VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ikona e re e Hollywoodit me emrin Anne  Hathaway
E Hënë, 01.12.2009, 02:25pm (GMT+1)

En Heidhuei: Kthehesha në shtëpi në mbrëmje me ndjesinë se kisha marrë puthje gjithë ditën e lume

 

Qershorin e kaluar, Anne Hathaway, aktore 25 vjeçare filmi, e gjeti veten në qendër të një skandali. Duke qenë shtatë vjet rresht larg vëmendjes, qysh prej filmit të saj debutues të vitit 2001, përkrah Julie Andrews, The Princess Diaries (Ditarët e Princeshës) Hathaway zbuloi se i dashuri i saj i prej katër viteve (ata sapo ishin ndarë), një biznesmen italian i quajtur Raffaello Follieri, ish arrestuar dhe akuzuar për pastrim parash e mashtrim. Skandali përbëhej nga elemente të forta të jetës së sferës së lartë të Hollivudit, nga lidhje me Vatikanin dhe nga emra të mëdhenj biznesi. Follieri u gjet fajtor për 14 akuza dhe u dënua në tetor me katër vjet e gjysmë burg. Kur e takoje aktoren Hathaway, gjatë vizitës së saj në Londër, pak ditë para dënimit të Follieri, ajo nuk dukej një grua e re e pështjelluar nga të tilla ngjarje. Mbante një bluzë të bardhë dhe pantollona doku të errëta, këmbën përmbi këmbë, ashtu dukej tejet e shkujdesur. Fytyra e saj me ata sytë e atë gojë aq të mëdha që dukej sikur ishin prerë enkas për ekranin e madh nuk dëshmonin asnjë hall. Hathaway mjaftohet të përshkruajë pozitën e saj aktuale tejet me fat, teksa flet për rolin e saj në filmin dramë me temën e familjes të regjisorit Jonathan Demme, Rachel Getting Married. Loja e saj e fuqishme ia kishte siguruar asaj tashmë një kandidaturë për Golden Globe, paçka se çmimn ia rrëmbeu Kate Winslet.

"Lindur nën një yll fatmadh, Hathaway!" vikat ajo. "Në këtë moment, kur mund të isha bërë një viktimë thashethemesh, jam aktualisht aktore e suksesshme. Nuk mund të besoj se ky është filmi me të cilin ua dhashë përgjigjen e merituar përfoljeve."

Hathaway luan Kym, një drogmene në kurim, me sy të nxirë e të fryrë, e cila del nga qendra e rehabilitimit për të marrë pjesë në martesën e motrës më të madhe, Rachel (luajtur nga Rosemarie DeWitt), në shtëpinë e familjes në Kënektikët. Për Kym kjo është një ngjarje e mërzitshme. Kur Rachel shpall se është shtatzënë, Kym ia kthen: "Kjo është padrejtësi!"

Hathaway e kujton mirë leximin e parë të skenarit (nga Jenny Lumet, bijë e Sidney Polack): "Isha në apartamentin tim të vjetër në West Village (Manhatën), duke u endur andej këndej në guzhinë. I shkova me një frymë skenarit deri në faqen e fundit." Filmi përmban marrëdhënie të ngjeshura të familjes dhe Hathaway portretizon Kym, qendrën e të gjitha ngjarjeve në familje. "Kym është kur rafsha mos u vrafsha," thotë Hathaway. "Ajo është një femër dërmuese, ajo është e dërmuar nga vetvetja."

Hathaway u rrit në New Jersey, vajzë e një avokati dhe e një aktoreje skenike. Ajo e filloi karrierën pofesionale 16 vjeçe, së pari me dramën televizive Get Real, pastaj në ekranin e madh fill pas The Princess Diaries. "Unë nuk e di çfarë më bëri mua kaq arrogante dhe kaq të vendosur," thotë ajo, "por gjithnjë mendoja të bëhesha aktore." Ajo vazhdoi me rolin e princeshës Mia Thermopolis si Hirushe moderne në filmin Ella Enchanted (2004) dhe me një Ugly Duckling (Rosa e shëmtuar) modern në filmin The Devil Wears Prada (2006). Edhe pse jo tamam një fëmijë yll, Hathaway u përball me një periudhë kalimtare të përfshirjes në filma jashtë tregut të familjes. Kjo periudhë u përshkua nga role dytësore si Lureen Newsome, gruaja mbretëreshë e garës së kuajve e Jack Twist (luajtur nga Jake Gyllenhaal) në filmin

Brokeback Mountain, ku ajo u ndje se ia kishte dalë me sukses të plotë.

