VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËRRALLA E HIRUSHES

Tregim satiriko-humoristik nga ARBEN KALLAMATA


E Mërkurë, 02.16.2011, 09:54am (GMT1)

Qarkullojnë Fjalë

Lajmi se Zoti Fotaq kishte pësuar aksident erdhi fillimisht nga burime tepër të dyshimta. Aq të dyshimta, saqë pjesa më e madhe e atyre që e dëgjuan menjëherë menduan se ishte thjesht gënjeshtër. Nga ato gënjeshtrat e zakonshme dashakeqëse e ndjellakeqëse, që bëhen për të përfituar kapital politik dhe për të goditur kundërshtarët në mungesë të argumentave dhe provave të besueshme. Edhe përmbajtja e lajmit ishte tepër e pasigurt, jobindëse. Asgjë më tepër dhe asgjë më pak se: "Zoti Fotaq ka pësuar aksident me makinë. Nuk ka qënë vetëm. Eshtë mirë me shëndet, vetëm se diçka ka prerë."

Se me kë kishte qënë në kohën e aksidentit Zoti Fotaq asnjë nuk ishte në gjendje ta thoshte. Që këtu fillonin hamendësimet. Të kishte qenë me ndonjë nga ministrat, kjo do të ishte marrë vesh menjëherë - ministri përkatës nuk do të ishte paraqitur në zyrë. Të kishte qënë me kryeministrin, kjo as që mund të mendohej. Të kishte qënë me ndonjë nga shoqëruesat, kjo s'kishte përse të futej në lajm. Të kishte qenë me gruan dhe me ndonjë nga të familjes, edhe kjo ishte e pamundur, sepse zakonisht, kur jepen të dhëna aksidentesh, gratë dhe fëmijët përfolen të parët dhe s'ka asnjë mënyrë se si t'iu mbahet i fshehtë identiteti. Megjithatë, pëshpërima vazhdonte: "Nuk ka qënë vetëm. Eshtë mirë me shëndet, vetëm se diçka ka prerë."

Hamendjet më të mëdha vërtetishin rreth asaj që kishte prerë Zoti Fotaq. Të kishte prerë ndonjë këmbë apo ndonjë dorë - larg qoftë - do të ishte marrë vesh menjëherë. Ç'mund të presë njeriu, që nuk thuhet nëpër lajme? Mos ka prerë...? Po si ta ketë prerë vallë? Si mund të pritet... në një aksident automobilistik? Veç në rast se e ka pasur të nxjerrë jashtë dhe....

Obobo! Jo s'është e mundur. Zoti Fotaq nuk mund të bëjë kurrë gjëra të tilla. Në asnjë mënyrë që jo. Pesëdhjetë vjeç burrë, njëzetetre vjet i martuar, me dy vajza të rritura, Zoti Fotaq është simbol i pastërtisë morale dhe i familjes së shëndoshë. Tani është e vërtetë që Zoti Fotaq nuk e merr kurrë gruan nëpër takime, siç bëjnë politikanët e tjerë, por kjo s'do të thotë se nuk shkojnë mirë. Jo, jo. S'është e mundur. Këtu ka me siguri ndonjë poshtërsi.

Dukej se ajo pjesa "diçka ka prerë" ishte futur në thashethem vetëm për të krijuar lidhjen logjike dhe për t'i çuar mendjen njerëzve te diçka jo e pastër. Njerëzit filluan të vrasin mendjen dhe të përfytyrojnë se si mund të kishte ndodhur vërtet që Zoti Fotaq të kishte qënë me dikë në makinë dhe gjatë aksidentit ta kishte prerë. Bëheshin supozime nga më të çuditshmet, por asnjë nuk arrinte të nxirrte ndonjë varjant bindës. Ndërkohë nuk gjendej asnjë njeri që të dëshmonte se e kishte parë, takuar dhe folur me Zotin Fotaq, gjë që do t'i jepte fund hamendjeve dhe futjakoteve dhe do të konfirmonte të vërtetën: a ishte aksidentuar vërtet apo jo Zoti Fotaq dhe, nëse po, a e kishte prerë apo jo. Kjo ishte më e rëndësishmja. Të tjerat: si e kishte prerë, kush ia kishte prerë, sa e kishte prerë, me kë kish qënë kur e kishte prerë, cili kishte qënë pozicioni në momentin kur e kishte prerë etj., etj. nuk kishin pikë rëndësie.

Konfirmimi i lajmit erdhi pak nga pak dhe nga burime të ndryshme. Madje fillimisht nga një burim tek i cili s'i kishte vajtur mendja njeriu më parë: Një gazetë e parëndësishme botoi një pohim të zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilit: "Po është e vërtetë se Zoti Fotaq ka pësuar aksident dhe ka prerë gishtin."

Njerëzit morën frymë të çliruar. Domethënë nuk ishte edhe aq keq sa mendohej puna. Qënka fjala vetëm për një gisht. Po cilin gisht?

Hamendjet fashiteshin e gufoheshin valë-valë.

Cilin gisht, vërtet? A thua kishte ndonjë rëndësi të madhe se cilin gisht. Megjithatë, për një arsye apo për një tjetër, përcaktimi i identitetit të gishtit të prerë të Zotit Fotaq u kthye në temë qendrore bisedimesh. Çuditërisht, megjithëse pak e shprehnin, njerëzit ishin të bindur se bëhej fjalë për gishtin e mesit. Të dorës së djathtë. Po përse të dorës së djathtë?

Ajo që i ngatërronte më tepër hamendjet e njerëzve ishte pikërisht fakti se ata e përfytyronin gishtin e Zotit Fotaq të pozicionuar, në çastin e aksidentit (ose "impaktit", sipas termit shkencor Politikisht që po përdorej gjithmonë e më shpesh) të pozicionuar pra në një vend tepër të butë dhe të sigurt, ku ishte krejtësisht e pamundur të shkaktohej prerje ose thyerje. Askush nuk e pranonte logjikën e thjeshtë se gishti, në çastin e impaktit, mund të ishte ndodhur pranë marshit, timonit apo ndonjë pjese metalike të makinës.

Gjërat u ngatërruan edhe më keq kur në libraritë e kryeqytetit u çfaq krejt papritur libri i bashkëshortes së Zotit Fotaq: Jeta ime me Zotin Fotaq. Një biografi e shkëlqyer, sipas të gjitha recensave të medias, për Zotin Fotaq dhe jetën e tij ideale bashkëshortore.

Natyrisht libri kishte kohë në shtyp. Por dalja e tij ato ditë në librari nuk mund të ishte rastësi. Bashkëshortja e Zotit Fotaq u çfaq edhe në një emision televiziv të organizuar me rastin e botimit të librit dhe foli gjerë e gjatë për librin dhe marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me Zotin Fotaq. Por doli se emisioni ishte i përgatitur përpara aksidentit dhe prej tij zorr se mund të nxirrej ndonjë përfundim i saktë.

Vendi gëlonte.

Në kulmin e temperaturës politike u mësua për planin e një takimi të Zotit Fotaq me kuadrot e zonës së Vithkuqit në rrethin e Korçës.

Ethet e takimit tani ishin të papërballueshme. Gazetat bënë gati ekipet e korrespondentëve më të mirë. Radiot e televizionet lokale dhe kombetare rezervuan kameramanët më të aftë dhe gazetarët më të shkathët.

Por fenomeni më i cuditshëm ndodhi në tregun e shumicës. Brenda dy ditësh u shterruan të gjitha rezervat e aparateve të regjistrimit në video (VCR) dhe kërkesa vazhdonte të ishte në kulmin e saj. Një tregëtar i shkathët, që arriti të çdoganonte maunet në Kakavijë, u bë miljoner brenda natës. Njerëzit i kishin rënë mendjes dhe tani donin ta mposhtnin vetë vështirësinë e deshifrimit të Politikishtes së Zotit Fotaq. Ata donin ta kuptonin mirë mesazhin që ai do t'i drejtonte popullit me rastin e takimit me kuadrot e zonës së Vithkuqit në rrethin e Korçës.

U fol se takimi do të transmetohej drejtpërdrejt jo vetëm me televizion, jo vetëm me satelit, por edhe me Internet. Kjo s'kishte bërë vaki kurrë më parë. Takimi konsiderohej aq i rëndësishëm për fatet e kombit, saqë çdo gjë ishte e justifikuar.

I gjithë populli ishte i gatshëm, si një trup i vetëm, ta priste me enthuziazmin e duhur dhe vrullin e merituar takimin e Zotit Fotaq me kuadrot e zonës së Vithkuqit në rrethin e Korçës. Kishte vetëm një problem: sigurimi i rrjedhshmërisë së energjisë elektrike, të paktën për atë kohë që do të vazhdonte transmetimi i takimit në televizion.

Drejt KESH-it, Ministrisë së Energjitike, Kryeministrisë dhe Presidencës vërshuan letrat dhe kërkesat nga populli. Shtypi nuk mungoi t'i pasqyronte. Esenca e letrave ishte pak a shumë:

- Na siguroni energji gjetë transmetimit të takimit të Zotit Fotaq me kuadrot e Vithkuqit të rrethit të Korçës, pa le të mbetemi pa korrent edhe një javë rresht.

- Na siguroni energji gjetë transmetimit të takimit të Zotit Fotaq me kuadrot e Vithkuqit të rrethit të Korçës, pa le të mos vijë uji as dy orë në ditë.

- Na siguroni energji gjetë transmetimit të takimit të Zotit Fotaq me kuadrot e Vithkuqit të rrethit të Korçës, pa le të mos na ngrihen as rrogat, as pensionet.

- Na siguroni energji gjetë transmetimit të takimit të Zotit Fotaq me kuadrot e Vithkuqit të rrethit të Korçës, pa kurrë mos u rregullofshin rrugët.

- Na siguroni energji gjetë transmetimit të takimit të Zotit Fotaq me kuadrot e Vithkuqit të rrethit të Korçës, pa kurrë mos i pastrofshi plehrat.

- Na siguroni energji gjetë transmetimit të takimit të Zotit Fotaq me kuadrot e Vithkuqit të rrethit të Korçës, dhe s'ka nevojë të merreni me bandat e hajdutëve dhe kriminelëve, se do vijë dita që do t'i hanë kokën njeri-tjetrit.

- Na siguroni energji gjetë transmetimit të takimit të Zotit Fotaq me kuadrot e Vithkuqit të rrethit të Korçës dhe bëni ç'tiu dojë qefi me paratë e ndihmave dhe investimeve, se nuk iu shqetësojmë më kurrë.

