VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Kongresi ndërkombëtar i ish të përndjekurve politikë, një ngjarje me rëndësi për demokracinë në Shqipëri
E Martë, 03.17.2009, 02:43pm (GMT+1)

Me dt.04.Prillë.2009,me vendim të Kryesisë Ndërkombëtare të ish-të përndjekurve politikë, me qendër në Berlin, dhe me ftesën e Shoqatës Antikomuniste të ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë që është anëtare e saj, do të zhvillojë punimet në Tiranë Kongresi ndërkombëtarë i ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist. Sigurisht kjo është edhe një ngjarje me rëndësi për demokracinë në Shqipëri. Nga ana tjetër, është edhe një vlerësim për popullin shqiptar, në përpjekjet e tij të vazhduara në rrugën e vështirë të demokracisë në përgjithësi dhe për ish-të përndjekurit politikë dhe qëndresën e tyre titanike kundër regjimit komunist si sistemi më kriminal i shekullit të shkuar në veçanti. Me këtë rast ne ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë i shprehim mirënjohjen tonë qeverisë së Kryeministrit Berisha për gatishmërinë që ka treguar për zhvillimin e këtij aktiviteti ndërkombëtarë të rëndësishëm.
Kongresi ndërkombëtar mblidhet në një kohë që mbarë bota me institucionet demokratike i kan dënuar unanimisht krimet e komunizmit dhe në të gjitha vendet demokratike të botës dhe sidomos në vendet ish-komuniste të Europës Lindore jane marrë masa urgjente në këtë drejtim në mbrojtje të demokracisë. Janë hapur dosjet e spiunëve dhe kriminelëve të ish-sigurimit komunist dhe administrata shtetërore është pastruar së bashku me politikën duke u ndarë përfundimisht nga e kaluara komuniste. Ndërkohë vetëm Shqipëria e ngërthyer nga nostalgjikët e komunizmit në krye të Partisë Socialiste, me thonj e me dhëmbë përpiqen të mbajnë gjallë lugatin komunist që qelbet me erën e krimeve. Parë në këtë kontekst, komunizmi si sistem i diktaturës dhe i mbajtjes së pushtetit me anën e dhunës dhe të violencës kundër popullit, ka qenë dhe mbetet armiku më i tërbuar i demokracisë kudo në botë. Sado që mundet të thuhet me dhimbje nga disa demagogë të ish-komunizmit të kamufluar në të majtën ish-komuniste se gjoja komunizmi paska vdekur, kjo nuk është e vërtetë. Neve, ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë konstatojmë me shqetësim, se komunizmi me të vertetë është përmbysur si sistem por fantazma e tijë si një lugat i neveritshëm endet nëpër Europë dhe sidomos këtu në Shqipëri i gatshëm t'i bëjë gjëmën demokracisë. Një strehë të rehatshme në këtë drejtim, komunizmi po e gjen guximshëm në pjellën e tij në Shqipëri, në të majtën ish-komuniste, në Partinë Socialiste. Pa asnjë mëdyshje, në këto 20 vite të Shqipërisë postkomuniste, kjo parti pasiqë ndryshoi vetëm emrin në vitin 1991, është bërë pengesë e pakapërcyeshme për të gjitha reformat e inicuara nga e djathta në rrugën e demokracisë.
