VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Haradinaj: pa juridiksion të plotë në gjithë territorin e vendit nuk mund të ketë bisedime me Beogradin
E Hënë, 01.19.2009, 08:38am (GMT+1)

Voal-online - Opozita në Kosovë i ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të mos pranojnë bisedime me Beogradin, në se autoriteti i tyre nuk shtrihet në të gjithë Kosovën. Ditët e fundit janë shtuar debatet rreth mundësisë, që ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të fillojnë bisedime për çështje teknike të interesit të ndërsjellë. Prishtina zyrtare thotë se bisedime të tilla mund të zhvillohen, por vetëm si ndërmjet dy vendeve të pavarura, ndërsa Beogradi nuk e njeh pavarësinë e shpallur 11 muaj më parë.

Lideri opozitar Ramush Haradinaj gjatë një vizite në qytetin e Mitrovicës. Pas kësaj vizite Aak ka dalë me një komunikatë për shtyp ku deklarohet se "AAK kundërshton fuqishëm procesin e iniciuar të negociatave me Serbinë". Po sipas komunikate Haradinaj ka thënë se "përderisa nuk vendoset juridiksioni i plotë Republikës së Kosovës në gjithë territorin e vendit, e posaçërisht në pjesën veriore, nuk duhet të ketë kurrfarë negociatash me Beogradin zyrtar".
"Pa ushtrimin e plotë të përgjegjësive shtet-formuese të institucioneve të Kosovës në tërë territorin e vendit dhe pa funksionalitetin e kompetencave të dakorduara me Kushtetutë, Kosova po që se hynë në çfarëdo bisedimesh do të jetë në deficit dhe do të mundë të ballafaqohet me situata shumë të hidhura", ka thënë Haradinaj.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar në vazhdimësi Qeverinë për qasjen e saj ndaj veriut të vendit.
Të dielën, Haradinaj madje u ka kërkuar strukturave të AAK'së të jenë aktive në mbrojtje të Mitrovicës.
"Gjatë kësaj vizite, z.Haradinaj, po ashtu, takoi strukturat e degës së AAK'së për Mitrovicë dhe pati disa biseda me qytetarë të këtij qyteti", thuhet në komunikatë. "Z. Haradinaj duke inkurajuar strukturat e AAK'së, kërkoi nga ata që të jenë aktivë në mbrojtje të qytetit të Mitrovicës. Ai po ashtu, bisedoi rreth procesit zgjedhor që po ndodhë në degën e AAK'së në këtë qytet".  Kohëve të fundit ajo është ndjerë e anashkaluar nga Presidenti i vendit kur u mor vendimi për kohëzgjatjen e mandatit të institucioneve.
//Voal-online



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]