- Na siguroni energji gjetë transmetimit të takimit të Zotit Fotaq me kuadrot e Vithkuqit të rrethit të Korçës, pa s'do t'ua përflasim kurrë tenderat.

.....e kështu me rradhë.

Vetë kryeministri doli në televizionin shtetëror dhe siguroi masat e popullit se ditën e transmetimit të takimit të Zotit Fotaq me kuadro të Vithkuqit në rrethin e Korçës do të kishte energji elektrike të vazhdueshme. Ai përmendi disa negociata që ishin hapur me qeverinë italiane dhe atë greke, si edhe një tender të ri që ishte shpallur urgjent me atë rast ku pritej të fitonte një kompani maqedonase.

Fjala e kryeministrit nuk u dëgjua nga shumë njerëz pasi në orën kur u transmetua nuk kishte energji elektrike. Sidoqoftë ajo qarkulloi shumë shpejt në formë thashethemesh. Njerëzve iu hyri frika dhe filluan të besonin se vërtet nuk kishin për të pasur drita ditën e madhe të takimit.

Por populli e mbajti fjalën. Asnjë nuk e hapi gojën për tenderin e fundit që shpalli qeveria në lidhje me energjinë elektrike.

Hirushja

Një saktësim: takimi i Zotit Fotaq me kuadro të Vithkuqit në rrethin e Korçës nuk u organizua brenda në Vithkuq, por në Makërz të Vithkuqit të rrethit të Korçës. Kjo për arsyen e thjeshtë se Vithkuqi është goxha fshat, me tre lagje të mëdha, Saraq, Dukas dhe Grekas. Kur erdhi fillimisht lajmi për takimin e pritshëm të Zotit Fotaq, lagjet hynë në sherr me njëra-tjetrën se kush do ta organizonte takimin. Dashur pa dashur takimi me Zotin Fotaq u shndërrua në shkëndijën që ndezi zjarrin e fjetur të armiqësisë shekullore midis tre lagjeve. Tre përfaqësuesit e lagjeve, Nasi Shore, Nesti Lipe dhe Niko Bello u kapën aq keq me njëri-tjetrin, aq sa për pak rrëmbyen kallashnikovët. Dhe do t'i kishin rrëmbyer vërtet, sikur të mos ishte gjendur veterani Thoma Nasto, i cili kishte lidhje të drejtpërdrejta familjare me Zotin Fotaq dhe dispononte edhe numrin e celularit të tij. Pas një telefonate prej 15 minutash Thoma Nasto u kthye në klubin e Vithkuqit dhe deklaroi se s'kishte arsye përse të ziheshin. Zoti Fotaq e kishte pranuar propozimin e tij që takimi të mbahej në një zonë asnjëanëse në Makërz.

Vithkuqarët ranë menjëherë dakort. Të gjitha takimet e rëndësishme në lidhje me Vithkuqin ishin zhvilluar në Makërz. Ndoshta edhe të parët e tyre kishin qënë në të njëjtin hall. Fundja Makërza nuk ishte krijuar kot dhe rastësisht. Ishte krijuar për të hyrë në Histori.

Gjashtë kilometra në të dalë të Vithkuqit, mes pishave të larta dhe buzë arëzave kodrinore, Makërza i kujtoi Zotit Fotaq vitet e rinisë. Vitet kur vinte këtu me rastin e përvjetorit të Brigadës së Parë Sulmuese. Qingjat që therreshin, çadrat e ngritura, muzikën popullore që buçiste, zërin e fortë të "Komandantit Legjendar" që u vetëvra me dy plumba, një në kokë dhe tjetrin në bark, birrën e Korçës, kërnackat, kaçkavallin, qepët, çupkat e reja, autobuzët e ngjeshur me njerëz. Eh! Kohë të arta. S'vijnë më kurrë.

Por edhe atë ditë nuk ishte keq. Po iu përmende Makërzën vithkuqarët bëjnë gati hellin dhe iu vërsulen qengjave. Krejt papritur shndërrohen në dorëlëshuar dhe mikpritës. Sikur iu bën njeri magji.

Pamjen e prishte disi prania e një numri të madh kamerash televizive, por në fund të fundit, edhe zhvillimi e ka një çmim. Dhe Zoti Fotaq nuk mund të ishte kurrsesi kundër zhvillimit.

Sa për pjesmarrjen, ajo ishte me të vërtetë madhështore. Kishin ardhur nga Lubonja, nga Roshanji, nga Leshnja, nga Gjançi, nga Rehova, Shtylla dhe, madje edhe nga Panariti. Kishte tek-tuk kokrra pleqsh e plakash nga vakëfet Treskë-Trebickë-Qenam-Radovickë. Por shumica ishin nga Korça dhe kryeqyteti. Popull i madh.

Ardhja e Zotit Fotaq u prit me ovacione. Të gjithë duartrokisnin dhe i mbanin sytë të fiksuar te dora e Zotit Fotaq. Ishte dora e majtë. Siç pritej - gishti i mezit. I fashuar dhe i ngrirë përpjetë.

Përmes celularëve lajmi u përhap rrufeshëm në të gjithë vendin. Përmes Internetit, atë e morën vesh emigrantë që nga Australia deri në Alaskë. Dora e majtë, gishti i mezit.

