VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Obama vjen në emër të Rilindjes Amerikane - Editorial i Voal-online


E Martë, 01.20.2009, 05:01pm (GMT+1)

Editorial i Voal-online - Barak Obama vjen sot në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën një vëmendje më të përqëndruar si kurrë ndonjëherë në historinë e superfuqisë së vetme botërore dhe të mbarë planetit. Kjo vëmendje është e tillë jo vetëm falë mjeteve të stërholluara e të dendësuara të informimit, por sidomos falë një bote tejet të hapur dhe tejet të globalizuar sa kurrë nuk mund të përfytyrohej më parë. Obama merr detyrën në emër të atij vendi që e priu botën në fitoren e Luftës së Dytë Botërore, e priu botën në fitoren e Luftës së Ftohtë dhe e prin botën në sfidat pas këtyre dy luftërave, tashmë në shekullin e ri dhe mijëvjeçarin e ri. "Prindërit e mi më kanë dhënë një emër afrikan, Barak, që do të thotë "i bekuar", duke menduar se në një Amerikë tolerante emri që mban dikush nuk mund të jetë pengesë. Kanë përfytyruar se do të shkoja në shkollat më të mira të vendit, edhe pse nuk ishin të pasur, sepse në një Amerikë bujare njerëzit nuk kanë nevojë të jenë të pasur për t'i realizuar dhuntitë e tyre." Në këtë thënie të Obamës, shqiptuar gjatë fushatës së tij më 2008, sa në vetë faktin e zgjedhjes së tij dhe në rrethanat që e përbëjnë këtë zhvillim, pranuar prej të gjithëve si i veçantë e kulmor, ndihet se kemi të bëjmë me një domosdoshmëri të mirëfilltë historike, nga të tilla domosdoshmëri që përmenden në shkrimet e shenjta. Barak Obama vjen nga një përkatësi, nga një formim dituror dhe fetar i atyre përmasave dhe cilësive për të na lejuar ne të gjithë të tjerëve të shpresojmë dhe të besojmë se do të sjellë risitë aq shumë të pritura si për kombin e tij, ashtu edhe për njerëzimin. Njeriu që vjen me premtimin për të bashkuar amerikanët, për të rilindur Amerikën, nuk ka si të mos jetë njeriu i mirëkuptimin dhe i pajtimit midis ndryshueshmërive të natyrshme në shkallë botërore. Njeriu që na fton të jemi bashkuar, amerikanë e joamerikanë për realizimin e idealeve në emër të të cilave është zgjedhur nga Amerika dhe është përshëndetur nga bota, na bën ne të gjithëve të guxojmë, të kapërcejmë çdo mosbesim dhe të përfytyrojmë së bashku me të, të realizojmë së bashku me të, pra së bashku me Barak Obamën, Presidentin e 44-t të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Urimi për Obamën është urim për Amerikën, është urim për veten tonë, urim për kombet dhe vendet tona, urim për paqen nën bekimin e Zotit.

 



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]