VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

28 VITET E KËNGËTARES CHRISTINA  AGUILERA


E Shtunë, 12.20.2008, 10:09am (GMT+1)

Këngëtarja amerikane që bëhej e famshme në moshë shumë të re me këngën "Genie In A Bottle" (Gjeniu në shishe), Kristina Maria Aguilera (Christina Maria Aguilera), lindi më 18 dhjetor 1980, plot njëzet e tetë vjet më parë, në Steitën Ajlënd (Staten Island), me baba ekuadorian të vrazhdë e të dhunshëm dhe nënë irlandeze, violiniste, e cila tani është edhe manaxhere e këngëtares, përveçse "mikja më e mirë", siç thotë shpesh vetë Kristina në deklaratat e saj.
Vendosen përfundimisht në Filadelfia. Në shkollë vogëlushja Kristina Aguilera ishte një fenomen në të gjitha veprimtaritë artistike shkollore. Ajo nuk linte asnjë rast të tillë pa marrë pjesë, me një përkushtim tejet ngulmues. Ajo dëshiron që të jetë, patjetër, medoemos, në skena, për të manifestuar talentin e saj. Ajo është e etur për t'u admiruar, për t'u adhuruar, për t'u duartrokitur. Shokët e shkollës e admirojnë, e adhurojnë, e dëshirojnë gjersa Kristina Aguilera, në moshën aq të njomë dhe aq të pafajshme, tetë vjeçe, shkëputet nga radhët e tyre një herë e mirë, duke pasur paraqitjen e parë si profesioniste në shfaqjen "Star Search" (Kërkimi i yllit).
Tashmë në klimën e vet, ajo, si shumë kolegë të saj më herët dhe më vonë, ndër të tjerë edhe Britni Spiërs dhe Xhastin Tamberlleik, kalon nëpër "fabrikën e yjeve", botën e gjenisë Disney, duke hyrë në Klubin Miki Mauz (Mickey Mouse Club) dhe duke grumbulluar një mori daljesh në ekranin e kanalit televiziv të kompanisë Disney. Por edhe Japonia është një vend i bukur për ta pushtuar. Ajo është e ndjeshme si për prodhimet komerciale perëndimore edhe për befasitë e tilla natyrale siç është Kristina Aguilera. Publiku japonez, në takimin e parë me Aguilerën, vlerëson këngën e saj "All I Wanna Do" (Gjithçka që unë do të doja), duet i realizuar me një këngëtare vendëse japoneze, yll të muzikës pop, Keizo Nakanishi. Kristina, me këngën e saj, fluturon në krye të këngëve më të dëgjuara të programeve radiofonike të Japonisë.
Por Amerika është gjithmonë Amerikë. Amerika ka mënyrën e saj për të reaguar ndaj adoleshentëve që hyjnë në rrugën e famës. Japonia mbetet një jehonë për Kristina Aguilerën që, pavarësisht suksesit në Lindjen e Largët, kërkon patjetër të afirmohet në vendin e vet. Shtëpitë muzikore të Amerikës e presin me krahë hapur. I hap mikorofonët dhe nis, në fillim të vitit 1998, regjistrimin e këngës "Reflection" (Pasqyrimi). Kënga do të përdorej për kolonën zanore të filmit të studios Disney, "Mulan".
Drejtuesit ekzekutivë të shtëpisë muzikore RCA Records e dëgjojnë, e pëlqejnë dhe vendosin të bëjnë një kontratë, tejet korrekte, me këngëtaren e re. Producenët druhen nga ndonjë dështim i mundshëm, prandaj, me ankth dhe me këmbëngulje, bëjnë gjithçka për ta shmangur një gjë të tillë. Kështu, albumi i saj i parë "Christina Aguilera" do të ishte një bashkëpunim i gjerë i autorëve dhe i producentëve. "Genie In A Bottle", një këngë e lehtë dhe e ëmbël, e shkruar nga Pam Sheyne, me një refren tej mase drithërues, do të publikohej në verën e vitit 1999. Kënga del në krye të klasifikimit të industrisë muzikore amerikane dhe qëndron në atë pozitë për pesë javë rresht, duke u bërë albumi single më i shitur i vitit 1999 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga albumi i parë "Christina Aguilera" do të afirmoheshin edhe hite të tjera si kënga lirike "Love Will Find A Way" (Dashuria do të gjejë në rrugë), këngët tjet ritmike si "So Emotional" (Kaq emocionale) e "I Turn To You" (Unë kthehem tek ti). Janë tri këngë që e vënë në konkurencë të plotë me adoleshenten tjetër divë, Britni Spiërsin. Saqë shtëpia muzikore ku regjistron Aguilera, ndërmerr prodhimin e albumit të saj edhe në versionin spanjol, tashmë me titullin "Mi Reflejo" (Pasqyrimi). Kristina ka sukses të plotë edhe me albumin single "Dirty" dhe albumin me përmbledhje këngësh "Stripped", ku afirmon një numër hitesh të tjera. Ajo fiton edhe plot çmime muzikore në Amerikë dhe në botë. Por në hapësirën muzikore ka vend edhe për Kristinën, edhe për Britnin. Prandaj lufta midis princeshave të famshme të muzikës pop nuk deklarohet asnjëherë zyrtarisht. Madje kjo nuk ndodh as kur Aguilera ia merr të fejuarin Britnit, këngëtarin Xhastin Tamberlleik, i cili largohet edhe prej kësaj për aktoren Kameron Dias.

