VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Më 2009 si më 2008 Kosova Sfidë Shqiptare

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 06:48am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » OPINONE-EDITORIALE
 
Më 2009 si më 2008 Kosova Sfidë Shqiptare
E Mërkurë, 12.31.2008, 10:47am (GMT+1)

Nga Skënder BUÇPAPAJ

 

"Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj dikujt tjetër, por as nuk do të lejojë të cenohet integriteti dhe sovraniteti i saj. Veprimet provokative të Beogradit janë disa veprime të mjera që nuk do të mund të ndryshojnë këtë fakt asnjëherë." Kjo ishte përgjigja e kryeministrit Hashim Thaçi në intervistën ekskluzive për Voal-online, i pyetur në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Luginën e Preshevës dhe në veriun e Mitrovicës.

Kundruall politikës së Serbisë dhe luftëdashësve përkrah saj, të përcaktuar që Kosova të jetë një konflikt i ngrirë në zemër të Europës, Prishtina ka një politikë të qartë, në një aspekt themelor, një politikë që synon të mos çojë asnjë pikë ujë në mullirin e Serbisë. Kjo politikë, për të pasur sukses të plotë, duhet të ketë edhe anën tjetër, atë që siguron se çdo pikë ujë shkon në mullirin e Kosovës.

Ne shqiptarët, ndër fqinjët e tjerë të Serbisë, jemi dëshmitarët më të pakundërshtueshëm të faktit se Serbia kërkon sa më shumë pika të dobëta tek fqinjët. Nuk përton, nuk kursen për t'i krijuar kur mungojnë, për t'i thelluar e zmadhuar kur janë të cekëta e të mangëta. Dhe i shfrytëzon, në paqe si në luftë, në maksimum pa skrupull këto pika të dobëta. Me një fjalë, për fqinjët e Serbisë, paqja është si luftë. Pavarësisht nga koniunkturat, diku më shumë a diku më pak të favorshme, ky rregull solid vlen për bullgarët, rumunët, hungarezët, kroatët, boshnjakët, malazezët, gjithsesi e gjithseqysh për shqiptarët.

Natyrisht, Serbia, me vetëdije, e kupton realitetin e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Por në raste si të Serbisë dihet se instinkti gjithherë e ka mbizotëruar vetëdijën. Nuk përjashtohet asnjë çast që fqinja e Kosovës, fqinja e shqiptarëve, të bjerë edhe më tej viktimë e instinkteve, të dëshmohet skllave e instinkteve. Metaforikisht, mund të themi se Serbia, nga ky aspekt, e ka parë dhe e shikon përherë me sy të verbër realitetin e Kosovës dhe realitetin shqiptar në përgjithësi.

Nuk është prandaj për t'u habitur pse Serbia, nga njëra anë kërkon që veriu i Mitrovicës, ngaqë u banuaka më së shumti me serbë, u dashka të jetë absolutisht jashtë duarve të shtetit të Kosovës e të faktorit ndërkombëtar të pranishëm, njëherësh Lugina e Preshevës, e banuar prej mijëra vjetësh kryesisht me shqiptarë, u dashka të jetë nën kontrollin absolut ushtarako-policor të Serbisë.

Ndjellakobe për instinkte të tilla të stërvrazhda të Serbisë janë ngadalësimet e proceseve në Kosovë, shkujdesjet dhe bishtënimet ndërkombëtare ndaj Kosovës, flirtimet shkeljesysh të ndërkombëtarëve me Beogradin, dritëshkurtësitë ndërkombëtare për t'i dhënë patjetër rol Serbisë në çështjen e Kosovës. Rrethanat e tilla e tundojnë fqinjen tonë të bëjë lojën e maces me miun ndaj Kosovës. Praktika ka treguar se të qenët sistematike në mbrapshtitë e saj, e ka ndihmuar Serbinë për t'i zhvatur lëshime politikës ndërkombëtare në dëm të fqinjëve, në radhë të parë në dëm të Kosovës e të shqiptarëve.

Bashkësia ndërkombëtare shtiret sikur i manifeston këto luhatje vetëm ndaj demokratëve të Beogradit. E vërteta është se ajo i ka pasur të njëjtat manifestime edhe ndaj vetë Millosheviçit. Shembulli më i gjallë për këtë është sot Bosnja. Për synimet imperialiste të Serbisë nuk do të kishte gjë më të pëlqyer se të ishte e rrethuar nga të katër anët prej Bosnjave.

Një koleg diplomat këtu në Perëndim, disa muaj pas shpalljes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, më thoshte se tashmë shqiptarët mund të marrin frymë të lehtësuar, pasi Kosova nuk përbën më për ta sfidë, së paku nuk përbën të njëjtën sfidë si të para disa muajve. M'u desh t'ia kujtoj kolegut se Kosova, për sa kohë në veri të saj të ketë një fqinje që nuk heq dorë nga krijimi i Serbisë së Madhe, Kosova mbetet një sfidë për të gjithë ata që e duan paqen, në radhë të parë Kosova mbetet një sfidë shqiptare.

Kuptohet, Kosova është sfidë e përditshme dhe e veçantë e shqiptarëve të Kosovës. Prandaj ata, natyrshëm e vetëdijshëm e morën mbi vete barrën dhe përgjegjësinë për ta nxjerrë vendin nga zgjedha e Serbisë dhe për ta bërë shtet të pavarur e sovran. Por, po të mbetemi me kaq, do të kishim një kuptim të stërngushtë, frymëzënës, të së vërtetës së sfidës që përbën Kosova tash e në të ardhmen. Kosova, pra, mbetet sfidë për të gjithë shqiptarët, në atdhe e në botë, kudo që janë.

Siç dëshmoi 2008-a Kosova është sfidë e njohjes ndërkombëtare, e përfshirjes së saj me të drejta të plota në familjen e kombeve. Vetëm kur Kosova të jetë anëtare e barbartë e bashkësisë ndërkombëtare do të kemi një Kosovë të integrueshme së brendshmi dhe së jashtmi. Kosova, po aq, është sfidë e stabilitetit të brendshëm. Vetëm kur Kosova të funksionojë si shtet i pavarur dhe sovran njësoj në çdo milimetër katror të saj, atëherë do të kemi një stabilitet të brendshëm të siguruar të Kosovës. Vetëm kur Kosova t'i ketë këto të dyja, atëherë do të ketë premisat për të përballur edhe sfidën e tretë, atë ekonomike. Vetëm kur të ketë përballur edhe sfidën ekonomike, atëherë Kosova i përball me sukses sfidat shoqërore.

Serbia dhe luftëdashësit përkrah saj llogarisin edhe më 2009 në përballje edhe më të pabarabarta të Kosovës ndaj sfidave që përmenda. Ata llogarisin edhe në dobësim të rolit të bashkësisë ndërkombëtare kudo në botë, veçanërisht llogarit një shpërqëndrim a një largim të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës. Ata llogarisin sidomos në një zbehje të përkrahjes së miqve e aleatëve të Kosovës, praktikisht atyre që e përparuan procesin e Kosovës deri këtu.

Po aq, Serbia dhe luftëdashësit e saj llogarisin edhe më 2009 që faktorët e tjerë shqiptarë, në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e tjerë, të jenë të zënë me sfidat e veta, në atë mënyrë e në atë shkallë që sa më pak të kenë mundësi të përkrahin çështjen e Kosovës, të përmbushin sfidën më të mprehtë shqiptare. Ata llogarisin që edhe energjitë shqiptare të shterren, edhe burimet që ushqyen përkrahjen ndaj Kosovës të pakësohen. Ata llogarisin që shqiptarët t'iu kthehen meskiniteteve dhe të harrojnë ngapak e ngashumë Kosovën si sfidën më të madh e më jetike shqiptare.

Nuk habit askënd fakti që, kur Presidenti Bush ndodhet në javët e fundit të qëndrimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, kur administrata e re do kohë për të marrë plotësisht përgjegjësitë në shkallë ndërkombëtare, kur kriza ekonomike botërore ende nuk i ka shpalosur përmasat e saj të mirëfillta, Serbia ndërmerr veprimet e saj në Luginën e Preshevës. Në rastin e një vendi që sadopak do të dëshironte të manifestonte qytetërim, Serbia, nëse ishte e sinqertë në interesimin e saj për pakicën serbe në Kosovë, sidomos për atë pjesë të saj në veri të Mitrovicës, do të ndiqte një politikë e cila do të ishte model shembullor ndaj shqiptarëve në trojet e veta mijëravjeçare në Luginën e Preshevës.

Sjelljet e sivjetme të Serbisë dëshmojnë se ajo ndjek një politikë të pretendimeve të hapura territoriale ndaj Kosovës. Dhe është e qartë se kërkon të marrë e të mos japë. Nga një kënd i tillë, terreni në veri të Mitrovicës, ku ende nuk iu lejohet rikthimi dhjetëra mijë shqiptarëve vendës, në prag të 2009-tës bie më shumë erë luftë se paqe.

Filozofi bashkëkohor gjerman Thomas Hobbes, thotë diku: "Luftë nuk janë vetëm betejat, nuk janë vetëm luftimet, por është një periudhë kohe kur vullneti për t'u përfshrë në luftë është mjaftueshëm i shpallur." Këtë aspekt, mjerisht, e shpall papushim fqinja jonë veriore. Kjo e bën edhe më tej Kosovën sfidën jo vetëm më të mprehtë, por edhe më urgjente shqiptare.

 

 

 

 

 

 

 

Skënder BUÇPAPAJ



Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]