VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SOT TË GJITHË NË PRISHTINË TË DËGJONI NË DIAMOND HOTEL MUZIKË NGA BELLINI, RUSHITI E CHOPEN INTEPRETUAR MREKULLISHT NGA ÇIFTI LAZO-BEJLERI
E Premte, 04.11.2014, 08:40am (GMT1)



Sot Prishtina pret dy artistë shqiptarë  me aktivitet në Europë të performojnë në koncert për piano saksofon, diçka sa elitare aq edhe ekstravagande. Janë pianistja Dhurata Lazo dhe saksofonisti Zija Bejleri, dy artistë brilantë, që do t'ju kënaqin e bëjnë të mendoni se bota e vlerave i takon kulturës.

Në jetën private ata janë edhe një çift simpatik, që këto ditë mbushi 25 vjet martesë.

Dhurata nga Prishtina më tregoi që ata ndihen shkëlqyshëm nga mikpritja. Ne mezi prisnim që të vinim në Prishtinë, më tha ajo.

Dhurata Lazo ka nisur të interpretojë në piano në moshën 6 vjeçare fillimisht në qytetin e saj të lindjes, të cilin do ta linte për të ndjekur Liceun Jordan Misja dhe Konservatorin. Në qytetin e gurtë ku ka lindur një diktator dhe një shkrimtar gjenial do të kthehej më pastaj vetëm si vizitore, sepse jeta do t'I merrte rrjedhë të tillë. Pasi mbaroi Konservatorin e Tiranës, e mahnitur me pjesët Zadejës, Harapit etj, ajo bashkë me bashkëshortin e saj do të emigronin në Itali. Atje i dedikohet vazhdimit të studimeve në fillim në Konservatorin Xhuzepe Verdi, pastaj në Shkollën e Muzikës për Studime të Avancuara duke ndjekur mësimet e Maestros polak Mika Marian, në Qendrën e Padovës  "Karol Szymanowski", nga ku jo vetëm u dashurua me Chopenin, por edhe u bë një nga interpretueset e tij më të shkëlqyera duke vijuar jetën koncertore me bashkëshortin në Europë dhe Shqipëri.

Zija Bushi Bejleri është saksofonisti i talentuar nga të paktit në Shqipëri, të këtij instrumeti të muzikës black, pop e rock si dhe përbërës i muzikës xhaz, baba i të cilës është i famshmi Luis Armstrong. Megjithëse muzika xhaz ishte pothuaj e mallkuar dhe ndaluar në Shqipëri, pasi mbaron Akademinë e Arteve, Zija Bushi Bejleri nis punën si saksofonisti i parë në orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ndërkohë që me përmbysjen e diktaturës bashkë me familjen e tij persekutuar nga regjimi komunist dhe vajzën e tij të zemrës Dhurata Lazon, atë kohë studente pianoje, do emigrojnë në Itali, duke nisur gjithçka nga e para. Nuk është e lehtë. Kush nuk e beson le ta provojë po të dojë. Zija Bushi Bejleri ia doli, me shumë punë, me shumë sakrifica dhe mund si dhe në saj padyshim edhe të talentit. Pasi vijon studimet në Milano dhe Trieste e pastaj për Xhaz-Muzik në Shkollën e Muzikës në Manhatten, SHBA, ai vazhdoi karierën e tij në Itali, si orkestrant dhe mësimdhënës, duke e zgjeruar pastaj më tutje aktivitetin me jetën koncertale në Itali, Gjermani, Luksemburg, Francë shpesh herë edhe në koncerte duo me Dhuratën, ajo në piano dhe ai në saksofon. Diçka vërtetë magjike.


I urojmë suksese dhe ndërkohë ju ftojmë që kush të ketë mundësi ta ndjekë këtë koncert të mrekullushëm me pjesë të zgjedhura nga Bellini, kompozitorja shqiptare Eriona Rushiti, Chopen etj nën tingujt e magjishëm të pianos dhe mrekullinë e saksofonit, interpretuar mrekullisht nga artistët.

Në Diamond Hotel. Në Hollin e bukur Diar Hall.




ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.