VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kontrastet poetike të Skënder BuçpapajtNga Dr.Xhavit Aliçkaj, Dekan i Fakultetit të Letërsisë, Prishtinë

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 04:19am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

Kontrastet poetike të Skënder Buçpapajt

Nga Dr.Xhavit Aliçkaj, Dekan i Fakultetit të Letërsisë, Prishtinë


E Hënë, 12.14.2009, 09:34am (GMT+1)

 

(Skënder Buçpapaj : Frika nga atdheu, poezi, shtëpia botuese ,, Nacional", Tiranë, 2009)

 

 

Pas disa veprave poetike dhe një pune të madhe me një penë të mprehtë në fushën poblicistike, që si duket e ka vokacion, Skënder Buçpapaj, tani para dashamirëve të poezisë, del me një përmbledhje voluminoze vjershash me afro 300 faqe, duke iu ofruar lexuesve pjekurinë poetike dhe mundësinë për të gjetur motive ndër më të ndryshme; pra mundësi për të zgjedhur. Takimin e parë me shkrimet e tij e kam pasur përmes revistës ,, Hylli i Dritës", numër i posaçëm i vitit 1996, ku del me një artikull në nivel studimi shumë interesant me titull ,, Sovran i letrave tona" , që bënte fjalë për shkrimtarin më të madh të traditës, Gjergj Fishtën. Tani komunikojmë me një përmbledhje poezish, ku e ka shkrirë talentin  dhe shpirtin e vet në to, dhe, për më tepër, duke u bërë  hero lirik i poezive të veta. Atë e gjejmë, po e përdorim një shprehje popullore, kambë kryq në ato poezi, por semantika e shprehjeve letrare shtrihet më gjerë dhe merr përmasa të përgjitshme, ku individualja bëhet tipike, nga se ato çka i kanë ndodhur poetit, çka i ka përjetuar ai, nuk janë vetëm të tijat.

 

Numri më i madh i poezive ka të dhëna autobiografike me emër e mbiemër të heroit, Skënder Buçpapaj, dhe me emërtime konkrete të emërvendeve. Prandaj, pa e lexuar fare biografinë e tij, e gjejmë të dhënë në vargje se  ka lindur në fshatin Tplan të Tropojës, se ka shërbyer arsimtar në fshatin Berishë, se iu ka dashur për shumë arsye ta braktisë atdheun, të emigrojë dhe t'i përshtatet një jete tjetër, por të mos e harruar asnjwherw vendlindjen. Po para se të vazhdojmë jetën e tij, kujtesën rinore, përjetimet e ndryshme, t'i kthehemi fillimit.  Që nga vetë titulli jo i zakonshëm i veprës ,,Frika nga Atdheu", e përshkuar nëpër damarët e një vargu vargjesh e poezish të tëra, hasim në figurën e kontrastit, e cila poetikisht e bën interesant poezinë, ndërkaq kuptimisht, ndonjëherë, të vë para dilemave. Këtu figura poetike e dhënë në formë kontrasti, ku togfjalëshat poetikë : frika nga atdheu, ikja nga Atdheu, a ikjet e mia nga vendlindja ia kanë zënë vendin dhe frymën asaj që ne jemi mësuar ta dëgjojmë në jetë e në vargje: dashuri ndaj atdheut, ndaj vendlindjes.

 

Megjithatë lexuesi i vëmendshëm i këtyre poezive do të hetojë se nuk është krejt ashtu, se heroi lirik Skënder Buçpapaj nuk e mohon as e injoron atdheun, se kudo emrin e tij e shkruan me shkronjë të madhe Atdhe, por nganjëherë mund të ndodhë e t'i plasë zemra! Kësaj përmbledhjeje i prin një shkrim i bukur poetik, kushtuar nënës së vet, Gjylë Buçpapajt, me titullin qendror ,, Udhës për tek nëna". Është ky shkrim në mes poezisë dhe prozës, ku janë mpleksur shprehjet më të  bukura, stili më i ngrohtë, figurat më të qëlluara, nën kulmin e epitetit Shpirti i Madh. Do ta quaja një lloj Ode për vdekjen e nënës, për veprën e madhërishme të saj, për shpirtin bujar, e cila ishte një besimtare që iu bindej ligjeve të Zotit dhe e pranon vdekjen, por kishte dëshirë që djali i saj të jetë i pavdekshëm.

 

Tek e fundit le të ketë çfarëdo statusi letrar, as që ka rëndësi, pra le të jetë poezi, prozë poetike, biografi poetike, përkushtim poetik, çfarëdoqoftë, është një shkrim i shkruar me mjeshtëri të rrallë, i shkruar me shpirt, që rrallë haset në veprat tona. Nëna, si nëna, e ka përcjellë kudo në jetë, siç thotë poeti dhe vetë heroi lirik, nga koha si nxënës, ushtar, student dhe më në fund ikanak.

             

                Vetëm duke shpresuar të më takonte mua

                Sërish e prapoi vdekjen për vite e vite të tëra.

                   Dhe kur kuptoi se nuk po shkoja dot te ajo, atëherë vendosi

Të shndërrohej në shpirt për të ardhur tek unë.

 

 

Poezitë e Skënder Buçpapajt rrahin dy ambiente frymëzuese dhe krijuese: i pari është vendlindja, gjegjësisht Atdheu. Dhe, i dyti, si mërgimtar jashtë tij, i përballur, si të gjithë mërgimtarët, me jetën më të rëndë. Këndej, në ciklin e poezive, edhe pse të shkapërderdhura, mbi jetën e tij personale përfshihet edhe tema e mërgimit, si një ndër plagët më të rënda kombëtare dhe shoqërore. Një numër i poezive merr frymëzimin nga kujtesa e ditëve të rinisë, nga ambienti i vendlindjes, ku janë përmendur një varg emërvendesh, të cilat i kujton me përmallim si: Hija e Malit të Vaut, Hija e Vallnijave, Hija e Moknit, Dimër në Curraj të Epër, poema e Tplanit, Lugu i Vrellës, Bjeshka e Brahimajve etj. Disa kujtime i lidhen me kohën kur ishte mësues në fshatin malor, Berishë, dhe takimi i mundshëm me ujqër në kohë dimri, me ç'rast ata i afrohen mësuesit me hapa të ngadalësuar, sikur donin ta nderonin atë. Në qoftë se ujqërit e kanë kuptimin e parë, dhe duhet ta kenë se për çudi  tregojnë butësi, atëherë kuptimi tjetër mund të jetë ironik, ku më tepër, ndonjëherë, tregon kafsha butësi sesa njeriu!

 

Po edhe poezia ,, Shëngjergji i Berishës, dikur" është pjesë e biografisë së poetit, e asaj të ditëve të rinisë, kur udhëtonte për të dhënë mësim.                Ndërkaq përshkrime e kujtime të çuditshme nga koha e rinisë, si nxënës i shkollës e sjell proza poetike ,, Biblike", për të vazhduar dikur nëpër vargje ,, A kapello e ujqërve të fëmijërisë sime" ku semantika e fjalës ujk, bart me vete kohët e frikës e të tmerrit, të anktheve e të drojës, ku ulërima e ujqërve i ka ngrirë buzëqeshjet e fëmijëve. Ato ulërima i bëhen heroit se ende po i ushtojnë në vesh. Fëmija mban mend shumë !

 

Tani në këtë mes motivesh krijohen poezitë gjithnjë me ndjenjat e pasigurisë, por bukuria e artit të poezisë i mposhtë ankthet e jetës, përkundër faktit se :

                              

                       Futën e natës e kisha në trup veshur

                                                                              ( Lindja e hënës në pyll)

 

                Ishte kohë mjegullnajash politike, ku lehtë mund të zinte kallukanxha ,, Saga e Kallukanxhës" ku :

               

Mjegullat s'të lënë të shohësh

As gishtin që të futet në sy

 

 

Duke e përcjellë jetën e vërtetë në këso rrethanash, poeti e përshkruan natën si kohë ku ndodhin veprat më të liga të njeriut. Poezia ,, Zoti e krijoi natën" ka kuptime shumështresore, por që kuptohen lehtë :

               

(Zoti) nuk kishte parashikuar

                                               Që njeriu

                                               Ta shpërdorte natën

               

 

