E Martë, 07.23.2019, 02:05am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » INTERVISTË-PRESS
 
Soren Jesen Petersen: BE-ja ta kushtëzojë Beogradin
E Mërkurë, 02.18.2009, 01:43pm (GMT+1)

Ish-shefi i OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë frytet e pavarësisë dhe jo vetëm letrat e saj në shënimin e përvjetorit të parë të pavarësisë. Ai tha se autoritetet në Kosovë mund të bënin më shumë për njohjen e Republikës, në fushën e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.  Z. Petersen tha se është e pabesueshme që BE-ja po e pranon një standard të dyfishtë të komplikimit të misionit europian në Kosovë nga Serbia dhe njëkohësisht dërgimit të sinjaleve për Serbinë në procesin e integrimit europian. Ai tha se bisedimet mes Serbisë e Kosovës duhet të bëhen vetëm ndërmjet dy vendeve të barabarta.

 

 

Arbër Vllahiu bisedoi me zotin Soren Jessen-Petersen dhe fillimisht e pyeti se si e sheh ai vitin e parë të pavarësisë së Kosovës?

Jessen-Petersen: Para së gjithash të jem i qartë se unë e kam parë atë nga distanca, që nuk është njësoj si të jetosh në vend. Pra, komentet e mia janë të një njeriu që nuk ka qenë aty, por që e përcjell situatën nga afër, duke lexuar në media dhe duke u takuar me miq, kur më jepet rasti. Lajmi i mirë është pavarësia. Lajmi i mirë është se Kosova ka një vit që është e pavarur. Mendoj se lajmi i dytë i mirë, ashtu siç e shoh unë, është se në përgjithësi edhe autoritetet e Kosovës, edhe qytetarët e saj e kanë menaxhuar vitin e parë shumë mirë. Madje do të thosha në mënyrë përshtypjelënëse. Sepse, siç e dimë të gjithë, në vitin e parë kishte shumë provokime nga Serbia dhe, e dyta, sepse kishte shumë konfuzion për rolin e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë. Pra, nuk ishte lehtë. Duke e vlerësuar këtë dhe duke vërejtur se sa e vështirë ka qenë, me komplikimet dhe konfuzionin ndërkombëtar, mendoj se Kosova e ka menaxhuar vitin e parë shumë mirë.

 

BBC: Pra ju e vlerësoni se kosovarët kanë shumë arsye ta kremtojnë vitin e parë të pavarësisë?

Jessen-Petersen: Ka edhe disa lajme zhgënjyese. Mendoj se ka një arsye të mirë për të festuar pavarësinë sepse Kosova është e pavarur që prej një viti. Mendoj se ky është një rast i mirë për të festuar. Por njëkohësisht, mendoj, se ka disa fusha ku e di se edhe vetë qytetarët e Kosovës janë shumë të zhgënjyer. Para një jave kam takuar në Uashington, disa miq që kanë qenë në Kosovë për disa muaj. Për fat të keq unë s'kam qenë, por shpresoj se do ta kem rastin të shkoj. Bazuar në këtë, mendoj se ka një ndjenjë se përveç pavarësisë, që natyrisht është shumë e rëndësishme dhe çelësi, megjithatë pak ka ndryshuar në jetën e përditshme, në kushtet e jetës. Ekonomia duket se vazhdon të jetë në një gjendje të rëndë dhe kjo nënkupton se nuk ka patur shumë lëvizje në krijimin e vendeve të punës, për të hapur më shumë vende pune për qytetarët. Dhe, së fundi, ajo që ndjej unë dhe disa që jemi të zhgënjyer, ka të bëjë me një qasje apatike për të marrë njohje të reja të pavarësisë nga vende të ndryshme në botë. Mendoj se ka shumë zhgënjim se asgjë nuk ka ndryshuar në ekonomi dhe krijimin e vendeve të punës dhe shumë pak ka ndodhur me njohjet. Mendoj se njohja nga 50 vende, 52 ose 53 vende është gjë e mirë por, duke marrë parasysh se edhe afro 150 vende të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, unë besoj se mund të ishte bërë shumë më tepër.

 

BBC: Pra kjo është pjesa më e dobët e punës së institucioneve të Kosovës?

Jessen-Petersen: Është e ndërlidhur sepse, siç thashë më herët, ka patur shumë provokime nga Serbia. Serbia me qëndrimin e saj po vazhdon me mohimin e vetvetes, duke mos pranuar realitetet e reja dhe duke mos pranuar faktin se nuk po jetojmë në të kaluarën, apo 10-15 vjet më parë. Një veprim tjetër nga Serbia që e vështirëson ecjen përpara të Kosovës, është vendimi për ta shqyrtuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mendoj se të gjithë e dinë, ndoshta përveç Serbisë, se kjo nuk do të ndryshojë asgjë, çfarëdo që të vendosë Gjykata. Pavarësia është e pakthyeshme. Por këto veprime dhe mungesa e njohjes masive, natyrisht që krijon tek bashkësia ndërkombëtare dhe në veçanti tek investitorët potencialë ndjesinë e pasigurisë së vazhdueshme përreth statusit të Kosovës. Unë besoj se kjo është arsyeja kryesore pse investitorët kanë mbetur jashtë. Pa investime private nuk do të ketë vende të reja pune dhe ekonomia nuk do të lëvizë nga vendi. Të gjitha këto janë të lidhura. Në njërën anë, Serbia e ka bërë të vështirë me veprimet e saj të papërgjegjshme ndaj Kosovës dhe, në anën tjetër, unë besoj se autoritetet në Kosovë kanë mundur të bëjnë shumë më tepër në çështjen e njohjeve dhe më shumë në ekonomi e në krijimin e vendeve të punës. Kjo duhet të përmirësohet sepse njerëzit duhet të shohin frutet e pavarësisë dhe jo vetëm letrat e saj.

 

BBC: Kur flisni për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, a nuk besoni se ky ka qenë edhe dështimi i BE-së, meqë ajo nuk ka bërë sa duhet dhe ka qenë e ndarë sa i përket statusit të Kosovës?

Jessen-Petersen: Pajtohem. Para disa ditësh kam parë një editorial të shkruar nga zotërinjtë Ahtisaari, Rohan dhe Ischinger. Ata ishin shumë të qartë dhe shumë kritikë ndaj BE-së. Ata kanë të drejtë. Evropianët nuk janë të bashkuar përsa i takon kësaj çështjeje, por ata janë treguar edhe shumë të butë ndaj pengesave të vazhdueshme që ka nxjerrë Serbia. Brukseli duhej t'ia kishte bërë të qartë Serbisë: "Zgjidhni, ose do të vazhdoni drejt integrimeve evropiane, ose do të qëndroni ne vend dhe t'ia vështirësoni jetën Kosovës". Mendoj se shumë probleme janë shkaktuar nga mungesa e një udhëheqjeje më të vendosur në Bruksel. Më erdhi mirë që e pashë këtë shkrim të Ahtisaarit, Ischingerit dhe Rohanit.

 

BBC: Por cilat janë mënyrat që Brukseli ta bindë Serbinë në këtë që thoni?

Jessen-Petersen: Para së gjithash, ende ngurohet, për arsye te ndryshme, që të pranohet se duhet ta rishqyrtojnë qëndrimin. Janë 22 vende të BE-së që e kanë pranuar dhe ato janë shumë vende të rëndësishme, por pesë të tjerat që nuk e kanë bërë këtë janë jashtë loje. E dyta, mendoj se do të duhej një porosi e qartë nga BE-ja për Serbinë se ajo nuk mundet që, njëherësh, edhe të vazhdojë me komplikimin e misionit evropian në Kosovë, edhe të bëjë sikur asgjë s'ka rëndësi dhe të vazhdojë me përpjekjet për integrimin në Evropë. Mendoj se Serbia po ia vështirëson shumë punën EULEX-it dhe misionit evropian në Kosovë. Më duket e pabesueshme se evropianët po e pranojnë këtë standard të dyfishtë, të komplikimit të misionit evropian në Kosovë dhe në të njëjtën kohë të marrë sinjale nga Brukseli se Serbia po ecën drejt integrimeve evropiane.

 

BBC: Ka patur paralajmërime nga administrata amerikane se Kosova edhe këtë vit do të shënojë sfidën më të madhe të sigurisë në Evropë. Pajtoheni me këtë konstatim?

