VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Editorial: pa e njohur Kosovën, Serbia nuk mund të kërkojë bisedime
E Mërkurë, 01.14.2009, 10:51am (GMT+1)

"Serbia nuk deshi ta njihte vendin tonë në mënyrë paqësore, kjo është arsyeja pse ajo deshi të na shkatërronte ne. Të gjitha përpjekjet tona për të gjetur një zgjidhje paqësore ishin të pamundura. Në mënyrë që ta shpëtojë popullin, NATO-s iu desh të ndërhyjë." Këto fjalë Presidenti Ibrahim Rugova i thoshte në kohën kur në krye të Beogradit ishte Sllobodan Millosheviçi. Edhe sot e kësaj dite thënia e Presidentit Rugova qëndron pikë për pikë dhe fjalë për fjalë si atëherë kur e ka shqiptuar. Bisedimet midis dy vendeve bëhen vetëm mbi bazën e njohjes së ndërsjellët. Pa këtë përmasë nuk mund të ndërtohen marrëdhëniet, aq më tepër midis dy vendeve fqinje. Sidomos nuk mund të përfytyrohen ato kur bëhet fjalë për dy vende fqinje. Kosova e pranon Serbinë si vend fqinj. Kjo nuk është e mjaftueshme. Edhe Serbia duhet ta njohë Kosovën si vend fqinj. Duke mos njohur Kosovën, Serbia dëshmon se nuk e njeh realitetin e krijuar në vendin fqinj, dëshmon se nuk heq dorë nga qëllimet imperialiste kundër Kosovës. Sot të gjithë janë dëshmitarë si Serbia nga njëra anë përpiqet ta dobësojë Kosovën gjithnjë e më shumë në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm, përpiqet të mos e lejojë të funksionojë atë në pjesë të ndryshme të vendit, sidomos në veriun e tij, ku prej vitit 1999 është kryer një përmbysje demografike në dëm të shqiptarëve, përpiqet ta defaktorizojë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës si në raportet me qytetarët e vet, ashtu edhe në raportet me faktorët partnerë, përpiqet ta mbajë koloni ekonomike, duke ia mbyllur eksportet Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia kërkon, në mënyrat më të sofistikuara, ta ulë Kosovën sërish në tryezën e bisedimeve dhe të shtrojë sërish të njëjtat tema të cilat janë shtruar shumë vite me rradhë. I përmendëm më sipër fjalët e Presidentit Ibrahim Rugova sidomos për faktin se Serbia e sotme asgjë nuk ka ndryshuar në krahasim me Serbinë e kohës së Sllobodan Millosheviçit. Disa thonë se ky përcaktim ndaj Serbisë vlen vetëm për qëndrimet e saj ndaj Kosovës. Nuk mund të flitet kurrë për një Serbi të orientuar drejt demokracisë, drejt konstruktivitetit në rajon, drejt integrimeve perëndimore në një kohë kur ajo ditë e natë e shpërfill integritetin territorial të Kosovës, e shpërfill vendimin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, të shpallur në mënyrë të ligjshme dhe të njohur nga faktorë shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Ashtu siçe konstatonte Presidenti Rugova nuk mund të flitet kurrsesi për një Serbi paqësore, kur ajo demonstron krejt të kundërtën ndaj fqinjes së saj, Kosovës, ndaj së cilës ka ushtruar një nga pushtimet më të egra, më barbare në historinë e njerëzimit për gati një shekull. Serbia i kërkon bisedimet me Kosovën në një kohë kur sillet në mënyrë të papërgjegjshme ndaj pakicës serbe në Kosovë, në një kohë kur e trajton në mënyrë armiqësore pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës. Prandaj kurrfarë bisedimesh nuk mund të ketë pa dhënë Serbia dëshmitë konkrete të reflektimit pozitiv ndaj Kosovës.

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]