VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kosovë ndryshimi i balancës së përgjegjësive

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 02:30pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » SHQIPTARËT
 
Kosovë ndryshimi i balancës së përgjegjësive
E Mërkurë, 12.17.2008, 09:37am (GMT+1)

Nga: Mujë BUÇPAPAJ

 

Pavarësisht garancive të dhëna nga ndërkombëtarët se marrëveshja 6 pikëshe e arritur mes OKB-së dhe Serbisë, do të jetë një dokument i përkohshëm, tranzitiv dhe pa ndikim në Pavarësinë dhe sigurinë territoriale të Kosovës, raporti i Ban Ki Moon i miratuar në Këshillin e Sigurimit më 27 nëntor 2008, si një deklaratë presidenciale e Këshillit të Sigurimit, është pritur me dyshim dhe frikë nga shqiptarët jo vetëm në Kosovë.

Vetë fakti që Beogradi ka dhënë pëlqimin për herë të parë për një dokument nderkombëtar që i referohet Kosovës, është i mjaftueshëm të dyshosh se kjo nuk ka ardhur nga reformimi i politikës në Serbi, por nga lëshimet që asaj i janë bërë për shkak të pafuqisë së Bashkimit Europian që të vendosë në Kosovë, vetwm me mandatin e saj, të parin mision të redësishëm të Brukselit në fushën e rendit dhe të ligjit, të thirrur EULEX. 

Sido që SHBA-të kanë bërë të ditur se do të jenë pjesëmarrës në këtë mison, me 100 policë gjyqtarë dhe ekspertë të sigurisë, trashëgimia negative që europianët kanë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, i bën shqiptarët mosbesues, aq sa përpjekja për ndryshimin e balancës së përgjegjësive mes amerikanëve dhe europianëve në Ballkan të pësojë një dështim të plotë me rastin e planit 6 pikësh për vendosjen e misonit EULEX në Kosovë.

Rasti EULEX, ndonëse duke u instaluar prej 9 dhjetorit edhe në veri, po dëshmon se Europa nuk mund të përballojë presionin ruso-serb dhe rikthimi i Moskës në Ballkan dhe më gjerë, mund të jetë shumë më i shpejtë se parashikohej.

Moska duke përdorur kërcënimet e energjisë dhe kartën serbe, pas kundërvënies ndaj pavarësisë së Kosovës mund të imponjë shumë zgjidhje të tjera në dëm të Perëndimit, nëse prezenca e lidershipit amerikan në rajon do të mungojnë.

Është krejt e qartë se akordi OKB-Serbi është produkt i dobësisë së politikës së jashtme të BE-së dhe i lëshimeve të njëpasnjëshme që Brukseli ia bën Beorgardit në këmbim të një pajtimi serb për shrirjen e  EULEX-it.

Përpjekjet e BE-së për të përfshirë pa kushte Serbinë në proceset integruese europiane, duke anashkaluar çdo kriter të ndjekur më parë në mënyrë strikte për vendet e rajonit, do të kishin pasoja negative. 

Është i paprecident rasti i marrjes së pëlqimit të Beogradit për vendojen e një misioni ndërkombëtar në një shtet Sovran si Kosova.

Pas këtij lëshimi askush nuk mund të parashikojë zhvillimet në terren për faktin se Serbisë i është legalizuar pushteti në pjesën veriore të Mitrovicës, në rend, gjykata dhe dogana, pavarësisht ndërmjetësimit të UNMIK-ut, i cili sipas parashikimeve duhet të kishte lënë Kosovën prej qershorit 2008. Ky lëshim i OKB-së ka rikthyer idenë e ndërrimit të kufijve sipas parimit etnik, çka mund të çojë në një reaksion zinxhir, për të cilin shqiptarët s'ka pse të kenë frikë. Deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi është një sinjal i qartë. Ai tha me 28 nëntor në Prishtinë se në rast se Grupi i Kontaktit i shkel i pari parimet, Kosova do të konsiderojë bashkimin me Shqipërinë.  

Aktualisht jemi në një situatë ku 22 vende anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe po kontribuojnë që ajo të ecë përpara. Nga ana tjetër, fakti që europianët kanë qenë të pavendosur dhe shpesh të njëanshëm në raport më Serbinë, sidomos pas shalljes së  Kosovës shtet i Pavarur dhe akordit me Beogradin për misionin EULEX, ka rikthyer drojën se BE mund të tolerojë Serbinë dhe trashëgiminë e saj genocidiste në rajon, në shkëmbim të marrjes së pëlqimit të Beogradit për Kosovën.

BE me rastin e pranimit të rekomandimeve të Beogradit për planin 6 pikësh, në fakt ka dhënë pelqimin që Serbia të vazhdojë të kontrollojë veriun e Mitrovicës, duke rritur drojën se europianët po e pranojnë gjithnjë dhe më shumë këtë rajon si pjesë të Serbisë. Gjatë një historie të përgjakshshme të përpjekjeve të Beogradit  për Serbinë e Madhe, të nisur këtu e dy dekada më parë, përvoja ka treguar se vetëm SHBA-të e  kanë detyruar Beogradin të pranojë zgjidhjet paqësore. Dhe kjo ka një kuptim domethënës.

Në fillim të viteve '90 OKB dhe BE u traguan të paafta të paradalonnin luftën në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. Spastrimi etnik, shfarosja në masë si dhe i gjithë genocidi serb në Kosovë ndodhi para syvve të Europës, ndërsa ajo qe e paftë të ndërhynte.

Vetëm ndërhyrja dhe lidershipi i SHBA-ve u dha fund luftërave ballkanike dhe mundësive që ajo të përhapej  me gjerë në Europë. Vetëm ndërhyrja amerikane në mars 1999 bëri të mundur që të kemi sot një Kosovë të pavarur. Ky është edhe shkaku i vertetë pse shqiptarët  e shohin me shumë shqetësim një farë distancimi të SHBA-ve nga rajoni.

 

Përse kjo tërheqje e SHBA-ve ?

