VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ngushtohen rrugët për vrasësit e Suharekës
E Enjte, 01.15.2009, 04:45pm (GMT+1)

Masakra ndodhi në mes të fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë, e cila i detyroj këto forca të tërhiqen nga provinca po atë verë. Kufomat e meshkujve, grave dhe fëmijëve të vrarë, përfshirë një foshnje prej shtatë muajsh, nga qyteti i Suharekës në Kosovë u varrosën në gropa në një bazë ushtarake në Prizren para se të transportohen fshehurazi në një varrezë të re masive në një bazë policore në Batajnicë, afër Beogradit.
Derisa ekzistenca e varrezës masive në Batajnicë u zbulua në pranverën e vitit 2001, pas rënies së regjimit të Millosheviqit, përgjegjësit për këto vrasje dhe transportim kurrë nuk janë ballafaquar me drejtësi kryesisht si rezultat i pengesave nga policia.
Por burimet tona kanë zbuluar se dhjetë meshkuj do të akuzohen brenda disa ditëve të ardhshme. Kjo vjen pas vendimit të zyrës serbe për krime lufte për të anashkaluar udhëheqësit e policisë në dy vitet e fundit dhe intervistuar drejtpërdrejt dëshmitarët shqiptarë dhe të tjerë.
Dëshmitarët përfshinë një nënë e cila përjetoj personalisht vrasjen e dy fëmijëve të saj por e cila pasi ishte konsideruar e vdekur dhe ishte vendosur në kamion, arriti të kërcej me djalin e saj dhe të largohet.
Dhjetë të dyshuarit janë ish komandanti i policisë në Kosovë, ish shefi i policisë në një qytet të Kosovës, ish komandanti i një stacioni vendor policorë në Kosovë, ndihmësi i këtij zyrtari, dhe gjashtë anëtarë të ekipit policor përfshirë dy policë sekret.
Me përjashtim të dy prej tyre, këta zyrtarë ende janë në vende pune, disa madje në poste të larta.
Fillimi i hetimit për krime lufte natyrisht kërkon paraburgosjen e të dyshuarve, kështu dhjetë zyrtarët shumë shpejtë mund ta gjejnë vetveten prapa grilave.
Hetimi konfirmon dyshimin e shumë serbëve se policia ishin thellë të implikuar në krimet mizore në Kosovë, dhe se vite pas këtyre ngjarjeve, ata sistematikisht minuan tentimet e gjykatave për të gjetur fajtorët dhe zbardhur faktet e këtij rasti dhe incidenteve tjera.
Ekspertët e gjykatave pohojnë se zyra e prokurorit tani më në fund është në pozitë të rihapë rastin e Suharekës jo sepse policia papritmas filloj të bashkëpunoj, por sepse ndryshimet ligjore i mundësuan atyre të anashkalojnë policinë gjatë hetimit.
Vitin e kaluar, ligji i Serbisë është ndryshuar për të lejuar prokurorët personalisht të marrin në pyetje dëshmitarët duke mos u mbështetur në punën e policisë, dhe për të përdorur zbulimet e tyre në proceset penale.
Pasi hetimi të publikohet, pritet që kjo të krijoj shqetësim të konsiderueshëm në radhët e policisë, dhe ndoshta edhe panikë kur zyra e prokurorit publikon të gjithë materialet që i ka grumbulluar në këtë rast dhe masakrat e tjera në Kosovë.
Këto përfshijnë vrasjen e 100 shqiptarëve në fshatin e Mejës, 70 apo më shumë në Zahaç, dhe vrasje të tjera në Gjakovë, Pejë, Prizren dhe Rahovec.
Vladimir Vukcevic, udhëheqës i zyrës së prokurorit për krime lufte, thotë se punët rreth zgjidhjes së krimit në Suharekë kanë shkuar shumë ngadalë.
"Gjithçka e arritur deri më tani është rezultat i punës së kryer nga zyra e prokurorit," ai tha. "Ne ende ballafaqohemi me pengesa në gjetjen e personave të dyshimtë për kryerjen e këtyre krimeve."

KUFOMAT JANË GJETUR POR JO EDHE KRYESIT E VEPRËS

Varrezat masive në Batajnicë dhe dy lokacione tjera në Serbi u zbuluan në pranverën e vitit 2001, dhe rreth 1100 trupa të shqiptarëve janë zhvarrosur gjatë 30 muajve të ardhshëm.
Numri më i lartë i kufomave, 980, është zbuluar në Batajnicë, dhe ky zbulim u pasua nga dy të tjera në bazën e njësisë speciale të policisë në Petrovo Selo, lindje të Serbisë, ku 77 trupa ishin varrosur. Dyzet e tetë trupa të tjerë u zbuluan në liqenin Perushac, afër Bosnjës.
Në maj 2001, ministria e brendshme e Serbisë tha se urdhëri për të lëvizur kufomat e shqiptarëve të vrarë nga policët dhe rivarrimi i tyre në lokacione sekrete në Serbi erdhi nga zyra e presidentit të atëhershëm Sllobodan Millosheviq në mars 1999.
Përpos Millosheviqit, ministria tha, ministri i atëhershëm i policisë, Vlajko Stojiljkovic, morri pjesë në takim, së bashku me shefin e sigurisë publike, gjeneralin Vlastimir "Rodja", udhëheqësin e atëhershëm të policisë sekrete të Serbisë, Radomir Markovic dhe të tjerët.
Tribunali i Hagës vetëm ka akuzuar disa individë për krime lufte të kryera në Kosovë: Millosheviqin, Djordjeviqin, dhe ish udhëheqësin e stafit gjeneral të ushtrisë së Jugosllavisë, Nebojsa Pavkoviqin, dhe gjeneralët e armatës dhe policisë Vladimir Lazareviqin dhe Sreten Lukiqin.

VRASJA NË PICERI

Për dallim nga tribunali i Hagës, i cili tenton të zbuloj përgjegjësinë e komandës së udhëheqësisë së shtetit, ushtrisë dhe policisë për krime lufte, gjykatat serbe po hetojnë tërë strukturën komanduese, nga komandantët e lartë deri te kryesit e vrasjeve.
Një burim tjetër në zyrën e prokurorit për krime lufte pohoj se ata tani kishin grumbulluar mjaft fakte kundër dhjetë të dyshuarve në rastin e Suharekës, përkundër pengesave nga policia dhe mungesës së shpeshtë të bashkëpunimit të dëshmitarëve shqiptarë.
Prokurori Vukcevic pohoj se marrja në pyetje e dëshmitarëve shqiptarë ishte momenti kyç. "Ne fituam qasje tek ata dëshmitarë përmes ndihmës së tribunalit të Hagës në Prishtinë, derisa UNMIK-u garantoj sigurinë tonë," ai tha.
Ata tani më kanë dëgjuar rreth 200 dëshmitarë, ndër ta 50 shqiptarë, derisa të tjerët ishin serbë të cilët shërbyen në Kosovë si anëtarë të njësive të rregullta apo speciale të policisë.
Ishte vështirë të punohet me dëshmitarët shqiptarë në Kosovë," tha burimi. "Është dashur t'i bindim për të dëshmuar."
Ky burim shprehu dyshimin se disa nga dëshmitarët serb shkuan në polici para marrjes në pyetje për tu konsultuar se çka duhet të deklaronin.
Sipas deklaratave të mbledhura nga zyra e prokurorit për krime lufte, masakra në Suharekë ndodhi me 26 mars, 1999 derisa forcat serbe po kryenin kontroll detal të rajonit, si duket në kërkim të armëve.
Në këtë grup ishin edhe njësiti i gjashtë anëtarëve të cilët hynë në pronën e familjes Berisha.
Këto fakte përputhen me hulumtimin e ekipit tonë hetues në vitin 2003, i cili përfshiu një intervistë me një të mbijetuar nga masakra, Vjollca Berishën. Ajo atëherë i tha gazetarëve se e mbante në mend shumë mirë ditën kur policia kishte hyrë në pronën e tyre ajo kishte njohur tre nga policët.

"Ata i thanë kunatit tim Bujar Berisha të dal jashtë. Pranë shtëpisë ata ekzekutuan Bujarin, gjashtë meshkuj të tjerë dhe një grua," ajo tha.
Vjollca përmendi vrasësit me emër, mirëpo ishte e pamundur të publikohen emrat për arsye ligjore.
Pasi njësiti i policisë ekzekutoj gjashtë meshkujt në oborr, anëtarët tjerë të familjës ikën në një qendër tregtare në mes të qytetit.
Policia i përcolli ata, duke i gjetur në picerinë Kalabria ku edhe shtien zjarr mbi ta.
Vjollca na tha, "Piceria ishte shumë e vogël por ne nuk bënin zhurmë. Brenda kishte aq shumë gra, meshkuj dhe fëmijë. Papritmas dikush filloj të shtijë me armë automatike dhe kjo zgjati për një kohë të gjatë. Unë klitha dhe rashë në dysheme përmbi djalin tim Gramoshin. Ne ishim të mbuluar me gjak."
Ndër ata të cilët nuk ishin aq fatlumë ishin dy fëmijë e saj të tjerë, foshnja shtatë mujore dhe vajza dy vjeçare.
Policia hodhi të gjitha kufomat përfshirë trupat e gjallë në një kamion, i cili morri drejtimin drejtë Prizrenit, ajo tha.
Kur kamioni ngadalësoj shpejtësinë, Syhrete Berisha, një nga familjarët e saj, arriti të kërcej. Gjysmë ore më vonë, Vjollca dhe djali i saj dolën zvarrë nga grumbulli i kufomave dhe arritën të ikin.
Gjurmët e vetme të mbetura nga anëtarët e tjerë të familjes Berisha, janë një dokument identifikimi dhe disa copa të veshmbathjes, të gjitha të gjetura në bazën e ushtrisë jugosllave afër Prizrenit.
Zyra e prokurorit për krime lufte tani ka gjetur versionin e njëjtë të ngjarjeve lidhur me rastin e familjes Berisha.
Prokuroria pohon se familja është vrarë dhe kufomat janë hedhur në dy kamionë të cilët u drejtuan në bazën ushtarake të Prizrenit, ku u lanë për disa ditë dhe pastaj u varrosën në gropa në pronën e ushtrisë.
Por dy javë më vonë, urdhra të reja arritën nga Beogradi dhe serbët u detyruan të zhvarrosin kufomat dhe t'i dërgojnë në Batajnicë.
Burimi i Balkan Insajt në zyrën e prokurorit thotë se ata kanë fakte të qëndrueshme se Vlastimir Djordjevic, ish udhëheqësi i sigurisë publike, i cili tani mendohet të jetë arratisur nga tribunali i Hagës në Rusi, ka luajtur rol kyç në transferimin e kufomave.
"Djordjevic personalisht dha urdhrin për transferimin e kufomave të Suharekës nga gropa në Prizren për në Batajnicë" pohoj burimi.
"Ai personalisht gjeti kamionët dhe veturat e tjera për këtë punë. Ai gjithashtu hoqi gjurmët e krimeve në vende tjera në Kosovë," shtoj burimi.
Djordjevic mendohet të kishte qenë i përgjegjshëm për gjetjen e varrezës së re masive brenda territorit të Serbisë, si dhe për drejtimin e policisë të cilët gropuan gropat e reja dhe i hodhën kufomat në to.
Një burim i afërt me ish qeverinë e DOS (Opositën Demokratike ne Serbi) në Beograd e cila morri qeverisjen pas regjimit të Millosheviqit, tha se një nga bashkëpunëtorët më të besueshëm të Djordjeviqit ka zbuluar tërë ngjarjen.
Ky njeri i përcolli hetuesit e prokurorisë në lokacionin e gropave në Batajnicë pas konfliktit me shefat e tij të policisë rreth pagesës. Ai i tregoj atyre vendin e saktë ku ai kishte gropuar varrezat me buldozerë dhe kishte varrosur kufomat.
"Djordjeviq më telefonoj dhe më tha të shkoj tek ndonjë ndërmarrje ndërtimore dhe të marr një buldozer dhe se zyrtari im i policisë do të më tregonte pastaj se çka duhej bërë," kujtoj ky njeri, i cili si duket do të paraqitet si dëshmitarë në gjykim.

