VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PO ERDHE NË "ELDORADO", I DASHUN MIK, MERR ME VETE PAK UJË TË KRITË VALBONE

Poezi nga XHENC BEZHI


E Djelë, 01.30.2011, 05:09pm (GMT1)

 

Ky diell i paktë

As pranverë,

as vjeshtë;

as zgjuet,

as fjetë.

Pak verë,

dimën shumë

Dielli i zbehtë,

portokall,

krejt pak dritë,

pa ngrohtësi,

yni i kuq all.

I ngrysun si kjo ditë

prej pune ,

drejt shtëpisë;

nata e jona,

dita e zotnisë

Kjo ditë

me diell kaq të paktë,

më ndrysh,

gjak e lak,

një ditë ma shumë

asht

një ditë ma pak.

Për një kore bukë,

mundqarë

pse s'deshtem me lypë,

pak bukë

të ngjyeme në lot

e të lidhun

në grykë.

Rinia -

e trishtë,

përditë e ma e largtë,

e ardhmja -

e zbehtë,

si ky diell i paktë.

--

PA VIZA

Po erdhe në "Eldorado",

i dashun mik,

merr me vete

pak uji të kritë Valbone,

si lang bore,

porsa dalë nga gurra.

Merr edhe do kangë majëkrahu,

te epit malësor

e me ta

jehonën e maleve.

Nga thellësia e Nanëtokes,

një grusht dhe

të pastër nxirre,

prej aty

ku gjaku i përziemë

s`arriti ta ndotë.

Hinin e Dardanisë

së shkrumueme

ma sill,

që prushin e mërgimtarit

të pafikun

ta ruej.

 

Salzburg

Nentor 2010

--

 

 

Arena

Në arenën e kryeqytetit

gladiatorë

të moshuar,

të ri,

binin shtri

me urdhën

të të vetëve

a t' atyne karshi.

Ata,

nga të dyja anët,

vinin baste

dhe ndiqnin me dylbi,

krejt të qetë,

me një zgërdhimje

të lehtë.

Me gishtin e madh

tregonin

kush të vritej,

kush të falej,

egon e tyne kënaqnin

në lojën me gishta

perandorët

bisha.

 

Janar 2011

Kulla

Kulla do odë burrash

e pleq me urtì;

nder e za do kulla,

do edhe frëngji.

Jo jo, kullë s'ash ajo

pa kuvend burrash,

po kullë s'asht as pa të rijë

Kulla asht kullë

kur besa asht besë

e fjala peshon sa mali me borë,

e kurrëkush s'e shklet.

Kulla asht kullë

kur t'hapun derën mba' ,

e të mbylluna shtigjet

e pabesisë ajo i ka.

Kulla, si ura,

që dy brigje bashkon,

burrat dy herë i ban burra

e tri herë sa kulla

i nalton.

 

XHENC BEZHI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.