VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Radio DW - Prof.Altman: Po zvarritet dorëzimi i pushtetit tek administrata shqiptare e KFOR-i e EULEX-i po përmbahen për të marrë përgjegjësitë E Martë, 01.06.2009, 07:08pm (GMT+1) DW: I pyetur për zhvillimet në Mitrovicë eksperti gjerman për Evropën Juglindore Prof. Dr. Altman thotë se në rast të tillë edhe një grindje e vogël mund të çojë në përplasje lokale. Prof. Dr. Franz- Lothar Altmann (Altman) është i mendimit se në një situatë të tillë në rajonin e Mitrovicës edhe një grindje e vogël mund të çojë në përplasje lokale. Prof ALTMAN: "Më duket se nuk ka vend për t'u çuditur shumë që ngjarje të tilla të vogla si p.sh. goditjet me thika të javës së kaluar të ndezin një zjarr dhe që aty ndodhin vazhdimisht përplasje, këto priten për shkak të gjendjes së pakënaqshme për të dyja palët. Shqiptarët janë të pakënaqur, sepse gjërat nuk po shkojnë përpara, që vënia në jetë e planit të Ahtisarit nuk po funksionon ashtu si duhet dhe serbët janë të pakënaqur, sepse po e shohin që një kthim i Kosovës tek Serbia është i papërfytyrueshëm. Kemi pra pakënaqësi nga të dyja palët dhe në raste të tilla edhe një grindje e vogël mund të çojë në përplasje lokale." DW: Ndërsa pyetjes se përse zhvillime të tilla po ndodhin në këtë moment, Altman i përgjigjet: PROF ALTMAN: "Kjo nuk ka të bëjë patjetër me ndonjë situatë politike të veçantë, si thashë, një gjë e tillë ishte e mundur në çdo moment; kjo ka të bëjë me zvarritjen e dorëzimit të pushtetit tek administrata shqiptare nga njëra anë dhe me qëndrimin e përmbajtur të KFOR-it dhe të EULEX-it për marrjen e përgjegjësive në pjesën veriore të Kosovës nga ana tjetër. Për të dyja palët këto janë shkaqe të mjaftueshme për ta manifestuar pakënaqësinë në rrugë. Prof Altman është i mendimit se të dyja palët përpiqen që prej këtyre ngjarjeve të gjejnë argumenta të caktuara dhe ka vend për spekulime. "Beogradi prej këtyre ngjarjeve sjell argumenta për ndarjen e Kosovës. Dhe duket se në një perspektivë afatgjatë Beogradi do mund ta pranonte një ndarje, pra bashkimin e pjesës veriore të Kosovës me Serbinë, si një lloj zgjidhje. Sepse realisht Beogradi nuk mund të përfytyrojë që e gjithë Kosova do të rikthehet nën sundimin e tij, por pjesa veriore. Kjo do të ishte një lloj zgjidhjeje minimale, të cilën mund ta pranonin shumë politikanë në Beograd dhe ngjarje të tilla ndihmojnë për të thënë se nuk ka pajtim, se nuk ka mundësi për bashkëjetesë." DW: Por a do ta pranonte bashkësia ndërkombëtare një zgjidhje të tillë minimale? |
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe] |