 

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kemi parë një tërheqje amerikane, sido që zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit edhe gjatë këtyre ditëve kanë deklaruar se pavarësia dhe integriteti i Kosovës mbetët një prioritet për politiken e jashtme të Uashingtonit.

Në një situatë të konsideruar të qëndrueshme në Prishtinë dhe rajon, amerikanët bënë një hap pas, duke mundësuar që zhvillimet në vazhdim t'i menaxhojnë europianët. Këshilltarë të presidentit të zgjedhur Obama kanë lënë të nënkuptohet se "nuk duan të shpenzojnë më para në atë zonë, të paktën në fushën e mbrojtjes."

Kriza ekonomike që përfshiu vitin e fundit Amerikën, mund të bëjë që kjo ide të jetë e besueshme, pavarësisht boshllëkut dhe pasojave që mund të krijojë mungesa e pranisë së fortë  të SHBA në rajon.

Boshti i shpallur antiamerikan Moskë-Beograd, aleatët e tyre, si dhe koalicioni terrorist prej 11 shtatorit 2001 e në vazhdim kanë kërkuar dhe kanë bërë presion që SHBA-të ndjekin një politikë izolacioniste. Qëllimi ka qënë i qartë, garantuesja e vetme e paqes dhe e lirisë në Ballkan dhe në botë të tërhiqej në shtepi, duke braktisur kauzën e lirisë për gjatë botës, në mënyrë që ky bosht antiamerikan të imponojë vullnetin e vet në rajon.

Shqiptarët janë një komb i lirë falë SHBA-ve, por kanë nevojë për Amerikën, për të forcuar demokracinë, ekonominë e tregut dhe lëvizjen e lirë në një rajon i cili vazhdon të kërcënohet nga Serbia. SHBA-të, si një sipërfuqi e vetme ushtarake në botë, kanë dëshmuar prej fillimit të luftërave në ish-Jugosllavi se janë vërtetë të afta të vendosin rregull dhe paqë në rajon, por vetëm pasi në të vertetë europianët kanë dështuar apo janë diskredituar për shkak të pafuqisë së tyre për t'iu kundërvënë planeve të Serbisë së Madhe. 

Shpjegimi për një tërheqje amerikane, kur gjendja në rajon dhe Kosovë, të paktën formalisht duket stabël, është justifikuar nga administrata me idenë për të krijuar më shumë hapësira për aleatët,  në mënyrë që europianët të marrin përgjegjësinë për sigurinë në rajon. Në fakt kjo është një dëshirë e vjetër e europianëve, të cilët duan të trajtohen si partnerë, pavarësisht kapaciteve të tyre dhe shpenzimeve në fushën ushtarake.

Në prag të ndërhyrjes amerikane në Kosovë, në pranverë të vitit 1999, trekëndëshi Athinë-Beorgrad-Moskë pati refuzuar ashpër ndëryrjen e NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të. Në këtë kohë u prezantua edhe nisma për krijimin e një force sigurie europiane si dhe dy-tre propozime të tjera për krijimin e një force të sigurisë ballanike, ku Greqia dhe Serbia do të kishin dominim. Pas këtyre propozimeve qëndronte Rusia e cila kërkonte  distancimin e SHBA-ve dhe Perëndimit nga Kosova dhe Ballkani, të kosideruar prej saj si zona historike të influencës. Edhe këto ditë improvizmi i implikimit me tre gjermanet në Prishtinë, kërkonte mbajtjen larg edhe të Gjermanisë nga Kosova, për t'u lënë hapësirë atyre që kanë mbajtur të ndezur prej më se një shekulli  dramën shqiptare dhe atë ballkanike.

SHBA-të kanë deklaruar gjatë këtyre ditëve se Kosova është një vend europian dhe çështja e saj është një çështje europiane. Europianët duhet të marrin përgjegjësinë e tyre për paqën dhe sigurinë në Ballkanin Perendimor, sido që prezantimi i parë i tyre në Kosovë filloi me dyshime të mëdha. 

Shqiptarët aktualisht druhen se pas lëshimeve që BE i bëri Beogradit, gjendja mund të shkojë deri tek rishqyrtimi që Europa mund t'i bëjë  pavarësisë  së Kosovës. Sido që kjo do ishte shumë e veshtirë, në mos e pamundur, fakti që europianët janë treguar vazhimisht të dobët në raport me Serbinë, i bën këto dyshime me shumë se kaq. Ndonjë qendër vendimarrëse europiane për fat të keq ende mendon se asnjë zgjidhje nuk mund të arrihet në rajon pa marrë pëlqimin e Beogradit, sido që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ky raport duhet të kishte ndryshuar në favor të Tiranës dhe Prishtinës.  

Edhe më parë SHBA-të kanë qenë të detyruara të përshtasin këto qëndrime në rajon, duke marrë udhëheqjen vetëm pas dështimive europiane në fushën e sigurisë, në mënyrë që të parandalohej përfshirja e kontinentit në një konflkit të gjerë, por pas krizës së fortë ekonomike dhe përfshirjes së vendit në disa luftëra njëherësh, mbetët për t'u parë nëse kjo tërheqje është e përkoshme apo një vendim afatgjatë. Mendoj se emërimi i Hillari Klintonit, në postin e Sekretares së Shtetit jep shenja se Amerika s'ka ndërmend të braktisë rajonin dhe aq më pak Kosovën. Dihet roli vendimtar i Presidentit Klinton për çlirimin e Kosovës në pranverë të vitit 1999 nga pushtimi barbar serb. Besnikëria legjendare shqiptaro-amerikane është produkt edhe i këtij vendimi të frymëzuar nga familja Klinton, që ndryshoi historinë e shqiptarëve në Ballkan. Familja Klinton ka vizituar Kosovën dhe ka lidhje të forta shpirtërore me këtë vend.

 

 

Qeveria e Prishtinës u  gjet e papërgatitur

 

Plani 6 pikësh tregoi se ndërkombëtarët nuk kanë ndonjë plan rrënjësor për ndryshimin e statukosë në Veri të Mitrovicës të kontrolluar nga serbët, por përmes zgjidhjesh të buta duan të ruajnë edhe për shumë kohë shkëputjen e rajonit në veri të Lumit Ibër, me shpresë që Prishtina dhe Beogradi të gjejnë një zgjidhje kompromisi per rajonin në fjalë.