AUTORËT E KRIMIT DHE DËSHMITARËT

Rrezistenca e policisë në zgjidhjen e rastit të varrezave masive u bë e çartë menjëherë pas zbulimit spektakular të gropës së parë në Batajnicë.
Gazetarët kuptuan ngurrimin e fuqishëm të policisë në dhënien e përgjigjeve, si dhe pohimi i tyre se ata tani kishin përmbushur pjesën e tyre të obligimit.
Gjykata rajonale e Beogradit, në ndërkohë, tha se akuzat mund të ngriteshin vetëm ndaj personave të përmendur nga vetë policia gjatë procesit penal. Por policia kurrë nuk ngriti ndonjë akuzë.
Gjërat filluan të ndryshojnë në fund të vitit 2003 kur, pasi zyra serbe për krime lufte u themelua dhe morri përsipër rastin e Batajnicës, përfaqësuesi i saj publikisht paralajmëroj se do të ishte vështirë që ndonjëherë të kuptohen se kush ishte prapa masakrës në Suharekë apo varrezave masive.
Ata gjithashtu publikisht përmendën policët si të dyshuar të mundshëm, duke thënë se "është e mundur kryesit e këtyre veprave kriminele mund të gjinden në radhët e policisë."
Fakti se personat e përgjegjshëm për vrasjet në Suharekë ishin policë ishte e çartë për gazetarë të cilët intervistuan dëshmitarët e mbijetuar në Kosovë.
Gordana Igric, redaktore e Ballkan Insajt-it, hetoj rastin e Suharekës për disa muaj në vitin 2003 dhe përpiloj një listë të policëve të përmendur nga vendorët si kryes të këtij krimi.
Një nga kryesit kryesor të këtij krimi, një polic i sigurisë shtetërore në Suharekë, që nga kjo ngjarje ishte transferuar në departamentin e policisë në Kragujevc.
Kur Igric tentoj të kuptoj nëse ky person ende merrte pagë policore, ajo tha se zyrtarët e sigurisë e kanë kontaktuar atë dhe e këshilluan "të mirrem me gjëra më të këndshme dhe të harroj tërë ngjarjen." Ditën e nesërme ajo gjithashtu u ballafaqua me disa kërcënime.
Natasa Kandic, drejtoresha e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, i tha Ballkan Insajt-it se i gjithë personeli i sigurisë në Kosovë pas verës së vitit 1999 janë transferuar në Serbi dhe inkorporuar në sistemin ekzistues të sigurisë shtetërore.
"Që nga fillimi, problemi kryesor qëndronte në faktin se personat që nxorën dhe ekzekutuan urdhrat ishin anëtarë të policisë serbe dhe ende janë," ajo tha.
Kandic insistoj se që nga viti 1999, policia ka falsifikuar dhe ndryshuar dokumentet dhe kontrolluar dëshmitarët e mundshëm me qëllim të mbulimit të këtij krimi.
"Ata nuk janë forcë për ndalim të krimit por forcë për ndalim të zbulimeve," ajo tha.
Një burim i cili dëshiroj të mbetet anonim shprehu të njëjtin mendim, "Ka njerëz [në polici] të cilët janë shumë të lidhur si pjesëmarrës dhe dëshmitarë. Ata kujdesen për njëri tjetrin dhe bëjnë çmos për të ndaluar zbulimin e informatave."
Kjo është arsyeja, disa besojnë, pse gjykatat kurrë nuk morën në posedim dokumentin e quajtur "Dosia K dhe M", i cili mendohet të jetë në duart e policisë. Dosja besohet të përmbaj informata të hollësishme mbi zingjirin e komandës në Kosovë dhe shënime detale të ngjarjeve atje gjatë kohës kur këto krime lufte janë kryer.
I pyetur rreth pengesave të policisë në këtë rast, kryeprokurori Vukcevic deklaroj, "Ndjenja ime është se ka shumë njerëz në polici vetëdija e të cilëve nuk është e pastër sa i përket ngjarjeve në Kosovë. Derisa policia nuk pastron radhët e saj, ne do të kemi vështirësi në gjetjen e kryesve të krimit."
Ministria e policisë krijoj njësitin e saj për krime lufte në vitin 2003, i cili nuk bie nën përgjegjësinë e zyrës për krime lufte.
Me një staf shumë të vogël, ka arritur pak rezultate, duke shtyer disa të besojnë se ky njësit ishte themeluar vetëm sa për sy e faqe.
"Shumë pak persona janë punësuar aty për punën që ky njësit duhet të kryej," komentoj Vukcevic.
Disa burime të pavarura pohuan se disa individë që tani punojnë në njësitin e policisë për krime lufte kanë mbajtur pozita të rëndësishme në Kosovë.
Burimi i afërt me ish qeverinë e DOS tha, "Një nga ata ishte shefi i kabinetit për Djordjeviqin, dhe një tjetër ishte anëtar i qendrës policore në Prishtinë."
Ballkan Insajt ka kërkuar të intervistoj ministrinë e brendshme të Serbisë për këtë rast, por nuk ka pranuar përgjigje deri në momentin kur ky artikull u botua.
Në një bisedë të shkurtër telefonike, Vladimir Bozovic, inspektori i përgjithshëm në departamentin për ankesa rreth sjelljes policore, tha se ai nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga zyra e prokurorit për krime lufte lidhur me pengesat e policisë në rastin e Suharekës.
Pak njerëz në Serbi janë optimist se reformat do të implementohen në radhët e policisë së shpejti.
Duke pasur parasysh sa shumë kohë është duhur për të hetuar rastin e Suharekës, shumë paralajmërojnë se procesi për identifikimin e të dyshuarve për krime lufte në radhët e policisë së pareformuar të Serbisë mund të zgjasë shumë.
Milos Vasic nga javorja e Beogradit Vreme pohon se rrethanat në Serbi nuk janë të favorshme për punën e prokurorit për krime lufte.
"Ratko Mladic dhe Radovan Karagjic [ish udhëheqës politik dhe ushtarak serb të Bosnjës] ende konsiderohen hero në Serbi," ai tha. "Dhe qeveria e tanishme nuk është duke bërë asgjë për të ndryshuar sistemin e tanishëm të vlerave."
Ai shtoj, "Kur të filloj hetimi në rastin e Batajnicës, kjo do të jetë edhe një goditje shokuese për popullatën e Serbisë."
Ky hetim është përpiluar nga ekipi i Ballkan Insajt. Ballkan Insajt është publikim në internet i përpiluar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN. Hetimi është mbështetur nga asociacioni danez për gazetari hulumtuese, FUJ, nën programin e saj SCOOP./Voal-online

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]