Menjëherë pas albumeve të suksesshme, Kristina Aguilera realizon versionin e "Lady Marmalade" për kolonën zanore të filmit të famshëm "Moulin Rouge", kënduar me këngëtare të tilla, simbole të bukurisë femërore si Lil'Kim, Mya e Pink. Kjo ngjarje artistike ndihmon që Kristina, përfundimisht të fluturojë në sferën e superyjeve amerikanë dhe botërorë. Ajo, gjithnjë e më shumë, e thellon rrugën e saj në muzikën e rëndë. Ky është një proces krijimtarie në të cilin ajo ndodhet edhe tani, natyrisht duke bërë gjithçka që të përkryejë kërkimet e saj muzikore, por edhe duke iu dhënë rëndësi realizimit të vidoeve, paraqitjeve të saj që synojnë të shpalosin bukurinë fizike të saj, duke ndërthurur veshje të kohëve më të hershme me konceptime moderne, ku tipike është videoja "Lady Marmelade".

Këngëtarja asokohe u përfshi edhe në aferën e skandalit midis Britni Spiërsit dhe Madonës, me rastin e ceremonisë së dorëzimit të MTV Awards 2003. Gjestin që Madona bëri pak më parë me Britnin, e përsëriti edhe me Kristinën, por Kristina ia la fajin Britnit për atë që kishte ndodhur. Kjo ndodhi kur të tria, pra Madona, Spiërs dhe Aguilera po këndonin këngën e famshme të Mbretëreshës së Muzikës Pop, "Like a vergin".

Më vonë Aguilera vendosi të dëshmojë më tepër pjekuri. Kjo u prit më shumë me vlerësim se me kritika. Pati tituj të tillë artikujsh si "From Crass to Class". Ajo i bëri flokët në bjonde me nuancë qershie. Pak më vonë i bëri fare bjonde dhe i preu shkurt, duke marrë pamjen e Merilin Monroes. Nga fundi I verës 2004 nxori dy single. I pari, "Car Wash", ishte ribërje e "Rose Royce", tani regjistruar në duet me raperen Missy Eliott për kolonën zanore të filmit "Shark Tale". I dyti ishte bashkëpunim me Nely, titullohej "Tilt Ya Head Back". Të dy patën sukses vetëm jashtë SHBA. Aguilera në gusht 2005 nxori albumin "Possibilities". Më vonë këndoi me italianin Andrea Bocelli këngën "Somos Novios" për albumin e tij "Amore". Albumi  "Back to Basics", publikuar në gusht 2006, debutoi numër 1 në Amerikë, Britani dhe njëmbëdhjetë vende të tjera. Ky album shiti 4,5 milionë kopje në mbarë botën.