Prishtina ndodhet në një situatë kritike. Ajo as nuk mund të vendos kontrollin atje dhe as nuk mund të pranojë një kapitullim të tillë.

Ndërkohë që ekipet qeveritare të Prishtinës gjatë këtyre 9 vjetëve kanë dëshmuar mungesë përvoje, vizioni dhe masash për të zgjidhur situatën në enklavat serbe dhe gjendjen në veri të Mitrovicës, Beogradi pas zgjedhjeve të fundit gradualisht po del nga izolimi ndërkombëtar, duke u  imponuar si një faktor rajonal. Serbia loboi fort në Perëndim, përfshirë edhe SHBA-të, për interesat e saj, ndërkohë që qeveria e Kosovës nuk u pa të bënte një përpjekje të tillë. Serbia, autore, ndër të tjera, e tragjedive të Bosnjës dhe Kosovës, arriti ta pengonte njohjen e Kosovës edhe aty ku nuk pritej, ndër vendet e Konferencës Islamike.

Ky zhvillim i ri duket se i ka gjetur të papërgatitur shqiptarët, pa projekte për të përballuar Beogradin në rrugë diplomatike. Kalimi në OKB i kërkesës serbe për rishqyrtimin e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndëkrombëtare të Hagës, falë abstenimit të vendeve të BE-së, të cilat në fakt e kishin njohur pavarësinë e Prishtinës, dërgimi i Karaxhiçit në Hagë, si dhe më vonë kompromisi për planin 6 pikësh, flasin për këtë zhvillim të ri.

Lidhur me këtë projekt të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, qeveria e Prishtinës po  fajësohet këto ditë nga opozita në Kosovë se ka dëshmuar kapcitete të dobëta negociuese me ndërkombëtarët, apo se ka reaguar të paktën 5 muaj me vonesë ndaj projektit Ban Ki Mun. Kritikët e  qeverisë ia quajnë për të madhe faktin se ajo nuk ka ditur "kur dhe çfarë të refuzojë", "duke lejuar që të ndajë juridikisht sovranitetin me Beogradin zyrtar siç janë adminsitrimi i kufirit, policia, doganat etj."

Është krejt e çuditshme hamendja  e autoriteteve  të Prishtinës gjatë këtyre 9 vjetëve lidhur me Mitrovicën e veriut. Nga kanë pritur ata që situata të ndryshojë në favor të tyre? Nga kush do të vinte fuqia dhe veprimi konkret që pushteti të ushrohej në të gjithë hartën e skicuar edhe në flamurin shtetëror?

 

Është e qartë se autoritetet e Prishtinës kanë qenë nën një presion të fortë ndërkombëtar për të trajtuar në mënyrë të shenjtëruar minoritetin serb, për të plotësuar standartet para statusit dhe pastaj për të pranuar pa asnjë oponencë Planin Ahtisari. Por është po kaq e vertetë se  qeveritarët e Prishtinës, të paktën, nuk kanë ditur të shfrytëzojnë vemendjen nderkombëtare. Për këtë shkak shqiptarët tani po paguajnë një çmim shumë të lartë.

Enklavat nuk janë integruar. Veriu është thuajse i ndarë. EULEX mundet të kthejë mbrapsht vendimet e qeverisë etj.

Ndërsa vemendja nderkombëtare po zhvendoset drejt zgjidhjes së krizës ekonomike perëndimore, si dhe ndaj vatrave të reja të krizës në botë, ne mund të ndjehemi të anashkaluar. Përqëndrimi prej dhjetë vjetësh i ndërkombëtarëve në çështjet shqiptare, ka krijuar gabimisht idenë se ne jemi qendra  e botës, duke abuzuar fort me këtë vemendje ndërkombëtare, kryesisht amerikane.

Pavarësisht këtij sponsorizimi të fortë amerikan ne nuk kemi qënë të aftë të zgjidhim problemet që janë varur tërësisht nga ne. Sidomos pas njohjes nderkombëtare të pavarësisë së Kosovës, shqiptarët nuk kanë paraqitur ndonjë projekt për të vendosur autoritetin e tyre në veri dhe as që kanë mundësi të ndërmarrin një hap të tillë. Nëse Tuxhmani ia pati rikthyer Krajinën me luftë Kroacisë në mesin e viteve '90,  Thaçi nuk ka bërë as më të voglën përpjekje për të vendosur autoritetin e qeverisë së Kosovës në veri të lumit Ibër edhe kur u dogjën pikat kufitare 1 dhe 31.

Megjithëse taksapaguesit shqiptarë mbajnë një forcë policore dhe trupa mbrojtëse të mjaftueshme për të çliruar Veriun dhe çuar para drejtësisë strukturat paralele serbe, nuk kemi parë asnjë përpjekje të tillë megjithëse, si rezoluta 1244, ashtu dhe më vonë Deklarat e Pavarësisë e njohin integritetin dhe kufijtë ndërkombëtarë të Kosovës.

Ka qenë dhe është joreale pritja e Prishtinës që policët ndërkombëtar të japin jetën për të rivendosur integritetin e Kosovës në Veri të Ibrit. Kjo çështje u përket shqiptarëve për ta zgjidhur.

Tashmë është e dukshme se gjendja në terren i ka dhënë një avantazh diplomatik Beorgardit, i cili ia ka dalë "me krijimin e entitetit serb në veri dhe defunksionalizimin e shtetit ne jug". Prishtina duhej të hynte në negociata me faktorin ndërkombëtar për EULEX-in, vetëm pasi të kishte vendosur autoritetin e saj në veri, të kishte instaluar atje policinë, ushtrinë dhe sistemin doganor në bashkëpunim me NATO-n dhe UNMIK-un. Në këtë pikë Beogradi është shumë më përpara. Ai e ka vendosur autoritetin ndëkrombëtar para fakti të kryer. Duke i kontrolluar ekstremisht enklavat dhe veriun e Mitroviës, ka mundur t'i marrë lëshime të vërteta  BE-së. Verën që shkoi Beogradit i qe premtuar dhënia e statusit të vendit kandidat për në BE, biles brenda vitit 2008, ndërsa më vonë u tha se procesi ishte shtyrë për vitin 2009.

