VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PAVARËSIA E KOSOVËS DHE SFIFDAT E SAJ

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 12:23pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » INTERVISTË-PRESS
 
PAVARËSIA E KOSOVËS DHE SFIFDAT E SAJ
E Premte, 02.20.2009, 12:04pm (GMT+1)

Nga Agim VINCA

 

17 Shkurti - dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës - është një ditë, të cilën shqiptarët e kanë pritur gjatë, shumë gjatë dhe për të cilën kanë ëndërruar e sakrifikuar shumë. Atmosfera e krijuar para një viti, më 17 Shkurt 2008, në rrugët e Prishtinës dhe në mbarë Kosovën, por edhe kudo ku jetojnë shqiptarët, e dëshmoi katërçipërisht faktin se 17 Shkurti është një datë e madhe historike, mbase më e rëndësishmja në historinë më të re të Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi. Mirëpo, procesi i konstituimit të shtetësisë së Kosovës nuk merr fund më 17 Shkurt. Do të ishim politikisht naivë dhe iluzionistë po qe se do të mendonim kështu. Përvoja e vitit që lamë pas, që është viti i parë i Kosovës së pavarur, tregon se procesi i konsolidimit të shtetësisë së Kosovës do të zgjasë edhe shumë vjet (askush mesa duket nuk mund të thotë saktësisht sa) dhe do të ndeshet me pengesa e vështirësi të shumta. Përse mund të thuhet kështu?
Së pari, vetë dokumenti sipas të cilit është konceptuar pavarësia e Kosovës, pakoja e Ahtisarit, ka shumë defekte. Defekti i tij më i madh mbase nuk qëndron në faktin që nuk parasheh pavarësi të plotë, por të kushtëzuar për Kosovën, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, por se me zgjidhjet që propozon e bën pothuajse të pamundur funksionimin normal të shtetit. Ky dokument, të cilin pala serbe nuk e njeh, njësoj sikurse edhe Marrëveshjen e Rambujesë, u krijon favore të papara pjesëtarëve të minoriteteve, veçanërisht minoritetit serb, ndërsa Kosovën me mbi 90% popullatë shqiptare e shndërron në një bashkësi shtetërore multietnike, ku koncepti i multietnicitetit merr përmasa pothuajse fantazmagorike.
E dyta, faktori Serbi dhe komuniteti serb në Kosovë, i manipuluar si gjithmonë nga Beogradi, është dhe do të vazhdojë të jetë një pengesë serioze e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, aq më shumë që Prishtina zyrtare dhe faktori shqiptar në përgjithësi, nuk është kujdesur që ofensivës së paparë serbe - jo vetëm diplomatike - t"˜i kundërvihet në mënyrë adekuate.
Si pasojë e këtij obstruksioni - fushatës së paskrupullt politike e diplomatike të Beogradit, të përkrahur nga Rusia dhe aleatët e saj, por edhe e ngadalësisë dhe pavendosmërisë së Bashkimit Evropian, si edhe për shkak të dobësive të veta të brendshme, qeveria e Kosovës nuk arrin ta kontrollojë tërë territorin e vendit dhe, rrjedhimisht, as ta ushtrojë sovranitetin e vet si çdo shtet tjetër në këtë botë. Institucionet e Kosovës, përfshirë edhe policinë, nuk kanë pothuajse kurrfarë ndikimi jo vetëm në pjesën veriore të Kosovës, por as në enklavat serbe në brendi të saj. Ky pozicion, pasojë e sovranitetit të cunguar, por edhe e joefikasitetit të organeve shtetërore, është sfida tjetër, e treta me radhë, me të cilën ballafaqohet Kosova e pavarur dhe procesi i konsolidimit të shtetësisë së saj.
Sfida e katërt, ndër më kryesoret, është gjendja e vështirë ekonomiko-politike e Kosovës dhe paaftësia e faktorit politik shqiptar, përkatësisht e institucioneve shtetërore të saj, për ta menaxhuar si duhet atë. Megjithëse nuk mund të mohohen përpjekjet dhe disa rezultate, sidomos në infrastrukturën rrugore dhe atë të rrjetit shkollor, sjellja e institucioneve shtetërore të Kosovës (Qeverisë, Presidencës, Kuvendit etj.), nuk është as përafërsisht në nivelin që do të duhej të ishte në këtë fazë tejet të rëndësishme e delikate për ardhmërinë e Kosovës. Shkalla e lartë e korrupsionit, mosrespektimi i ligjit, keqpërdorimi i pushtetit, kriminaliteti, administrata joefikase, mosfunksionimi i sistemit juridik, kriza e sistemit arsimor dhe e sistemit të vlerave në përgjithësi, pasurimi i paligjshëm, nepotizmi dhe dukuritë e tjera të ngjashme, e rrezikojnë seriozisht procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës. Kosova nuk ka zhvillim ekonomik, por ka pasurim të shpejtë të një kaste njerëzish, kryesisht të pushtetarëve dhe shpurës së tyre, në njërën anë dhe varfërim në masë të shtresave të gjera të popullsisë, në anën tjetër. "Luksi pa fre dhe varfëria pranë", do të thoshte Hajne në kohën e tij.
Përhapjen e optimizmit pa mbulesë mbi Kosovën "shtet stabël" etj., e konsiderojmë veprim të gabueshëm dhe joproduktiv. Mendësisë së tillë, që lustron realitetin dhe vë në gjumë energjitë krijuese, ne ia kemi parë sherrin në vitet "˜90, kur Serbia kontrollonte çdo cep të Kosovës, kurse kreu politik i saj fliste për "shtetësi" e "institucione".


***

Kosova ka Kushtetutën e saj, të bazuar në pakon e Ahtisarit, por zbatimi i saj lë shumë për të dëshiruar, sepse në Kosovë aktualisht veprojnë në mënyrë paralele disa "pushtete". Kështu, pos organeve të ligjshme të Kosovës, të dala nga vota e popullit, në Kosovë "vepron" edhe misioni i Bashkimit Evropian me emrin EULEX; ende vazhdon të jetë i pranishëm edhe misioni i Kombeve të Bashkuara me emrin UNMIK, por edhe strukturat paralele serbe, të cilat financohen nga Serbia dhe tolerohen në masë të madhe jo vetëm nga UNMIK-u famëkeq, por edhe nga EULEX-i ende i pakonsoliduar dhe qeveria shumë herë e pafuqishme e Kosovës. E keqja është se në këtë mishmash shumë herë nuk dihet ku fillojnë e ku mbarojnë kompetencat e njërit a tjetrit. Dhe kjo paraqet, doemos edhe një sfidë a rrezik më shumë për procesin e shtetësisë së Kosovës.
Një sfidë tjetër, s"˜di e sata me radhë, por jo edhe e fundit, është sjellja e vetë qytetarëve të Kosovës ndaj shtetit të tyre të ri. Shteti duhet jo vetëm deklarativisht, por edhe realisht. Qytetari ka jo vetëm të drejta, por edhe obligime. Qytetarët e Kosovës janë të prirur t"˜i kërkojnë të parat të drejtat, por jo t"˜i përmbushim edhe të dytat, detyrimet. Është shokues fakti që edhe pas 17 Shkurtit numri i shqiptarëve të Kosovës, që kanë vazhduar të marrin pasaporta serbe është jashtëzakonisht i madh. Sado që të përpiqemi t"˜u hyjmë në gjendje njerëzve dhe t"˜i kuptojmë hallet e tyre, kurrsesi nuk mund të kemi mirëkuptim për një gjest të tillë, të turpshëm dhe, madje, edhe të ndëshkueshëm! Sipas të dhënave të shtypit ("Koha Ditore", dt. 20.10.2008), më shumë se 17 mijë pasaporta të Serbisë janë lëshuar në Kosovë vetëm pas 17 shkurtit, d.m.th. pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kurse prej vitit 1999 e këndej më se 250 mijë! Për çka flet kjo? Për zbehjen e patriotizmit te shqiptarët e Kosovës, që i ka karakterizuar ata në të kaluarën, apo për vënien e interesit personal në plan të parë? A do ta bënin serbët këtë po të ishin në vendin tonë? Faktet flasin për të kundërtën.
Patriotizëm nuk është vetëm të festuarit rrugëve me flamuj e pankarta; nuk është euforia, këngët, vallet, deklaratat pompoze, parakalimet me vetura e të tjera të ngjashme. Patriotizëm është sjellja e përgjegjshme ndaj vendit tënd, përfshirë edhe gatishmërinë për të sakrifikuar sadopak për të. Ne duam të kemi rrymë, ujë, ngrohje, shërbime komunale etj., por nuk jemi të gatshëm t"˜i paguajmë ato. Filozofi francez i së drejtës, Tokëvili (Alexis de Toqueville, 1805-1859), i cili një kohë ka qëndruar në SHBA, në veprën e tij Demokracia në Amerikë, flet për dy lloje patriotizmi: patriotizmin instinktiv, tradicional dhe patriotizmin modern, racional. Dashuria instinktive për atdheun është e lindur, natyrore, është ndjenjë që e lidh njeriun me vendin ku ka lindur. Ndërkaq, patriotizmi racional është dashuri racionale për atdheun, që nënkupton respektimin e ligjeve, ushtrimin e të drejtave dhe marrjen përsipër të detyrimeve, me një fjalë punën e pareshtur për mirëqenien e vendit. Sistemi politik, në të cilin lulëzon kjo trajtë e atdhetarizmit është demokracia kushtetuese. Në vendet ku patriotizmi i llojit të parë është braktisur, sepse konsiderohet i demoduar, kurse i dyti, patriotizmi racional, ende nuk është institucionalizuar, sundon kaosi dhe mjerimi. Në situata të tilla njerëzit i kaplon një egoizëm i sëmurë dhe i pashpirt - shkruan filozofi francez i kohës, kur në Evropë janë krijuar kombet moderne dhe shtetet nacionale.


***

Do të doja ta kisha gabim, por kam përshtypjen se Kosova e sotme ndodhet në një situatë të tillë, disi në udhëkryq dhe në një gjendje konfuze. Këtij konfuziteti i kontribuon edhe tendenca gjithnjë e më e zëshme e disa grupeve dhe individëve, përfshi edhe segmente të caktuara të institucioneve tona kulturore e shkencore, e krijimit të të ashtuquajturit "identitet kosovar", kinse në emër të forcimit të "shtetësisë së Kosovës".
Republika e Kosovës si shtet duhet t"˜i ketë simbolet e veta shtetërore, të cilat tashmë, mirë a keq, i ka. Mund të flitet edhe për identitetin politik të Kosovës si shtet, por aq. Asgjë më shumë. Shqiptarët e Kosovës, edhe në shtetin e tyre të ri, do të mbeten nga pikëpamja kombëtare shqiptarë si më parë dhe çdo tentim tjetër nuk është veçse spekulim i pastër, i nxitur prej kushedi çfarë motivesh e interesash politike e të tjera.
Një vit pas shpalljes së pavarësisë, Kosovën e kanë njohur gjithsej 54 shtete nga 192 sa janë anëtare të OKB-së. Pak - thonë shumica; jo edhe aq pak - pandehin disa të tjerë. Prognoza për njohjen e Kosovës nga njëqind shtete brenda një kohe të shkurtër nuk doli e saktë. Në mesin e atyre që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës janë edhe pesë shtete anëtare të BE-së, që kanë misionet e tyre ushtarake e civile në Kosovë, kurse shtetet islamike deri më sot nuk e çanë kokën fare për "vëllezërit e tyre myslimanë", që ushqejnë ndjenja të fuqishme ndaj "armikut strategjik" të shumicës së tyre, Amerikës.
Në testin që bëra këto ditë me studentët e Universitetit AAB, ku ligjëroj lëndën Qytetërim shqiptar, përveç pyetjeve të tjera nga lënda, u dhashë si detyrë të shkruajnë një ese me temën: "Pavarësia e Kosovës - një vit pas". Nuk është vështirë të shihet se te shumica mbizotëron ndjenja e zhgënjimit, e pakënaqësisë dhe e dëshpërimit e jo e optimizmit. Ëndrra është gjithmonë më e bukur se realiteti dhe pavarësia e Kosovës nuk ka shkop magjik që t"˜i përmbushë sa çel e mbyll sytë ëndrrat dhe dëshirat e njerëzve e, madje, as hallet dhe nevojat e tyre të përditshme. Nuk është i vogël numri i atyre që nuk shkruajnë fare, asnjë fjalë dhe e lënë letrën e bardhë, jo në shenjë revolte, por thjesht ngaqë nuk dinë ç"˜të thonë, kurse numri i atyre që shkruajnë keq, me gabime të shumta gjuhësore e logjike, është edhe më i madh. Ka edhe studentë, sado që janë pak, që pavarësinë e Kosovën nuk e shohin si zgjidhje (ose e shohin vetëm si zgjidhje të përkohshme) dhe që vazhdojnë të mbeten partizanë të idesë së bashkimit kombëtar, pra të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, që është një ëndërr shekullore e shqiptarëve, e proskribuar në masë të madhe në një a dy dekadat e fundit.
Një vit më parë, në ditën e shpalljes së pavarësisë, u dëgjuan shpesh fjalët: "Kosova u bë, tani mbetet të bëhemi ne; të bëhen shqiptarët (kosovarët)". Edhe autori i këtyre rreshtave, në atmosferën festive, pati shqiptuar diçka të tillë, apo të ngjashme. Sot, një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj si shtet nga shumë vende të fuqishme të botës, na kujtohen përsëri fjalët e Konicës të shqiptuara me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912: "Shqipëria u bë. Tani lipset të bëhen shqiptarët".
Që Kosova të bëhet para së gjithash duhet të vetëdijësohemi se krijimi i shtetit nuk është punë aspak e lehtë. Ndërtimi i shtetit kërkon mund, djersë dhe angazhim permanent. Të gjithë ne së bashku dhe secili veç e veç e kemi hisen tonë në këtë proces të gjatë e të mundimshëm.




Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]