VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Senati italian ratifikon Protokollin e Shqipërisë në Nato&l
E Hënë, 12.22.2008, 09:20pm (GMT+1)

22 dhjetor Voal-online Sot pasdite Senati i Italisë ratifikoi në unanimitet të plotë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Pas ratifikimit të këtij protokolli nga Dhoma e Deputetëve, edhe anëtarët e Senatit italian dhanë njëherësh votën e tyre pro anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Me këtë rast Kryetarja e Parlamentit zonja Jozefina Topalli I drejtonte një letër  Kryetarit të Senatit Italian, Renato Schifani, duke e falenderuar për angazhimin e tij personal, duke bërë të mundur që procesi i ratifikimit të përmbyllej brenda kalendarit të ngjeshur të punimeve të këtij viti. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për senatorët italianë,  për miqësinë dhe besimin e tyre ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të merituar anëtarësimin në NATO. Për Kryetaren e Kuvendit fakti që Italia është në grupin e parë të vendeve që ratifikuan këtë protokoll është një tregues i përkrahjes së vazhdueshme që ky vend mik i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik.  Kjo votë unanime, sipas autoriteteve shqiptare, "është shenjë e mbështetjes së plotë për Shqipërinë që ajo të rreshtohet si anëtare me të drejta të plota të NATO-s, krah vendeve të tjera të kësaj familjeje, me të cilët ndan të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë".

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]