XHIXHILÉ Nga THANI NAQO
E Djelë, 03.01.2015, 04:48pm (GMT+1)
Pa rënë muzgu ndezin zjarr, Hëna tundet porsi dajre. Ah, cigankat trupllastar, Përdredhin belin me tinguj gajde.
Ç'm'i thëthin sytë m'e vogla, Gjoksit varur një gjerdhan. Tring-tring-tring beli me gogla, Yjet qeshin, hëna qan.
Dum-dum-dumi fton në valle, Thikat presin flakn' e zjarrit. Ah, të kisha un' mustaqe, E një thikë si të ciganit!
Flak këpucët e çorrapet, Yjet qeshin, hëna qan. Si cigan përvesh paçet, "Xhixhile, aman, aman!"
Ze fryn flladi mbi rakita, Xhixhilea pëshpërit: "Që ta dish, kush thur kanistra, Varr nuk ka, botën shëtit."
Dum-dum-dum e jar-na-na, Flak' e zjarrit një thëngjill. "Xhixhile, të keqen nëna, S'është i yni, aman, mos dil!"
Çapëloj gjoksin e shtrydh zemrën, Qeshin hënëzat përmbi pellgje. -Xhixhile mos dëgjo nënën, - Lotojnë yjet përmbi shelgje.
E gdhij natën si cigan, Thur kasollen me rakita. "Xhixhile, të kam xhan..." "Oh, jam larg, po thurr kanistra..."
1970-2015
THANI NAQO
|