Dhe si rezultat i gjithë kësaj jete të druajtur, jete e pajetuar, nisin hapat për të gjetur qetësi diku tjetër, jetë çfarëdoqoftë, por jashtë atdheut dhe për heroin e poezive nisin ikjet. Kështu u krijua poezia ,, Ikjet e mia nga vendlindja", që është poezi që përmban thelbin e përmbajtjes së veprës, që shumësi i fjalës ikje, ka si nëntekst përpjekjet e disahershme për të ikur, ose lëvizjet e poetit edhe brenda atdheut. Prandaj kjo poezi, së bashku me poezinë ,, Frika nga Atdheu'' , me kuptime metaforike të mveshura me ironi, e përthekojnë përmbajtjen e veprës. Janë si një shfryerje e mllefit të poetit . Ikjet asnjëherë nuk bëhen me dëshirë, as me kohë të mirë, por në kohë të pakohë, shi e borë, por më e rënda për poetin paska qenë kjo :

                              

                        Kam ikur duke i lënë të gjithë në gjumë !

 

 

Tani fillon akti i tretë i përjetimeve që te lexuesi zgjon ndjenja dhembshurie, por edhe kënaqësie sepse ato janë gdhendur bukur në vargje. Tani poeti ,, i frikësuar " nga atdheu, detyrohet t'i përshtatet një jete tjetër prej emigranti, këndej poezia që e emërton edhe veprën ,, Frika nga Atdheu" buron nga ndjenjat e poetit larg atdheut, që sipas mendimit tim, është ndër poezitë më të veçanta me këtë motiv. Ndonëse poeti i sjell pëjetimet e veta, mendimet dhe shqetësimet shpirtërore, ai më vete bart jetën e të gjithë mërgimtarëve, të cilët, kush e di për sa arsye, e kanë lënë atdheun e tyre e tani nuk kanë ku të kthehen se vërtet i frikësohen asaj jete :

 

                                               Nëpër udhët dhe udhëkryqet e botës

                                               Shpesh emigrantët

                                               I përplasin këpucët

                                               Se mos iu është ngjitur Atdheu

ose ;

                                               Se mos në oborr

                                               Iu shfaqet Atdheu

                                               Që ka ardhur të kërkojë strehim

                                               Nëpër botë.

               

E keqja sikur iu ka bërë bisht dhe i shkon mbas e nuk i ndahet poetit as të tjerëve. Kjo e keqe e simbolizuar përmes korbit, që shpeshherë përmendet në vargjet e poetit i bën ,, shoqëri" kudo :

                              

                                               Korba lashë atje

                                               Korba gjeta këtu

 

Në poezinë me një titull të gjatë, një shprehje e veçantë e poetit edhe për poezi të tjera ,, Udhët e botës fillojnë të gjitha në kodër të Tplanit" vërejmë një dukuri tjetër psikologjike : ndryshimin e emocioneve, të cilat një ditë, në dhe të huaj, edhe mund të shterren, megjithëse, në poezi, ngjallin ndjenja të tjera:

 

                                Emocionet

                                Si lëngjet e jetës pemën

                                E braktisin njeriun

 

Në dhe të huaj jo vetëm jeta, por edhe vdekja ka tjetër pamje dhe tjetër kuptim; është vdekje e ftoftë dhe më prekëse se ato në vendlindje; vdekje ku dallohen të vdekurit :

               

                                Udhëtar

                                Varri i mërgimtarit dallohet lehtë

                                Nga ferrat, kashtrojat, hithrat

                                Sipër tij

                                               (Varri i mërgimtarit në dhe të huaj)

 

Në rrethin e këtyre poezive me elemente autobiografike, gjithnjë edhe të mërgimit hyjnë edhe ato më personalet kushtuar E. B-ës, që nuk është e vështirë të dihet se kush është. Tani heroi lirik Skënder Buçpapaj bëhet personazh i shpërfolur, se e ka kapluar harresa, se iu kanë shlyer ndjenjat e të tjera që e ngarkonin jetën e E.B-ës dhe kur këto thuhen se largu krijojnë ndjenjën e dyshimit, e sidomos e përfolura e hidhur e dhënë me një varg shumë të fuqishëm e me figurën e hipërbolës:

 

Një lëndinë pushon sipër tij !

 

ose, me emër e mbiemër të heroit lirik :

                              

Ta paskan thënë Skënder Buçpapaj s'vjen më!

 

Këto vargje të bukura, por të dhembshme na kujtojnë poetin Azem Shkreli, i cili kur shkruan për mërgimtarët thotë :

 

                                Kur shkojnë tanët

                                Binarët i marrin me vete

 

Mirëpo nuk doli siç patën thënë gojëkëqinjtë se heroi është hero, e bën edhe të pamundshmën, Skënder Buçpapaj kthehet në frymëmarrjen e E.B-së, duke i thurrur vargjet më të bukura për të dhe duke i mbështjellë me simbole e epitete të bukura:

               

                        Hënë e madhe, hënë e gjallë.

 

Kur thamë dikur më lart se heroi i poezive, që është vetë autori, ka frikë nga atdheu, e ne që kemi jetuar me të dhe me kohën e tij e kuptojmë dhe e arsyetojmë, kishim të drejtë. Me zemër të plasur njeriu mund të shprehë mllefin ndaj çdo kujt, mund të flasë e të shkruajë, por zemra e vërtetë e poetit nuk mund të rrëzojë gur mbi atdheun, të cilin gjithnjë e shkruan me shkronjë të madhe. Se Skënder Buçpapaj, me emër e mbiemër në poezi, mësuesi në Ibërhasaj të Gashit, me gjithë përplasjet nëpër botë, shqetësime e zhgënjime, me lëvizje ndjenjash nuk do t'i lërë gjithmonë në pritje plepat vet!

 

                  Pasi të ketë lënë në pritje të gjithë plepat e botës

                  Do të rikthehet përsëri te plepat e vet

                                                                                              ( Plepat)

 

Poeti, Skënder Buçpapaj, shpirtin, qetësnë, dashurinë i lidh me atdhe, prandaj edhe u bie mohit disa vargjeve që dora ia ka qitur në letër, ndërsa zemra jo dhe shkruan :

               

                                Sa plisa, gurë, bimë e zemra

                                Aq urime të bardha qofshin

                                Për ju që ende frymoni në vendin tim

                                Bukë, vaj, verë, qoftë për ju.

 

Poezinë e Skënder Buçpapajt e karakterizojnë edhe motive të tjera, të cilat e begatojnë aspektin artistik dhe veprën e bëjnë më tërheqëse dhe më të pëlqyer për lexuesit. Ndër këto poezi, në fillim, do të veçoja ato që mund të quhen përshkruese, që janë karakterizuar me ngjyrime të bukura dhe që kanë të bëjnë me ambientin ku është rritur poeti.

 

Një e tillë është ,, Spektër nate" ku gjithnjë si vend i adhuruar na del pylli :

 

                                Drita që lëshon pylli natën

                                Ka dritën e gjumit të zogjve

                                Drita që lëshon lumi natën

                                Ka ngjyrën e gjumit të peshqve

ose

                                Dielli del prapa malit

                                Si marimanga pëlhurën e vet

                                End rrezet e veta

                                Për t'i zënë pritë

                                Ditës së re

                                                               (Dielli si marimangë)

 

                                                               

 

Në leksikun e tij poetik shumë natyrshëm hyjnë  fjalët : florë e zbutur, era në lule, krojet, kujtesa e lumit, poezi për barin, që pos ndonjë ngarkese figurative të fshehur, kanë më tepër karakter përshkrues.

 

Po në gjithë këtë libër prej afro 300 faqesh autori ka mundur të bëjë edhe lojë me vargje me ngarkesë satirike, në mbështetje të artit popullor dhe të vërë tituj poezish marrë drejtpërdrejt nga poezia popullore, se ndoshta ia kujtojnë kohën e fëmijërisë e të djalërisë.

Në të parat, ndonjëherë e vë në lojë edhe jetën politike, pikërisht të shqiptarëve, të cilët asnjëherë nuk ndihen të kënaqur me pushtetarët e vet. Kështu poezia ,, Rima " ndërtohet si një lojë fjalësh, ndërkaq poezia ,, Alushani, Balushani, Këmbëkanjusha, Qafëqurani" ka ngarkesë satirike, me theks të veçantë për jetën politike:

 

                      Demokracia s'është vetëm ha e pi e rri e , i e, i ëhë

                      Demokracia ka fut mbrapje, ka ndërskamca, ka skërbishte .

 

Këtu përmes Qafëquranit dhe Këmbëkanjushës vëhet në lojë e tërë politika e ditëve tona, sepse ata nuk kursejnë fjalë për ta njollosur, ofenduar e përqeshur njëri-tjetrin.

 

                   Je qyqan, vreman, shkulan, belban, shtramban, katran i zi

                   Ta dish mirë tha Balushani, bën partia edhe pa ty !

 

Ndërkaq në poezitë me tituj të këngëve popullore që nisin me ciklin ,, Moj e mira" si : Në ato kodra dhentë i lëshova, moj e mira në ortek të borës, moj e mira në hije të blinit, moj e mira te mulliri, e të tjera, pavarësisht se kujt i kushtohen, na e përkujtojnë kohën e rinisë, të dashurisë së pastër, ambientin e virgjër të rrafshit e të bjeshkës.

 

Por siç thamë, autori e shkruan ndonjë poezi në formë kaligrami për efekte të caktuara, sidomos me ato pamore. Ndër to mund ta përmendim poezinë ,, Fjala- Fjalës" që paraqet, sipas mendimit tim një bark të fryrë gati për pëlcitje.

 

                Fjala

                     Fjalës

                                Janë

                                     Hy

                                               Në

                                                    Shamatë

                                                    Shamatë

                                               Në

                                    Hy

                          Janë

                    Fjala

           Fjalës

 

Dhe vërtetë ajo që të fryen e të bën të pëlcasësh është fjala ; fjala e rëndë, e keqe, e pavërtetë. Le të jetë një formë e shpjegimit.

 

Një lloj kaligrami është edhe poezia , MATA NASA JKULLE" që mendoj se me një ndryshim shkronjash del titull logjik Matanë asaj kulle. Të tilla janë edhe poezitë,,Ushtrim" dhe ,,Tha "

 

Karakteristika të tjera artistike e gjuhësore në poezinë e tij janë, së pari përdorimi i titujve të shumë poezive në formë fjalish apo periudhash:

Më pëlqen ta dëgjoj heshtjen e pyllit , pylli nuk duron prishje qetësie, Detet, Oqeantet kanë frikë se mos shkon lumi t'i përpijë etj. Së dyti, përdorimi i kompozitave : bishtgjatët, gojëmbyllurit, sygacët etj. Së treti përdorimi i kontrasteve: bryma si shkrumb lulesh, bora- thëngjill i djegur, ose vargjet: mjer unë i lumi, Lum unë i mjeri ; Hyr o shpirt e dil o shpirt, Dil o shpirt e hyr o shpirt.

 

Përkrah shumë figurave poetike, si metafora e shpeshtë, epiteti, simboli, me një mjeshtëri të rrallë ka përdorur figurën e aliteracionit, që mund të merret shembull tipik për ta ilustruar në aspektin teorik, funksionin efektiv të bashkëtingëlloreve. Këtë figurë e ka përdorur me vargje të tëra në poezinë  ,, Mnera  të merr syni me i pa " .

 

Errit e territ pusit të territ, sterrës së pusterrit

Spirrës e spirrës së zgripës rribës së Aprripës

Sorra ngranatorrë korri në oborr morrin qorr

 

Për fund mund të themi se në përmbledhjen poetike ,, Frika nga Atdheu" Të Skënder Buçpapajt, ky ka poezi nga më të ndryshmet, shkruan në frymën moderne, sado që ngjarjet na duken krejt reale, me emra të njohur, me toponime të njohura, ato iu kanë nënshtruar një frymëzimi karakteristik, të veçantë dhe një dore të sigurt artistike.
Dr.Xhavit Aliçkaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Albumi i U2 më i miri i vitit 2009 (12.13.2009)
LE TË JEM UNË ZAMIRA...(Fragmente tregimi)Nga PIERRE-PANDELI SIMSIA (12.11.2009)
E ardhmja e Facebook (12.11.2009)
Oktavio Pac: Perëndimi kthehet nga Lindja në mbarimin e historisë (12.06.2009)
Albumi i Suzanë Bojle debuton No 1 në klasifikimet amerikane (12.02.2009)
Treichel prezantoi në Tiranë librin "I humburi" (11.29.2009)
Filmi 'Precious' - një histori nga Harlemi (11.27.2009)
Shpërthen debati për identitetin francezNga Associated Press (11.26.2009)
Të ecësh vertikalisht nëpër oqeanNga Pierre-Pandeli Simsia (11.23.2009)
Oprah Uinfri lë shown më 2011, për të filluar kanalin e saj televiziv (11.20.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]