Ky premtim i la të pakënaqur disa vende të rajonit të cilat konkurojnë prej vitesh për të marrë statusin e vendit kandidat, duke kritikuar Brukselin për njëanshmeri dhe diskriminim.

Kompromisi i OKB-së me Beogradin ka dhënë dy pamje. Prej vitit 1999 kemi vetëm palën shqiptare që pranon çdo kusht, deri edhe poshtërues, siç janë disa pika të Paketës Ahtisari për superminoritetin serb dhe, nga ana tjetër, kemi palën serbe që nuk pranon asnjë kusht, asnjë dokument, asnjë marrëveshje nga Pakoja Ahtisari deri tek Deklarata e Pavarësisë. Kjo i ka bërë që të mendojnë edhe shqiptarët sido që tepër vonë.

Europianët, edhe pse  gjysmëzyrtarisht këto ditë deklarojnë se ELUEX do të varet vetëm nga BE, në fakt ata kanë faturën e dështimit në zgjidhjen e krizës në ish-Jugollavi. Ata prezantuan  me rastin e misionit të parë nderkombëtar në Europë një dobësi të konfirmuar në politikën e jashtme. Egoja për të kaluar me suskes një provë të parë të madhe si EULEX-i i ka çuar drejt një kompromisi me Beogrardin dhe OKB-në, duke lënë pas dyshime për mundësinë e rihapjes  së çështjës së  Kosovës dhe të kufijve në Ballknain Perëndimor.

Autoritetet e Prishtinës, kanë folur për domosdoshmerinë e shtrirjes së misionit të BE-së në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa kanë kundërshtuar planin 6 pikësh të Ban Ki Mun. Paqartësia e institucioneve nderkombëtare dhe anakashlimi i Prishtinës ka bërë që OKB të shihet si një ndërmarrje e deshtuar në Kosovë. Në fakt OKB është parë si e  deshtuar prej fillimit deri në fund, biles edhe vetë plani Ahtisari ishte një tjetër dështim, për faktin se nuk u arrit miratimi i tij në Këshillin e Sigurimit. Pavarësisht se përmbajtja e kësaj pakoje u quajt si një kompromis për t'u votuar në Këshillin e Sigurimit edhe nga Rusia si mentore e Serbisë, në fakt ajo i mbeti Kosovës si një dënim afatgjatë. 

Shqiptarët për nëntë vjet kanë qenë kokulur para ndërkombëtarëve. Nisur nga ndjenja e mirëngulitur për të mos e shfaqur vetën si mosmirënojës, në fakt ata kanë bërë një gabim duke mos ndarë prej fillimit rolin e domosdoshëm të pranisë së NATO-s dhe SHBA-ve si çlirues të Kosovës, me burokracinë e UNMIK-ut që arriti të mbajë të ndarë Mitrovicën e Veriut dhe të paintegruara enklavat.

OKB-ja nuk ka bërë asgjë tjetër përveç vonesës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në fillim duke i vënë kritere thuajse të paarritshme, pastaj me dështimin e Pakos Ahtisari dhe tani me paketën Ban Ki Mun.

Aktualisht shqiptarët duhet t'i kundërvihen çdo ideje që çon në ndarjen faktike të Kosovës së veriut nëpërmjet planit 6 pikësh. Nëse shqiptarët rezistojnë dhe sjellin argumente bindëse, Uashingtoni mund të kundërshtojë planin 6 pikësh dhe të dalë me një zgjidhje të re. SHBA-të, pavarësisht se kush është në Shtepinë e Bardhë, nuk i braktisin kurrë miqtë dhe ky është mësimi i historisë së këtij vendi, mik i kombeve që luftojnë për liri. Përpjekeja ruso-serbe për të shfrytëzuar tranzicionin në Shtepinë e Bardhë në favor të interesave të tyre nuk do të ketë sukses.

Kosova nuk ka pse qëndron urtë. Në fund të fundit Kosova është bërë faktor dhe imponuar vetëm pasi anëtarët e UÇK-së kanë marrë armët për lirinë e vendit të tyre. Mania për t'u pëlqyer në çdo fjalë ndërkombëtarëve mund ta bëjë klasën politike në Prishtinë gati të panevojshme.

Kosova duhet të tregojë se vendimet për të nuk mund të merren kurrë më në Beograd, se  është Kosova ajo që ka në dorë paqen dhe stabilitetin në Europë dhe jo Serbia.

 

Nryshim i kufijve apo...

 

Zgjidhja e çështjes shqiptare nëpërmjet bashkimit të Kosovës me  Shqipërisë është një koncept i konsoliduar, i cili ka ardhur duke u bërë më i pranueshëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 dhe sidomos pas vendosjes me një status të dyshimtë të misionit EULEX. Kosova duke qënë një shtet i pavarur mund të vendosë vetë, nëse dëshiron të bashkohet me Shqipërinë pa krijuar asnjë problem ndërkombëtar. E vetmja zgjidhje që mbetet për t'u parë në tavolinë është çështja e enklavave serbe, minoritetit serb në veri të Mitrovicës, si dhe problemi i shqiptarëve në Luginën e Preshëves, të cilët siç dihet janë më të shumtë në numër se minoriteti serb në Kosovë.

Ideja për ndërrimin e kufijve nuk duhet t'i zënë të papërgatur shqiptarët në të dyja anët e lumit Drin. Në fund të fundit ata nuk do të humbnin asgjë nga ky rishikim i cili çon në vend një padrejtësi të bërë nga Fuqitë Mëdha në vitin 1913.

Informacionet e para për një hartë të re politike të Ballkanit kanë qarkualluar në SHBA dhe Europë të paktën këto 20 vjetë e fundit.

