E Premte, 03.29.2024, 02:22pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 
MARIO VARGAS LLOSA: NUK KISHTE ASGJË MË TË VËSHTIRË SE TË SHKRUAJE HISTORIRA
E Enjte, 02.03.2011, 11:28am (GMT+1)

Gënjeshtrat e letërsisë bëhen të vërteta përmes nesh, lexuesve të saj, të ndryshuar, të mbushur me dëshira për shkak të trillimit, duke e vënë gjithnjë në çështje realitetin e rëndomtë. Nëpërmjet kësaj magjie që na përkund me iluzionin se kemi diçka që nuk e kemi, se jemi çfarë nuk jemi dhe se hyjmë në atë ekzistencën e pamundur ku, si zotër paganë, ndihemi njëherësh tokësorë dhe të përjetshëm, letërsia fut në mendjet tona jo-konformizmin dhe kryengritjen, të cilat qëndrojnë nga pas të gjitha arritjeve që kanë ndihmuar në pakësimin e dhunës në marrëdhëniet njerëzore

Siç është traditë tashmë, më 7 dhjetor, në orën 17.30 me orën e Stokholmit, mbahet fjalimi i shkrimtarit nobelist. Këtë vit, radhën e kishte shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa. Fjalimi zgjat në përgjithësi rreth 45-50 minuta dhe është i ndërtuar sipas dëshirës sovrane të shkrimtarit. Sepse jo gjithkund mund të flasim për ç'të duam, për shembull, mbase nuk e dini por pranimet e reja në Akademinë franceze kanë një protokoll që s'mund t'i shmangesh : i pranuari i ri duhet të mbajë një fjalim mbi akademikun të cilit i ka zënë karrigen (me numër). Duhet thënë se ka pranime të reja vetëm kur lirohen karriget, domethënë kur një akademik vdes (kjo është arsyeja që ata quhen ndryshe "të Pavdekshmit". Por në Stokholm, asgjë nga e tërë kjo.

Disa fjalë mbi fjalimin : në përgjithësi, më pëlqeu. Nuk është se u mahnita, kam lexuar edhe më të bukur. Ndër dhjetë fjalimet e fundit, për shembull, do të veçoja Pamukun apo dhe Müllerin. Gjithsesi, Llosa është shkrimtar i madh dhe, sipas të thënave që qarkullojnë në botën letrare, këtë vit fituesi kishte një vepër të vërtetë pas vetes. Llosa e kishte titulluar fjalimin e tij : Elozhe ndaj trillimit dhe leximit. Nga titulli, hamendjet e para që mund të nxjerrim janë dy llojesh : ana letrare e fjalimit, dhe ana politike. Sepse ndërsa trillimi është pastërtisht letrar, leximi mvesh dhe një përbërëse tjetër politike, ngaqë të gjithë e dinë se leximi nuk është thjesht një argëtim apo kalim kohe e lirë, por është një akt i qëllimshëm në botë.

Duke pasur parasysh se Llosa ka marrë pjesë tashmë në jetën politike peruane, ndonëse një pjesëmarrje dështake në zgjedhjet presidenciale të vitit 1990 ka humbur ndjeshëm përballë një kandidati asokohe të panjohur, Alberto Fujimori , e pamundur të mos pritej që fjalimi i tij të përzihej me politikën. Mirëpo, grabuja e tij ka synuar goxha gjerë.

Sidoqoftë, në fillim, Llosa përmend shumë shkrimtarë të mëdhenj të cilët i mban për mjeshtrit e tij :

"Nuk kishte asgjë më të vështirë se të shkruaje historira. Duke u kthyer në fjalë, projektet vyshkeshin në letër, idetë dhe imazhet përthyheshin. Si t'iu jepja frymë? Fatmirësisht, mjeshtrit ishin aty, për të mësuar prej tyre dhe për t'iu ndjekur shembullin. Flauberti më ka mësuar se talenti është një disiplinë këmbëngulëse dhe një durim i gjatë. Faulkneri, se forma shkrim dhe strukturë është ajo që i pasuron ose i varfëron subjektet. Martorell, Cervantes, Dickens, Balzac, Tolstoi, Conrad, Thomas Mann, se sasia dhe ambicia janë po aq të rëndësishme në një roman sa ç'janë shkathtësia stilistike dhe strategjia rrëfimore. Sartre, se fjalët janë veprime dhe se një roman, një pjesë teatri, një ese, të lidhur me aktualitetin dhe me zgjedhjen më të mirë, mund të ndryshojnë rrjedhën e historisë. Camus dhe Orwell, se letërsia pa moral është çnjerëzore, dhe Malraux, se heroizmi dhe poezia epike e kishin vendin e tyre në aktualitetin e pranishëm po aq sa ç'kishte pasur vend Iliada dhe Odisea në epokën e Argonautëve".