Thellësisht e shqetsuar për hezitimin që politika shqiptare po i bën ndarjes nga komunizmi, Kryesia ndërkombëtare e ish të përndjekurve politik me qendër në Berlin është e motivuar t'i bëjë apel politikës shqiptare në përgjithësi dhe Partisë Socialiste në veçanti se koha e mbrojtjes së një regjimi barbar dhe kriminal është e kaluar dhe e dështuar. Është e turpshme dhe e marrë që politika dhe mediat në përgjithësi të uzurpohen nga nostalgjikët e komunizmit dhe pinjollët e tyre. Është handikap i politikës në Shqipëri që sot, 20 vjet pas rënies së komunizmit, Skënder Gjinushi, ish-ministri komunist i Ramiz Alisë, i biri i gjeneralit kriminel të E.Hoxhës me pseudonimin "Goliku", ka zënë ekranet e televizioneve dhe jep leksione gjoja për demokraci. As nuk skuqet dhe as nuk zverdhet për të kaluarën kriminale të babait të tij, për vrasjen e 21 malësorëve të pafajshëm në Buzmadhe të Kukësit në Shtator të vitit 1944, kur në krye të Brig.5 partizane pasi u pritën si mysafirë në stanet e Buzëmadhes, të nesërmën zgjodhën 22 burra duke i mashtruar deri në "Gurrën e Bardhë" dhe pabesisht i pushkatuan. Vetëm një 16 vjeçar e lanë të gjallë sa për të njoftuar njerëzit që të merrnin kufomat. Ata njerëz fare të pafajshëm vdiqën si rezultat i terrorit komunist për marrjen e pushtetit nga komunistët e E.Hoxhës, por vuajtjet e familjeve të këtyre njerëzve të pafaj nuk patën të sosur gjatë një gjysmë shekulli të regjimit barbar. Me djem dhe vajza, nipër e mbesa, ata u cilësuan si "armiq të pushtetit", duke vuajtur burgje dhe kampe internimi, ndërkohë Gjinushi bënte jetën e përrallave si "çun blloku". Ish-ministri i regjimit komunist sot është në krye të një partie fantazmë dhe është bërë si "miza në bishtin e kalit", duke vrapuar sa tek Nano, Meta dhe tani së fundi është bërë një papagall i shpifur i Edi Ramës. I ka mbetur në gojë "Gërdeci" dhe me lot krokodili i qan zemra. Ky njeri i djallëzuar duhet të heqë dorë nga maskat dhe makiazhet që perpiqet të paraqitet në opinjonin shqiptarë dhe është e turpshme dhe e marrë të bëjë lojën e hipokriti për fatkeqësinë që u ndodhi gërdecarëve. Ai më parë duhet t'u kërkojë falje qindra familjeve të Dibrës, Lumës, Hasit, Malësisë së Gjakovës që janë masakruar nga babai i tij kriminel.
Por nuk është i vetëm Gjinushi. Qindra të tjerë, pinjoj të kastës enveriste, bëjnë politikën dhe drejtësinë sot në Shqipëri. Njeri nga eksponentët kryesorë dhe njëkohësisht që njihet si më i moderuari në të majtën ish-komuniste, Pandeli Majko e quan Partinë Komuniste të Punës si "partinë e tij të vjetër dhe është krenar se e paska patur babain komunist". Ndërkohë në komisionin e ligjeve me një arrogancë shpifëse, të pushkatuarit pa gjyq nga regjimi komunist i konsideron apriori si "bashkëpunëtor të fashizmit". Me çfarë të drejte ky minuk i komunizmit ngre shpifje kundër atyre burrave dhe grave që u pushkatuan pa gjyq nga komunistët për të vetmen arsye të terrorit kundër popullit si kundërshtarë potencial të diktaturës. Ku ishin vallë bashkëpunëtorë  të fashizmit barinjtë e Buzëmadhes? Ku ishte vallë bashkpuntere e fashizmit një grua e re në Has që u pushkatua me urdhër të Golikut vetëm për të terrorizuar popullin? Po vrasjet pa gjyq në Golaj, Perollaj, në Malësinë e Gjakovës, djegien e shtëpive, grabitjen e mallit dhe të bagëtive me urdhër dhe nën komandën e këtij krimineli, si munden të harrohen? Gjinushi, ky struc i politikës shqiptare dhe të tjerë pinjoj të ish-kriminelëve të diktaturës duhet të largohen nga politika pikërisht me "ligjin e lustracionit" nga i cili e majta ish-komuniste është në panik. Kjo parti anekënd eshtë e tejmbushur me ish-sigurimsat e regjimit komunist ose me pinjollët e diktaturës komuniste, çka përbën një handikap të jashtëzakonshëm dhe të rrezikshëm për aspiratën e popullit shqiptar për demokraci.