Në fillim të viteve '90 eksperti anglez Xhonatan Ejell, zgjidhjen e drejtë dhe të përhershme të çështjes së Kosovës e sheh me lëvizjen e kufijve mes shqiptarëve dhe serbëve. Siç thotë ai: "Në të shumtën e rasteve kushton me pak dhe është më pak e përgjakshme dhe gjithnjë më njerëzore që kufijtë e padrejtë të ndërrohen në mënyrë paqësore se sa me luftë të përgjakshme të ruhen kufijtë ekzistues."

Në vjeshtën e vitit 1993 sherbimi sekret amerikan CIA pati publikuar një parashikim i cili  deklaronte: Pjesë të territoreve Kroate (në atë kohë të pushshtuara nga serbët, shënimi im) do t'i bashkohej Kroacisë. Pjesa serbe e Bosjës (sot republika serbe) do të bashkohet me Serbinë, ndërsa Bosnjes do t'i mbeteshin vetëm territoret e zotëruara nga boshnjakët. Kosova dhe Maqedonia perendimore do t'i bashkoheshin Shqipërisë.

Zgjidhja e çështjes shqiptare nëpërmjet ndërrimit të kufjve është parë si zgjidhje e qëndrueshme nga analistë të CIA-s. Ata kanë propozuar organizimin e një tjetër konference ndërkombëtare ku për herë të parë krahas fuqive të medha të jenë të përfaqësuar edhe popujt e Ballkanit që të tregojnë se çfarë mendojnë. Sipas profesorit Stiven Mayer analist prej shumë vjetësh i CIA-s, dhe ish shef i këtij shërbimi sekret, kësaj konference ndërkombëtare që ai propozon të mbahet në Berlin, "duhet t'i paraprijnë shumë referendume të banorëve që të përcaktojnë se në cilin shtet do të deshirojnë që të jetojnë". Sipas tij, aty do të hapeshin të gjitha çeshtjet në tavolinë dhe nuk do të kishte tema tabu, pra siç thotë ai "do të bisedohej për çdo gjë". Kjo do të ishte  padyshim edhe zgjidhja e vetme realiste për  paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan. Historia e vjetër dhe e re na ka mësuar se aspiratat e popujve për bashkim mund të jenë vonuar, por kurrë nuk janë ndalur, ato dikur janë realizuar.

Profesor Mayer edhe këto ditë në një intervistë dhënë radios gjermane Dojce Vele i rikthehet çështjes së ndryshimit të kufjve në ballkan. Profesori i shkencave politike i Universitetit të Uashingtonit  për mbrojtje nacionale, thotë se kufijtë e Balkanit nuk janë të shënjtë dhe ata mund të ndryshohen. Nëse shqiptarët e Maqedonisë perendimore besojnë se lidhjet me shtetin amë Shqipërinë ende janë të fuqishme dhe nëse deshirojnë të shrytëzojnë këtë rast, duhet ta bëjnë këtë. Nëse duan të votojnë për pavarësi apo ndonjë formë tjetër të bashkimit me Shqipërinë apo Kosovën  pse mos ta bëjnë këtë? Cili do të ishte dëmi. Kjo do të jepte zgjidhjen e disa pyetjeve. Analisti i CIA-s Mayer, parashkon të ketë përsëri trazira në Ballkan  ku popujt të shfrytëzojnë të drejtën e vetëvendosjes.

Dr. Edgar Rafael, profesor i Universitetit të "Maryland College Europe" dhe ligjërues në filialin e tij në "Bondsteel", në një intervistë dhënë gazetës "Lajmi" në Prishtinë, me 9 dhjetor 2008, mendon se "çështjet nacionale të pazgjidhura në Ballkan edhe më tej janë të hapura. Shtetet e brishta si Bosnja, Maqedonia dhe Kosova nuk kanë perspektivë reale. Për këtë shkak personalisht mendoj se përpunimi i një strategjie politike nga Prishtina dhe Tirana, që do të rezultonte në krijimin e një tipi të Federatës ndërmjet Republikws së Shqipërisë dhe Republikws së Kosovës është proces i pashmangshëm ."

 

 

Propozimi Xhaferri-Gjeorgjevski për krijimin e shteteve etnikisht të pastra

 

Ish lideri i PDSH-së në Maqedoni, Arbër Xhaferri pati deklaruar disa vjet më parë se jepte  dorëheqjen nga posti i kryetarit gjatë mbledhjes së kryesisë së partisë në Tetovë, duke e argumentuar atë me mospërputhjen e vijës së tij politike me politikën nderkombëtare. Sipas tij, "shtetet multietnike nuk kanë perspektivë". Por duke qenë se ky koncept bie ndesh me qëndrimin zyrtar të Shkupit dhe të bashkësisë nderkombëtare, ai u shpreh se preferonte të jepte dorëheqjen sesa të ndryshonte kursin politik të partisë.

Një ditë më pas edhe nga Gjeorgjevski, ish-kryetar i partisë VMRO-DPMNE, kërkoi "krijimin e shteteve etnikisht të pastra, nëpërmjet shkëmbimit të territoreve".

Lubce Gjeorgjevski deklaroi publikisht se ka një plan për ndarjen e Maqedonisë, që parashikon mbijetesën e këtij shteti me këmbime territoresh dhe transferim banorësh mes shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve. Sipas ish-Kryeministrit të Shkupit, kjo mund të realizohet duke bërë ndryshimin e kufijve, çka do të thotë që pjesa perendimore e Maqedonise, e banuar nga shqiptarët, t'i bashkohet Shqipërisë. "Në të kundërt, thekson Gjerogjevski, duhet të ngrihen mure ndarës mes dy pjesëve, ku jetojnë shqiptarë dhe maqedonas. Një model që do t'i afrohet shumë atij të zbatuar nga Izraeli për palestinezët."

