VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Lartësia e Gjykatës së Lartë
E Martë, 03.17.2009, 07:21am (GMT+1)

Nga Ramiz LUSHAJ

 

1.

Ky  16 marsi i vitit 2009 rastisi të jetë ditë pushimi, por edhe qëlloi të ishte e caktuar si ditë e zhvillimit të seancës gjyqësore ndaj ish-Ministrit të Transporteve (MPPTT) lidhur me akuzat me magji politike në magjen juridike të paraqitura nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me  Autostradën Durrës-Prishtinë. Fatmirësisht fakti tregoi se nuk ishte një rastësi e qëllimshme.

Përkundrazi, qëllimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ishte respektimi dinjitoz i Kushtetutës e Legjislacionit Shqiptar dhe të vet autoritetit e atributeve të Gjykatës së Lartë lidhur me festat zyrtare të  shtetasve të vet. Prandaj, seanca e rradhës, u shty për më 10 prill, pasi, trupi gjykues i Kolegjit Penal, i kryesuar nga antari i Gjykatës së Lartë, Spiro Spiro, drejtëvendosi: "Gjyqi të mos zhvillohet sot meqë dita përkoi  zyrtarisht si ditë pushimi".

Edhe diçka tjetër: në këtë rast Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e respektoi edhe datën e vetëvendosur prej tij dhe vetëveten me praninë simbolike në këtë seancë e me këtë  arsyetim juridik e moral, duke mos u keqësjellë me diktaturë juridike si Prokuroria e Përgjithshme me gjithë ato shpërfillje e nulitete juridike, tenderim-shpalosje politike, ankth kalkulues e makth goditës ndaj Lulzim Bashës për të vetmin fakt se është anëtar i Qverisë Berisha e Ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë.

 

2.

Në memorien kombëtare të drejtësisë shqiptare 29 Nëntori i vitit 2008 na sjell një rast e akt krejt të kundërt më 16 marsin e sotëm të vitit 2009.

Gjithë bota e dinte se 29 nëntori 2008 ishte ditë e shtunë, por edhe të gjithë Shqiptarët e dinë se 29 nëntori po festohet si "Dita e Çlirimit", me përjashtim të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila, pikërisht në këtë datë historike, në këtë ditë uikendi, lëshon një nga deklaratat publike politike ndër më të ashprat nga ana emocionale e nga më të rëndat nga ana morale kundër Ministrit të Jashtëm.

E para: Merr guximin juridik me prononcim prokurorik, që në start të deklaratës me fjalët e pamatura në Peshoren e Drejtësisë: "Në lidhje me çështjen ndaj Ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, Prokuroria e Përgjithshme" si në të gjithë aktivitetin e saj mbështetet mbi faktet që rezultojnë nga hetimi..."(!)

Realisht, kemi të bëjmë me një "cështje" ndaj ish-Ministrit të Transporteve e deputetit Lulzim Basha për akuza politike për Autostradën Durrës-Prishtinë e jo me cështje të politikës së jashtme, të diplomacisë shqiptare. Prokuroria e Përgjithshme, sipas Kushtetutës e Ligjit për veprimtarinë e saj, e heton me këtë status- si ish-ministër e deputet, kurse Gjykata e Lartë, sipas Kushtetutës, e gjykon me statusin aktual si Ministër i Jashtëm, por jo në pozicionin e detyrës aktuale e në personalitetin e misionit si Ministër i Jashtëm.

Prokuroria, në emocionalitetin e papërmbajtur politik e pasionin e shfrenuar juridik të kësaj deklarate të 29 nëntorit 2009 pasqyron hakërrimet e implikimet  për të bërë "kurban" Lulzim Bashën,me cdo takëm e në cdo istikam, për faktin e vetëm se është  Ministër i Jashtëm i suksesshëm i Qeverisë Berisha, përndryshe edhe "Golden Boy" "Djalë i Artë" i Qeverisë Berisha e Partisë Demokratike. Ana tjetër e kësaj medaljeje prokurorike: pamvarësisht se as në "Kërkesen për Gjykim" të datës 05.12.2008 dërguar në Gjykatën e Lartë nuk e cilëson  ndokund si Ministër të Jashtëm, por si ish-Ministër të Transporteve (MPPTT) e si shtetas (biles edhe me adresë të vendbanimit legal), e në një paragraf edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë (në rastin e heqjes së imunitetit"!) ia nisën fletë-thirrjet, etj. etj. në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme (!). Por, kur Prokuroria Shqiptare  shkel me voltazhin e kilometrazhin e saj politiko-juridik procedurat e afateve hetimore, kur humbet qetësinë e ekuilibrin me deklarata publike edhe në ditë feste zyrtare e pushimi kalendarik, c'mund t'I kërkohet të respektojnë edhe instititucione të tilla të shtetit shqiptar si Ministrinë e Punëve të Jashtme,(edhe pse nuk e don Lulzim Bashën), sepse, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Irak, Sudan apo në Kubë, selitë  e MPJ,  e kanë shenjtërinë e vet.

E dyta: Prokuroria, në këtë deklaratë turrnajë e shfrymtime politiko-juridike, nuk ka e nuk gjen arsyetime të mirëfillta juridike, por nis e sos më duket se ka urrejtje politike e biologjike që shprehet edhe  në doza ironie e mungesë qytetarie.

Një nga faktet e kësaj deklarate në ditë festive tregon për turfullimet e prokurorisë, sepse kur nuk e quan nëpër paragrafët rrufe e rrufjanë si "Ministër i Jashtëm", i katapultohet me mllef me etiketimet dobicthënëse: "...me zotin Basha...", "...mbi zt. Lulzim Basha...", "mbi zt. Basha".  Dihet se sa e ka Prokuroria  për "zemër" e në shënjestër  Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, po më tërheq vëmendjen një fakt tjetër, i komentueshëm qartë: Në njoftimin e dt. 17.11.2008, plot 13 ditë para kësaj deklarate, Kryeprokurorin e Antimafias Italiane, që takohet me znj. Ina Rama, e mirëcilësojnë, disa herë, në pak rradhë, vetëm: "Z. Piero Grasso" e "Zoti Grasso".

E treta: Kjo deklaratë në ditë feste e ditë pushimi, jo vetëm ka zig-zake juridike në rreshtat e paragrafët e saj, por është një nga zig-zaket politike të sulmeve (si "lufta enveriane e klasave") të Prokurorisë së Përgjithshme ndaj Ministrit të Punëve të Jashtme.

Çdo jurist apo avokat, që e njeh çështjen e kurdisur  politiko-juridike ndaj Lulzim Bashës, kur e lexon vëmendshëm këtë deklaratë (nëse përbën provë shkresore) e formon opinionin  e vet se është i pafajshëm para drejtësisë.

Dhe kjo ndodh për faktet se  Prokuroria e Përgjithshme sa herë  ka sprintuar dy hapa para në politikë është rrotullakue një hap së prapthi në jurispudencë, duke mbetur kaluç me të majtën ka synuar për të kaluçuar të djathtën, duke kërkuar për të  spinuar  faza-faza afatet për të  justifikuar nulizimet me  faktet, etj.. Tjetra: Prokuroria e Përgjithshme duke parë nga sirtarët e dritaret e saj dhe të opozitës majtiste, duke u marrë me telefona e megafona edhe në ditë feste e pushimi, duke i rënë akuzat e shtuar akrobacitë juridiko-politike, duke e mbushur akuzën me faqe gazetash e e-mail-e..., ju ka mbetur dosja e klonuar, klanuar, shtërzuar e shterpuar, për ta përcjellë në kontenierët  politik e afarist të  Edvin Ramës.

E katërta: Prokuroria e Përgjithshme, pavarësisht se këtë dosje e ka cilësuar si "Çështja Nr.1 për vitin 2007",  realisht, nuk është as "Leva e Arkimedit" dhe nuk e ka gjetur as "Vezën e Kolombit" për të ndalë në akordim me opozitën majtiste edviniste "Autostradën e Kombit", që po ecën drejt përurimit; por nuk mundet ta personalizojnë juridikisht as tek një emër i vetëm si në rastin e Lulzim Bashës, sepse ky Korridor i Shqiptarëve është Vullnet Kombëtar i Shqiptarëve të Vërtetë në shekuj, Vullnet Politik i Mazhorancës Qeverisëse i miratuar në Parlament, Qeveri e në tubimet popullore në të gjitha hapësirat e Republikës së Shqipërisë, se është Vullnet i Integrimit të Shqipërisë në NATO e në BE, etj., Vullnet sipërmarrjeje gjigande e Liderit Historik Sali Berisha në ndërtimin e përurimin e kësaj vepre faraonike.

 

3.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me shtyrjen e seancës së rradhës (16 mars 2009) për faktin e përkimit me një ditë pushimi të ligjëruar, ka kryer një nga veprimet e saj të mencura, sepse bota e sotme (me përjashtim të Prokurorisë së Përgjithshme) është mjaft e ndjeshme ndaj rasteve të tilla.

Edhe Serbët e Millosheviçit, që e mbytën në gjak e përflakën në genocid tragjik Kosovën Dardane, evenimentin e jashtëzakonshëm historik të shpalljes së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, e kanë ngritur si një nga akuzat për në Gjykatën Ndërkombëtare të  Hagës, duke e (keq)përdorur faktin se: "Ishte e dielë,...dhe OKB...ishte pushim(!).

Së shpejti, Kosova do ta bëjnë avokatinë edhe të kësaj akuze në Gjykatën Ndërkombëtare, pamvarësisht se Kosova për ditë-shpalljen e Pavarësisë së saj nuk do t'i merrte leje Serbisë okupatore e kolonizatore, pavarësisht se kjo u krye në sinkronizim me Uashingtonin e Brukselin, pamvarësisht se për këtë Ditë Historike Shqiptarët kanë derdhur disa herë më shumë gjak se sa Serbia e vjetër dhe e re, ka shpenzuar dinar e letra për ta kolonizuar e asimiluar.

Kjo po ndodh pavarësisht faktit se e diela si ditë pushimi ka lidhjen e vet shqiptare me Kosovën Dardane. Shën Konstandini i Madh, Perandor  Victor Romak, me origjinë ilire nga Nishi-Naisus i Dardanisë, (dikur kryeqytet perandorak), para 17 shekujsh, në vitin 321, e dekretoi të Dielën si Ditë Pushimi, cka bota e gëzon sot si të drejtë ligjitime. Dhe Kosova, në këtë ditë të dhuruar nga Shënjti i saj, ka të drejtën të Shënjtërojnë Pavarësinë e vet.

Gjykata e Lartë, ndryshe nga  Prokuroria e Përgjithshme, më 16 mars 2009,  e respektoi shenjtërinë e ditës së pushimit, jo vetëm duke kryer një akt-mesazh për Drejtësinë e Shoqërinë Shqiptare, për Shtetin e Politikën Shqiptare, për kujtimin e vlerësimin e Shën Konstandinit të Madh,(nja nga 100 personalitetet e njerëzimit), por tregoi edhe një lartësi të vet Gjykatës së Lartë.

 

                                                                              Ramiz LUSHAJ

 

Tiranë, më 16 mars 2009
Ramiz Lushaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]