VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Selimi: TMK po i lëshon vendin FSK
E Shtunë, 12.27.2008, 12:06pm (GMT+1)

Forca e Sigurisë së Kosovës parashihet të jetë operacionale deri në mesin e vitit 2009, tha komandanti i emëruar i kësaj Force, gjenerallejtënant Sylejman Selimi. Ai tha se shpërbërja e TMK-së do të jetë e dhimbshme për faktin se të gjithë pjesëtarët e saj nuk do të mund të përfshihen në FSK.

-

Evropa e Lirë - Pas gati një dekade të funksionimit, Trupat Mbrojtëse të Kosovës do të shpërbëhen për t'i lëshuar vendin formimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha sot komandanti aktual i TMK-së dhe komandanti i ardhshëm i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi. Në një vlerësim të punës së TMK-së dhe procesit të formimit të FSK-së, Selimi tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë një forcë profesionale, e aftë dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve. Gjenerali Selimi tha po ashtu se shpërbërja e TMK-së nuk është aq e lehtë, për faktin se një pjesë e këtyre trupave nuk do të mund të jenë pjesë e FSK-së, e cila do të ngritët mbi kriteret e NATO-s.
"Ne jemi në prag të përfundimit të misionit të TMK-së dhe ky mision do ta mbyllë thuajse një dekadë të sukseseve në vazhdimësi, të cilat i ka pasur, dhe shumë shpejt do të fillojmë me ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky është një proces jo i lehtë për pjesëtarët e TMK-së, duke ditur faktin se të gjithë pjesëtarët e TMK-së nuk do të mund të jenë në Forcën e Sigurisë dhe kjo pak na bën që të mos e ndjejmë veten komod, të mos e ndjejmë veten mirë. Mirëpo, bashkërisht me institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, të cilat edhe i kanë dhënë zotimet, ne besojmë dhe jemi të bindur që i tëri ky proces do të kalojë në formën më të mirë të duhur", ka thënë Selimi
Gjenerali Sylejman Selimi shprehu besimin e tij se FSK-ja do të jetë funksionale deri në mesin e vitit 2009. Ai tha se formimi i Forcës së Sigurisë në këtë fazë nuk do ta zbehë rolin që ka KFOR-i në Kosovë.
"Ne jemi në proces, nëse flasim për vitin që po hyjmë, nuk besoj që do ta minimizojë rolin e vet KFOR-i në Kosovë. Ka edhe ai planet e veta, planet afatgjate. Unë jam i bindur që FSK-ja do të jetë në kuadër të përgjegjësive dhe ligjit, që të jetë sa më funksionale dhe sa më shpejt ta ketë rolin e vet operativ", tha Selimi.
Forca e Sigurisë së Kosovës parashihet të ketë 2 mijë e 500 trupa të rregullta dhe 800 rezervë. Kjo Forcë do të pajiset me një armatim të lehtë dhe do të jetë e mbikëqyrur nga NATO-ja. Ndërkohë që një pjesë e TMK-së që nuk do t'i përmbushë kriteret për t'u integruar në FSK, parashihet të pensionohet apo të përfshihet në punë tjera institucionale.
Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është që asnjë prej pjesëtarëve të tashëm të TMK-së të mos mbetet pa përkujdesje institucionale. Kurse, përfshirja në FSK do të kërkojë respektimin e kritereve që parashihen edhe për forcat tjera që veprojnë në kuadër të NATO-s. Si e tillë, FSK-ja shihet nga kosovarët edhe si bërthama e ushtrisë së ardhshme të Kosovës./Voal-online.

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]