VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Akademikët shqiptarë kërcënojnë me dorëheqje, nëse nuk tërhiqet enciklopedia skandaloze
E Hënë, 09.21.2009, 05:46pm (GMT1)

 

 

Akademikët shqiptarë kanë kërcënuar sot me dorëheqje, nëse Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë nuk e tërheq Enciklopedinë skandaloze, në të cilën fyhet dhe shtrembërohet historia shqiptare. Këtë për RTK-në e ka konfirmuar njëri prej tre anëtareve shqiptarë, të kësaj Akademie, Akademiku Alajdin Abazi.

Ndërkohë sot në Shkup Lëvizja qytetare "Zgjohu" dhe partitë politike kanë paralajmëruar proteste masive, nëse enciklopedia nuk tërhiqet.

Urgjentisht të tërhiqet nga përdorimi enciklopedia. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë akademiket shqiptarë do të dorëhiqen nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

Këtë porosi i kanë përcjellë sot tre anëtarët shqiptarë, kryetarit të akademisë maqedonase, Bllazhe Ristevskit, ka bërë të ditur për RTK-në, akademiku, Alajdin Abazi.

Për hartimin e kësaj enciklopedie fare nuk janë konsultuar akademikët shqiptarë, pohon akademiku, Abazi. Sipas tij, mostërheqja e kësaj enciklopedie mund të rrezikojë seriozisht marrëdhëniet ndërnacionale në Maqedoni.

Tërheqjen e Enciklopedisë skandaloze, me të cilën janë fyer shqiptarët, me një pres konferencë, e cila është mbajtur në formë proteste, duke u zhvilluar para ndërtesës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, e ka kërkuar sot edhe Lëvizja Qytetare Zgjohu, e përkrahur nga partitë politike shqiptare.

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, i cili ishte i pranishëm në promovimin e kësaj enciklopedie, duke refuzuar të japë koment rreth kësaj çështje, ka thënë se qeveria edhe pse e ka financuar, nuk ka marrë pjesë në përpilimin e enciklopedisë.

Ministrat shqiptare ne qeverinë Gruevski, duke u distancuar nga enciklopedia kanë theksuar se ky projekt i akademisë rrezikon acarimin e marrëdhënieve ndëretnike, por edhe fqinjësore me shtetin shqiptar dhe me Kosovën. (http://www.rtklive.com)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.