"Rachel Getting Married është shumë më i përshtatshëm ngaqë unë e dija tipin e filmave ku njerëzit mendonin se isha e zonja të luaja, si puna e The Princess Diaries," thotë aktorja. Por sfidat e saj mund të zbehin një skandal si ai i qershorit. Ndarja e saj nga Follieri dhe arrestimi i tij erdhën në mes të turit të saj botëror për filmin komedi me temën e spiunazhit Get Smart, ku luajti me Steve Carell. Midis ndarjes dhe arrestimit ajo gjithashtu kishte marrë pjesë në drekë zyrtare në Paris në cilësinë e saj si fytyra e re e parfumit të firmës Lancôme, Magnifique. Në atë moment kur duhej fshehur dhe nuk duhej të kapte telefonat kur tingëllonin, asaj iu desh të bënte krejt të kundërtën.

Nga ana e saj Hathaway ishte temrrësisht në dashuri me Follierin prej kur ata u takuan nëpërmjet një miku më 2004. Biznesi i Follierit bazohej në blerjen e pronave, kryesisht të Kishës Katolike në Amerikë çka e ndihmuan lidhjet me Vatikanin që i dha të drejta speciale të blejë pasuri të tilla. Ai arriti të krijojë disa shoqëri të fuqishme biznesi, duke formuar një joint venture më 2005 me YUCAIPA, një firmë investimesh e drejtuar nga perandori miliardier i supermarketeve Ron Burkle, një mik i Bill Clinton. Follieri madje kishte ngritur një fondacion bamirësie në emrin e tij duke pasur Hathawayn në bordin e fondacionit, i cili më 2006 filloi një program vaksinimi kundër hepatitit A në Nikaragua. Në një rast ai është falënderuar publikisht nga Clinton ngaqë jepte $50 milionë nga fondacioni për Clinton Global Initiative (një dhuratë që nuk u bë). Por në maj 2007, kur YUCAIPA ngriti një akuzë kundër

Follieri për "keqpërdorim sistematik të pasurive" duke përfshirë edhe një A-list lifestyle (një varg qejfesh të kushtueshme) me Hathaway ("fjetje në hotele pesyjesh", "avion të shtrenjtë udhëtimesh"), veprimtaritë e Follierit u vunë nën një kontroll në rritje. Ai dha $1,3 milionë për akuzën e YUCAIPA, por në prill 2008 iu desh të paraqitej në policinë e Nju Jorkut për të sqaruar çështjen e një çeku të majmë $215 000, një prelud për tek akuza që do të zyrtarizohej kundër tij në qershor (mes tjerash, ai akuzohej se kishte punësuar dy zotërinj për t'i bërë shoqëri atij në takimet e biznesit dhe, njëherë, se kishte urdhëruar një imzot të vishte uniformën e një kleriku më të lartë në mënyrë që të bëjë të duken lidhjet e Follierit me Vatikanin më të rëndësishme.)

Pasi akuzat u bënë publike, Hathaway mundi me lehtësi të vihej në mbrojtje dhe kërkoi nga zëdhënësi i saj të hidhte poshtë çdo akuzë kundër saj. Por, duke shmangur çdo hetim ndaj saj, ajo nxiti hamendjet kundër Follierit. Ajo u shfaq në spektaklin televiziv satirik Saturday Night Live, duke paraqitur veten tejet të hareshme. Në spektaklin e David Letterman ajo çoi duart lart dhe u shkri së qeshuri: "Teksa marrëdhëniet e mia shkuan e vanë, unë e ndjeva veten sa s'ka më mirë. Dua të them, mrekulli e botës!"

Kjo sjellje përballë situatës e shpërbleu atë në media, në atë mënyrë ajo fshehu edhe çfarëdolloj moslumturie që po përjetonte privatisht. Ajo përmendi sa rëndësi ka për të vëllsi i saj më i madh, Michael, që ka punuar si ndihmës i saj përgjatë dy viteve të shkuara (ajo ka edhe një vëlla më të vogël, në universitet). "Ta kesh atë pranë ndihesh qetë. Është tejet i zgjuar, di gjithçka për mrekulli e bën gjithçka më së miri. Unë mund t'i besoj atij me sy mbyllur."Edhe mënyrat e saj të qëndrimit, të komunikimit, të veshjes u parapëlqyen. Çfarëdo që ajo mbante, çfarëdo që vishte bëhej objekt komentesh. "Veshja shik është hakmarrja më e mirë," shkruhej nën imazhin prej porcelani të Hathaway në ballinën e parë të revistës së modës së lartë W. Ajo nënvizon: "Nuk kam pse ankohem për mënyrën si jam trajtuar nga mediat. Unë isha duke pritur Schadenfreude, por pata mirëkuptim dhe ledhatim. Zgjohesha e trembur çdo mëngjes se ku do të merrja goditje, por kthehesha në shtëpi në mbrëmje me ndjesinë se kisha marrë puthje gjithë ditën e lume."/

Elida BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]