E Enjte, 03.28.2024, 01:06pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » SHQIPTARËT
 
Gudar Beqiraj i sapozgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave
E Enjte, 02.12.2009, 11:20am (GMT+1)

FËMIJËRIA "i tregoi" rrugën se ku ishte... AKADEMIA

 

Nga Agron Sejamini

 

Si fëmijë i vetëm që ishte, e për më tepër i dy prindërve mësues, nuk duhej t'i mungonte mirëqenia dhe dashuria. Mirëpo as në njërën e as në tjetrën nuk ndjeu ndonjëherë bollëk. Babai, Dauti edhe pse kishte mbaruar për matematikë madje në një nga universitetet e Italisë, ishte natyrë e qetë. Në pamjen e jashtme, por edhe në shpirtin e tij të bardhë, nuk ndjehej hija e rëndë e asaj lënde të vështirë. E donte shumë të birin, dritën e syve. Herë pas here i jepte edhe ndonjë pesë lekëshe. Më shumë se sa gurabije, kishte qejf që ato t'i shijonte duke parë filma te kinema "17 Nëntori"... Gëzonte dhe lumturonte në mbarësinë dhe hijeshinë e rritjes së të birit. Nuk mban mend Gudari që t'i ketë vënë dorë i ati. Por këshillat dhe përkujdesjen e tij e ka patur të përditshme. Por mënyra se si ja përcillte ato ishin shumë të natyrshme dhe mbresëlënëse. Gati çdo pasdarke, të dy prindërit që nuk u mungonin njohuritë dhe mundësitë pedagogjike bënin gara me të birin duke testuar përgatitjen e tij. Aq lirshëm dhe këndshëm bëheshin ato, saqë edhe arithmetika zbutej dhe bëhej më e bukur se letërsia. Nëna e Gudarit, Pertefja, bëhej gjyqtare në shpalljen e fituesit, gjatë zgjidhjes së ushtrimeve dhe problemeve. Dhe nuk ishte thjesht vlerësim moral, por në të shumtën e rasteve mbi tavolinë, vihej edhe një monedhe metalike, pesë lekëshe. Në të shumtën e rasteve këtë e fitonte Gudari. Mbase i bënin edhe "hile", por ai kujton që edhe i ati mundohej... Natyrë tjetër ishte e ëma. Grua e urtë që nuk i dëgjohej zëri. Por edhe pak e sertë... Madje, ndryshe nga i shoqi, ajo vinte edhe dorë mbi djalin e vetëm. Ndaj dhe shpesh herë, ndryshe nga ç'ndodh te fëmijët që duan nënën më shumë, Gudarit, i pëlqenin më shumë ledhatimet e babait. Por edhe mënyra si ajo përdorte dorën, ka qenë domethënëse. E detyronte momenti ose ndjesia që i biri të ishte më i përqendruar dhe më i kujdesshëm. Në të shumtën e rasteve nuk e godiste me shuplakë, por e pickonte nën krah... T'i dhimbte, por edhe të mos i dallohej nga shokët në shkollë apo në lagje. Sa herë që ikte tek gjyshja në Durrës, fjala e parë që i thoshtje ajo ishte:

-Pa ngriji pak krahët lart...

Nëse shikonte shenja, gjithë dufin ja nxirrte nuses, duke kënaqur jo pak edhe sedrën e nipit që e donte aq shumë. Më vonë, kur Gudari shtonte vitet dhe pjekurinë, ndjente se nga natyra e të ëmës kishte përfituar më shumë. Ndaj dhe mirënjohjen më të madhe, tek kthen kokën pas, ia përcjell asaj. Është i bindur se pa atë pickim, do ishte edhe më e vështirë, për të mos thënë e pamundur që të reagonte dhe të reflektonte në kohë, ndaj vesit të keq. I vjen keq që e humbi herët por e ndjen akoma në shpirt, dhembshurinë dhe kujdesin e saj. E si për ta bërë edhe më të shenjtë, gëzon kur ka zbuluar një koicidencë. Edhe dita e lindjes edhe dita e vdekjes është 15 shkurti. E njëjta gjë që ka ndodhur edhe te Shekspiri. E impresionon ky fakt, duke e bërë të besojë se diçka ka qenë nëna e tij... Më pas, po më 15 shkurt do i lindte edhe mbesa.

Rritur në këtë ambient kaq familjar, nga fëmijëria i janë fiksuar edhe shumë shprehje të dëgjuara nga goja e gjyshes. Thënie që në të vërtetë janë kthyer në lajtmotive, viteve të jetës së tij. "Lutju Zotit, çfarë ke përreth të jenë më mirë se ti", është njëra prej atyre fjalëve të arta. I duket sikur t'ja kishte thënë enkas për këtë kohë. Për këtë kohë, që në se do kuptohej mesazhi i saj edhe cmira mes nesh, do ishte shumëzuar me zero. Jo pak njerëz që kemi në krah, më shumë se sa të gëzohen tërbohen nga inati, tek shikojnë që dikushi përparon. Ndjehet i qetë, kur kujton raste të shumta nga jeta e tij që dëshmojnë se i ka qëndruar besnik thënies së çmuar të gjyshes. Gëzohet për Erkan Qerimajn, sikur ta kishte njeriun e vet, tek dëgjon ato fjalë të mira edhe nga pedagogët e vet. Ky sportist elitar, dy herë kampion bote, është duke mbaruar me rezultate të larta, juridikun. Me kënaqësi, përmend edhe emrin e Taulant Çerepit, peshëngritësit tjetër të shquar elbasanlli, kampion i Europës. Edhe ky ka mbaruar gazetarinë, duke u treguar po aq i përkushtuar sa ndaj sportit. Janë modele që e entuziasmojnë dhe e lumturojnë, aq më të ndjeshëm kur shfaqen në radhët e sportit. Aq sa dëshiron me shpirt që këtyre t'u ngjajë edhe nipi i vet, Dilani...

Para disa vitesh, miku i vet Luan Shabani, i telefonon duke i sugjeruar që të ndihmojnë një peshëngritës të talentuar, i cili jetonte në Itali. Ishte fjala për Ilir Kafaranin. Ai kishte shprehur dëshirën që të garonte me ekipin kombëtar. E falenderoi Luanin, kur mund edhe t'i kishte thënë që "boll telashe kemi, edhe kjo na duhet...". Pasi shkëputi lidhjen më të dhe hallin ja qau Sokol Morinës, shefit të klubit "Dinamo". Nuk u mendua dy herë ku dashamirës i nderuar i sportit, por i afroi të gjitha kushtet që ai të jetonte dhe të stërvitej pranë këtij klubi. Madje, edhe duke mos e kushtëzuar në dëshirën e tij për ekipin që do përfaqësonte në aktivitetet kombëtare. Falë këtij përqendrimi dhe bashkëpunimi, ky sportist dha rezultate të larta në aktivitetet ndërkombëtare. Por, në tjetër këndvështrim përqendrohet Gudari... Nëse, nuk do ishte edhe një njeri i mirë si Sokol Morina, natyrisht që edhe mirësia ime do humbiste, por edhe rezultatet e peshëngritësit do mungonin...

Në një pjesë tjetër të jetës ka shkrirë në karakterin e vet, thënien tjetër po aq të vyer: "Të bën një të mirë tjetri, gdhendeni në mermer. I bëre ti të mirë atij, shkruaje në rërë sa më afër dallgës". Bëri çmos derisa e punësoi pranë INIMA-s Ymer Pampurin, peshëngritësin olimpik të parritshëm deri tani nga asnjë sportist shqiptar. Por ja që fati, këtë njeri nuk e ndoqi edhe në jetën e zakonshme. Nuk kishte se si të heshte Gudari përpara kësaj embleme. Dhe jo vetëm kaq. Ju drejtua Presidentit të Republikës, ku nëpërmjet një letre i sugjeronte dhënien e pensionit të posaçëm, Pampurit. Kërkesë që u realizua shumë shpejt. Por ende nuk e ndjen veten të qetë, deri sa të realizohet edhe propozimi tjetër. E ka shumë merak që këtë emër të nderuar ta ketë një rrugë e kryeqytetit...

Kur ishte ende djalosh, jepte mësim në shkollën teknike profesionale. Në një nga ato ditë, ndërsa shpjegonte mësimin e radhës sytë ju përhumbën te një nxënësja e vet. Çdo orë mësimi po i shtonte emocionet dhe ndjesitë. Sa do dëshironte që në atë klasë të mos jepte vetëm lëndën e vet, por edhe të kolegëve të tij... Mbase hera e parë që nuk e ka shfrytëzuar matematikën... Duke qenë vetëm 23-vjeçar dhe sportist që dinte të shijonte dhe të dallonte të bukurën, "harroi" që ishte me shkollë të lartë dhe djalë i vetëm. Në një pushim, mësuesi i matematikës u tregua më i butë dhe më i dashur se nxënësja e vet. Kështu nisi dashuria me Afërditën, që do bëhej bashkëshortja ideale. Por jo se e pati dhe aq të lehtë. E ndërsa prindërit "kafshuan" gjuhën për një çast kur ai u tregoi, fisi nuk rreshti se përgojuari se edhe "djalin e Dautit që e dinim me mend, i shkau këmba...". Sa për pamjen nuk kishin ç'të thonin, pasi ajo ishte për "t'u pirë në kupë", por nuk kishte shkollën e lartë. Dhe për mentalitetin e kohës, paçka se Partia vlerësonte njeriun, kjo lidhje nuk ishte normale. Fakti që Afërdita kishte një familje shumë të nderuar e të respektuar dhe babai i saj ishte oficer, sikur e përmirësoi disi situatën. Por jo më pak e qetë ishte edhe Afërdita. Vërtet, ndjehej mirë në fatin që pati, por nuk ishte e sigurtë. Inferioriteti që ndjente nga të qënurit familje e thjeshtë dhe me fëmijë shumë, e bënte shpesh herë dyshuese. Edhe pse Gudari, ia kishte shprehur sinqerisht preferencën e tij, se kishte dëshiruar një vajzë të thjeshtë dhe të vuajtur, asaj më shumë i shtohej "frika". Aq sa, kur i tregoi përbërjen e familjes ja pakësoi një motër. Por sa mund të zgjaste kjo gënjeshtër?! Ditën që djali iku për herë të parë në shtëpinë e vajzës, i dilte një vajzë tepër... Kjo ishte motra e vogël e Afërditës. Nuk kaloi si shaka kjo ndodhi. Afërditës, për një kohë të gjatë, mësuesi ju bë më i frikshëm se matematika... Më kot u tremb Gudari, më kot e zgjati atë fejesë gjashtë vjet sepse me Afërditën të gjitha ditët ishin të sinqerta dhe të bardha. Ajo ishte më shumë se bashkëshorte në komunikim dhe mirëkuptim. Me kulturën dhe mirësjelljen e shpalosur ndër vite ajo do ishte jo vetëm nënë e dashur por edhe një nuse e denjë për prindërit e Gudarit. Ndaj, jo rëndom se është rasti, por nga thellësia e shpirtit, atij i del mirënjohja dhe krenaria për shoqen e saj të jetës. Një shoqe e denjë që diti të mbështeste bashkëshortin, në karrierën e tij të suksseshme... Ndërkohë, jo pak edhe është lumturuar e krenuar me emrin e tij.

 

Edukimi

 

1967-1971. Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës, Tiranë.

1982. Teza e Doktoraturës "Transformimi Fourier dhe Aplikimet e tij" Kualifikimet

1985-1986. Specializim në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës, Fontainbleau, Francë.

1990. Specializim në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë, Universiteti Paris VI, Francë.

1992. Punë shkencore me kontratë pranë Universitetit "La Sapienza", Romë, Itali.

1994. Titulli "Profesor", dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë.

2003. Titulli "Akademik", dhënë nga Akademia e Shkencave.

Kontributi Shkencor

1987. Pjesëmarrës në Kongresin e III Botëror të Gjeostatistikës, Avignon, Francë.

1988. Anëtar i Komisionit të Vlerësimit për tezat e doktoraturës në Fontainebleau, Francë.

1989. Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeollogji-Miniera, Çekosllovaki.

1990. Pjesëmarrës në Simpoziumin CODATA, Leeds, UK.

1991. Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeollogji-Miniera. Prezantimi i vlerësuar me medalje argjendi. Pribram, Çekosllovaki.

1994. Ekspert për vlerësimin e projekt-propozimeve në kuadrin e Programit COPERNICUS, Komisioni Europian, Bruksel.

2003-vazhdim. Drejtues në Projektet e Komisionit Europian, SEEREN, SEEREN2, ISOTEA, SEEFIRE, SEE-GRID, SEE-GRID2, SEE-GRID-SCI, ICT-ËEB-PROMS;

1994-1998. Iniciator i projektit informatik katërvjeçar për regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave të kadastrës italiane.

2002-2007. Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Ekonomisë - U.T.

