E Premte, 03.29.2024, 08:17am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » OPINONE-EDITORIALE
 
Pyetja është sa janë të pranishëm strukturat joparalele në Veriun e Mitrovicës
E Hënë, 12.29.2008, 09:50am (GMT+1)

Nga Elida BUÇPAPAJ

 

UNMIK-u ka deklaruar këto ditë se në veriun e Mitrovicës nuk ekziston asnjë strukturë paralele e Serbisë. Ndoshta ishte deklarata më kategorike e bërë ndonjëherë nga ky institucion ndërkombëtar.

Deklarata ishte në përgjigje të një raporti të strukturave të Kosovës për praninë dhe rolin e strukturave paralele në veriun e vendit. Dhe pyetja që shtrohej para UNMIK-ut ishte sa di ky institucion për këtë fakt. UNMIK-u, duke mohuar praninë, mohon edhe çfarëdo roli të strukturave të Serbisë në Kosovë. E shtruar drejt, pyetja është, në të vërtetë: Sa janë të pranishme strukturat joparalele, pra strukturat jo të Serbisë në veriun e Mitrovicës. Gjatë periudhës prej vendosjes së institucioneve ndërkombëtare në Kosovë e deri sot kemi dëgjuar për kalime tranzite të kësaj apo asaj strukture ndërkombëtare në veriun e Mitrovicës. Dhe gjithnjë është thënë se leja iu është dhënë, në kohë dhe në hapësirë të lëvizjes, nga ana e strukturave të Serbisë të pranishme atje. Për këto struktura, ndërkohë, është thënë gjithmonë edhe nga vetë ndërkombëtarët - se janë struktura militare ose paramilitare dhe se, kështu, janë të paligjshme. Pyetja e shtruar në këtë mënyrë, në trajtën e saj më të plotë, është: Sa janë sot të pranishme strukturat joparalele në veriun e Mitrovicës. Pra, sa është i pranishëm KFOR-i në këtë hapësirë. Sa është i pranishëm EULEX-i në këtë hapësirë, sa janë të pranishme strukturat e rendit të këtyre institucioneve në hapësirë. Dhe, nga shkalla e pranisë, nga cilësia e pranisë do të jepej edhe përgjigja për rolin që kanë sot institucionet ndërkombëtare në veriun e Mitrovicës në përpjesëtim me rolin që kanë atje strukturat e Serbisë, të cilat edhe sot e kësaj dite, me eufemizëm quhen "struktura paralele".

Fundja, do të ishte mirë t'ia lejonim vetes ta shtronim pyetjen në tërësinë e saj: Sa janë të pranishme strukturat e Kosovës në veriun e Mitrovicës. Nga shkalla e pranisë së strukturave të Kosovës varet shumëçka. Varet stabiliteti i sotëm dhe i ardhshëm i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Varet ky stabilitet në rajonin e Ballkanit. Varet roli dhe pesha e Perëndimit në këtë rajon të lakmuar përherë nga faktorë lindorë destruktivë. Varet fqinjësia e mirë midis Kosovës dhe Serbisë. Varet fqinjësia e mirë midis shqiptarëve dhe serbëve. Varet fillimi i një politike të dinjitetshme ndërkombëtare ndaj Serbisë. Prej nga do të kishim, më në fund, edhe një realitet të vërtetë të mirëfilltë perëndimor në Ballkan.

Kur UNMIK-u përgjigjet se në veriun e Mitrovicës nuk ekziston asnjë strukturë paralele, në fakt e di mirë pse thotë kështu. Dihet se çfarë ka kuptuar dhe çfarë kupton UNMIK-u me termin "strukturë paralele". Dihet edhe çfarë ka bërë UNMIK-u për të arritur te ky moment kur strukturat paralele të mos ndihen aspak të tilla në veriun e Mitrovicës. Dhe të humbsë kështu përmbajtjen çdo pyetje që do t'i shtrohej dikut për prani apo mosprani, për rol apo peshë të strukturave paralele në veriun e Mitrovicës.

Prandaj shqetësimi është që kjo mendësi, kjo praktikë e mbartur deri këtu gjatë kësaj periudhe të historisë së Kosovës, të mos të jetë më mendësi e institucioneve ndërkombëtare që vazhdojnë misionin e tyre në Kosovën e re, në Kosovën e pas 17 Shkurtit 2008. Për t'ia arritur kësaj, është e domosdoshme që shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës të ketë strategjinë e tij për të funksionuar si shtet unitar anembanë vendit. Dhe këtë strategji ta realizojë pavarësisht shkallës së bashkëpunimit të institucioneve ndërkombëtare.

Kam shtruar disa pyetje në këtë shkrim. Dhe nuk e kam përdorur asnjëherë pikëpyetjen si shenjë pikësimi. Sepse janë pyetje të cilat duhet t'ia shtrojmë vetvetes. Dhe t'iu japim përgjigjen e duhur vetë. Përgjigjet që japin të tjerët janë të përcaktuara gjithnjë nga mënyra si ia shtrojnë vetes të njëjtat pyetje që atyre ua bëjmë ne. Vetëm kur të kemi parasysh këtë ndryshueshmëri midis nesh dhe faktorëve të tjerë, atëherë mund të jemi në nivelin e merituar të përgjegjshmërisë.

 

Elida Buçpapaj



Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]