Zoti Fotaq s'kishte hapur ende gojën të fillonte fjalën e tij me kuadrot e Makërzës së Vithkuqit të rrethit të Korçës kur gjithë opinioni publik kombëtar dhe ndërkombëtar e kishte arritur përfundimin: Zoti Fotaq nuk kishte qënë duke e ngarë vetë makinën në çastin e aksidentit. Ndryshe nuk kishte se si shpjegohej që ishte dëmtuar gishti i mezit i dorës së majtë dhe jo ai i dorës së djathtë. Për një arsye të pashpjegueshme opinioni publik kombëtar dhe ndërkombëtar vazhdonte të ngulte këmbë verbtazi në varjantin se në çastin e aksidentit gishti duhej të ishte ndodhur diku, pavarësisht se logjikisht, ai "diku" duhej të ishte vendi më i sigurt për të ruajtur një gisht nga prerja në çastin e impaktit. Logjika kombëtare në këtë rast unikal vazhdonte të funksiononte këmbëngulshmërisht gabim.

Kur pushuan ovacionet Zoti Fotaq bëri një pauzë të gjatë. Një nga ato pauzat e llogaritura mirë të njerëzve të mësuar të flasin në publik. Pastaj, me zë tepër të thellë dhe kumbues filloi:

- Aktualisht, do të narratojmë historinë e Hirushes...

Gjindja e pranishme lëshoi një pasthirrmë habije. Blicat kërcitën në të katër anët. Kamerave iu ndriçonin dritëzat e kuqe. Ndërsa gazetarët u rehatuan mirë duke u përgatitur strategjikisht për gjumin e pashmangshëm. Ja edhe përralla e Hirushes, e plotë, ashtu siç u rrëfye nga Zoti Fotaq në atë takim të paharruar në Makërzë të Vithkuqit të rrethit të Korçës:

Hirushja

Politikisht

Tragjedia e personazhit të Hirushes inicoi pas evoluimit impulsiv të agravimit situacional në relacionet e kopjes parentale, kontradiktat respektive të të cilëve precipituan në konflikte antagoniste violente. Origjina e konfliktit derivonte nga pasionet e pakontrolluara të parentes feminine të Hirushes, e cila preferonte kontakte seksuale frekuente me multituda skandaloze partnerësh, maxhoranca e të cilëve komponohej nga adoleshentë dhe adultë me maturitet inferior. Aktualisht, parenti maskulin i Hirushes reçevonte sinjale sinjifikative për aferat frekuente të partneres së tij matrimoniale, pa disponuar prova materjale për të inicuar aksion legal divorcor. Relatat kopjale agravoheshin në progression gjeometrik dhe parenti maskulin i Hirushes e konsideroi të paevitueshëm sigurimin e provave materjale dhe flagrancimin e partneres matrimoniale.

Shqip

Hirushja pati fatin e keq që lindi në një familje të shkatërruar, ku e ëma dhe i ati nuk rreshtnin së grinduri me njëri-tjetrin dhe as që mendonin për pasojat e sjelljeve të tyre mbi fatin e vajzës së vogël. Babai i Hirushes tërbohej nga sjelljet e pakontrolluara të së shoqes, e cila i ndërronte dashnorët e shumtë gjithmonë e më shpesh. Si për inat të të shoqit, ajo parapëlqente djem të njomë dhe burra shumë më të rinj se vetja. Babai i Hirushes ishte në dijeni të plotë të paudhësive të së shoqes dhe kishte kohë që gjuante rastin për ta kapur abanksëz. Ndërkohë, marrëdhëniet midis të dyve sa vinin e keqësoheshin, zënkat dhe urrejtja për njëri-tjetrin shtoheshin dita ditës, aq sa erdhi një çast kur babai i Hirushes u bind se s'mbante më ujë pilafi dhe duhej t'i jepte fund kësaj martese të turpshme duke e kapur gruan me presh në dorë.

Ky akt nuk pozonte nivele partikularë difiçiliteti, pasi parentja feminine e Hirushes e kishte bërë normë invitimin kuotidian të bojfrendëve në periodat kur partneri i saj legjitim supervizonte biznesin. Kulminacioni suspektiv i konfliktit u regjistrua me interruptimin surprizal të aktit të adulterisë që po realizonte partnerja feminine, nga konterparti i saj, ritornuar në maniera të papredikueshme në rezidencë në intervalin ofiçial.

Kapja abanksëz e Nënës së Hirushes nuk ishte ndonjë vështirësi kush e di se çfarë, pasi ajo i bënte kurvëritë hapur dhe i ftonte jaranët rregullisht në shtëpi gjatë kohës kur i shoqi ndodhej në punë. Kur u bind se kishte ardhur çasti i duhur ai e la një ditë punën dhe u drejtua për në shtëpi. Me të mbërritur atje, nuk trokiti fare, por hapi derën me çelës dhe u ngjit lart, pa i dhënë kohë të shoqes të shkëputej nga krahët e një djaloshi të pashëm.

E irrituar me impjudencën e partnerit matrimonial matrimonia Hirushore s'hezitoi të utilizonte kallashnikovin, duke eksterminuar fizikisht partnerin e saj legal. I terrorizuar bojfrendi juvenil tentoi ta preventonte asasinimin dhe aksidentalisht u pozicionua në objektivin e kallashnkovit dhe ne zonën e pasigurt të sferës së irritimit të damës, e cila ia faturoi atij reston e karikatorit.