Pastaj, duke vënë në dukje mospërputhjen mes vendit të tij, Perusë, ku numri i lexuesve është fare i pakët, dhe zellit të tij për t'u bërë shkrimtar, Llosa ngulmon mbi vetitë e trillimit :

"Pa librat e mirë që i kemi lexuar, ne do të ishim më të këqinj nga ç'jemi sot ; do të ishim më konformistë, më pak të shqetësuar, më pak të pabindur, dhe fryma kritike, si nxitës i përparimit, as që do të ekzistonte. Njëlloj si të shkruarit, të lexuarit është ngritje zëri kundër skamjeve të jetës. Ai që kërkon tek trillimi atë që nuk e ka, shpreh, dhe pa kurrfarë nevoje për ta thënë këtë apo dhe për ta ditur, se jeta e tillë siç është nuk mjafton për ta shuar etjen tonë për absoluten si themel të kushtit njerëzor, dhe se ajo do të duhet të ishte më e mirë. Ne sajojmë trillime me qëllim që të mund të jetojmë në njëfarë mënyre jetët e shumta që do të donim t'i kishim, kur në fakt ne zotërojmë mezi një të vetme".

Më poshtë, duke u futur në çështjet e epokës sonë, ai vë theksin mbi gjëmat e fanatizmit, qoftë ky ideologjik apo fetar. Dhe këtu, Llosa nuk mjaftohet thjesht t'i fshikullojë këto fanatizma por edhe bën thirrje për t'i përballur ato dhe thyer njëherë e mirë :

"Si të gjitha epokat që kanë njohur frikat e tyre, epoka jonë është ajo e fanatikëve, e terroristëve vetëvrasës, një specie e hershme e bindur se duke vrarë shkohet në parajsë, se gjaku i të pafajshmëve lan fyerjet kolektive, ndreq padrejtësitë dhe vendos të vërtetën mbi besimet e rreme [...] Këtyre iu duhet prerë rruga, ata duhen ndeshur dhe shpartalluar. Nuk janë të shumtë, ndonëse buja e krimeve të tyre ka pushtuar tërë planetin dhe ne jemi të tmerruar nga tërë ky ankth. Ne nuk duhet të trembemi përballë atyre të cilët do të donin të na grabisnin lirinë që ne e kemi fituar në procesin e gjatë dhe heroik të qytetërimit. Le ta mbrojmë demokracinë liberale e cila, pavarësisht të metave të saj, nënkupton ende pluralizmin politik, bashkëjetesën, tolerancën, të drejtat e njeriut, respektimin e kritikës, ligjshmërinë, zgjedhjet e lira, ndërrimin e pushtetit, gjithçka që na ka nxjerrë nga jeta e egër dhe na ka afruar pa e arritur asnjëherë me jetën e bukur dhe të përkryer të përshkruar nga letërsia, atë të cilën mund ta meritojmë vetëm duke e shpikur, shkruar dhe lexuar. Duke u ndeshur me fanatikët vrasës, ne mbrojmë të drejtën tonë për të ëndërruar dhe për t'i bërë ëndrrat realitet".

Pastaj Llosa ndalet pak në shtegtimin e tij në Evropë, sidomos në Paris, ku thotë se ka mësuar shumë gjëra për popullin dhe vendin e tij, dhe për të cilin ndihet mjaft krenar. Ai thekson se fakti që ka jetuar në shumë vende të botës nuk e ka bërë të ndihet kurrë si një i huaj, porse nga ana tjetër, kjo nuk ia ka shuar kurrë dashurinë për vendlindjen. Madje, nga vetë kjo dashuri, ai e ka kritikuar disa herë Perunë dhe ka bërë thirrje për sanksione kundër saj në kohën e grushteve të shtetit. Ka pasur zëra dhe madje janë munduar t'ia heqin nënshtetësinë peruane si tradhtar. Ka qenë Spanja ajo që i ka dhënë një nënshtetësi të dyfishtë, kur nuk dihej ende si do të ishte përfundimi i çështjes së tij peruane. Një mendim të veçantë, Llosa e shpreh për Barcelonën si pikëtakimi i mjaft artistëve latino-amerikanë, të ikur nga juntat ushtarake dhe ku merrnin pjesë, rastësisht, në demokratizimin e vendit pas rënies së Frankos. Gjithashtu, Llosa ngulmon në luftën pa lëshime ndaj nacionalizmit, por duke bërë sidoqoftë dallimin mes nacionalizmit dhe patriotizmit :

"Por nacionalizmi me llapat e tij të syve dhe me refuzimin e « tjetrit », gjithnjë burim dhune, nuk duhet ngatërruar me patriotizmin, një ndjenjë e shëndoshë dhe zemërgjerë, dashuri për tokën ku jemi lindur, ku kanë jetuar stërgjyshërit tanë dhe ku janë farkëtuar ëndrrat e para, peizazh familjar gjeografish, qeniesh të shtrenjta dhe ngjarjesh të cilat bëhen pika kyç të kujtesës dhe mburoja kundër vetmisë. Atdheu nuk është as flamujt as himnet, as fjalimet e stërditura mbi heronjtë emblematikë, por një grusht vendesh dhe personash që popullojnë kujtimet tona dhe i ngjyrosin ato me mall, është afshi dhe ndjesia e nxehtë se, kudo që të jemi, ekziston një vatër në të cilën mund të kthehemi një ditë".

