VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Greqia e sëmura e re e Europës
E Shtunë, 01.31.2009, 10:24am (GMT+1)

Çfarëdo që qeveria greke të bëjë në krizën aktuale, mund të jetë veçse e gabuar. Më 28 dhjetor ajo me dekret i dha qendrës së Athinës një të diel të mëtejshme të hapur për tregti, gjatë së cilës tregtarët do mund të përmirësonin humbjet në shitje gjatë dhjetorit. Luftërat e rrugëve mes policëve dhe demostruesve të rinj ua prishën tregtinë e Krishtlindjeve shitoreve të mëdha. Kundër së dielës të hapur për tregti protestuan sindikatat duke i bllokuar për orë të tëra rrugët tregtare. Të dyja palët e ndjenin veten të tradhtuara nga qeveria. Pronarët e shitoreve u ankuan se shteti nuk i mbron ata as nga hedhësit e gurëve e as nga sindikalistët bllokues. Sindikatat u ankuan, që qeveria do t'i kufizojë edhe më tej të drejtat e popullsisë që punon. Konfliktet që e paralizojnë përditshmërinë greke edhe më parë se "kryengritja e rinisë" në dhjetor 2008, janë kthyer që prej atëherë në të pazgjidhshme. Dhe këtu duhet pasur parasysh që kriza e cila filloi në tregjet financiare në Athinë dhe Selanik as nuk ka ardhur akoma. Kjo krizë do ta prekë Greqinë akoma dhe më fort se pjesën tjetër të BE-së. Dhe qeverisë i mungojnë paratë, për të zbutur pasojat përmes intervencionit aktiv. Sepse vendi është thuajse i falimentuar: Borxhi shtetëror është më shumë se 100% e GDP-së (duke përfshirë komunat dhe ndërmarrjet shtetërore). Nga vendet e BE-së, borxhi shtetëror i të cilave mesatarisht është në nivelin e 58%, vetëm Italia ndodhet në një gjendje më të keqe.
Shifrat krenare të rritjes ekonomike të viteve të fundit dëshmojnë më shumë për pagesat e transfertave të BE-së sesa për një ekonomi stabile që arrin të mbahet vetë. Ekonomia kombëtare greke është një nga më të dobëtat në strukturë nga ato të zonës së Euros.
Kjo rëndon mbi bonitetin e vendit. Për këtë arsye sot qeveria në Athinë duhet të paguajë gati 2,5 pikë përqindjeje më shumë në interes sesa Gjermania. Kjo e shtrenjton shërbimin e borxhit, shton defiçitin buxhetor dhe pakëson hapësirën e lirë për shpenzime publike. Ish-Kryeministri Kostas Simitis u shpreh në parlament për skenarin horror, sipas të cilit Greqisë për shkak të mungesës së bonitetit në zonën e Euros do t'i duhet t'i lutet FMN-së si një vend në zhvillim. Puna nuk ka arritur akoma deri këtu. Por mes të tjerash për shkak të kostove që do të kishin borxhet e reja, një program i madh ekonomik nuk do të ishte i financueshëm. Deri dhe për reformat më të nevojshme mungojnë paratë. Këtu bëjnë pjesë një reformë e thellë në arsim, përmirësimi i sistemit shëndetsor dhe konsolidimi i fondeve të pensionit, të cilat pas disa vitesh do të jenë të falimentuara.
Reformat edhe në kohë normale do të ishin detyra Herkuli. Në kushtet e krizës ato kthehen në një punë Sizifi për çdo qeveri. Edhe Pasoku socialdemokrat, i cili e akuzon qeverinë sot për "dështim", do të gjendej para së njëjtës dilemë: për një zgjidhje "të mirë për popullin" të problemeve strukturore mungojnë paratë. Por alternativa e një politike më të rreptë ristrukturimi do të provokonte rezistencën e thuajse të gjithë shoqërisë. Kështu shteti në periudhë afatgjatë do të ishte po aq i paqeverisshëm sa ishte Athina në dhjetorin e shkuar. Kriza e thellë e besimit mes shoqërisë dhe shtetit shfaqet dhe në anketime. Lista e renditjes së institucioneve më "të besueshme" që u publikua në fund të vitit nga gazeta Kathimerini, ka në krye Zjarrfikësit dhe Shërbimin Metereologjik Shtetëror. Në tre vendet e fundit nga 48-të të mundshmit qëndrojnë Bursa e Athinës, Qeveria dhe "Partitë". Partive u besojnë vec 8% e të anketuarve. Mosbesimi i thellë nuk prek veç dy partitë e mëdha, por edhe Syriza-n e majtë "të papërdorur" akoma, e cila qysh prej zgjedhjeve të fundit kishte fituar shumë simpati. Edhe ajo vlerësohet si "oportuniste", që prej kur akuzohet, se nuk është distancuar qartë nga demonstruesit e  dhunshëm. Këta nga ana e tyre janë kujdesur, që qendrat e mëdha tregtare në zonat më të mira të Athinës befas të rrisnin me shpejtësi shitjet, për shkak se shopingu në qender nuk fal më kënaqësi. Këtu teoricienët e konspiracioneve mund të nisin të fantazojnë.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]