E Enjte, 03.28.2024, 04:17pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » POLITIKË
 
FJALIMET E PLOTA TË LIDERËVE TË KOSOVËS
E Martë, 02.17.2009, 03:30pm (GMT+1)

1-FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË NJËVJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

I nderuari Kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi, i nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i nderuari Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, zotni Feith, i nderuar shef i EULEX-it, Ive de Kermabon

Të nderuar deputetë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të shteteve mike në Kosovë,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Kam nderin e veçantë t'i drejtohem Parlamentit të Republikës së Kosovës, institucionit më të lartë të shtetit demokratik, dhe nga këtu edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, në ditën e shënimit të njëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë!
Më 17 shkurt 2008, pikërisht një vit më parë, përfaqësuesit e popullit shpallën Pavarësinë e Kosovës. Ishte një vendim historik pas shumë pune, flijimi dhe përkushtimi të brezave të tërë.
17 shkurti mbylli faqen e rëndë dhe të vështirë të historisë sonë, e cila brenda mban shumë dhimbje njerëzore dhe shkatërrime, por edhe akte dhe vepra të mëdha sublime dhe të paharrueshme. Aty gjenden edhe mijëra viktima që nuk janë të gjetur që nga qershori i vitit 1999.
Ne sot jemi krenarë për atë që bënë paraardhësit tanë dhe jemi me shumë fat se na takoi të jetojmë dhe të punojmë në Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Para një viti u realizua projekti më i madh që kishin synim shumë breza, një projekt që sot simbolizohet edhe me emrat e dy heronjve të mëdhenj të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, lider shpirtëror dhe politik i pavarësisë dhe Adem Jasharin, hero i luftës çlirimtare për liri.
Procesi i gjatë dhe i vështirë negociator për zgjidhjen e statusit u mbyll me shpalljen e Pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës për t'u pasuar nga njohjet ndërkombëtare të shteteve më të fuqishme të botës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera nga të gjitha anët e globit.
Kështu, qytetarët e Republikës së Kosovës ka një vit që morën përgjegjësitë dhe detyrimet sikur të gjithë popujt dhe shtetet e botës së lirë dhe demokratike.
Sot mund të pyesim nëse kemi bërë atë që është dashur, atë që është pritur nga qytetarët dhe atë që kanë dëshiruar miqtë e vendit tonë të dashur.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Një vit pas shpalljes shtet i pavarur dhe sovran, Kosova bëri hapa të kujdesshëm, por vitalë për ngritjen e institucioneve demokratike dhe dëshmimin e plotë se shteti ynë e ndihmon fuqishëm paqen dhe stabilitetin në rajon. Duhet pranuar se Kosova gjatë një viti kaloi nëpër një periudhë të ndjeshme politike dhe shtetbërjeje.
Katër muaj pas Deklaratës së Pavarësisë, ne miratuam Kushtetutën, aktin më të lartë juridik që i vuri themelet e shtetit demokratik të Republikës së Kosovës. Kushtetuta përfshin rekomandimet e Presidentit Marti Ahtisari, që dolën mbas një procesi të gjatë dhe të vështirë negociator ndërkombëtar. Mbështetur në Kushtetutën që valorizon vlera dhe parime moderne civilizuese dhe juridike, janë miratuar dhe po miratohen ligjet për të vënë në funksionim të plotë dhe legal të gjitha institucionet që e bëjnë një shtet efikas dhe në shërbim të qytetarit të tij.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shenja e parë dhe e fundit e vendimeve për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë.
Ne sot kemi simbolet e shtetit: flamurin dhe himnin. Ndërkohë, janë krijuar institucione vitale shtetërore si Forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia e Inteligjencisë e Kosovës dhe është në proces edhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese. Puna e këtyre institucioneve garanton stabilitetin dhe sigurinë e duhur për qytetarët dhe të ardhmen e shtetit tonë.

Të nderuar deputetë,

Deri tani vendi ynë është njohur nga 54 shtete dhe tashmë të ngarkuarit me punë të Republikës së Kosovës janë vendosur në dhjetë shtete. Këto ditë është vendosur të hapen edhe tetë ambasada të reja dhe 9 misione konsullore. Ne i falënderojmë të gjitha këto shtete dhe qeveritë e tyre, që morën vendimin e njohjes.
Në këto njohje vlerësojmë veçmas vendimet e shteteve fqinje, të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Marrëdhëniet e mira e miqësore me të gjitha vendet, në radhë të parë me fqinjët tanë të parë: me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi e Serbinë, dhe me vendet e rajonit e të Evropës, mbeten prioritete në politikën tonë të jashtme.
Kuadrati i njohjeve të fqinjëve ende nuk është mbyllur, ngase Serbia jo që nuk pranon realitetin, por e lufton atë, duke vazhduar ndërhyrjen dhe tendencën për të na destabilizuar, sidomos në Veri të vendit tonë.
Mendësia e konfliktit dhe e urrejtjes ende zotëron në kokat dhe institucionet kryesore të Serbisë. Politika destabilizuese e Beogradit nuk ndihmon as serbët dhe as rajonin.

Politika e vendit tonë është politikë e paqes. Ne punojmë çdo ditë që Kosova të bëhet pjesë e proceseve integruese euroatlantike, që është përcaktim yni i fuqishëm. Integrimi dhe bashkimi me Unionin Evropian dhe me NATO-n, mbetet synimi themelor për të ardhmen.
Arritjet tona janë të lidhura edhe me ndihmën e aleatëve dhe miqve tanë të shumtë. Me këtë rast i falënderojmë UNMIKU-n, të gjitha vendet që kishin administratorë dhe shërbyes civilë ndërkombëtarë në Kosovë, i cili po mbyll një kaptinë të suksesshme në Kosovë. Respekt të veçantë meriton KFOR-i, që vazhdon të jetë garantuesi themelor i sigurisë.
Gjithsesi, roli i SHBA-së dhe i BE-së ishin të rëndësisë së jashtëzakonshme jo vetëm për të mbërritur 17 shkurtin 2008, por edhe në këtë vit të parë të jetës së shtetit të Kosovës.
Ne kemi mirëpritur vendosjen e pranisë ndërkombëtare - misionit të EULEX-it, udhëhequr nga UE-ja - që ka rol mbikëqyrës në fusha të sigurisë e të ligjit dhe respektojmë shtrirjen dhe punën e tij në tërë vendin. Duke punuar bashkërisht, besoj, do të realizojmë synimin e afrimit të vendit tonë me shtetet e BE-së dhe anëtarësimin në institucione dhe organizata ndërkombëtare.


Të dashur qytetarë,

Kosova ndryshoi në këtë vit duke pasur rezultate të dukshme në të gjitha fushat ekonomike, sociale e arsimore.
Qytetarët edhe liderët në Kosovë kanë dëshmuar se janë në gjendje të mos jetojnë me të kaluarën. Ata duan të punojnë për të ardhmen.
Kemi popullsinë më të re në Evropë, 52 për qind e saj janë nën moshën 27-vjeçare, dhe kjo na detyron ende më shumë të punojmë për të ardhmen, për më shumë zhvillim ekonomik, për hapje të vendeve të reja të punës.
Jam shumë i vetëdijshëm se ende ka shumë njerëz që nuk jetojnë mirë. Ka shumë njerëz që nuk kanë vende pune, të cilëve u duhet ndihma dhe kujdesi social. Shteti ynë duhet të ketë më shumë ndjeshmëri për këto kategori sociale.
Suksesi ynë është ngushtë i lidhur me funksionimin e shtetit ligjor në të gjitha segmentet e tij.
Të gjithë duhet të punojmë më tepër, që Kosova të bëhet një vend i sigurt dhe joshës për investime. Krijimi i lehtësive ligjore për investitorët vendës dhe të huaj është një mundësi më e madhe për zhvillimin ekonomik. Krijimi i lehtësimeve për lëvizje të lirë të njerëzve dhe investime të bizneseve do të mundësonte një racionalizim më të madh të potencialeve humane dhe ekonomike në rajon.
Besimi që është shprehur në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, në të cilën Kosovës iu dhanë 1.4 miliardë euro, duhet të kthehet në investime dhe rezultate përkatëse, në mënyrë që ky besim të rritet dhe përkrahja të shtohet edhe më shumë.
Edhe me këtë rast, theksojmë se Kosova do të ketë kujdes të veçantë ndaj komuniteteve pakicë, duke i trajtuar të gjithë ata pa dallim në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare. Ne po punojmë për të siguruar kushte dhe mundësi të barabarta për të gjithë, pra edhe për komunitetin serb. Kosova është vend i të gjithë qytetarëve të barabartë, ku nuk tolerohet dominimi i askujt mbi askënd. Kjo na ndihmon të jemi të gjithë pjesë e ndërtimit të Kosovës si shtet demokratik i qytetarëve të barabartë.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj

Duke ju përshëndetur dhe duke ju uruar edhe një herë në këtë Përvjetor, juve deputetë dhe qytetarë të Republikës së pavarur të Kosovës, ju ftoj të gjithëve të punojmë bashkërisht që vendin tonë të dashur - Republikën e Kosovës, ta bëjmë shtet prosperues dhe të zhvilluar, shtet me institucione stabile demokratike, të cilat punojnë për t'u siguruar mirëqenie të plotë të gjithë qytetarëve të vendit.
Qëllimi ynë na inkurajon të shikojmë me besim nga e ardhmja!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovën!
Zoti i bekoftë të gjithë miqtë e Kosovës!
Ju faleminderit!

2-Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajtur në seancën solemne të Kuvendit, me rastin e Ditës së Pavarësisë

Prishtinë, 17 shkurt 2009

Sot është ditë për të festuar së bashku, me ngrohtësi, gëzim dhe solidaritet.

Pikërisht, dhjetëvite më parë ne udhëhqsit e Kosovës, në Konferncën ndërkombëtare në Rambuje, në kohën e mbijetesës bashkë me partnerët dhe miqtë ndërkombëtar bisedonim dhe vendosnim për të Liri të Kosovës.
Kosova Fitoi.

Kaluam nëntë vite tranzicion plotë sfida, por të sukseshëm.

Sot, është përvjetori i parë i shtetit tonë krenar, të pavarur, sovran dhe të lirë.

Sot të gjithë kemi ditëlindje.

Sot, shenojmë festën më të madhe dhe të rëndsishme të popullit të Kosovës.
Festën e shtetit të pavarur, demokratik me shoqëri shumëetnike.

Ju falenderoj të gjithë juve, deputet, kabinet qeveritar, të gjithë qytetarët e Kosovës, miqtë tanë ndërkombëtarë, për punën që keni bërë bashkë me ne, deri më tani dhe atë që do ta bëni në të ardhmen për ta bërë vendin tonë më të përparuar edhe më demokratik në vitet që do të vijnë.

Viti që lamë pas ishte vit i të arriturave dhe i krenarisë, viti i suksesit historik të Kosovës.

Për një vit kompletuam ndërtimin dhe funksionalizimin e të gjitha Institucionave shtetrore të Rapublikës së Kosovës.

Duke punuar së bashku, ne krijuam një ndjenjë të re të optimizmit; një ndjenjë të re të besimit; të fuqisë dhe bashkimit; që nuk ka sfidë së cilës qytetarët e Kosovës nuk mund t'ia dalin dhe ta tejkalojnë.

Ekonomia jonë brenda vitit të pavarsisë shënoi rritje prej rreth 6%.

Përjvetorin e parë të pavarësisë, e shënojmë me më shumë vende të reja pune, me rrugë të reja anë e kënd Kosovës, më më shumë shkolla moderne të pajisura me kabinete informatike, u krijua ambient më sigurt për biznesin kosovar, siguri edhe më madhe për investuesit ndëerkombëtar, u tregua më tepër kujdes shëndetësor, u arrit standard më i lartë i jetesës.

Por më shumë se këto të arritura është ndjenja jonë e re e qëllimit dhe e guximit.
Atë mund ta shihni në familje, punë, në rrugë e sheshe, njerëzit duke i ndihmuar dhe kuptuar edhe më shumë njëri-tjetrin.
Duke besuar në njëri-tjetrin.
Të përkushtuar edhe më shumë për të pasur sukses.

Ne i kemi treguar botës që e kemi merituar pavarësinë tonë, dhe dijmë ta ndertojmë, dhe e gëzojmë vendin në mesin e shteteve që përfaqojnë lirinë.

Bota e shteteve të lira e vëren dhe e përshendet përkushtimin dhe zotimin e Kosovës ndaj parimeve të lirisë, demokracisë dhe të jetesës së lirë për të gjithë.

Kosova është atdhe i të gjithë qytetareve të saj, me mundësi të barabarta për të gjithë, me të drejta të afirmuara për minoritarët.

Kosova u njoh zyrtarisht nga 54 shtete të lira të cilat përfaqësojnë rreth 70% të GDP-së në botë.

Sot, kosova ka diplomacinë aktive anë e kënd botës.
Gjatë muajve të ardhshëm presim të njohje të reja.

Kosova do të njihet nga e gjithë bota.
Kosova do të bëhet anëtare me të drejta të plota gjatë këtij viti në Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

Vitin e kaluar ne pranuam Raportin e Progresit evropian për Kosovën, këtë vit do të kryhet studimi i fizibilitetit, jam i bindur në sukses.

Kosova ecën e sigurt, për integrim në NATO, Bashkim Evropian dhe e OKB.

Viti ynë i parë në pavarësi ishte vit i të arriturave dhe i krenarisë.
Ishte viti i unitetit politik, qytetar dhe shtetëror të Kosovës.
Cdo qytetar ka hise në pavarësinë e Kosovës, secili le të ndihet krenar me të arriturat e përbashkëta.
Sot, festohet në çdo familje, qytet, fshat e lagje kudo dhe në diasporë.
Festa e pavarsisë së Kosovës tejkalon kufinjtë e Republikës sonë.
Të gjithë festojmë dhe punojmë që të gjejmë rrugën më të mirë për të çuar Kosovën përpara.
Edhe pse mund të dallojmë në ide, qëllimin e kemi të përbashkët, që ta ndërtojmë një Kosovë më të mirë.

- Mund dhe kemi dallime në ide të ndryshme politike, i takojmë besimeve të ndryshme, apo i takojmë përkatsive të ndryshme etnike, por një gjë të gjithë e kemi të përbashkët: Të gjithë jemi shtetas të Kosovës, të gjithë e duam Kosovën-le ta ndërtojmë pra bashkarisht shtetin tonë.


Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,

Në këtë sallë u miratuan 61 ligje bashkë me 51 ligje të tjera që dalin nga plani i Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës.

Më 15 qershor 2008, ne miratuam dokumentin më të rëndësishëm për Kosovën, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kjo Kushtetutë moderne, e para e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, është një e arritur për t'u mburrur.

Ajo garanton liri, demokraci, dhe qeverisje të mirë për të gjitha komunitetet e Kosovës.

Përkushtimi ynë për unitet qytetar në Kosovë ishte i sinqertë dhe i vazhdueshëm.
Qelsi i suksesit tone qendron në unitet, kosova do të vazhdoi të jetë e bashkuar si vend dhe popull.

Përveç Kushtetutës, ne krijuam simbole gjithëqytetare: flamurin, himnin të cilat përfaqësojnë parimin e Kosovës shumëetnike.

Në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare, Qeveria po punon për të mbrojtur vendet e trashëgimisë kulturore.

Qeveria ka miratuar legjislacionin më të avancuar për të drejtat e komuniteteve, duke ndërtuar qendra kulturore, duke ndërtuar rrjete ujësjellësish dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë.

Jam krenar që pavarësia e Kosovës solli më shumë stabilitet në Kosovë.
Të gjithë duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, nën flamurin e ri të Kosovës.

Deputetë të nderuar,

Sot, bota po përballet me sfida.
Kriza globale ekonomike është ballafaqim real.
Megjithatë, ne po ecim përpara.
Këtë mund ta shihni në rrugët tona të reja, ndërtesa të reja, banim më të mirë, më shumë kujdes për më të moshuarit tanë dhe mundësi më të mira për të rinjët tanë.
Ne po zbatojmë standarde të të arriturave të cilat vendi ynë nuk i ka pasur asnjëherë.
Ne po lëvizim sigurt drejt rezultateve më të mëdha dhe të ndjenjës së përbashkët për një të nesërme edhe më të mirë.


Ju deputetë dhe mysafirë të nderuar në këtë sallë,
keni kontribuar për ta bërë të mundur këtë.
Por sot, nuk është dita për ta përgëzuar vetëveten, por t'i falenderuar qytetarët, sepse janë qytetarët ata që e bëjnë Kosovën më të fortë .
Edhe më me rëndësi, t'i përqafojmë njerëzit dhe t'i ushqejmë shpresat dhe ëndërrat e tyre.

Zotimet t,i bejmë realitet.
Shteti i Kosovës qëndron në zemrat e nënave që kujdesen për fëmijët e tyre, dyçanxhinjëve që hapin dyert e tyre çdo ditë dhe bujqëve që punojnë tokën e pleshme të vendit tonë.

Janë shkëndijat rinore dhe urtësia e moshës të cilat i festojmë sot në përvjetorin tonë të parë.

Populli i Kosovës kanë bërë rrugë të gjatë për të arritur këtu ku jemi.

Sot, në Ditën e Pavarësisë, e ardhmja jonë kurrë nuk ka qenë më e ndritshme, liria kurrë s'ka qenë më e madhe dhe mundësitë kurrë nuk kanë qenë më të dukshme.

Të nderuar deputetë, ju nënshkrues të pavarsisës së Kosovë, qytetar të dashur të Kosovës, Ju më meritorët për shtetin tonë

Dje unë vizitova fëmijën e parë që u lind në Kosovën e pavarur.

Emri i saj është Pavarësi. Ishte e bukur dhe shëndetshme, po aq sa shteti ynë.
Duke e shikuar këtë fëmijë, duke parë familjen e saj, në mendje më shkuan shumë mendime.

Çka e pret këtë fëmijë në jetën e vet?
Çfarë mundësish do të ketë?
Ne të gjithë kemi sakrifikuar aq shumë për të dhe gjithë femijët e Kosovës..
Ne u bëmë bashkë ashtu që ajo të mund të lindej në liri.
Fëmijët e Kosovës do të rriten s,i si gjithë femijët e botës së lirë

Tani çfarë tjetër do të ndikojë në fatin e saj në jetë?
Çfarë arsimi do të marrë?
Çfarë mundësi karriere do t'i ofrohen?
Kur ajo të lind gjeneratën e dytë të Kosovës së lirë, ajo do të ketë kujdes shëndetësor të standardeve më të mira evropiane.
Ajo do të mund të rris fëmijët e saj në një Kosovë të bukur, me parqe, me fushëloja dhe me rrugë të pastërta.
Kjo është ajo për të cilën punojmë ne.
Kjo është arsyeja pse ne punojmë bashkë, çdo ditë, secili duke nga këndvështrimi i vet dhe të gjithë të fokusuar se si t'ia mundësojmë Pavarësisë së vogël, të gjithë fëmijëve tanë, Kosovën e shpresave dhe ëndërrave tona.

Sot feston Kosova.

Nesër, të gjithë i kthehemi punës, për Pavarësinë, për veten tonë, për familjet tona, për Kosovën.
Urime përvjetori i pavarësisë Kosovë.
Le të festojmë së bashku. Ju faleminderit dhe gëzuar Dita e Pavarësisë.




Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]