VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - REKUIEM PËR DOSJET E SIGURIMIT 

                                                                                      

E Martë, 04.16.2024, 11:33pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » OPINONE-EDITORIALE
 
REKUIEM PËR DOSJET E SIGURIMIT 
E Martë, 12.16.2008, 04:26pm (GMT+1)

Nga Elida Buçpapaj

 

Shqipëria është nga të vetmet vende në Europën Lindore që vazhdon ta zvarrisë hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit të kohës së diktaturës. Shqipëria është nga të vetmet vende të ish-diktaturës që ende nuk mban një qëndrim dënues ndaj regjimi diktatorial mizor që për një gjysmë shekulli shkaktoi aq plagë në shoqërinë shqiptare. Shqipëria është nga të paktat vende të Europës Lindore ku klasa politike luan me faktorin kohë duke e zvarritur kohën pa fund me qëllim që t'u injektojë gjeneratave të reja sëmundjen e harresës, Alzheimers. Në një Parlament demokratik, për një çështje të rëndësisë kombëtare një debat mund të zgjasë 18 orë, 18 javë, 18 muaj, por kur një debat zgjat 18 vjet, ai nuk mund të jetë më i tillë. Gjithë opinionin shqiptar ka 18 vjet që kërkon hapjen e Dosjeve, ndërsa klasa politike ka 18 vjet që nuk e lejon këtë.

Debati i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit shqiptar të periudhës staliniste-moniste vazhdon përgjatë 18 vjetëve të pluralizmit. Dhe nuk ka ndërmend të ndalet. Ky debat mbijeton bashkë me karrierën e klasës politike, e cila aq sa nuk pati kurrë shkëlqim, po ashtu nuk njeh as pendim dhe as perëndim.

Klasa politike shqiptare, pozitë e opozitë sa e ka të dukshme dëshirën për t'u integruar në NATO dhe BE, aq e ka të zbehtë vullnetin për të zbardhur fatin e Dosjeve. Nëpër mediumet e Tiranës mund të dëgjosh debate nga më absurde dhe perverse kur është fjala për hapjen e Dosjeve, të cilat i ushqejnë politikanët e Shqipërisë, të të gjitha ngjyrave.

Për hapjen e Dosjeve dhe dënimin e krimeve të diktaturës, klasa politike shqiptare ka marrë mbështetje nga Brukseli, Strasburgu, Uashingtoni, por ende seancat e Parlamentit shtyhen, nga legjislacioni në legjislacion, nga viti në vit, për 18 vjet rresht, duke e ndyrë parlamentarizmin shqiptar. Dilema e klasë politike të Shqipërisë për të hapur apo jo Dosjet, e ka vënë në dyshim tërësisht pluralizmin e Shqipërisë.

Të pretendosh të jesh anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut apo anëtare e Bashkimit Europian pa kryer një katarsis me të kalurën, pa e pastruar klasën politike shqiptare prej figurave pa integritet është imoraliteti më i madh.

Nuk mund të ketë shtet ligjor të së drejtës, me politikanë pa integritet. Nuk mund të ketë shtet ligjor me gjykatës apo prokurorë të cilët gjatë kohës së diktaturës kanë firmosur për varjen apo dënimin e shqiptarëve. Nuk mund të ketë shtet demokratik, kur ish-eksponentët e Sigurimit kanë 18 vjet që kanë pushtuar majat e kupolës së shtetit, politikës dhe mediumeve.

Asnjë vend i Europës ish-komuniste nuk ka pasur dilemë për të denoncuar krimet e diktaturës. Klasa politike shqiptare ka 18 vjet me këtë dilemë. Kur realisht dilema nuk ekziston. Aq më tepër, kur është fjala për interesat kombëtare të vendit.

Në tetor të këtij viti Shqipërinë e vizitoi Marianne Birthler, e ngarkuara e qeverisë gjermane për hapjen e dokumenteve të Stasi-t. Në një intervistë në shtypin e Tiranës, Zonja Birthler vinte në dukje se posa ishte kthyer nga një vizitë pune në Beograd, ku edhe aty si në Shqipëri, Dosjet nuk ishin hapur ende. Paralelizmi është i egër, por i vërtetë. Në pyetjen që i bëri gazetari "Si i trajton Gjermania ish-spiunët e komunizmit?", Zonja Birthler u përgjegj pa asnjë dilemë: "Në Republikën Federale mbisundon opinioni se kush ka bashkëpunuar me sistemin ose kush ka denoncuar njerëz të tjerë, nuk ka të drejtë të jetë me funksion publik."

Andaj debati për gjoja hapjen e Dosjeve në Kuvendin e Shqipërisë është një kllouniadë e klasës politike, që mjerisht mbështet edhe nga mediat. Kjo ndodh se edhe në media ka shumë emra që përfliten se kanë Dosje, të cilëve nuk u intereson aspak dalja e së vërtetës në dritë të diellit. Në gjithë botën demokratike opinionistët, komentuesit japin kontributin e tyre për të zbardhur dhe ndriçuar të vërtetën, ndërsa në Shqipëri ata ushtrojnë profesionin e tyre për ta fshehur dhe manipuluar atë. Jo rrallë, madje duke e heroizuar dhe duke e himnizuar monizmin dhe bëmat e tij.

Andaj sa herë fillon në Shqipëri i ashtuquajturi debati i hapjes së Dosjeve, që ka 18 vjet që zgjat, dihet se kjo do të jetë një maskaradë e radhës. Dhe sa kohë që të zgjatë kjo maskaradë, fati i demokracisë do të jetë tejet i brishtë dhe i pasigurt.

 

Elida Buçpapaj



Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]