VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NJË LULE QË UDHËTOI NGA TIRANA NË HAIFA, IZRAEL. AJO VAZHDON TË LULËZOJË ATJE Poezi nga MIMOZA EREBARA E Martë, 01.18.2011, 09:17am (GMT1) SHALOM, LOTI IM! Kjo tokë, megjithëse larg toka ime, - s'më lëshon Me dashurinë tënde Të fshehur diku, Në thellësitë e indeve të mia Më mban në palcën e mos harrimit, Si lot', që kurrë nuk ra...  
FARA Haifa Për një lule që udhëtoi nga Tirana në Haifa, Izrael. Ajo vazhdon të lulëzojë atje... E vogël, E brishtë lulja, E vogël fara, Toka s'e mban Se Qielli i madh i Besimit E thërret, Atë, Farën, Të lulëzojë përjetë Në Kopshtin e shpirtrave të etur Ku Drejtësia Universale Merr udhë Njëlloj si Besimi im Për Ty Lule e Përjetshme Energjie reale Që Botën mban. Në të brishtat petale...
PARA PORTAVE TË DAVIDIT Me Portat e Tua Mbi supe, Lëviz nëpër botë. Mundohem t'i montoj Në zgavra shtetesh, Kombesh, Po ato nuk qëndrojnë Dhe kthehem, Me Portat e Tua në supe Qëndroj para Mureve të Lashtë, E aty, Lehtësisht i vendos. Moriah Nga lashtësia Flet me zë të paqtë Po kur eshtrat, Eshtrat e dashura, Kërkëllijnë, Lufta vjen në prag, E çdo degëz fërgëllon në gjak, Paqja vijëzohet në ajër Natën kur shndërron trajtë Nga frymët e të vrarëve Dhe tek ti kthehet, Tek ti, moriah! Fletëbutë besnike E ninullave të nënës Që foshnjen time në gjumë e vë Në një gjumë lashtësisht të kristaltë!   JAM NË TIRANË, POR NË JERUZALEM DUA TË JEM Atje, Ulliri i vjetër Nuk thahet, Kur trupin plot jetë ia përshkon Guri plot thepa, Hekuri i nxehtë e Koha e Ashpër, Atje, Ku gurët më flasin Me frymë, Si në lojën e hershme Të fëminisë, Dhe mozaikë Jete Formojnë Atje, Ku Koha ndalet Në Ardhmërinë e saj, Në ajrin e tij, një grimëz tekanjoze ekspansioniste, e trupit tim gjethor, dëshmitare e grykësisë së Hënës që gllabëron çati, kopshte e lehje qensh, ku buzët kthehen në viktima pasionesh përgjithmonë, Atje, Në Jeruzalem Dua të jem... TEK MURI I LOTËVE Jeruzalem E pafuqishme për ta ndalur, Kam lënë të më rrjedhë kaq shumë gjak Nga rrembat,ditën, natën, atëhere kur qyteti thyhet nga paqja që shkon e ftohtë, kryeneçe... e vizatohet në ajër me frymët tona të ngrohta Për zemrat, Me shpresën se një ditë, Nën hijen e Murit të Lotëve Lutja ime, Ndanë gurëve Ku thika plagos, besimin, dhe ajri përkëdhel çastin, aty ku guri më pret të më tregojë sekretin e Mbijetesës Që kurrë në kujtesën time Nuk vjetërohet Aty pres, që lutja ime Të marrë udhë ... NË DETIN E VDEKUR U zhyta në Detin e Vdekur Për të parë, Sa i vdekur ish Po mbeta aty, Duke rregjur lëkurën Në kripën e tij. HA- SHOAH* Në Yad Vashem, Muzeumin E Viktimave të Holokaustit. Si në një krematorium Digjen brenda meje Gruri, Kockat, Drita, Fryma, Shuhet çdo gjë Në HIRIN e ekzistencës Që shpirtin e mori në ajër Dua të ik' Dhe mbetem aty, E ngurtësuar, Si pëllumb i zi Në zgavrat bosh Të syve të bukur- dikur Kur jetën frymonin drejt Jetës Qëndroj, Për të gjetur të ngjashmen e vetvetes Në fushën ku gruri sapo u korr, Dhe ja ku jam Unë, Me kallirin e kujtesës Që fjalë më thotë mes tymit e hirit Të ziut tym të roztë! Më thotë: Sa e bukur ishte Shpresa ! Nën krahë fluturash vese! *Ha-Shoah- hebraisht, përkujtim PYES PLUHURIN Përmes Neghevit Ec shkretëtirës Ku Dielli përvëlon Eshtrat, Në pluhur I kthen Kujtimet, E i gëlltit thellë, Thellë, Rërës së nxehtë, Për të shpërthyer Më pas, Si oaz, Ku unë ndalem, Para se të vi, Tek ti, Qytetërim i Shekullit tim. NË ARAD Digjet qielli nga malli im Dhe për grimcash të ajërta Fluturon, tutje, tej... Drejt rërës dhe Gurit të shkretëtirës Që digjet nga fryma Që mua më përvëlon Teksa zhvesh dhe gacën e fundit Për ty, Guri im, I natës së artë, Ku ylli si shpirt i humbur Vjen në ëndrrën time Si përrallë e E padëgjuar ende Shkretëtirë,moj, djepi I frymës sime KAM NJË TEMPULL, KAQ MJAFTON Me fatin tim në krahë Po nisem Drejt Shenjave Të gjej Enigmën, Misterin, Magjinë e Dheut Që më zgjon, Turbullon, Në heshtje ulëritëse Më këndon Për Genin tim të humbur Shakave të Kohës. Shkoj atje ku Të vdekurit Flasin më shumë se të gjallët Në Tokën time, Që Udhën të më tregojnë -Shalom! KAM HARRUAR TË MBYLL DRITAREN Me rrezet e tua Ngatërrohem, Tek kërkoj atë, Të vetmen, Rrezen tënde, që drejt besimit Për ty më çon, Përjetësisht! VJESHTË NË TEL-AVIV Deti me ngjyrë shiu U vesh Dhe veten pa Në pasqyrën e qiellit blu Nuk i pëlqeu Ishte tepër blu, Tepër i bukur, I bukur deri në dhimbje Kishte pamjen e jetës Në ëndrra Ndaj e zhbëri, Dhe veshi me gri rigash shiu Çatitë Dhe qerpikun tim Në Tel-Avivin blu. GRATË E ASHDODIT Të heshtura Si petalja e parë Si fluturimi, Ecin, Butësisht krenare Sunduese, Tunduese Të Paqes Që rrezja bën në agim E tek ninzat-dritë Të fëmijëve Zhurmëmëdhenj. Çdo gjë të tyren lenë. PROFECITË Në Galile Lahem nën Profeci. Po uji i dielltë Shtohet E më mbulon krejt. Nuk është më Vetëm Profecia Ime Me mijëra më rrethojnë, S'kanë fytyrë, as moshë Se sytë tek Unë i kanë lënë, Që Unë të shoh Ato që Profecitë thonë Dhe të hesht Se Heshtja duhet tani. AUTOKTONE Mbi lëndinë të blertë Ngre shtëpinë e Ëndrrës time Me Dashuri Rrugën e shtroj Dhe për çati, Zemrën e ve Trishtimin le për gardh Ku vuajtja të mos hyjë E shpirt të japë kacavjerrë në të Dhe Vatrën e ngroh me Shpirt Dhe Llambën e Besimit Për udhëtarin ndez Mazal Tov! Dhe Jetën ushqej me jetë Vetëm atëhere jam në shtëpinë time, në ëndrrën time BAROUH HABA! Mirëseerdhët! Në fund të kokërrizave të rërës Më thonë :-Jeto! Më thonë: Se ajri është i yti Dhe dielli i gjithi për ty Macja të përshëndet me mjaullimë Veç ty, dhe Ulliri atje në fund, freskinë për ty e ruan më thonë me ngulm :-Jeto! Po rruga nuk është krejt e imja Majtas, dritare të gjelbërta, djathtas, dritare të kaltërta, lart, tela të mbushur plot rroba ngjyra-ngjyra, pa identitet, që presin të thahen nën diellin në rrugicën e ngushtë ku duhet të them deri tek ulliri, atje në fund -Erev Tov! Erev Tov! Dhe të gjej në gurin e kalldrëmit Kokërrizat e mia të rërës së shpirtit T'i gjej sa nuk është vonë, duhet t'i gjej edhe kështu si jam, trup-trung e kaltër si qiell sy-shpirt e gjelbër si bar EREV TOV (hebr.)-Mirëmengjes Perëndim në Izrael Perëndoi dielli mbi TelAviv U tret në muzg hija e peshkatarit Të vjeter, ndanë detit blu Në muzg u tretën ndërtesat Falafeli tek qoshku edhe për sot mbaroi Lulet e mbuluan veten me kujdes Vajzat ushtare i lanë të lira flokët, si ëndërrat,t'u derdhen supeve Gamilet si Sfinkse, u ulën të heshtura Shkretëtira e vetmuar foli me to Me gjuhë misterioze nën një rit Mijëravjeçar,të padeshifrueshëm Dhe beduini humbi nën sytë e malltë Dhe foshnjet ranë në gjumin e paqtë Arka e Noaha-s Nuk u nis, as në këtë perëndim Guri lëshoi në ajër gjithë nxehtësinë U mbyllën Bibliotekat, Muzeumet, po Qeshja e veshur gjysëmdiell e gjysëmnatë doli në rrugë.e lirë,e shpenguar,farfuritëse Qeshja, Mbi Ashdod, dhe mbi Arad, Masada me kohë i kishte fshehur plagët dhe qeshi me qeshjen Muri i Lotëve thirri pranë Shpresën Perëndoi dielli Në Tokën Time të ashpër -Dhe Loti im i butë perëndoi.... RIGJETJE Kërkoj lotin -rrëmoj në kockat e mia Dhe aty e gjej thellë të tulatur IDENTITETI Ne lindnim nën pemë Rriteshim rreth pemës Vdisnim të varur në pemë -ne ishim pemë Pa rrënjë, veç trung, pa gjethe, veç fruta -shkopinj të thatë Që lindnim nën rrënjë E vdisnim në degë Ku gishtat si krimbat Kokëfortë, hanë gjethet e fundit të vjeshtës. PËRSE NUK MË DËGJON AMOS OZ? (Një mendjeshkrepje e imja) Poemth Vërtitem rreth vetes Si macja rreth bishtit të saj Si Hëna rreth Tokës Rrezet i ngatërroj, ashtu kot, Dhe ty të kërkoj Amos Oz Kontinente, toka të panjohura Krekosen në mendjen time Më joshin me çdo gjë joshëse Me stinë rrezëllitëse gjelbërimesh Mbi male të mrekullueshëm, Lumenj farfuritës, kaleidoskop drite Dete kaltërsisht të kaltër Dhe presin që unë të ngrij Por e kotë... Përse nuk përgjigjesh Amos Oz? Gjuha jote është dhe e imja Unë të kuptoj dhe kur nuk flet Por sytë mbi shkretëtirë i tret Unë të kuptoj edhe kur dhimbja E Profecive të heshtura Ty të sëmbon thellë, Aq shumë, sa mua më vret Përse nuk më dëgjon Amos Oz? Ushtojnë në kokën time klithmat Mijëra vjet sillen klithmat Si korbat Në kërkim të presë Ti, i dëgjon, apo jo, Amos Oz? Shkretëtirës së zbehtë Lehonë e pafëmijë Lotngrirë Por unë nuk dua të jem preja e saj më e re Në lumenj gjaku Nuk dua të dashuroj Dhe në shtratin gërrnjar të historisë Nuk dua të harroj kush jam Tek ngjiz fëmijën tim frymëdrite Aroma ime në atë çast dua Të jetë, thjesht, e mrekullueshme, Epshndjellëse, këndellase -aroma ime, -rëra e nxehtë e dëshpërimit tënd Fluturon, Kufomë, Në tokën e lagët, në tokën e njelmët, Ku trishtilat këndojnë Nën gonxhet e fundit në pyll Që shtrat i bëjnë gjumit të birit Dal. Ec. Përkëdhel kalldrëmin E rrugës sime të lirë Dhe qesh me vete, se e lirë jam! Këtu, Ku bota nuk ka kufij Dhe ku unë eci kokëlartë Dhe vetes i them E marrë! Amos Oz nuk të njeh Të përgjigjet si pret? Në të tjerë kalldrëmë ecën Në tjetër jetë Dhimbje të tjera le pas Në të gjaktin kalldrëm E di, Që ti ecën në një kalldrëm drite Të gurtë, të sertë, Ngadalë, ngadalë, Përdore me Profecinë e Shenjtë Dhe Yllin në krah Kur notat e trishtuara të muzgut Bëhen aroma ime Qeshja nis nënbuzë Arratisjen nga gjumi, nata Në kërkimin tënd Amos Oz Ti, i panjohur, me trajtë, me emër Shëmbëlltyrë dashurie e besimi Të përbotshëm Ti, më dëgjon Amos Oz? ... 2010, Durrës, dhjetor. MIMOZA EREBARA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |