VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Daniel Servër:EULEX-i duhet të ketë autoritetin e vet në të gjithë Kosovën, gjë që sot nuk e ka
E Enjte, 01.15.2009, 06:58pm (GMT+1)

Daniel Servër: Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës që të hyjë në Bashkimin Europian



Analistët e çështjeve ballkanike, Morton Abramowitz dhe Daniel Servër, thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të tregojnë vendosmëri dhe qartësi më të madhe për të mos lejuar prishjen e stabilitetit, edhe kështu të brishtë, në rajonin e Ballkanit. Kohët e fundit ata botuan një artikull të përbashkët në gazetën "Wall Street Journal", ku analizojnë dinamikën aktuale të Ballkanit dhe rolin që duhet të luajnë në rajon Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.Kolegia Isabela Çoçoli bisedoi me Dr. Daniel Servër, nënpresident i Qendrës për Operacionet e Paqes dhe Stabilitetit pas Konflikteve të Institutit Amerikan të Paqes. Ta ndjekim.  

 

Zëri i Amerikës:Zoti Servër, në artikullin tuaj ju shpreheni se shteti i ri i pavarur i Kosovës vështirë të quhet funksional.Cilat janë arsyet?

Daniel Servër:  Por sepse Kosovës nuk i është dhënë shansi për të qeverisur.Shqiptarët kanë qënë për një kohë të gjatë nën tutelën ndërkombëtare dhe nuk kanë patur shumë mundësi që të bëjnë gabimet e tyre.Të gjithë bëjmë gabime, por ne mësojmë prej tyre.Ndërkombëtarët duhet disi të tërhiqen, gjë që megjithëse nuk do ta përmirësonte menjëherë gjendjen, do t'u jepte rastin shqiptarëve të bënin gabimet e tyre dhe të fillonin të mësonin se kur bën gabime nuk rizgjidhesh.Ky është është një mësim i rëndësishëm.

 

Zëri i Amerikës:Shtetet e Bashkuara kanë thënë se EULEX-i është një autoritet që shtrihet në gjithë Kosovën, ndërsa ju thoni se pjesa veriore e Kosovës qeveriset nga Beogradi dhe se de fakto ajo është e shkëputur nga Kosova.  Ku e mbështesni këtë?     

Daniel Servër:Besoj se kështu është.  Ky është një përshkrim i saktë i situatës.Vetë EULEX-i vështirë se po funksionon në këtë fazë.Ka patur shpresa të mëdha për EULEX-in, por të pretendosh se ai e ka marrë situatën në dorë me autoritet të plotë, duke zëvendësuar autoritetin e Beogradit në veri, nuk e ndihmon zgjidhjen e gjendjes.Pa tjetër që EULEX-i duhet të ketë autoritetin e tij në të gjithë Kosovën, gjë që sot nuk e ka dhe Beogradi për momentin është duke e kundërshtuar atë.     

 

Zëri i Amerikës:Si zgjidhje, ju sugjeroni se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të veprojnë me më shumë vendosmëri dhe qartësi.Më konkretisht, çfarë duhet të bëjnë ato?    

Daniel Servër:Për mendimin tim BE-ja duhet të shprehet më qartë, se Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian, në qoftë se në një farë forme, nuk e pranon sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.Fakti që 22 vende anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duhet të shërbejë si shembull për të kuptuar se mjafton një prej tyre që të ushtrojë pushtetin e vetos për të bllokuar pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.Ky është në fakt realiteti në terren.Për sa u përket Shteteve të Bashkuara, ato duhet të angazhohen plotësisht në këtë situatë.Dihet mirë se Ballkani është mbështetur vazhdimisht tek udhëheqja amerikane.  Megjithëse do të doja të shikoja që më shumë përgjegjësi të merreshin përsipër nga Bashkimi Evropian, vendosmëria amerikane është e domosdoshme jo vetëm për Kosovën, në këto momente, por edhe për Bosnjen dhe demokratizimin e Serbisë.    

 

Zëri i Amerikës:A do të ishte e drejtë atëhere të themi se ju sugjeroni që njohja e pavarësisë së Kosovës t'i vihet si kusht Serbisë për t'u pranuar në Bashkimin Evropian?

Daniel Servër:Patjetër.Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, sepse në të kundërtën, vendet anëtare të Bashkimit Evropian do ta bllokojnë anëtarësimin e saj në BE.Kjo është plotësisht e qartë për një grupim 27 anëtarësh me të drejtë vetoje për secilin vend.Deri tani Serbia e ka bllokuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke përdorur me sukses manovrat diplomatike.Kjo nuk ka qënë e papritur, pasi Kosova nuk e ka patur atë kapacitet diplomatik të Beogradit, ajo nuk ka patur as Ministri të Jashtme deri para një viti.Deri tani vetëm 53 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ky numër nuk është i mjaftueshëm,prandaj udhëheqja e saj duhet të angazhohet dhe t'i mësojë manovrat diplomatike.Diplomacia është një sport i vështirë, është një lloj si të hidhesh në baltë për të fituar pikë.

 

Zëri i Amerikës:  Por edhe tani që ajo ka një dikaster 11 muajsh diplomatik, Ministrinë e saj të Jashtme, katër autoritete veprojnë në Kosovë.  Është ky një faktor mbështetës apo pengues në këtë drejtim?

Daniel Servër:Është pengesë.Unë do të doja të shikoja që komuniteti ndërkombëtar të tërhiqet nga një angazhim i tepruar në Kosovë dhe të përqendrohet në atë që ka më shumë rëndësi, dhe ajo që ka më shumë rëndësi, është të garantohet tajtimi i drejtë i pakicës serbe.Ky është roli kryesor dhe i rëndësishëm i EULEX-it, që do të dëshiroja të zbatohej 100 përqind.Por për shumë çështje të tjera, për mendimin tim, komuniteti ndërkombëtar duhet të tërhiqet dhe t'i thotë Kosovës se "˜ti je një shtet i pavarur dhe sovran dhe ne presim prej teje të veprosh si i tillë'.Gabime janë bërë dhe do të bëhen, edhe vendi im ka bërë gabime, por arti i qeverisjes mësohet duke qeverisur.    

 

Zëri i Amerikës:Zoti Server ju i njihni udhëheqjes së Kosovës meritën se ka qënë e matur në drejtimin e vendit... 

Daniel Servër:  Patjetër.  U heq kapelen atyre që kanë parandaluar dhunën, kanë parandaluar ekstremistët që të marrin në dorë situatën.  //iç// 

 

Titulli është i Voal-online


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]