VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Ben Aflek në një film të ri për krizën e mediave dhe rrënimin e politikës E Martë, 03.31.2009, 09:15am (GMT1) "Fëmijët tanë do t'i lexojnë lajmet ekskluzivisht në laptopët e tyre. Shtypi i shkruar është një specie në shfarosje. Gazetat nuk do të ekzistojnë më." Ben Affleck flet për fatin e gazetave dhe të gazetarisë me rastin e përurimit të filmit të tij më të ri, State of Play, bazuar në miniserialin e famshëm të BBC të vitit 2003, film që del në shitje në kinematë amerikane më 17 prill, ndërsa në Europë më 30 prill. BEN AFFLECK: "Unë e vlerësoj lart besnikërinë dhe miqësinë. Varet nga rrethanat, natyrisht, dhe nga sa serioz është tronditja e së vërtetës. Është një nga gjërat interesante të miniserisë së famshme të BBC, tensioni midis etikës profesionale dhe ndjesisë sate të së mirës dhe të keqes." PYETJE: Filmi i zhvillon ngjarjet në një gazetë në krizë në prag të mbylljes, si shumë gazeta në Amerikë. Si do të bëhet pa to? BEN AFFLECK: "Mjerisht është një situatë që duket e pakthyeshme. E ndoshta fëmijët e mi do të më pyesin: vërtetë dikur ju i shtypnit të gjitha lajmet mbi letra dhe i çonit në çdo shtëpi? Duket një shpenzim i madh! E po të mendosh tashmë se teknologjia do t'i bëjë kompjuterat të përdorshëm për të gjithë, shtypi i shkruar duket vërtetë një shpenzim i madh!". PYETJE: Po ka ndryshuar edhe tipi i gazetarisë... BEN AFFLECK: "Absolutisht. Në këtë film shihet forca e një gazetari të vërtetë, e ndoshta do të jetë interesante e ardhmja e Internetit, ku ajo që ndodh në Mumbay mund të rrëfehet drejtpërdrejt nga dhjetëra bllogje prej nga do të dalë e vërteta. Demokratizimi global i gazetarisë mund të çojë në një standard mbi të cilin të mbështetet informimi ose ndoshta do të kthehet në një vërshim të tmerrëshëm gossipesh të zhurmshme dhe kaq. Natyrisht që është një situatë e frikëshme. Bash dje New York Times ka larguar nga puna 250 veta, e New York Times është një gazetë e pasur. Mendoji të tjerat..." PYETJE: Druan se do t'i ndodhë edhe kinemasë? BEN AFFLECK: "Shpresoj që kinemaja nuk do të ketë të njëjtin fat si shtypi i shkruar, dhe gjithsesi shpresoj se nuk do të ndodhë në mënyrë kaq marramendëse. Publiku do të dëshirojë gjithmonë t'i shikojë mediat, edhe nëse do të kenë tjetër format. E do të ruhet zakoni i të premteve në mbrëmje, është një ngjarje sociale të cilën gazetat nuk mund ta sjellin." PYETJE: Ju keni qenë një përkrahës i Obamës nga fillimi. Pas dy muajsh reflektimi për presidencën e tij si mendoni? BEN AFFLECK: "Natyrisht, unë besoj në rendin e tij të ditës dhe mendoj se është një lider i jashtëzakonshëm. Por është duke përballur sfidat më të rënda që ka përballur ndonjë president në 40 vitet e fundit: dy luftëra, kolapsi i ekonomisë, pritshmëritë e tepëruara ndaj tij. Eisenhower luante gjithë ditën golf në njëqind ditët e tij të para të presidencës së tij. Shiko çfarë bën Obama. Gjithsesi, po të shqyrtosh çdo veprim të tij, e shikon se jo gjithçka është e përkryer. Por nuk kemi pasur kurrë kaq nevojë si sot për një president i cili ta arrijë qëllimin e tij. Dhe Amerika, Europa, Azia, jemi si udhëtarë të anijeje të mbytur të kapur në një mjet shpëtimi, duhet të notojmë së bashku. Unë jam optimist e kam besim në Obamën." PYETJE: Pavarësisht suksesit të si regjisor Gone Baby Gone ju keni bërë filma të shumtë si aktor kohët e fundit, midis të cilëve The Company Men, një tjetër film mbi rënien ekonomike. BEN AFFLECK: "Në realitet film ka qenë shkruar para kësaj rënieje globale, e tani që ekonomia është në këtë gjendje, të duket si një pasqyrim i saj. Është historia e një viti në jetën e tre burrave që kërkojnë të mbijetojnë në një konvejer të downsizing të një koprorate të madhe. Jemi unë, Kevin Costner e Tommy Lee Jones, fillojmë xhirimin më 13 prill." PYETJE: Pra nuk do të kthehesh në regji? BEN AFFLECK: "Po, tek një film që titullohet The Town por nuk jemi ende gati për ta filluar. Është bazuar në librin Prince of Thieves, e flet për një grup burrash që janë grabitës të armatosur të makinave në një lagje të Bostonit, e famshme pikërisht për këtë tip të grabitjeve. Një traditë e përcjellë nga babai te biri. Një histori tjetër shumë interesante./Elida BUÇPAPAJ Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |