VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Tirana ende nuk sqaron rrethanat e rrahjes së gazetarit

 


E Shtunë, 12.20.2008, 12:45pm (GMT+1)

20 dhjetor (Voal-online) - Sulmi fizik ndaj zëvendëskryeredaktorit të gazetës "Albania" Luan Kondi ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:10, kur ai po dilte nga redaksia e cila ndodhet pranë televizionit "Vizion Plus". Personat që e kanë sulmuar kanë qenë katër. Kondi është dërguar menjëherë dhe ka marrë ndihmën e parë, ndërkohë është njoftuar policia, pikërisht Komisariati i rajonit Numër 3,  e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe i ka filluar hetimet menjeherë. Dëshmitarët e ngjarjes kanë thënë se katër personat kanë qenë me një veturë e cila kishte targat e Laçit. Krerët e lartë të policisë së shtetit kanë premtuar se do ta bëjnë zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes. Stafi i gazetës "Albania" shprehu shqetësimin dhe indinjatën e tij të thellë lidhur me këtë akt dhune dhe kërkoi zbatimin e ligjit nga strukturat shtetërore, identifikimin e autorëve, si dhe zbardhjen e motiveve të vërteta të sulmit dhe dhunës barbare, të cilën ata e ekzekutuan në mes të ditës dhe në mënyrë demonstrative përpara godinës së redaksisë së gazetës.

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]