VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Buxheti i Tiranës në pikëpyetje
E Enjte, 02.05.2009, 02:28pm (GMT+1)

BBC - Çështja e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 vazhdon të jetë në qendër të polemikave mes shumicës dhe opozitës dhe vetë brenda kësaj të fundit.

Pas një seance të ndezur votimi të martën, e cila u ndërpre për shkak të konfuzionit, kreu i bashkisë së Tiranës Edi Rama e quajti çështjen të mbyllur, pasi sipas tij buxheti u miratua me shumicë votash.

"Të vazhdojmë punën për Tiranën, duke e mbyllur qetësisht kapitullin e buxhetit, e bashkë me të, lojën politike që e zvarriti miratimin e punëve tona të përbashkëta për vitin 2009," tha Rama.

Por për drejtuesin e seancës së votimit, kryetarin e Këshillit Bashkiak Sokol Dervishaj, të Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI, një parti e majtë që sëbashku me maxhorancën e djathtë ka kundërshtuar buxhetin e paraqitur nga zoti Rama, votimi është i pavlefshëm.

"Për arsye procedurale, por edhe arsey të degjenerimit të votimit e shpalla atë të pavlefshëm," tha Dervishaj.

Kundërshtime ka patur edhe nga maxhoranca e djathtë.

Ferdinand Poni, kreu i këshilltarëve demokrate tha se " Edi Rama u kap në flagrancë duke i hequr buxhetit të bashkisë 14 milionë euro...e për t'i fshehur në xhepat personalë".

Kundërshtarët e buxhetit kanë akuzuar kreun e bashkisë së Tiranës për trafik votash.

Në votimin e së martës shtatë këshilltarë që i përkasin forcave të djathta dhanë votën e tyre në mbështetje të buxhetit. Vetë zoti Rama e cilësoi këtë veprim si një aleancë pro-qytetarëve të Tiranës.

Duke iu referuar rezultatit të votimit të së martës ai shkoi më tej kur i kërkoi kryeministrit Berisha që të jetë i gatshëm të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke lënë të kuptohet një fitore të socialistëve.

Situata e krijuar ka bërë që të mbetet e paqartë e ardhmja e buxhetit të Tiranës për vitin 2009.

Përkrahësit e buxhetit thonë se pas miratimit ai duhet të zbatohet, ndërsa kundërshtarët e buxhetit e konsiderojnë të pamiratuar. Sipas ligjit shqiptar lidhur me këtë votim do të duhet të shprehet prefekti i qarkut.

Në rast se ai nuk e aprovon do të duhet të mbahet nje seance tjetër votimit.

Gjithnjë sipas ligjit buxheti duhet të miratohet brenda një periudhe tremujore në të kundërt Këshilli Bashkiak shpërndahet dhe duhet të organizohen zgjedhje për një këshill të ri./Voal-online.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]