Ndërkohë është rritur vala e mesazheve mbështetëse në internet pas vendimit për dëbimin e shqiptarit, Niko Ago. Në Facebook, grupi "Unë mbështes Niko Agon» ka 9 260 anëtarë, të cilët kanë nënshkruar një letër drejtuar Ministrit të Brendshëm, ku bëjnë thirrje për tërheqjen e vendimit të deportimit, të cilin e cilësojnë "të padrejtë".

Kryetari i PASOK, Evangelos Venizelos, ka kontaktuar zyrtarisht me ministrin për Mbrojtjen e Qytetarëve, Lefteris Ekonomou, nga i cili kërkohet të përdorë të gjitha kompetencat që i jep ligji, që gazetari i njohur shqiptar të mos dëbohet nga Greqia. (bw)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.