Duke veshtruar degradimin e shtetit, rendit dhe ligjit në Ballkanin Perendimor, shumë analistë e kanë parë mundësinë e kapërcimit të kësaj gjendjeje tek procesi apo fenomeni i krijimit të shteteve kombe. Shumë të tjerë e shohin këtë zgjidhje si një kusht të stabilitetit afatgjatë të shteteve në Ballkan. Një nga filozofët e shquar të botës postkomunsite duke vëzhguar këtë fenomen ka shkruar se "në një kohë kur ka një përbuzje ndaj institucioneve të çfarëdolloji  me mosbesim ndaj ligjit dhe rënien e çfarëdo autoriteti shtetëror, krijimi i shtetit komb është e vetmja shpresë e ringjalljes së besimit tek shteti."

Shteti komb sipas kufijve etno-kultrorë do të mund të përfshinte rreth 8 milionë shqiptarë në Ballkan. Ai do të mund të aktivizonte energji, mendim krijues dhe moral të qëndrueshem për të zhvilluar në paqë ide të mëdha të shpirtit perëndimor shqiptar. Askush nuk duhet të dyshojë për demokracinë dhe paqen si qëllim të shqiptarëve në këtë kohë të ringritjes morale, historike dhe kombëtare.

Ralf Dahrendorf në veprën e tij "Konflikti shoqëror modern" shkruan se "një nga zhvillimet më të rëndësishme që shoqëroi lindjen e modernitetit është krijimi i shteteve kombe".  Ai sheh tek ky lloji shteti krijimin e skeletit mbrojtës të ligjeve dhe të institucioneve të tij. Për këtë ai u referohet shembujve nga historia. Jo rastësisht shoqëritë e para moderne kanë qenë shtete-kombe. Ata që erdhën më pas kanë patur telashe si me qytetarinë, ashtu edhe me kombësinë. Historikisht shteti komb është një kusht i dodmosdoshëm për progresin, prandaj edhe shqiptarët duhet të nxitojnë më në fund që të krijojnw shtetin e tyre kombëtar. Për të shpëtuar  nga krizat e vazhdueshme, rrënimi ekonomik, konfliktualiteti dhe kërcënimet e përhershme të fqinjëve jo dashamirës.

Deri më sot ansjë garant tjetër i rendit juridik nuk është ngjitur në lartësinë e shteteve kombe, balancimin dhe ruajtjen e pavarësisë së pushteteve, me proceduren dhe rregullin me rishqyrtimin gjyqësor. Të drejtat e njeriut janë reale vetëm brenda kufijve të shteteve kombe. I vetmi ligj që njohim është ai i shtetit komb, thotë folizofi Raimond Aron.

Politika e sigurimit rajonal është vetëm një iluzion pa u lejuar shqiptarëve që të bashkohen në shtetin e tyre. Europa  u ka  lejuar me të drejtë gjermanëve bashkimin në vjeshtën e vitit 1989 dhe këtë gjë duhet ta bëjë edhe për shqiptarët.

Faktikisht SHBA-të dhe BE tek përgatitën dhe njohën ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës, ua krijuan shqiptarëve mundësinë për t'u bashkuar.

 

Copëtimi i Kosovës është plani i Beogradit

 

Ndersa projekti i Serbisë së Madhe pati dështuar me rikthimin në shtepi të ushtrisë barbare  serbe të mundur në Kroaci dhe kapitulluar në Kosovë, në fakt gjithnjë Beogradi ka patur një plan të dytë ndaj vendeve të agresuara, copëtimin e tyre.

Me 3 mars 1998 kam botuar në gazetën "Rilindja Demokratike" një shkrim në të cilin paralajmërohej se "Serbia është duke projektuar për Kosovën skenarin e aplikuar në Bosnje, përkatësisht ndarjen dhe copëtimin e saj, skenar të cilin mund ta parandalojnë vetëm SHBA-të". Këtij skenari nuk i ka shpëtuar as plani 6 pikësh i Ban Ki Mun, nëntor 2008.   

Dihet se në qershor 1991 Serbia sulmoi Slloveninë, prej nga u detyrua të tërhiqej shpejt për shkak të rezistencës sllovene, presionit perëndimor si dhe pavendosmërisë së ushtrisë ish-federatës. Në gusht të vitit 1991 Serbia pushton 40 % të territorit Kroat (rajonin e Krajinës),  ndërsa në mars të vitit 1992 serbia pushton Bosnjen. Mars 1998, qershor 1999 Serbia pushtoi Kosovën, duke varë e zhdukur me mijëra të pafajshëm, si  dhe deportuar për në brendësi të Shqipërisë rreth 2 milionë shqiptarë, nëpërmjet operacionit të përgjakshëm "Patkoi".

Në Kroaci Serbia dështoi me Krajinën, por pati sukses në Bosnje. Në të vertetw Konferenca e Dejtonit nuk i lejoi republikës serbe me rreth 1.2 milion serbë  bashkimin me  Serbinë, por në fakt ajo komandohet nga Beogradi dhe pret bashkimin zyrtar me Serbinë.

Megjithëse Serbia e humbi luftën në Kosovë, veriu i Mitrovicës prej 9 vjetësh qeveriset nga Beogradi. Strukturat paralele të rendit dhe drejtësisë emërohen dhe paguhen nga Serbia, e cila e ka vendosur kufirin shqiptaro-serb në urën e Ibrit.

Qysh me fillimin e luftës në Kosovë, Serbia pati zgjedhur një vendosje të tillë të trupave militare që nxitën pastrimin etnik të shqiptarve në veri si dhe mbetjen nën kontroll të Beogradit gjithë ato hapësira entike shqiptare, përfshirë edhe minierat e famshme të Trepces.

Sot pas 9 vjetësh Serbia i ka vënë ndërkombëtarët para faktit të kyer, aq sa OKB-ja dhe BE-ja detyrohen të njohin pushtetin e  Serbisë në veriun e Mitrovicës, duke i marrë leje për të vendosur një mision ligjor si dhe pranuar në heshtje idenë e tyre për rishikimin e kufijve. Rreth konceptit të ndryshimit të kufijve  kanë folur dhe shkruar edhe shumë eksponentë serbë. Më i zëshmi ndër ta ka qenë shkrimtari dhe ish-presidenti Dobrica Qosic. Ai për herë të parë konceptin e ndarjes së Kosovës e ka paraqitur në Lubjanë në vitin 1989. Me këtë rast flet edhe  për "legjitimitetin historik dhe domosdoshmërinë e bashkimit të popullit shqiptar".

Një nga politikanët serbë që pati folur për ndarjen e Kosovës është Zoran Xhinxhic.  Në librin e tij "Serbia dhe Kosova" botuar në vitin 1988 ai shprehet se "Kosova faktkisht duhet të ndahet". Kjo është e vetmja mënyrë që të mposhtet ideja e pretendimit absolut që më në fund është bazë e represionit në Kosovë. Çështja shqiptare si çështje e vetme kombëtare e pazgjidhur në Ballkan duhet të zgjidhet me anë të një kufiri të ri mes shqiptarëve dhe serbëve, respektivisht nëpërmjet një kufiri të ri mes shqiptarëve dhe sllavëve.

 

Planet serbe për ndarjen e Kosvës dështuan me 12 qershor 1999

 

Humbja e luftës prej serbëve më 1999, si dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, i ka dhënë fund përgjithmonë planit  serb të ndarjes së Kosovës. Në këto rrethana Beogradi mendon të shfrytëzojë deri në fund dy karta. Së pari, rezolutën 1244  dhe, së dyti, minoritetin serb në veri, bashkë me enklavat e blinduara.

Nëntë muaj pas Pavarësisë së Kosovës,  EULEX në mënyrë të gabuar pranoi të ishte nën pushtetin e OKB-së, duke ringjallur një rezolutë të vdekur siç është 1244. Kosova e pavarur dhe rezoluta 1244 janë dy gjëra që përjashtojnë njëra-tjetrën, ashtu siç nuk pajtohen  statusi neutral i EULEX-it me Deklaratën e Pavarësisë.

EULEX është i rëndësishëm, ashtu siç e rekomondojnë ndërkombëtarët,  vetëm n.q.s pranon  të njohë se Kosova është një shtet unik, i pavarur, me integritet territorial, një entitet i vetëm politik. EULEX  nuk mund të funskionojë në pjesën veriore apo në enklava me lejen e Beogradit, apo me gjysmëlejën e tij, pasi mjafton t'u prishet humori strukturave paralele në veri të Ibrit apo të ndryshojë politika në Beograd dhe EULEX-it i duhet të aplikojë përsëri për rifreskim të lejës.

 

Kosova, të gjithë të pakënaqur

 

Nëntë muaj prej shpalljes së Pavarësisë së  Kosovës, situata e krijuar duket se i ka lënë të pakënaqur të gjithë. Së pari, shqiptarët, të cilët, edhe pse janë të njohur ndërkombëtarisht, nuk guxojnë të shtrijnë autoritetin e shtetit të tyre në veri, përtej  lumit Ibër dhe brenda të ashtuquajturave enklava. Kjo për shkak të rezistencës së armatosur serbe dhe vigjilencës ndërkombëtare për supergarancitë e dhëna këtij minoriteti.

Shqiptarët janë të pakënaqur, sepse pavarësisht shpalljes së Pavarësisë, me bekimin e fuqive më të mëdha perëndimore, rezoluta 1244 po vazhdon të ketë ndikim juridik dhe UNMIK-u nuk u largua plotësisht nga vendi, ashtu siç parashikohej në Paketën Ahtisari, ndërsa  po vazhdon të ketë pushtetin në veri dhe enklava. Shqiptarët janë të pakënaqur, sepse në vend të një kalimi gradual të pushtetit në duart e të zgjedhurve vendas, parlamentit, qeverisë dhe presidentit, tashmë është krijuar edhe një hallkë tjetër burokratike qeverisëse, siç është EULEX, me status neutral ndaj Pavarësisë së Kosovës. Kjo ka shtuar dyshimet rreth së ardhmes së pavarësisë së vendit dhe copëtimit të tij. Këtë e paralajmëroi  këto ditë edhe eurodeputetja gjermane Angelika Baer në Parlamentin Europian. Ajo tha se "aplikimi  i kërkesave serbe të inkorporuara në gjashtëpikëshin e Ban Ki Mun-it, do të shpjerë përfundimisht drejt ndarjes së brendshme të Kosovës.("Lajmi", 10.12.2008). 

Në fund të fundit më të pakënaqurit janë ish-luftëtarët e UÇK-së dhe populli shqiptar i cili kishte luftuar për 96 vjet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në një kohë kur ata që erdhën në pushtet, sipas kritikëve në Prishtinë, "për t'iu pelqyer nderkombëtareve, pranuan  kompromise që shkojnë kundër kësaj ëndërre, duke u mjaftuar me poste burokratike dhe pushtet të pjesshëm".

Autoritet nderkombëtare janë të pakënaqura me zhvillimet në Kosovë, sepse nëntë muaj pas njohjes së saj si shtet i pavarur, Kosova nuk ka bërë shumë përpara. Minoriteti serb nuk është integruar dhe ajo çfarë kanë krijuar ata me shumë bujë ky superminoritet tashmë u është kthyer atyre kundra. Investimet gati dhjetëvjeçare janë duke hedhur në erë. Bashkimi Europian mund të ndodhet para dështimit më të madh në historinë e tij, për shkak të pavendosmërisë së tij të vazhdueshme për të ndëshkuar Beogradin si përgjegjës për genocidin dhe pastrimin etnik në Ballkan, kryesisht ndaj shqiptarëve.

Misoni i parë ndërkombëtar i këtyre përmasave, siç është EULEX,  është vënë në dyshim ende pa filluar nga puna, pasi është parë nga shqiptarët si një gjunjëzim i BE-së, para Beogradit, deri në  paranimin e një marrëvshje  të cituar nga Serbia. Neutraliteti i shpallur i këtij misioni i kundëvihet qartazi Dekalartës së Pavarësisë së Kosovës, duke rrezikuar që në vend të instalimit të  autoritetit të ligjit dhe drejtësisë, të kthejë vendin në fazën e fillimit, ose drejt një ndarje të qartë të paktën administrative dhe strukturore.

Pavarësia e Kosovës, ashtu sic pritej, ka lënë të deshpëruar Beogradin.Njohja nderkombëtare e Kosovës i ka prerë cdo ëndërr këtij vendi agresor  për Serbinë e madhe. Për këtë shkak Beorgardi  po punon për të nxjerë përfitimet maksimale  nga ato që Serbia i quan si leshime të nderkombëtarve për pranimin e Kosovës. Së pari, i ndihmuar nga Spanja  po avancon statusin e saj në BE, duke anashkaluar të gjitha detyrimet afatgjata që i kanë kaluar vendet e tjera të rajonit dhe  së dyti po lufton të legalizojë si pjesë të Serbisë Mitrovicën e Veriut, bashkë me minjerat e saj.  Plani  rezervë  i Beogradit, në rast të humbjes së Kosovës  ka qënë dhe mbetwt vazhdimisht   coptimi i saj.

 

Shqipëria dhe zhvillimet e fundit

 

Shqipëria është e përkushtuar nw ruajtjen e sigurisë rajonale si dhe të rendit nderkombëtar. Aktualisht Shqipëria nuk po nxit dhe as po i kontribuon ndarjes së Kosovës apo copëtimit të saj, por ajo nuk mund të qëndrojë indiferente në rast të jetësimit të një skenari që bën fakt të kryer rishikimin e kufijve, ndërrimin e popullsive apo spastrimin etnik dhe dhunën që mund ta shoqërojë këtë proces.

Së pari, sepse Shqipëria ka detyrim kushtetues të kujdeset për shqiptarët në rajon dhe, së dyti, lufta e Kosovës e vitit 1998-1999 dëshmoi se kërcënimi i sigurisë së një vendi mund të vijë edhe për shkak të spastrimit etnik. Dihet tashmë se Shqipëria mund të destabilizohej në pranverë të vitit 1999 kur rreth 1.5 milonë shqiptarë, refugjatë lufte të ardhur nga Kosova, u gjetën para një katastrofe humanitare, në rast se nuk do të ndërhynin ndërkombëtarët.

Pas çlirimit të Kosovës me 12 qershor 1999, serbët dhe shqiptarët kanë mbajtur qëndrime krejt tw kundërta lidhur me minoritetet përkatëse. Për shembull, megjithëse në Serbi jetojnë më tepër shqiptarë etnikë (konkretisht në Luginën  e Preshevës) se sa serbë në Kosovë, Shqipëria dhe as Kosova nuk janë parë të kundërshtojnë energjikisht dhunimin e të drejtave të shqiptarëve atje dhe as të sponsorizojnw struktura paralele.

Falë këmbënguljes së pandërprerë, Serbia ia ka dalë që minorteti serb jo më i madh se 3% e popullsisë së Kosovës të trajtohet si komb, me kushtetutë më vete (Pakoja Ahtisari), me polici, gjykata, dogana, arsim, sistem taksash me vete (Pakoja Ahtisari dhe Misioni EULEX), me diplomaci të vetën, me qeveri të vetën (ministri serb për Kosovën në qeverinë e Beogradit) dhe me fuqi bllokuese ndaj shqiptarëve (ligjet kryesore në parlament nuk mund të ndryshohen  pa votën e serbëve).

Për shtetin shqiptar shtrohet pyetja si do ta trajtojë çështjen e Mitrovicës së Veriut, çështjen e minoritetit shqiptar në Serbi (Preshevë, Bujanovc, Medvegje), çështjen e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

Ndërsa Serbia është duke i përgatitur ndërkombëtarët për ndryshimin e hartës politike të Ballkanit, shteti shqiptar gjendet para provës vendimtare qysh prej krijimit të tij 96 vjet më parë. Lufta e Kosovës  e vitit 1999 dëshmoi se ndaj shqiptarëve vepron një politikë e  konceptuar si spastrim entik i përmasave të medha, për këtë shkak shteti shqiptar duhet të paralajmërojë se nuk do ta lejojë këtë spastrim entik, duke parashikuar mjetet e duhura për parandalimin e tij.

Koha punon në favor të Shqipërisë. Asaj i kanë mbetur pak muaj deri në pranverën e vitit që vjen, kur ajo do të jetë anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Zhvillimet janë duke shkuar tërësisht në favor të saj. Ndoshta për herë të parw nw histori Shqipwrisw po i troket e mira në derë.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO jep një garanci absolute për përballimin e çdo krize të sigurisë në rajon, por ky anëtarësim nuk e pengon Shqipërinë të ketë një ushtri të fortë kombëtare dhe aq më tepër të parashikojë mbrojtjen e saj nga rreziqet e së ardhmes, duke parashikuar qartë se çfarë pasojash mund të kënë zhvilimet e pritshme në rajon. Ekspertët më të mirë të sigurisë duhet të ndërtojnë platforma të sakta në mënyrë që t'u dilet përpara problemeve që mund të shoqërojnë ndërrimin e kufijve apo këmbimin e popullsisë, platformë e cila duhet të ketë një konsensus të gjerë politik.

Tirana dhe Prishtina duhet të kordinojnë çdo veprim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i cili është një aleat besnik i shqiptarëve.

Shqipërisë i kërkohet  të jetë e matur, por e qartë dhe e vendosur. Shqipëria duke qenë e përmbajtur  duhet të deklarojë hapur se nuk do të pranojë copëtimin e Kosovës dhe spastrimin entik të shqiptarëve në rajon. Shqipëria nuk mban përgjegjësi për ndryshimin e kufjive në Ballkan, por  nëse një proces i tillë fillon, ajo ka përgjegjësitë e saj si kryeqendër e të gjithë shqiptarëve, përgjegjësi  të cilave nuk mund t'iu ikë.

Në pritje të zhvillimeve të reja  Ballkanike, Tirana  ka shumë karta në duar; pavarësisht pse nuk i ka luajtuar akoma asnjërën prej tyre, kur të vijë koha ato do të hapen...

 

 

 

 

Mujë Buçpapaj



Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]