2007. Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Këshillit të Ministrave.

 

Aktiviteti Studimor

 

Realizues i algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit: Algol, Paskal, Fortran, të aplikuara në fusha të ndryshme si gjeofizika, gjeollogjia, bujqësia, nafta, mjekësia, etj.

 

Botimet

 

Disa libra në fushën e informatikës dhe zbatimit të saj në gjeofizikë. Dhjetra artikuj shkencor të botuar brenda dhe jashtë vendit. Dy libra për sportin e peshëngritjes si dhe shumë artikuj për sportin në buletine shkencore dhe gazeta sportive dhe jo sportive.

Detyrat Profesionale

1971-1993. Punonjës shkecor pranë INIMA-s.

1993-1997. Drejtor i INIMA-s.

1996. Anëtar i KQZ-së

1997-1999. Zëvendësdrejtor i INIMA-s.

1999-2007. Rizgjedhur Drejtor i INIMA-s.

2007-vazhdim. Dekan i Fakultetit të Teknologjisë të Informacionit pranë UPT-s.

2008. Zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave

Aktiviteti Pedagogjik

37 vjet pedagog i matematikës dhe i informatikës në Universitetetet e Shqiperisë, si dhe pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet 80-të.

Gjuhët e huaja

Anglisht, Frëngjisht, Italisht.

Aktiviteti Sportiv

1967-1974. Peshëngritës në ekipin "Studenti".

1975-1982. Arbitër kombëtar në peshëngritje.

1982. Arbitër i kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje.

1992-2000. President i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes.

1996-2000. Zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar

1982-2003. Shefi i delegacioneve shqiptare në Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore, Lojërat Mesdhetare dhe Kampionatet Europiane e Ballkanike në Peshëngritje.

2001. Diplomë nga Presidenti i Komitetit Ndërkombetar Olimpik, Juan Antonio Samaranch, për kontributin e vyer si vullnetar për zhvillimin e sportit dhe Olimpizmit, si edhe për promovimin e miqësisë dhe solidaritetit ndërmjet popujve.

2007. Urdhëri Olimpik, dhënë nga Komiteti Olimpik Kombëtar.

Aktiviteti Shoqeror

1993-vazhdim. Presidenti i Fondacionit Humanitar "Sue Ryder Care" Albania.

2004-vazhdim. Anëtar i Bordit të Fondacionit Ndërkombëtar "Sue Ryder Care".

2003. Bashkëkrijues i Hospisit të parë në Shqipëri për të sëmurët e diagnostikuar me kancer.

2002-vazhdim. Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit "Mirash Ivanaj".

1997. Autori i tekstit të këngës dhe i videoklipit dedikuar kampionit absolut të Shqipërisë në peshëngritje, Aleksander Kondo.

2008. Çmimi "Personalitet i Vitit" akorduar nga Bashkia e Tiranës

 

Fotografi e bërë për vitin 2012...

 

E kush nuk do të dëshironte që në albumin e tij të kishte edhe një kujtim me Presidentin e Republikës. Por në këtë rast, kjo fotografi ka një diçiturë edhe më të gjatë... Është dita kur zoti Bamir Topi ka pritur në Pallatin e Brigadave ekipin shqiptar, në prag të nisjes për në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Në këtë takim të bukur sportiv ishte i pranishëm edhe Gudari me nipin e vet, Dilanin. Në një moment, zoti Topi përshëndetet edhe me Gudarin, duke i shprehur kujtimet dhe respektin e thellë për të atin, të cilin e ka patur mësues matematike. Ndërkohë që kokën e nipit e ledhaton dora e Presidentit, Gudari si për ta "zgjuar" që t'i japë një reagim lumturie Presidentit, i thotë:

-Hë Dilan, e dëgjon se çfarë stërgjyshi ke patur?

Pas një heshtjeje, ai shpërthen në pastërtinë fëminore:

- Në vitin 2012, si këta sportistë që janë sot, do të jem unë që do të përfaqësoj Shqipërinë në not...

Nuk do kishte gjest më të bukur nga një fëmijë, për atë ledhatim presidenti se këto fjalë të këtij 10-vjeçari... Presidenti në çast, "harron" sportistët për të cilët kishte organizuar pritjen dhe i drejtohet fotografit që ta fiksojë në celuloid me Dilanin. Ja pse kjo fotografi vlen më shumë se sa një kujtim. Mbase është herët që të thuhet diçka nëse Dilani do ta mbajë fjalën e dhënë apo jo. Mirëpo, fakti që këtë fotografi nuk e pamë në album, por në një vend të dukshëm të shtëpisë së tyre, flet jo pak. Madje, edhe vetë Gudari e mban në një cep të tavolinës së punës, si për të dëshmuar se edhe ai është i obliguar qysh tani për pjesëmarrjen e Dilanit, në Olimpiadën ardhshme të Londrës...

Dashurinë për nipërit dhe mbesat e gjen në çdo gjysh e gjyshe, por edhe në këtë lidhje, te familja Beqiraj gjen diçka interesante. Kur Dilani ishte gjashtë muaj preket nga një virus gripal. Duke qenë se nuk shkëputej nga puna, e ëma e çoi te prindërit e saj. Pas ditësh Dilani u shërua, por edhe u miqësua përjetësisht me gjyshërit e vet. Që nga ajo kohë ai jeton me ta ose thënë ndryshe te shtëpia e vet shkon si... mysafir. Jo vetëm të lumtur nga mjalti i mjaltit, por edhe të preokupuar në maksimum për të ardhmen e nipit... Do të ishte fat të kishe një gjysh si Gudari. Një model që do ja ndjente shijen dhe vlerat në maksimum. Mjafton "të kopjohet" dhe asgjë më tepër. Kostoja e vetme është durimi dhe dashuria. Garancia është mëse e sigurtë. Që në moshën dy vjeç e gjysëm, Dilani ka dalë në skenë duke kënduar në Festivalin "Çelësi i Artë". Gjashtë vjet radhazi ka interpretuar në festivalin "Ylberi", që organizohet në Shkup. Ka qenë pjesëmarrës në të gjashtë koncertet e tre tenorëve të mëdhenj. Një dokumentar prej 20 minutash i titulluar "Përshëndetje nga Shqipëria" është shfaqur edhe në Toronto të Kanadasë. Ka të rregjistruar në DVD, 25 interpretimet e tij në të gjitha aktivitetet artistike, vlerësuar me çmime dhe vende nderi. Kështu, Dilani nuk do të ndjejë pengun e Ardit Gjebresë, i cili edhe pse ka kënduar qysh i vogël, nuk ka asgjë të regjistruar nga ajo kohë. Merak që në një intervistë, këngëtari i madh anglez Tom Xhonsi e ka vlerësuar si "humbje të madhe dhe gabim të pafalshëm" që nga pakujdesia nuk ka filmime dhe inçizime të këngëve që ka interpretuar në moshën 12-vjeçare...

Por nuk mund ta privonte të nipin nga ajo dashuri që gjyshin e kishte tunduar gjithë jetën... Përgatit një shtangë druri dhe një ditë ja bën dhuratë Dilanit. Gëzohet fëmija katër-vjeçar pas asaj lodre, por më pas filloi edhe të lodhet... Pas një viti stërvitje në stilin e shkëputjes, e teston në garë me shtangën e drurit. Mbase nga sedra, ndoshta edhe nga rreptësia e "trainerit", ngritjen e saj Dilani e shoqëronte me çuarjen e kokës për të parë sa do e çonte. E ku ta dinte fëmija i shkretë se "A"-ja e peshëngritësit është që të futi kokën brenda në çastin që shtanga shtyhet lart. Edhe sot ndjen keqardhje Gudari që ju dogj ëndrra e hershme, për ta bërë nipin e vet si Luani, si Ilirët, Erkani apo Taulanti. Dështoi në peshëngritje, por nuk ja zbehu dashurinë të nipit për sportin. Ja di për nder një shokut të vet që e prezantoi me Sulejman Podën, trainerin e notit të ekipit "Lori 2006". E ndërsa ja "dorëzoi" Dilanin thjesht si një fëmijë që nuk dinte të qëndronte as mbi ujë, pas tre vjetësh Sula ja bëri notar. Që të jemi më të qartë, sot Dilani është kampion kombëtar për moshën e vet në 400 m, 200 m, 50 m stil i lirë dhe 200 m në shpinë. Është në udhë të mbarë, por jo në krye të saj. Ndaj çdo ditë nuk i shkëputet pishinës. Në çdo seancë stërvitore noton 5000-6000 m. Shumë për një fëmijë. Por Dilanit i duket pak kur shikon...fotografinë.




Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]