VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Paqja është çështje e vullnetit E Shtunë, 12.13.2008, 10:32am (GMT+1) Shkëlqesia juaj, Lartëmadhëria Juaj Mbretërore, të nderuar anëtar të Komitetit norvegjez të Nobelit, të dashur miq dhe kolegë nga mbarë bota, ndjehem edhe i përulur, edhe kryelartë në pranimin e Çmimit Nobel për Paqe për këtë vit. Kjo është mirënjohja me e madhe që mund t'i jepet çdokujt që punon në këtë fushë. Ajo që po e ndjej tani mund të krahasohet vetëm me kënaqësinë që e kam ndjerë kur shikoja ndryshimet që paqja u ka sjellë jetërave të njerëzve. Kur njerëzit, të cilët kanë duruar luftëra dhe kriza, fillojnë t'i ndërtojnë jetërat e tyre në atmosferë paqeje - Kur kthehet besimi në të ardhmen. Edhe unë si fëmijë kam qenë prekur nga lufta. Isha vetëm dyvjeçar, kur si rezultat i një marrëveshjeje në sferën e interesit midis Gjermanisë së Hitlerit dhe Bashkimit Sovjetik të Stalinit, shpërtheu lufta, duke e detyruar familjen time të largohej menjëherë nga qyteti Viipuri. Si edhe disa qindra-mijëra bashkëqytetarë karelians, ne u bëmë refugjatë në vendin tonë, kur politikat e fuqive të mëdha i rishkruajtën kufijtë e Finlandës dhe qytetin tim e lanë si pjesë të Bashkimit Sovjetik. Kjo eksperiencë e imja fëmijërore, kontribuoi në angazhimin tim për të punuar në zgjidhjen e konflikteve. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen Luftërat dhe konfliktet nuk janë të paevitueshme. Ato shkaktohen nga qeniet njerëzore. Gjithmonë ekzistojnë interesa që shtyjnë drejt luftës. Kështu që ata që kanë fuqi dhe ndikim, mund edhe t'i ndalojnë luftërat. Paqja është çështje e dëshirës. Të gjitha konfliktet mund të zgjidhen, dhe nuk ka justifikime për lejimin e tyre që të bëhen të përjetshme. Thjeshtë është e patolerueshme që konfliktet e dhunshme të mos i përfillin rezolutat për dekada, duke shkaktuar vuajtje të pamasa humane, dhe duke penguar zhvillimin ekonomik dhe social. Në një konflikt, njëra palë gjithmonë mund ta shpallë fitoren, por në ndërtimin e paqes duhet të përfshihen të gjithë: i dobëti dhe i plotfuqishmi, fituesit dhe të mposhturit, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të vjetrit. Sidoqoftë, negociatat paqësore shpesh drejtohen nga një elitë e vogël. Në të ardhmen, duhet të jemi më të aftë për të arritur një pjesëmarrje më të gjerë në proceset paqësore. Në mënyrë të posaçme, ekziston nevoja për të siguruar angazhimin e grave në të gjitha etapat e proceseve paqësore. Proceset dhe marrëveshjet paqësore rezultojnë nga dhënia fund e dhunës. Por puna e vërtetë fillon vetëm pasi të përfundohet marrëveshja për paqe. Marrëveshjet e arritura duhet që të implementohen. Ndryshimi social dhe politik nuk ndodh brenda natës, dhe rindërtimi dhe themelimi i demokracisë kërkon durim. Kjo kërkon qasje të hollësishme në ndërtimin e paqes dhe mbështetje për shoqërinë civile. Pabarazia shkakton konflikt Pabarazia në rritje përbrenda shteteve dhe në mes rajoneve thellohet në çarjet ekzistuese. Është detyra jonë që të krijojmë një të ardhme dhe shpresë për rajonet dhe shtetet në krizë ku njerëzit e ri vuajnë nga papunësia dhe kanë pak shpresë që t'i përmirësojnë jetët e tyre. Pos nëse nuk e rregullojmë këtë sfidë, konflikte të reja do të ndizen dhe do t'ia japim edhe një gjeneratë tjetër luftës. Ka pasur mjaft bisedime këtë vit rreth krizës financiare. Kjo krizë financiare gjithashtu thekson rëndësinë e mbajtjes së premtimit të komunitetit ndërkombëtarë që të zhvillojë bashkëpunimin. Ndikimi i kësaj krize mund të dëshmohet të jetë një pengesë e madhe për botën në zhvillim. Njerëzit më të varfër tashmë janë goditur më së keqi nga ndikimi i ndryshimit klimatik, rritjes së çmimeve të ushqimit dhe niveleve më të ulëta të tregut të jashtëm. Shkurtesa në ndihmat e huaja dhe investimeve do të jetë katastrofale për rritjen aq të nevojshme ekonomike. Në këtë kohë të vështirë, i thërras të gjitha qeveritë që të mbesin të përkushtuara ndaj synimeve të tyre të deklaruara drejt zhdukjes së varfërisë. Ne të gjithë duhet të jemi në gjendje të kontribuojmë drejt së ardhmes sonë dhe të ardhmes së komuniteteve tona. Nëse gjërat vazhdojnë kështu si janë, ne do të përballemi me një situatë ku qindra milionë njerëz të ri do të jenë pa punë nëpër shtetet të cilat janë në nivelet fillestare të zhvillimit. Nëse nuk bëhet diçka, ne do të krijojmë një vend efektiv për rritjen e krimit, jo stabiliteti dhe luftë gjersa njerëzit e ri humbin të gjitha shpresat. Besoj se lufta kundër varfërisë gjithashtu është masa më efektive në luftimin e terrorizmit në afat të gjatë. Para dhjetë dite u ktheva nga Liberia, dhe me veti solla ndjena të përziera. E para, një ndjenjë pikëllimi për shkak shkallës së shkatërrimit të cilin e la lufta në Liberi, si dhe madhësia e sfidës për qeverinë dhe komunitetin ndërkombëtar. E dyta, një shkallë optimizmi që njerëzit të cilët i takuam, mund të fillojnë të bëjnë ndryshim të vërtetë, por vetëm nëse komuniteti ndërkombëtar mund të mban premtimin e bërë Libisë në afat të gjatë. Zgjidhja e konfliktit kërkon injektimin e optimizmit dhe shpresës, të lindura nga punësia dhe mundësitë ekonomike. Përndryshe, marrëveshjet e brishta paqësore rrallëherë mund të mirëmbahen. |
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe] |