VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Veriu i Mitrovicës është përgjegjësi e plotë e KFOR-it dhe EULEX-it
E Martë, 01.06.2009, 09:24am (GMT+1)

Editorial i Voal-online Fundviti 2008 dhe fillimviti 2009 janë shoqëruar me incidente në veriun e Mitrovicës me shumicë serbe.  KFOR-i dhe EULEX-i kanë rritur masat e sigurisë dhe kanë bërë deklarata se e kanë marrë situatën nën kontroll. Provokimet e fundit janë si gjithnjë në shërbim të skenarit të njohur për t'i demonizuar shqiptarët si shkaktarë të situatës së dalë jashtë kontrollit, kur në fakt dihet se shqiptarët e Kosovës nuk kanë të bëjnë fare me këtë fakt. Në veriun e Mitrovicës shqiptarët, të cilët sot përbëjnë aty vetëm një pakicë, (pasi pjesa tjetër disa dhjetëra mijë - nuk guxon të kthehet në shtëpitë dhe trojet e veta), janë gjithnjë të rrezikuar nga provokimet e ekstremistëve serbë, të cilët janë të gatshëm sa herë që të marrin urdhëra të shkaktojnë prishje të rendit apo eskalim të dhunës. Ekstremistët serbë kanë objektiva të qarta, ata duan të ndajnë veriun e Mitrovicës nga Kosova, ndërsa EULEX-i dhe KFOR-i po ashtu kanë detyra të qarta për të mos lejuar implementimin e skenarëve të ekstremistëve serbë. Ata i kanë të gjitha mjetet, mundësitë dhe përgjegjësitë për ta qetësuar veriun e Mitrovicës. Nuk ka asnjë segment ekstremist midis shqiptarëve të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës, së bashku me institucionet legjitime të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, janë në shërbim të paqes dhe stabilitetit. Ideja e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj për shtimin e nënstacioneve të policisë është me vlerë, por nuk duhet përdorur për akuza ndaj qeverisë Thaçi, sepse lind pyetja e përse Haradinaj nuk i ngriti këto nënstacione policie kur ishte kryeministër. Këto nënstacione policia nuk janë ngritur jo sepse ka munguar vullneti i qeverisë Thaçi apo i qeverive paraardhëse, por sepse veriu i Mitrovicës ka mbetur si një "monopol" në duart e ndërkombëtarëve. Qeveria Thaçi,  ka besim tek KFOR-i dhe EULEX-i të cilët duhet ta justifikojne besimin e qytetarëve të Kosovës, duke pastruar veriun e Mitrovicës nga segmentet estremiste të serbëve, për të krijuar stabilitet për të gjithë shtetasit e Kosovës në këtë pjesë, ku përfshihen serbët, shqiptarët, boshnjakët e me rradhë.

E.B.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]