Nga fundi i vitit 2006 ajo filloi turin "Back to Basic Tour" në Europë duke vazhduar me një tur tjetër në Amerikën Veriore në fillim të vitit 2007. Ishte turi më i suksesshëm amerikan i vitit. Pastaj ajo vazhdoi me ture në Azi dhe në Australi. Në fillim të vitit 2008 nxori koncertin në DVD "Back to Basics: Live and Down Under." Në verpimtarinë e 49-të të Grammy Awards ajo fitoi në kategorinë e zërit më të mirë femëror, për këngën "Ain't No Other Man". Në janar 2007 revista Forbes e shpalli femrën e 19 më të pasur artiste në botë, me një pasuri 60 milionë dollarë. Më 2008 ajo shfaqet në kolonën zanore të filmit "Shine a Light" nga një filmim i drejtpërdrejtë i këngës "Live With Me" me grupin Rolling Stones.  Në një speciale të MTV ajo konsiderohet një nga pesë zërat më të mirë të muzikës pop. Celine Dion, në një intervistë, tha se Aguilera mund të konsiderohet zëri më i mirë në botë. Revista "Rolling Stones", e renditi të 58-tën ndër 100 këngëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke qenë më e reja në këtë listë.

Aguilera është krahasuar vazhdimisht me këngëtare si Mariah Carey dhe Whitney Houston. Gazeta "Los Angelos Times" e krahason mënyrën e saj të kënduarit me atë të Barbra Streisand, Gladys Knight dhe Aretha Franklin.

Këngëtarja ka një përvojë jo të pakët edhe në ekranin e madh e atë të vogël. Më 1991 ajo pati një rol në The New Mickey Mose Club. Dy vjet më vonë pati numra muzikorë në një komedi. Luajti më 1999 në një episod të Beverly Hills, 90210. Drejtoi emisionin Saturday Night Live më 2004, ku përfshihej Sex & The City, ku ajo portretizonte Samantha Jones. Më 2008 ajo shfaqet në dokumentarin e Martin Scorsese, "Shine A Light, që kronikalizon dy ditë nga jeta e grupit Rolling Stones. Ajo ishte aktore në filmin Get Him to the Greek" të Judd Apatow.

Fama e ndihmoi Aguilerën të jetë fytyra e shumë prodhimeve të shtëpive më të mëdha botërore të modës, duke reklamuar prodhimet e tyre. Ajo u bë muzë dhe modele e shtëpisë së modës Versace dhe e shumë të tjerave. Ajo ka marrë pjesë në shumë veprimtari bamirëse dhe ka dhënë shuma të mëdha për luftën kundër AIDS-it e tjerë.

Pas disa fejesash, përgjithësisht tejet të mediatizuara, ajo filloi fejesën me producentin muzikor Jordan Bratman më 2002. Ata u martuan më 2005. Më 2006 pozoi për një seri fotografike të frymëzuar nga Marilyn Monroe për revistën GQ. Më 9 shtator 2007 Paris Hilton bëri të ditur se Aguilera është shtatzënë. Aguilera e konfirmoi këtë më 4 nëntor në revistën Glamour. Më 12 janar 2008 ajo lindi djaline  saj Max Liron Bratman në Los Anxhelos të Kalifornisë. Emri i tij nga hebraishtja do të thotë "Kënga jonë më e mrekullueshme". Ajo u pagua për fotot e para të foshnjës 1,5 milionë dollarë nga revista People, të cilat revista Forbes i renditi në vendin e pestë të fotove më të shtrenjta të foshnjave

të njerëzve të famshëm.
Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]