VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

CAIPIRINHA - PIJA KOMBËTARE E BRAZILIT

E Hënë, 07.07.2014, 05:19pm (GMT1)



Qindra mijëra tifozët e futbollit që po vizitojnë Brazilin për Botërorin janë duke konsumuar sasi të madhe caipirinhe (kaipirinje), pija kombëtare e vendit që përmban limon të athët dhe alkoolin cachaça (kashasa) që bëhet nga kallami i sheqerit.

Caipirinha (kaipirinja) është sinonim me Brazilin.

Kjo pije e ëmbël alkoolike është kokteji kombëtar i vendit, dhe mund ta gjesh gati kudo në bare dhe restorante, në panaire në rrugë, dhe madje edhe në plazh.

Caipirinha tradicionale përfshin limon të athët, sheqer dhe cachaça (kashasa), një pije alkoolike e bërë nga kallami i sheqerit dhe e ngjashme me rumin.

Ajo bëhet shumë thjeshtë limoni i athët dhe sheqeri shtypen në një gotë, dhe pastaj i shtohet akull dhe cachaça.

Këtu në Akademinë e Cachaça-s, në lagjien Leblon të Rio de Zhaneiros, caipirinha është përsosur.

Victor Hugo Velloso de Lima shpjegon popullaritetin e pijes.

"Kjo është pija më tradicionale në Brazil. Përveç birrës, shitet më shumë në vend. Është një pjesë e traditës kulturore."

Velloso de Lima thotë se është cachaça që e bën pijen veçanërisht braziliane dhe këtu në Academinë e Cachaça-s gjenden lloje të ndryshme për t'u provuar.

Për vizitorët e Botërorit dhe vendasit në Rio, caipirinha është një traditë kulturore të cilën ata e shijojnë së bashku.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.