VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Hendeli si kozmopolit
E Mërkurë, 04.15.2009, 05:28pm (GMT1)

Puna e Händelit në mbarë Evropën

 

Deutsche Welle - Ndër përsonalitetet më të njohura në historinë gjermane mund të gjesh dy lloj karakteresh: Në njërën anë ata të cilët kanë jetuar në një vend apo në një rajon, si filozofi Immanuel Kant apo kompozitori Johann Sebastian Bach dhe në anën tjetër ata që kanë udhëtuar nëpër botë, si Johann Wolfgang Goethe apo Georg Friedrich Händel. Këtë vit  shënohet 250 vjetori i vdekjes së këtij kompozitori dhe kozmopoliti të njohur.

 

Në përvjetorin e vdekjes së tij, më 14 prill, në vendlindjen e tij në Halle hapet një ekspozitë e madhe për jetën dhe veprën e kompozitorit të madh. Udhëheqësi i muzeut, Philipp Adlung thotë:

 

"Ai ka zotëruar të gjitha stilet e muzikës së kohës së tij dhe fliste shumë gjuhë. Ishte pra një evropian i vërtetë dhe kjo e bën që edhe sot të jetë shumë aktual dhe interesant..."

 

Händel u ndesh me muzikën që në fëmijëri. Mësuesi i tij Friedrich Wilhelm Zachow, i mësoi teknikën e kontrapunktit, organon, e ndoshta i lejoi edhe dirigjimet e para në kishë. Nga kjo kohë ka mbetur edhe një vepër, por nuk është e sigurt nëse Händeli me të vërtetë është autori...

 

 

Me 18 vjet Händeli u largua nga vendlindja. Më së shumti i interesonte opera, prandaj vendosi të shkojë në Hamburg. Në fillim luante në një orkestër, ndërsa me 8 janar 1705, u paraqit për herë të parë me operën Almira. Shumë shpejt Händelit iu bë e qartë se për të pasur sukses si kompozitor ishte e domosdoshme të zotëroje stilin italian. Prandaj vendosi që në pranverën e vitit 1706 të kalojë në Itali, ku qëndroi katër vjet. Në Venecie, Romë, Firence dhe Napoli ai trajtohej si yjet e pop-it ditëve të sotme.

 

Kur kompozitori Domenico Scarlatti në Venecie kishte dëgjuar një herë në një ballo me maska Händelin që i fshehur pas një maske luante në klavicembal, kishte bërtitur: "Ky ose është saksoni i famshëm ose është djalli vetë!" Opera e tij e parë e suksesshme ishte Agrippina.

 

Händeli me gjasë donte që tërë jetën ta kalonte në Itali. Por në vitin 1709 iu ofrua një vend pune në oborrin e princit Georg Ludwig von Hannover. Megjithatë vetëm një vit më vonë vazhdoi rrugën për në Londër, ku me disa ndërprerje të vogla, kaloi tërë jetën. Me operën italiane Seria, Händeli arriti suksese të jashtëzakonshme. Në King´s Theatre-in e tij kishte këngëtarët më të mirë të asaj kohe, si Francesco Bernardi, i quajtur Senesino...

 

 

Pas sukseseve me operat si Radamista, Giulio Cesare apo Rodelinda për Händelin dhe operën e tij filluan kohëra të vështira, sepse publiku në Londër nuk ishte më i interesuar për arie të gjata, në një gjuhë që nuk e kuptonte. Dhe këtu u dëshmua tërë aftësia e Händelit për ndryshime. Që nga viti 1740 filloi të krijojë një zhanër të ri: Oratorion anglez me arie dhe para së gjithash me kore të mëdhenj festivë.

 

Händeli dëshmoi kështu kozmoplitizmin muzikor. Pak ditë para vdekjes, në vitin 1759, Händeli luante edhe vet organo. Hallluja nga kjo kohë është vepra e tij më e njohur, e njohur edhe sot në mbarë botën...Voal-online.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.