VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Në intervistën ekskluzive Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se qeveria e tij identifikohet me shtetndërtimin e Kosovës  
E Martë, 12.30.2008, 09:19pm (GMT+1)

Intervistoi: Elida BUÇPAPAJ

 

Voal-online: Është bërë një vit nga koha që qeverisni Kosovën, kohë që përkon edhe me njëvjetorin e pavarësisë. Cilat janë arritjet më të spikatura të qeverisë tuaj ?

Hashim THAÇI: Viti që e po e lëmë pas është një vit epokal për Kosovën. Aspiratat njëshekullore për liri dhe pavarësi u finalizuan me lindjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Që në ditët e para të qeverisë sime ne u përballëm me këtë sfidë të jashtëzakonshme historike, duhej të shpallnim pavarësinë në njërën anën e në anën tjetër të ruanim rendin dhe stabilitetin e vendit. Bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë ne ia dolëm të kemi sukses në të dy këto procese. Pastaj erdhi Kushtetuta, Konferenca e Donatorëve dhe shumë procese tjera që ndërlidhen me konsolidimin e shtetit demokratik. Në këto ditë festash unë ndjehem krenar që kam drejtuar një qeveri e cila identifikohet me shtetndërtimin e Kosovës. Natyrisht në këtë punë të madhe nuk ishim të vetëm: përkrah kishim mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare në krye me SHBA-të dhe Bashkimin Europian, si dhe mbështetjen e fuqishme të popullit të Kosovës. Në planin e qeverisjes së brendshme janë shënuar shumë suksese. Gjatë këtij viti ne kemi filluar një politikë të modernizimit të shpejtë të jetës në Kosovë, me rrugë të reja, me shkolla të reja, me ngritje të standardit jetësor për mësuesit e shtresa tjera të shoqërisë. Imazhet e një Kosove me baltë dhe shkolla kontejnerë po zhduken. Imazhi i Kosovës së re po e zë vendin e tyre.

 

Voal-online: Që Kosova të ketë ulëse në OKB i duhet që të njihet nga një shumicë e konsiderueshme vendesh. Deri më tani Kosovën e kanë njohur 53 vende. A kemi ndonjë zhvillim të ri, a presim që Kosovën ta njohin vende të tjera tash shpejt ?

Hashim THAÇI: Pavarësia e Kosovës është një fakt ndërkombëtar i pakthyeshëm. Në këtë kontekst procesi i njohjes është duke vazhduar, megjithëse ndonjëherë krijohet përshtypja se është ndalur. Ne do të kemi njohje të reja shumë shpejt. Në pranverë Kosova do të bëhet pjesë e mekanizmave të fuqishëm financiarë ndërkombëtarë dhe kjo do të jetë një faktor që do ta dinamizojë edhe më shumë procesin e njohjes së shtetit të Kosovës.

 

Voal-online: A po lobon qeveria juaj dhe si për njohjen e pavarësisë të shtetit të ri të Kosovës ?

Hashim THAÇI: Kemi vënë në funksion të gjitha mundësitë tona që procesi i njohjes ndërkombëtare të shtetit tonë të vazhdojë me ritëm edhe më të shpejtë. Nuk është e thënë që çdo detaj i këtij angazhimi të dihet nga të gjithë. Për këtë arsye dikush mund të thotë se nuk po punohet në lobimin për njohje.

 

Voal-online: Ju erdhët në pushtet me një fitore të qartë, a nuk mendoni se alenca juaj me LDK-në e ka dëmtuar qeverisjen tuaj, kur dihet se kjo parti në zgjedhjet e fundit ka humbur shumë nga elektorati i saj ?

 Hashim THAÇI:  Kolacioni qeverisës e ka dëshmuar gjatë tërë këtij viti qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e tij në raport me proceset në vend dhe kërkesat e qytetarëve. Rezultatet janë dëshmia më e mirë për këtë.

 

Voal-online: A nuk keni menduar se qeverisja juaj do të ishte më e fortë duke bërë aleanca me  eksponentët që kanë mbetur në opozitë apo edhe jashtë politikës ?

 Hashim THAÇI: Qeverisja ime është e fortë dhe efektive. Që nga fillimi kam aplikuar parimin e transparencës dhe të mosmbylljes ndaj shoqërisë civile, mediave dhe pikëpamjeve të ndryshme që janë prezantuar prej tyre. Unë i çmoj lart kritikat racionale që mund të bëhen, sepse më ndihmojnë të ngre efikasitetin e qeverisjes. Ky është një fakt që e bën edhe më të fortë qeverinë që unë drejtoj. Kritikat joargumentuese dhe akuzat spekulative nuk më brengosin. Nuk harxhoj kohë me to.

 

Voal-online: Janë disa emra që gjatë këtyre dhjetë viteve kanë fituar peshë në politikën e Kosovës, si Ramush Haradinaj, Agim Çeku, Veton Surroi. I shihni ata vetëm si kundërshtarë politikë apo mendoni ndonjë projekt që t'ju

bashkojë ?

Hashim THAÇI: Kundërshtari politik është një element i jetës politike në demokraci. Pra nuk ka asgjë të keqe këtu. Secili ka të drejtë të japë pikëpamjet e tij. Qytetarët pastaj vendosin se cila është më e mira. Një vit më parë qytetarët e Kosovës vendosën për vizionin tim të qeverisjes dhe unë do të vazhdoj të punoj në këtë vizion, që është vizion i zhvillimit dhe integrimit të vendit.

 

Voal-online: Kam qënë nga të parat gazetare në Kosovë që kam përshëndetur duarshtrëngimin që keni pasur me Ibrahim Rugovën ? A mendoni ndonjëherë se duhej të ishte bërë më herët ?

 Hashim THAÇI: Ne kemi bashkëpunuar një kohë të gjatë në proceset më të rëndësishme të vendit. Natyrisht kemi pasur dallime ne konceptet politike dhe në mënyrën e qasjes ndaj problemeve të caktuara. Qëllimi final ka qenë i njejtë.

 

Voal-online: Për një Kosovë të fortë unë kisha parafytyruar një skemë të tillë qeverisëse ku ju të ishit Kryeministër, Agim Çeku President, Ramush Haradinaj kryetar i Parlamentit të Kosovës, dhe Veton Surroi ministër i jashtëm, ju si e mendoni këtë skemë ?

Hashim THAÇI: Gjithmonë duhet ta kemi parasysh faktin se në demokraci skemat dhe formatin e qeverisjes i përcaktojnë qytetarët me vullnetin e tyre të shprehur në zgjedhje. Dëshirat dhe preferencat individuale duhet të testohen tek kutitë e votimit. Gjithashtu liria e intepretimit mbi atë se si do të ishte më mirë është një vlerë demokratike.

 

Voal-online: Këshilltarja e politikës së Jashtme të lobit aq të fuqishëm Shqiptaro-Ameriken me ndikim në Washington D.C. Shirli Cloyes Dioguardi në emër të LQSHA, ka disa kohë që ka ngritur shqetësimin për planin 6pikësh, ju si e shihni këtë plan ?

Hashim THAÇI:  Shqetësimet e ngritura rreth atij plani kanë qenë të arsyeshme. Ne si institucione të Republikës së Kosovës me kohë e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë të prerë ndaj atyre pikave, të cilat për ne janë vetëm një letër e vdekur. Kosova e ka planin e saj të veprimit, e ka Planin e Presidentit Ahtisari, Kushtetutën moderne që ofron të drejta dhe garanci për të gjithë qytetarët e vendit pa dallime etnike, religjioze ose të tjera, e ka integritetin e vet territorial të njohur ndërkombëtarisht.

 

Voal-online: Në një intervistë tek Evropa e Lirë, Jakup Krasniqi, Kryetari i Parlamentit ka deklaruar se "Kosova mund të kërkojë pjesë në Luginën e Preshevës", si e komentoni këtë deklarim të tij ?

 Hashim THAÇI: Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj dikujt tjetër, por as nuk do të lejojë të cenohet integriteti dhe sovraniteti i saj. Veprimet provokative të Beogradit janë disa veprime të mjera që nuk do të mund të ndryshojnë  këtë fakt asnjëherë.

 

Voal-online: Diaspora e ka mbështetur shumë klasën politike të Kosovës në përgjithësi, qoftë majtas apo atë të qendrës së djathtë. Tani ajo po ndihet e anashkaluar e shpërfillur, sepse shumë intelektualë të Kosovës që jetojnë në Perëndim dhe që po përpiqen të konkurojnë përmes CV së tyre për vende me rëndësi strategjike, po përjashtohen prej aparatçikëve partiakë, a keni ndonjë strategji kombëtare për të tërhequr trurin e Kosovës.

Hashim THAÇI: Republika e Kosovës tashmë po hyn në një periudhë të re të zhvillimeve të saj. Janë tre procese të mëdha në këtë periudhë, kompletimi i shtetndërtimit, nxitja e zhvillimit ekonomik dhe përgatitja e vendit për integrimet euro-atlantike. Pra përpara kemi një sfidë shumë komplekse. Prandaj na duhen të gjitha energjitë, e edhe ato të disaporës sonë në perëndim, e cila ka bërë aq shumë për Kosovën. Unë dhe partia që drejtoj kemi qenë të parët që ua kemi hapur dyert atyre që janë shkolluar në botën perëndimore. Këtë politikë e kam vazhduar edhe në qeveri. Mjafton t'i hidhni një sy strukturës qeveritare dhe do të bindeni në këtë. Procesi i zhvillimit dhe integrimit kërkon dije dhe ekspertizë. Unë jam i vetëdijshëm për këtë dhe do të veproj në vazhdimësi në përputhje me këto kërkesa.

 

Voal-online: Në këtë intervistë nuk mund të lë pa përmendur të ardhmen e rrugës Morinë-Merdare ? Është një rrugë që sa iu jep shqiptarëve përfitime, ju jep edhe ju kredenciale. Kur do të mbarojë kjo rrugë ?

Hashim THAÇI:  Jemi në mbarim të fazë fillestare para nisjes së implementimit të këtij projekti që do të fillojë në vitin 2009. Kjo fazë përfshin studimin dhe përllogaritjet detale të realizimit. Gjatë këtij viti që po shkon ne kemi bërë shumë në modernizimin e infrastukturës rrugore. Ky proces do të përmbyllet me auto-rrugët, njëra prej të cilave është edhe ajo Morinë-Merdare.
 

Voal-online: Diçka nga jeta juaj private, a keni kohë që t'i përkushtoheni familjes dhe djalit tuaj Endrit ?

Hashim THAÇI: Angazhimet në qeverisjes janë vërtetë të shumta. E filloj shumë herët punën dhe e mbaroj vonë. Megjithkëtë përpiqem dhe gjej kohë për të qëndruar me familjen. Djali është i dhënë shumë pas sportit, një hobi të cilin e kam edhe unë qysh prej rinisë. Shpeshherë polemizojmë për garat sportive, sidomos ato të futbollit.

 

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]