VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DO TË KEMI HIDROCENTRALE EDHE MBI DEVOLL
E Hënë, 12.22.2008, 10:57am (GMT+1)

Voal-online - Në një partneritet 50-50 kompania austriake EVN dhe ajo norvegjeze Statkraft morën përsipër dje ndërtimin e tri hidrocentraleve të mëdhenj mbi lumin Devoll. Tri hidrocentralet do të kenë një kapacitet mesatar vjetor 1000 gigawat/orë (ose 350 Megawatt).

Projekti parashikohet të kushtojë 950 milionë euro ose $1,37 miliardë. Firma për dhënien me koncesion, pas një viti të tërë bisedimesh është hedhur dje në Tiranë midis qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të kompanive, të cilat i kishin fituar tenderat ndërkombëtarë të shpallur nga Ministria shqiptare e Ekonomisë dhe Energjisë. Sipas Ministrit Genc Ruli vepra më e madhe në kuadrin e tri hidrocentraleve të mëdhenj do të jetë një tunel i gjatë 62 kilometra. Ky projekt do të jetë një nga projektet më të mëdha hidroenergjitike të krejt Europës, ka komentuar Ministri Ruli.

Dy kompanitë janë në procesin e planifikimit dhe ende nuk është shpallur ndonjë datë se kur do të fillojnë punimet. Por kontrata thotë se hidrocentralet duhet të përfundojnë së ndërtuari brenda tetë viteve të ardhshme.

Në vitet e tranzicionit Shqipëria ka vuajtur nga ndërprerjet e shumta të energjisë, si për shkak të shtimit të përdorimit të  energjisë elektrike për familjet dhe bizneset, ashtu edhe për shkak të thatësirës si dhe për shkak të sistemit të papërshtatshëm të shpërndarjes, çka iu ka sjellë konsumatorëve fatura të shtrenjta të pagesës së energjisë.

Pas Drinit, do të jetë Devolli lumi i dytë në Shqipëri që do të ketë një gjerdan hidrocentralesh të mëdhenj. Ndërkohët Drinit do t'i shtohen edhe dy hidrocentrale të mëdhenj, ai i Skavicës në Dibër dhe ai i Ashtës në Shkodër.

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]