Më poshtë, duke iu rikthyer edhe njëherë letërsisë, ai thotë :

"Të arrish të ndjesh marramendjen ku na shtyn një roman në ngjizje, kur ai merr formë dhe duket se fillon të jetojë në llogari të vet, me personazhe që lëvizin, veprojnë, mendojnë, ndjejnë dhe kërkojnë respekt, të cilët nuk mund t'i detyrojmë më për një sjellje të caktuar dhe që nuk mund t'ua heqim ndryshe pavarësinë përveçse duke i vrarë, pa bërë që historia të humbasë pushtetin e saj bindës, e tillë është pra përvoja që më josh po aq sa herën e parë, po aq e plotë dhe marramendëse siç kur bëjmë dashuri me gruan e dashur të ditëve, javëve dhe muajve, pa u ndalur".

Dhe Llosa përfundon :

"Nga shpella në rrokaqiell, nga huri në armët e shkatërrimit në masë, nga jeta tautologjike e tribusë në erën e globalizimit, trillimet e letërsisë i kanë shumëfishuar përvojat njerëzore, duke penguar që të gjithë, burra dhe gra, të mos biem në gjumë të thellë, të mbyllur në vetvete, të nënshtruar. Asgjë nuk ka mbjellë aq shqetësim, tronditur aq imagjinata dhe ngjallur aq dëshira sa kjo jetë gënjeshtrash që, falë letërsisë, ia shtojmë asaj që kemi, me qëllim për ta njohur aventurën e madhe dhe pasionin e madh që jeta e vërtetë nuk do të na e japë kurrë. Gënjeshtrat e letërsisë bëhen të vërteta përmes nesh, lexuesve të saj, të ndryshuar, të mbushur me dëshira për shkak të trillimit, duke e vënë gjithnjë në çështje realitetin e rëndomtë. Nëpërmjet kësaj magjie që na përkund me iluzionin se kemi diçka që nuk e kemi, se jemi çfarë nuk jemi dhe se hyjmë në atë ekzistencën e pamundur ku, si zotër paganë, ndihemi njëherësh tokësorë dhe të përjetshëm, letërsia fut në mendjet tona jo-konformizmin dhe kryengritjen, të cilat qëndrojnë nga pas të gjitha arritjeve që kanë ndihmuar në pakësimin e dhunës në marrëdhëniet njerëzore. Në pakësimin e dhunës, dhe jo në zhdukjen e saj. Sepse e jona do të jetë gjithmonë, fatmirësisht, një histori e papërfunduar. Ja përse duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë, të lexojmë dhe të shkruajmë, kjo është mënyra më e frytshme që kemi gjetur për ta lehtësuar kushtin tonë prej të vdekshmi, për të ngadhënjyer mbi gërryerjen e kohës dhe për ta bërë të mundshme të pamundshmen".

Përkthyer dhe përgatitur nga Urim Nerguti


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SYRI PËR NJË LOT TË MADH SA KOSOVANga MIHAI ANTONESCU (02.02.2011)
FITUESIT E SUNDANCE (01.31.2011)
PO ERDHE NË "ELDORADO", I DASHUN MIK, MERR ME VETE PAK UJË TË KRITË VALBONEPoezi nga XHENC BEZHI (01.30.2011)
INTERVISTË ME PIANISTEN E TALENTUAR DHURATA LAZO BEJLERIDHURATA LAZO BEJLERI: SHKOLLA SHQIPTARE KA PËRGATITUR ATA QË SOT LUAJNË NË ORKESTRAT DHE SKENAT MË PRESTIGJIOZE TË EUROPËS (01.22.2011)
LYPËSI I METROSËTregim nga ALBANA M LIFSCHIN (01.19.2011)
NJË LULE QË UDHËTOI NGA TIRANA NË HAIFA, IZRAEL. AJO VAZHDON TË LULËZOJË ATJEPoezi nga MIMOZA EREBARA (01.18.2011)
"¨LUFTA NË KOHËN E DASHURISË" NË ANTOLOGJINË GJERMANE TË DRAMËS (01.16.2011)
KINEASTI KOÇI ME FILMA ME TEMA SOCIALE NË BERLIN (01.15.2011)
GJËMIMI I MOSHAVETregim nga RAIMONDA MOISIU (01.14.2011)
SË SHPEJTI KËNGA E RE E BRITNEY SPEARS (01.12.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]