Jessen-Petersen: Unë do ta vlerësoja gjendjen pak më ndryshe. Do të thoja se kjo vjen për shkak të vazhdimit të pasigurisë, jo vetëm për shkak të qëndrimit të Serbisë, por edhe për shkak të konfuzionit të BE-së për Kosovën. Por me lejoni ta theksoj edhe njëherë faktin se nuk ka dyshim se pavarësia është e qëndrueshme dhe kjo nuk mund të ndryshohet. Por ende ka pasiguri për shkak të konfuzionit në Bruksel dhe për shkak të pengesave serbe. Mendoj se kjo pasiguri ka një ndikim në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dhe këtu pajtohem me SHBA-në se gjithnjë, përderisa Kosova të mos jetë vendosur fuqishëm si një shtet që ec përpara drejt integrimeve evropiane dhe duke shfaqur edhe shqetësimet për Bosnjën, e gjithë kjo nënkupton se rajoni nuk po ecën përpara në tërësi dhe ende nuk janë zgjidhur të gjitha konfliktet. Dhe kur e shihni Evropën, është ende Ballkani Perëndimor që tregon shenja shqetësuese për stabilitetin. Kjo mendoj unë është ajo çfarë ka pasur në mend Uashingtoni.

 

BBC: Ka patur zëra në Serbi që thonë se do të ketë shumë më shumë trazira në Kosovë gjatë këtij viti. Veçanërisht kur bëhet fjalë për veriun e saj...

Jessen-Petersen: Nuk e di kush e ka thënë këtë, unë vetë nuk e kam dëgjuar. Por ajo që kam vërejtur dhe përshtypja ime e përgjithshme përsa kohë shërbeva në Kosovë ka të bëjë me atë se shumë serbë të Kosovës nuk besojnë dhe nuk pajtohen me këtë nxitje të problemeve nga Beogradi dhe nga disa udhëheqës të vijës së ashpër në veriun e Kosovës që vazhdojnë të jetojnë në të kaluarën dhe që vazhdojnë të besojnë se jemi duke jetuar 20 apo 25 vjet më parë. Kam vërejtur se më shumë serbë të Kosovës po afrohen gjithnjë e më shumë dhe se duan të shohin një situatë të normalizuar. Madje edhe në radhët e udhëheqësve politikë të serbëve të Kosovës ka patur deklarata të tilla dhe kjo është një gjë që unë gjithnjë e kam dëgjuar. Prandaj unë nuk e besoj se Beogradi me veprimet e tij po i bën mirë shumicës së serbëve në Kosovë. Kërcënimi me trazira shënon vazhdimin e politikave të dështuara dhe mendoj se kjo duhet të ndalohet.

 

BBC: Z. Jessen-Petersen ka patur kohët e fundit përgatitje të faktorit ndërkombëtar në Kosovë për bisedimet mes Prishtinës e Beogradit. Besoni ju se mund të ketë ndonjë rezultat çfarëdo takimi i ardhshëm mes tyre?

Jessen-Petersen: Mendoj se ka shumë fjalë rreth bisedimeve por, në fund të fundit, nëse duhet të ketë bisedime, ato duhet të zhvillohen mes Serbisë dhe Kosovës së pavarur. Pra, ndërmjet dy vendeve absolutisht të barabarta. Nëse ata mund të ulen dhe të bisedojnë, kjo do të ishte shumë mirë, sepse ata janë fqinj. Por kjo duhet të bëhet vetëm mbi baza të barabarta. Pa u rregulluar kjo unë nuk besoj se bisedimet mund të çojnë drejt rezultateve të dobishme.

 

BBC: Ka një krizë globale ekonomike dhe financiare. Mendoni se Koosva nuk do të jetë më në axhendën e SHBA-së dhe të BE-së për shkak të kësaj krize gjatë këtij viti?

Jessen-Petersen: Të kthehem aty ku fillova. Ironia është se, falë mënyrës se si qytetarët e Kosovës e kanë menaxhuar vitin e parë të pavarësisë, në një mënyrë shumë të pjekur dhe të përgjegjshme, nuk ka patur cënim të rendit dhe të ligjit, nuk ka patur trazira të mëdha por, për fat të keq, vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare përqëndrohet në një rajon vetëm atëherë kur ka vështirësi dramatike. Tani për tani, me këtë krizë ekonomike, me përqëndrimin në Afganistan, Irak e përreth Rusisë, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rënë nga lista e përparësive dhe kjo është për të të ardhur keq. Sepse ka ende çështje të pazgjidhura dhe nuk duhet pritur derisa gjendja të përkeqësohet. Nuk e besoj se do të ndodhë një gjë e tillë, sepse kam besim të plotë tek qytetarët e Kosovës se do të vazhdojnë të menaxhojnë situatën në një mënyrë të përgjegjshme. Por njëkohësisht është shumë e dhimbshme se vetëm kur gjërat shkojnë keq, ne përqëndrohemi në një çështje të caktuar.



Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Korrik 2019  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 

 
VOAL
[Shko lart]