VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Aforizma të Xhakomo Kazanovës
E Shtunë, 10.17.2009, 01:31pm (GMT1)

 

Voal-online 17 tetor - Vuajtja është e rrënjosur në natyrën njerëzore; por nuk vuajmë kurrë - ose së paku shumë rrallë - pa ushqyer shpresën e shërimit; dhe shpresa është një kënaqësi.

 

Zot i Madh dhe të gjithë dëshmitarët e vdekjes sime: kam jetuar si filozof dhe vdes si krishter.

 

Lum ata që, pa i bërë dëm askujt, dinë të gjejnë kënaqësinë. Dhe mjerë të tjerët që gënjejnë veten se Krijuesi Suprem mund t'ua shpërblejë dhimbjet, vuajtjet dhe përkorjet që ata ia ofrojnë si sakrificë.

 

Kur je i dashuruar mjafton një asgjë për të të rrënuar ose për të të bërë që të prekësh qiellin me një gisht.

 

Goditja më e keqe që dikujt mund t'ia japër fati një njeriu me shpirt është ta vendosë atë nën vartësi të të marrit.

 

Budallai është një i marrë që nuk flet, dhe kështu është më i pranueshëm se i marri që flet.

 

Femrat janë si qershitë: njëra tërheq tjetrën.

 

E di që kam jetuar: sepse kam pasur përjetime.

 

E shkruaj jetën time për të qeshur me veten, dhe ia arrij. Shkruaj trembëdhjetë orë në ditë, e më kalojnë si trembëdhjetë minuta. Sa kënaqësi t'i kujtosh kënaqësitë! Po sa vuajtje t'i sjellësh në mendje. Zbavitem sepse nuk trilloj asgjë.  Ajo që më nxit është detyrimi që kam, në këtë pikë, për t'i maskuar emrat, nga fakti që nuk mund t'i shpalos gjërat e të tjerëve.

 

Sa për mashtrimin ndaj grave, mos e kini merak, sepse kur dashurojnë, si burrat edhe gratë, në përgjithësi e mashtrojnë njëri tjetrin.

 

Kur shkruaj për kënaqësitë që kam përjetuar dikur, i përtërij ato, i përjetoj për herë të dytë, ndërsa qesh me kujtimet e shqetësimeve të dikurshme, për të cilat tashmë nuk ndjej asgjë.

 

Urrejtja, me kalimin e kohës vret atë që e ka ushqyer në gjirin e vet.


Koka dhe zemra janë pjesë vendimtare të karakterit, temperamenti pothuaj nuk ka të bëjë me të, dhe, prandaj karakateri është i pavarur nga edukimi, dhe nuk ka të ngjarë që të ndreqet ose të përmirësohet.

 

Unë gjithmonë e përshtas ushqimin tim me fizikun tim, dhe shëndeti im është gjithmonë i shkëlqyer.

Dua të them se tepërimi në të ngrënit tejet pak është më i rrezikshëm se tepërimi në të ngrënit tejet shumë; ky i fundit mund të krijojë vështirësi tretjeje, ndërsa ai I pari shkakton vdekjen.

Unë e kam dashuruar aq adhurimisht të bërtetën sa që shpesh e kam përdorur gënjeshtrën si mënyrë për t'u paraqitur në mendjet të cilat për bukurinë e së vërtetës nuk dinë asgjë.

E kam ndjerë në gjakun tim thellë, prej kur kam lindur, një urrejtje të paçrrënjosshme ndaj budallenjve, dhe ajo rritet nga fakti se e ndjej veten kokëgdhë sa herë jam midis tyre.


Kam pasur miq që janë treguar të mirë me mua, dhe ka qenë një fat i madh për muq që kam pasur fuqinë t'ju jap atyre prova thelbësore të mirënjohjes sime.

Jam njohur me disa të tillë qytetarë shumë të ndershëm, të cilët, me gjithë marrëzinë e tyre, kishin një lloj mençurie dhe një nuhatje të mirë, të cilat nuk mund të jenë karakteristika të budallenjve.

Shpesh kam përjetuar lumturi pas ndonjë hapi të pamatur, i cili mund të më kishte rrënuar, dhe ndonëse nuk kam qortuar veten, i jam falënderuar Zotit për mirësinë e tij.

 Herët e kam kuptuar se shëndeti varet nga tepërimet e skajshme në ngrënie ose mosngrënie, dhe kurrë nuk kam pasur mjek tjetër veç vetes.

Do të filloj me këtë rrëfesë: çfarëdo që kam bërë në jetën time, qoftë mirë apo keq, e kam bërë në mënyrë të lirë; unë jam një veprues i lirë.


Duhet vetëm të kesh guxim, sepse forca pa vetëbesim është e padobishme.

 

Dashuria është tri të katërtat kureshtje.

Njeriu është i lirë: por prapë ne nuk duhet të mendojmë që ai në lirinë e tij të bëjë gjithëçka që t'i pëlqejë, sepse ai bëhet skllav sapo lejon që veprimet e tij të sundohen prej pasioneve.

Martesa është varri i dashurisë.

Gabimet e mia do t'i bëjnë njerëzit të mendojnë për një mori rrugëdaljesh, dhe do t'ua mësojnë atyre artin e madh të vallëzimit në cep të zgripit pa të rrëshqitur këmba në humnerë.

 

Sukseset dhe fatkeqësitë e mia, ditët e ndritshme dhe të errëta që I kam kaluar, të gjitha këto ma kanë provuar mua se në këtë botë, qoftë në kuptimin fizik, qoftë në kuptimin moral, e mira vjen nga e keqja, sikurse e keqja vjen nga e mira.

Dashuria reale është ajo që nganjëherë vjen pas kënaqësive ndjesore: kur është e tillë, është e pavdekëshme; forma tjetër pashmangshmërisht dështon, sepse ajo mbështetet kryesisht në fantazi./Elida BUÇPAPAJ

Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.