Në përgatitjet për organizimin e Kongresit Ndërkombëtar të ish-të përndjekurve politik, para pak ditësh ishte në Tiranë sekretari i përgjithshëm i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë të ish-Gjermanisë lindore z.Gustav Gunter. Ai mbeti mjaft i habitur në faktin se ish-sigurimsat e regjimit komunist dhe pinjollët e tyre me paturpesinë më të madhe uzurpojnë mediat me deklarata publike, janë të zgjedhur deputetë dhe kryesojnë parti politike; se i ati i kryetarit të një pjese të opozitës, Edi Ramës, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në gusht të vitit 1988, kur regjimet komuniste në Europën Lindore pothuajse kishin marrë fund, firmosi varjen në litar të poetit disident, antikomunistit Havzi Nela. Ndërkohë sot në Gjermani tregon Gunter, është e ndaluar që një ish-funksionar i regjimit komunist ose bashkëpunëtor i policisë sekrete të deklarohet në media dhe të japë leksione për demokraci. Nga ana tjetër edhe të bijtë e tyre e kanë për turp se baballarët e tyre u shërbyen komunizmit ose fashizmit. Ata kërkojnë falje publike për krimet e baballarëve të tyre kundër popullit. Është me të vertetë mjaft trishtuese,e dhimbshme, se duke krahasuar regjimin komunist në Gjermaninë lindore me atë që ka ndodhur në Shqipëri, ndryshimi është shumë i madh. Regjimi komunist në Gjermani ka pushkatuar 250 persona për arsye politike, ndërkohë në Shqipëri janë pushkatuar 6000 njerëz për motive politike, pa numëruar këtu qindra e mijra të pushkatuar pa gjyq, njerëz të tjerë fëmijë, pleq, gra që kanë vdekur nga vuajtjet dhe uria në kampe internimi. Dhe Gjermania Lindore kishte një popullsi pothuajse dhjetë herë me të madhe se Shqipëria. Gjermania ka hapur dosjet e ish-"Stasit",`sigurimit famkeq komunist që në vitin 1991. E kundërta po ndodh në Shqipëri dhe demokracia është seriozisht e rrezikuar. Ish-kriminelët e diktaturës komuniste dhe pinjollët e tyre, kanë ngritur krifën si qentë rrugaçë kundër demokracisë dhe në mbrojtje të kërmës së tyre që bie erë komunizëm. Ata po kundërshtojnë me vendosmëri ligjin e hapjes së dosjeve dhe çfarëdo reforme tjetër në drejtim të konsolidimit të demokracisë dhe ndarjes së vendit tonë nga komunizmi në të gjitha fushat e jetës. Por kjo gjendje duhet të ndryshojë. Pikërisht ky është edhe qëllimi i mbajtjes së këtij kongresi, edhe i apelit për politikën shqiptare.
Shoqata antikomuniste e ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë dhe degët e saj në të gjitha rrethet e vendit, me një vendim të posaçëm të Këshillit Kombëtar, është e përcaktuar në përkrahjen me vendosmëri apsolute të Partisë Demokratike dhe të gjitha forcave të tjera të koalicionit të djathtë me këtë parti. Në zgjedhjet parlamentare që po afrojnë, ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë, do të luftojnë me të gjitha mjetet demokratike për fitoren e PD në këto zgjedhje si alternativa më e mirë dhe më e besueshme në funksion të demokracisë për të cilën kemi sakrifikuar jetën tonë, të afërmit tonë që akoma nuk po u gjejmë varret. Ne jemi të përgatitur kundër diversionit që vjen nga e majta ish komuniste për të përçarë sa të jetë e mundur formacionin tonë të bastionit të lirisë dhe demokracisë. Ne u bëjmë thirrje të gjithë bashkëvuajtësve tanë, që në këto momente historike për të ardhmen e Shqipërisë dhe të demokracisë të bashkohemi rreth idealit tonë të përbashkët duke lënë mënjanë interesat e ngushta meskine, duke mos rënë pre e diversionit të së majtës ish-komuniste që kërkon të rimarrë pushtetin. Mos të harrojmë për asnjë çast se janë po ata inkuzitorët tanë, ish-sigurimsat e regjimit barbar komunist që organizuan bandat e armatosura në vitin 1997 dhe me grykën e pushkës përmbysen qeverinë demokratike duke instaluar sistemin e vjedhjes dhe mashtrimit.

Autori është Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Dega e Tiranës

Sejdi Peka


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]