VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
AFORIZMA NGA JOHANN WOLFGANG GOETHE (JOHAN VOFLGANG GËTE, 1749-1832) E Djelë, 05.30.2010, 03:07pm (GMT1)
Voal-online 30 maj-Një krijim me rëndësi mund të prodhohet vetëm kur autori i tij e izolon veten, ai është një fëmijë i vetmisë. Sjelljet e një njeriu janë një pasqyrë ku ai e sheh portretin e vet. Njeriu finsik i bën për vete njerëzit fisnikë, dhe di si të mbështetet tek ata. Njeriu e vë veten në nivelin me të cilin të tjerët e vlerësojnë. Një jetë e padobishme është një vdekje e hershme. Mosha na tregon ne sa fëmijë kemi mbetur. Të gjitha mendimet inteligjente janë menduar tashmë; e vetmja gjë e nevojshme është të përpiqemi t'i mendojmë prapë. Njeriu dëgjon vetëm çfarë kuptojnë të tjerët. Dijet që kam unë mund t'i ketë çdo njeri, por zemra ime është vetëm e imja. Sundoje atë! Bëje botën t'i shërbejë qëllimit tënd, por mos i shërbe asaj. Tregohu i njerëzishëm dhe përdor fjalë të mira, sidomos për ata që nuk janë të pranishëm. Bukuria është manifestim i ligjeve sekrete natyrore, të cilat përndryshe do të na fshiheshin ne përgjithmonë. Bukuria është gjithmonë një mysafire e mirseardhur. Të jesh brilant nuk ka asnjë vlerë, nëse ti nuk respekton asgjë. Disa difekte janë të domosdoshme për hir të individualitetit. Karakteri e zhvilllon veten në rrjedhën e jetës. Karkateri formohet nëpër shtrëngatat e botës. Karakter, në gjërat e vogla apo të mëdha, do të thotë të marrësh përsipër ato gjëra që ti ndjehesh i zoti t'i bësh. Mirëkuptimi është gjenia e njerëzimit. Korrektësia luan shumë rol, por guximi më tepër. Një përgjigje korrekte është si një puthje e ëmbël. Idetë e guximshme janë si figurat e shahut që lëvizen përpara; ato mund të sakrifikohen, por mund të fillojnë një lojë të fituar. Përkushtojuni qëllimit tuaj çdo ditë, pastaj me kohë dhe çdo mbrëmje do të gjeni diçka të kryer. Përça dhe sundo, bërtasin politikanët; bashko dhe prij është kryefjala e mençurisë. Mos iu nënshtro shumë ndjenjave. Një zemër tepër e ndjeshme është një pasuri e palumtur në këtë tokë të lëkundur. Dyshimi rritet sa më shumë që të dimë. Mos ëndërro ëndërra të vogla, sepse ato nuk kanë fuqi t'i vënë në lëvizje zemrat e njerëzve. Secili autor në njëfarë mënyre e portretizon veten në veprat e tij, madje edhe kundër dëshirës së tij. Vdekja është përzierje e përjetësisë me kohën; në vdekjen e një njeriu të mirë, përjetësia është parë të shikojë nëpërmjet kohës. Njerëzi tejet seriozë dhe me mendime të thella e gjejnë veten keq me publikun. Gabimi është i pranueshëm për ne sa kohë që jemi të rinj; por ai nuk duhet gërmuar në pleqëri. Cdo ditë ne duhet të dëgjojmë të paktën një këngë të vogël, të lexojmë në poezi të bukur, të shohim një pikturë të arrirë, dhe, nëse është e mundur, të flasim sa më pak fjalë. Cdo fjalë e folur nga ne pasqyron dëshirën tonë. Cdo hap i jetës kërkon vëmendjen e duhur. Të gjithë duan të jenë dikush; askush nuk do që të rritet. Gjithçka në botë do të marrë fund, përveç përparimit të vazhdueshëm. Pak njerëz e kanë përfytyrimin për realitetin. E para dhe e fundit që i kërkohet gjeniut është dashuria për të vërtetën. Urrejtja është diçka e veçantë. Atë do ta gjeni më të fuqishmen dhe më të dhunshmen atje ku shkalla e kulturës është më e ulëta. Ai që nuk mendon shumë për veten është më i vlerësuar se mund ta përfytyrojë. Ai që zotëron artin dhe shkencën ka fe; ai që nuk i ka ato, ka nevojë për fenë. Unë e quaj arkitekturën muzikë të ngrirë. Unë mund të të them ty, mik i ndershëm, se kujt t'i besosh: besoji jetës; ajo të mëson më mirë se libri ose oratori. Unë nuk e njoh veten, dhe mos o Zot që ta njoh. E dashuroj atë që më duket e pamundshme. Unë nuk kam njohur njeri më mendjemadh se veten. Fakti që e them vetë këtë, tregon se është e vërtetë. Dëgjoji bindjet e të gjithëve, por dyshimet e tua mbaji për vete. Nëse do të m'i tregosh opinionet e tua, më trego se në çfarë beson ti. Mua më dalin e tepërojnë dyshimet e mia. Injorantët bëjnë pyetje të cilave të mençurit iu janë përgjigjur një mijë vjet më parë. Në art më e mira mjafton. Në natyrë ne nuk shohim ndonjë gjë të izolur, por çdo gjë në lidhje me diçka tjetër, e cila është përpara tij, pranë tij, nën të dhe mbi të. Në fushën e ideve çdo gjë varet nga entusiazmi... në botën reale gjithçka qëndron mbi këmbënguljen. Më mirë të mashtrohesh nga miqtë se t'i mashtrosh ata. Në vetëkufizimin mjeshtri e tregon së pari veten. Është fati i panjohur i njeriut, ai që edhe në çastet më të këqija e bën njeriun t'ia ketë frikën më së keqes dhe të vazhdojë ta plagosë atë. Duke se kurrë nuk iu ndodh budallenjve që merita dhe fati i mirë të jenë së bashku. Besoji vetvetes dhe do të dish të jetosh. Jeta është fëmijëria e pavdekësisë sonë. Jeto rrezikshëm dhe jeton ashtu si duhet. Dashuria mund të bëjë shumë, por detyra më shumë. Dashuria nuk sundon; ajo kultivon. Magjike është të besosh në veten, nëse mund ta bësh këtë, atëherë mund të bësh që të ndodhë ndonjë gjë. Njeriu është bërë nga besimi i tij. Si beson, ai është. Njerëzit e tregojnë karakterin e tyre më mirë se kudo me gjërat që atyre iu duken qesharake. Misteret nuk janë domosdo mrekulli. S'ka skllevër më të pashpresë se ata që gabimisht besojnë se janë të lirë. Asgjë nuk është më e vlefshme se dita e sotme. Duhet pyetur fëmijët dhe zogjtë sa të shijshme janë qershitë dhe drethëzat. Pasionet janë vese ose virtute në kulmet më të mëdha të fuqisë së tyre. Personaliteti është gjithçka në art dhe poezi. Shkenca del nga poezia... kur kohët ndryshojnë të dyja mund të takohen prapë në një nivel më të lartë si mike. Vetënjohja vjen nga njohja e të tjerëve. Supersticioni është poezia e jetës. Talenti zhvillohet në vende të qeta, karakteri në rrjedhën e furishme të jetës. Fol mirë për atë që mungon sa herë ta kesh rastin. Qeveria më e mirë është ajo që na mëson ta qeverisim veten. Rënia e letërsisë tregon rënien e një kombi. Bëmat janë gjithçka, lavdia është zero. Gjëja më e vështirë për t'u parë është ajo që ke para syve. Njeriut të zgjuar i duket çdo gjë qesharake, njeriut të ndjeshëm i duket çdo gjë e rëndë. Ai që zë vendin e parë rrallë e luan rolin kryesor. Njeriu i duhur është ai që kap momentin. Jonatyralja është, po ashtu, natyrale. Ndaj njeriut me qëllim të përcaktuar të gjithë njerëzit dhe gjërat janë shërbëtorë./Elida Buçpapaj Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |