VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSARI
Nga THANI NAQO

E Premte, 02.20.2015, 07:21pm (GMT1)


Livadhin kosit nën të fundmen hënë,
Bari psherëtin fshap-fshup, fshap-fshup.
Majëdirekut të mullarit vari limën e ngrënë
E gjysma e hënës m'u ul mbi sup.

Livadhin e fundit sonte kosit,
Hapësira e zhveshur më fut në trishtim.
Përçartazi flas... Nuk di ç'i mërmëris,
Gjoksbardhës nuselalë që u fsheh për dimërim.

Tehu i kosës fap-fap, fap-fup,
Nata u mpiks me klorofilin e tretur.
Gjarpëron mes yjeve një meteor, e u zhduk,
Prej syri më del një yll' i vockël, i mekur.

Hije dyshimtare pret tehu i kosës.
Gjysma e hënës mbi sup më rëndon,
I verrbër,qofsha, në anën tjetër të botës,
Dielli të më shohë, mjafton!...

Brymohet streha e kapelës së vjetër,
Zemra e mullarit më fal shtratin me bar.
Në ardhtë bora, fshehur, si dhelpër,
S’ka ç’ të më bëjë: jam kosar!

2003-2015

THANI NAQO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.