Ndërhyrja e papritur në dhomën e gjumit ia ngriti nervat nënës së Hirushes, e cila nuk e kontrolloi dot veten. Pa u menduar gjatë, rrëmbeu kallashnikovin që mbahej prej kohësh nën krevat dhe ia mbështolli të shoqit. Djaloshi u mundua ta ndalonte dhe i doli përpara. Por asaj i kishin hipur nervat aq keq, saqë ia përveshi edhe atij me një breshëri të shkurtër.

Ekziston posibiliteti i deduksionit naiv se dama do te iniconte ekspresione të pakontrolluara histerie dhe remorse për aktin e sapo-realizuar. Në kontradiksion total me deduksione similare, ajo investigoi trankuilisht viktimat dhe inicoi preparacionet e eskapimit.

Dikush mund të mendojë se gruaja do të fillonte të ulërinte nga keqardhja për krimin e sapo kryer. Jo vetëm që s'ulëriti, por iu hodhi një herë sytë me gjakftohtësi viktimave dhe filloi menjëherë të hartonte planin e shpëtimit.

Sidoqofte, ajo e realizoi imediatisht në intelekt se me dopio-homiciditetin e porsa kompletuar duhej të evaporohej urgjentisht nga cirkumstancat e aktit. Duke utilizuar koneksionet amoroze, ajo u distancua nga rezidenca në direksion të paidentifikuar.

Mama e Hirushes e kuptonte se sapo kishte kryer vrasje të dyfishtë nga e cila nuk mund të shpëtonte lehtë. Prandaj, duke vënë në përdorim njohjet e shumta dhe lidhjet me turli lloj dashnorësh që punonin me zyrtarë shtetërorë e privatë, ajo arriti të sigurojë urgjentisht dokumentacionin e nevojshëm dhe u largua në drejtim të panjohur.

Organet kopetente e analizuan masakrën dhe e proklamuan parenten feminine të Hirushes person në investigim. Nga ai moment, ritornimi respektiv në residence ishte praktikisht imposibël. Duke utilizuar korrespondencën postare ajo i klarifikoni Hirushes situatën personale, ekspresonte apologjinë për imposibilitetin e kontributit direkt në edukimin e Hirushes, si edhe konviksionin se Hirushja do të akseleronte auto-zvilupimin në direksione të akseptueshme dhe produktive.

Policia, e cila nuk vonoi ta zbulonte vrasjen, e shpalli njeri në kërkim. Që nga ajo kohë, Mama e Hirushes e kishte të qartë se nuk do të mund të kthehej kurrë në shtëpi. Ajo i dërgoi një letër Hirushes, me anë të të cilës i shpjegonte me hollësi gjendjen dhe i shprehte keqardhjen që nuk mund të merrej dot drejtpërdrejt me rritjen e saj. Pastaj, shprehte shpresën se Hirushja do të dinte të zhvillohej shpejt në ato drejtime që e shihte të arsyeshme dhe do të dinte të çante në jetë.

Konseguencalisht, Hirushja u situacionua e deprivuar nga supervizioni parental dhe do reduktohej në vagabonde e nomade ordinere, pa invitacionin e një relativeje distante të familjes nga seksioni parental maskulin, që sensibilizoi benovelencë dhe simpati për adoleshenten 14 vjeçare abandonuar nga konflikte intrakopjale dhe situacionuar mizorisht në mediumin kuatro-stradal.

Hirushja u gjend jetime dhe do të kishte përfunduar në mes të katër rrugëve sikur të mos kishte dalë një kushërirë e largët nga ana e të atit të cilës, ca nga keqardhja, ca nga dëshira për ta ndihmuar jetimen në shitjen e shtëpisë së prindërve dhe për t'ia "ruajtur" paratë për edukim, i lindi ideja e birësimit.

Këto ishin cirkumstancat që Hirushja inicioi ko-ekzistencën me relativet e saj. Ajo u adoptua nga një damë e divorcuar, nominuar partikularisht Mama, dhe dy desendentet e saj feminine me maturitete aproksimativisht të komparizueshme me Hirushen Senjorja dhe Minorja. Mama, Senjorja dhe Minorja maksimalizuan energjitë për t'i krijuar Hirushes ambjancë komfortabile domestikore dhe për t'i façilizuar trashendencën e konseguencave spirituale të tragjedisë familjare.

Këto qenë rrethanat në të cilat Hirushja përfundoi në shtëpinë e kushërirës së saj, një grua e ndarë nga burri, e cila jetonte me dy vajzat, të Madhen dhe të Voglën, që e thërrisnin atë Mama. Mama, e Madhja dhe e Vogla iu përveshën punës për t'i krijuar një mjedis sa më të rehatshëm shtëpiak Hirushes, për t'i lehtësuar sa më shpejt periudhën e vështirë të harrimit të pasojave që i kishte lënë gjëma familjare.

Mirakulozisht, Hirushja demonstroi sinjale vizibël force sufiçente për të triumfuar me vitalitet personal mbi konseguencat e tragjedisë dhe avancuar. Perioda e tranzicionit në kondicionin individual dhe ambjentin çirkulues koinçidonte me periodën e maturesë fiziologjike dhe me augmentimin e ekspedituar të elementëve specifikë korporalë, partikularisht në parcialitetet torsore dhe pubitare. Në këtë kontekst, Hirushja preferoi të autoliberohej nga limitimet konservatore të obligimeve sentimentale për reminishencat parentale dhe t'i dedikohej sferës novatore, atraktive dhe gratifikuse të mistikës inkarnale, të cilën po e realizonte gradualisht, por në mënyrë konstante dhe me maksimumin e dedikimit. Hulumtimet personale të Hirushes në sferën novatore të sensibilizimit fizik u façilituan partikularisht nga avancimet rapide në çarm dhe, gjeneralisht, në lukun sensual. Amplifikimi rapid i dimensioneve korporale, partikularisht në direksionin vertikal, ekstremitetet inferiore elegante, busti agresiv dhe karakteristikat faciale atraktive, ku dominonte kombinimi i naivitetit infantil me sensualizmin feminin, e transformuan Hirushen brenda intervaleve minimalë, në objekt atraktsioni për një multitudë sinjifikative juvenilësh maskulinë, pa ekzemptuar edhe një masë adultësh apo senjorësh romantikë.

Fatmirësisht, Hirushja çfaqi që në fillim shënja të qarta force jo vetëm për t'i kapërcyer pasojat e të keqes së madhe, por edhe për të ecur përpara dhe zhvilluar më tej. Dukeqënëse e gjithë kjo periudhë ndryshimesh dhe përshtatjesh me mjedisin e jashtëm asaj i përkonte edhe me periudhën e rritjes trupore, Hirushja e ndjeu veten të pavarur dhe mendoi se tanimë ishte koha t'i flakte një herë e përgjithmonë paragjykimet frenuese familjare dhe t'i linte udhë të lirë dëshirave që po i vlonin gjithmonë e më tepër brenda trupit në zhvillim. Lulëzimi i shpejtë i pamjes së jashtme i dha veçanërisht dorë eksperimentimeve të saj për të zbuluar të fshehtat e seksit. Mbushja e shpejtë e gjymtyrëve me mish të freskët e të njomë, zgjatja tej mase dhe me elegancë e këmbëve, gjoksi i kërcyer dhe fytyra e freskët dhe tepër tërheqëse, ku zotëronte përzjerja e pafajësisë prej foshnjeje, me zhvillimin seksual, e shndërruan shpejt vajzën në objekt të lakmueshëm dhe tërheqës për çdo mashkull, të ri e të vjetër.

Si reaksion i tragjedisë familjare dhe duke konkluduar në sentenca filozofike se ekzistenca humane është partikularisht tranzitore, Hirushja u determinua për praktikimin e satisfaksioneve fizike dhe eliminoi nga lista e responsave refuzimin e ofertave për kontakte të karakterit sensual.

Me dëshirën për të harruar gjëmën e familjes, si dhe duke arsyetuar mençurisht se në këtë botë kemi ardhur për të jetuar vetëm përkohësisht, Hirushja u lëshua pa frena në fushën e hapur të qefeve dhe, për një kohë të gjatë, nuk i tha jo asnjë oferte për t'u lidhur me meshkujt.

Ky transformim i pa-anticipuar i atitudës dhe konduktimit të relatives i surprizoi ekstremisht Senjoren, Minoren dhe Maman, që ekspektonin ko-ekzistencë me një element timid, reticent dhe të rezervuar, por jo me një seks-bombë që eksplodonte kontinjualisht në fuajerin e rezidencës së tyre tradicionalisht trankuile. Gradualisht ato konstatuan retardimet nokturniale të Hirushes, që i deliberonte atencion minimal influencave posibile të aksioneve të saj në ekzistencën e personave proksimativë. Ajo kontinuonte kontaktet frekuente me representativë të seksit opozitar pa konsideruar konseguencat.

Ky ndryshim i papritur i qëndrimit moral të kushërirës i habiti pa masë Nënën, të Madhen dhe të Voglën, të cilat kishin parashikuar se do të kishin të bënin me një çupërlinë të ndrojtur, të tërhequr dhe të padepërtueshme, e nuk ua kishte prerë kurrë mendja se do t'iu ngelej në derë një alamet femre që s'kishte perëndi ta përmbante. Shumë shpejt ato filluan të venë re vonesat gjithmonë e më të shpeshta të Hirushes, e cila as që e vriste mendjen ndonjëherë se ç'farë përshtypje iu linin veprimet e saj të tjerëve. Ajo vazhdonte të lidhej përherë e me më shumë meshkuj, pa menduar ç'thoshin bota.

Në zvilupimin e kësaj periode të ekzistencës së saj, ajo mori edhe nominimin Hirushja. Kjo koincidoi me momentin kur ajo kishte transformuar në normë praktikën e ritornimit të retarduar nokturnal. Në një nga këto ritornime të ritarduara, Senjorja, Minorja dhe Mama determinuan ekspektimin e saj, dhe remanuan në alert. Entranca e relatives në rezidencë u akompanjua nga hilaritete ekspulsive të pafrenuara. Parti posterior i aparelit të saj ishte kontaminuar totalisht me remanenca të kombustioni, nominuar në linguistikën popullore si HI. Senjorja, Minorja dhe Mama, simultanisht dhe në unison determinuan etiketimin e relatives me termin Hirushja.

Afërsisht në këtë kohë ajo mori edhe llagapin Hirushja. Ishte koha kur vonohej për t'u kthyer në shtëpi. Njërën nga këto netë Mama, e Madhja dhe e Vogla vendosën ta prisnin dhe ndenjën zgjuar. Me të hyrë Hirushja në shtëpi ato nuk e përmbajtën dot gazin. E gjithë pjesa e prapme e fustanit të saj ishte mbuluar nga hiri, të cilin me siguri ajo e kishte marrë duke bërë dashuri e shtrirë përtokë pranë ndonë oxhaku. Që nga ajo ditë, Mama, e Madhja dhe e Vogla vendosën ta thërrasin kushërirën e tyre me emrin Hirushja. Ky emër i mbeti përgithmonë.

* * *

Pas kësaj ekspozeje për situacionin social të personit dhe origjinës së nominacionit të Hirushes, sensibilizohemi më të liberalizuar ta kontinjuojmë narracionin real të episodeve konsekutive me të cilat nominaiconi Hirushe është famozuar në të gjithë globin.

Pas kësaj hyrje të domosdoshme për të paraqitur prejardhjen familjare dhe emrin e Hirushes, ndjehemi të lirë të vazhdojmë tregimin e kësaj ngjarjeje që e ka bërë emrin e Hirushes të njohur në të gjithë botën.

Situacioni politik koherent domestik dominohej nga aktivitete frekuente të partive rivalizuese. Një nga këto aktivitete, respektivisht Kongresi i Partisë dominuese, finalizohej me celebrime spektakulare, partikularisht me një ballo gjigande maskash, ku do të participonin liderat e Partisë e Guvernamentit, Deputetë dhe membershipi aktiv i Partisë. Invitacione ishin çirkuluar në popull dhe aspiratat për participacion po arrinin kulminacione papreçedent. Pompoziteti, fanfara, reklama, propaganda e transformuan aktivitetin partiak në evenimentin më të demanduar për militantët partiakë dhe masën e juvenilëve, që eksploitonin shansin për t'u divertitur dhe për të dixhestuar gratis.

Ngjarja zhvillohet në një kohë kur vendi ishte i përfshirë nga veprimtari të shumta politike të të gjitha partive kryesore të vendit. Një nga këto veprimtari të rëndësishme ishte edhe Kongresi i Partisë në pushtet, i cili ishte parashikuar të mbyllej me një mbrëmje madhështore me maska, ku do të merrnin pjesë udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe qeverisë, anëtarë të parlamentit dhe anëtarë të thjeshtë të partisë. Në të katër anët njerëzit luftonin për të siguruar ftesa, dhe gjithkush ëndërronte të merrte pjesë në këtë festim të paparë. Zhurma e madhe, reklamat, lajmërimet e shpeshta në organet e shtypit e kishin kthyer veprimtarinë partiake në ngjarjen më të kërkuar jo vetëm për luftarakët të partisë, por edhe për shumicën e të rinjve që e shikonin atë si një rast të mirë për t'u argëtuar dhe për të përlarë ndonjë gjë qyl.

Si aktiviste veterane e Partisë dominuese, Mama posibilitoi sigurimin e katër invitacioneve. Kuantiteti i invitacioneve ishte sufiçent për membershipin familjar, inkluduar edhe Hirushen. Por Mama, Senjorja dhe Minorja nuk e kishin antiçipuar agravimin e situatës në atë nivel, degjenerimin e Hirushes në atë gradë inferiore, sa t'i obligonte ato ta rikonsideronin deçizionin për inkludimin e saj në formacionin me të cilin do të prezantoheshin në celebrimet postkongresiale partiake. Pas deliberacioneve të ekstencuara me Senjoren dhe Minoren, Mama konkludoi definitivisht se akseptimi i Hirushes në formacion do sillte disgracim familjar dhe do krijonte probleme të papredikueshme gjatë celebrimeve.

Mama, e cila ishte veprimtare e vjetër partie, nuk e pati të vështirë të siguronte ftesa për të gjithë, përfshirë edhe Hirushen. Kjo do të thotë se Hirushja fillimisht ishte e pjesë e planeve për të shkuar në mbrëmje. Por Mama, e Madhja dhe e Vogla nuk e kishin menduar kurrë se Hirushja do të shkiste aq shpejt në batak dhe do të katandisej në atë shkallë sa t'i detyronte ato të treja të mblidheshin kokë më kokë dhe të diskutonin mundësinë e përjashtimit të saj nga planet për të marrë pjesë në mbërmjen e mbylljes së Kongresit të Partisë. Pasi e rrahu çështjen mbarë e prapë me të Madhen dhe të Voglën, Mama arriti në përfundimin se marrja me vete e Hirushes në mbrëmje do t'i turpëronte në sy të të gjithëve dhe do t'u hapte telashe te paparashikuara.

Ekspresivitetin e deçizionit për ta ekskluduar nga invitacioni për participacion në celebrimet post-kongresionale partiake, Hirushja e akseptoi me trankuilitet dhe nota vizibilie ironie në atitudë. Ajo injoroi me brutalitet tonin apolegjik të Mamas dhe artikulimin e regretit apo remorsës nga ana e Senjories dhe Minories. Simultanisht garantoi se do ta siguronte vet manierën e diverticionit personal për të balancuar mohimin e ofertës së partiçipacionit në aktivitetin më të preferuar anual. Senjorja, Minorja dhe Mama kontempluan se ajo po ekspresonte indinjatën interiore dhe e abandonuan në kontradiksionet personale. Ato u angazhuan në preparacionet korresponduese të partiçipacionit në evenimentin gjigand, seleksionimin e kostumeve, maskave dhe personazheve me të cilat do të prezantoheshin.

Mama, e Madhja dhe e Vogla kishin frikë se mos Hirushja do të bënte namin kur ta merrte vesh vendimin. Për çudi, ajo nuk e prishi fare terezinë dhe vazhdoi t'i kundronte me qësendi. Ajo s'ia vari qesen përpjekjeve të Nënës për të kërkuar ndjesë dhe mirësjelljes së shtirur të të Madhes dhe të Voglës. Ndërkohë iu la të kuptonin se ajo do ta gjente vetë mënyrën se si të zbavitej atë natë dhe të mos i ngelej peng që nuk po merrte pjesë në mbrëmjen më të rëndësishme të vitit. Ky qëndrim u kuptua nga Mama, e Madhja dhe e Vogla si shprehje e drejtpërdrjetë e inatit të brendshëm, prandaj e panë të udhës ta linin të qetë të hante veten me dhëmbë. Kështu ato i jepnin më shumë kohë vetes për t'u marrë seriozisht me përgatitjet për mbrëmjen e madhe, përzgjedhjen e veshjeve, maskave dhe personazheve me të cilat do të paraqiteshin.

Simultanisht, Hirushja nuk sensibilizoi asnjë remors dhe depresion interior nga informacioni mbi mos-akseptimin e kandidaturës për partiçipacion në celebrime. Ajo nuk kishte planifikuar partiçipacion, por edhe sikur ta aspironte atë, nuk do të kishte problem invitimin. Me koneksionet e saj kuantitative ajo mund t'i garantonte vetes çdo oportunitet.

Ndërsa Hirushja nuk shprehte asnjë lloj keqardhje dhe dëshpërimi të brendshëm nga fakti që nuk do ta merrte njeri në mbrëmje. Ajo as e kishte menduar se do të shkonte në atë mbrëmje, por edhe sikur t'i kishte shkuar mendja, nuk do ta kishte pasur aspak të vështirë të gjente ftesë. Me lidhjet e saj të shumta, ajo ishte aq në gjendje sa të gjente një ftesë.

Mama, Senjorja dhe Minorja e perceptuan imediatisht mosekspresivitetin e remorsit nga ana e Hirushes, dhe konkluduan se masa disiplinore e marrë prej tyre nuk dha rezultatin e demanduar. Ato donin t'i transmetonin Hirushes mesazhin e retribucionit për aktet e saj liberale, anarkike dhe të pakontrolluara seksuale por, aparentisht, mesazhi nuk u difuzua normalisht dhe nuk u komunikua në destinacion. Hirushja kontinjuoi praktikat imorale dhe të korruptuara.

Mama, e Madhja dhe e Vogla e pikasën menjëherë mungesën e keqardhjes te Hirushja dhe dyshuan seriozisht se vendimi për të mos e marrë me vete nuk po i jepte frytet e veta. Ato donin ta bindnin Hirushen se po ndëshkohej për kurvllëqet, për shkalafytjet si e lëshuar nga zinxhiri, por si duket mesazhi nuk u përcoll si duhet dhe nuk zuri vend. Hirushja vazhdonte si dhe më parë, pa e çarë me nder kokën për pasojat.

Konseguencalisht, Mama, Senjorja dhe Minorja inicuan demonstrimin aktiv të planeve për partiçipacion, me prova gjenerale të manjerave të prezantimit në ballo, kambizma kostumesh, sfilata të prolonguara dhe ekspresivitete similare enthuziazmi festiv. Tentativat produktuan efekt imediat te Hirushja, e cila u nervozua dhe irritua nga impudenca dhe idiotizmi i relativeve. Në manierë sekrete, ajo inicoi planifikimin e participacionit në celebrimet post-kongresionale partiake, indipendentalisht nga relativet idiote.

Mama, e Madhja dhe e Vogla vendosën t'ia bënin sa më shumë zili pjesmarrjen në mbrëmje, duke veshur në sy të saj fustanet dhe kostumet që kishin zgjedhur, duke i ndërruar dhe diskutuar ato me zhurmë, duke i bërë karshillëk me sa kishin mundësi dhe me shpalosje të tjera të këtij karakteri. I vetmi ndikim që patën këto veprime te Hirushja, ishte që asaj iu ngritën nervat me paturpësinë dhe budallallëkun e kushërirave të veta dhe, në fsheftësi, u betua se do të merrte pjesë në mbrëmjen përmbyllëse të Kongresit të Partisë.

Planifikimit të Hirushes i prezantoheshin tre probleme kardinale Problemi primar, sigurimi i invitacionit, u surpasua facilisht me utilizimin e një koneksioni afinitiv të Hirushes me desendantin e një lideri lokal partiak. Problem sekondar ishte kostumi dhe maniera e prezantimit personal në ballo. Problem terçiar ishte transporti për në pallatin kongresjal ku do të organizohej celebrimi post-kongresional partiak.

Për ta vënë në jetë vendimin për të cilin u betua, Hirushja duhej të kapërcente tre pengesa kryesore. Së pari, ishte pengesa e ftesës, të cilën ajo e kaloi menjëherë pasi fjeti një natë me djalin e njërit nga krerët localë të partisë. Pengesa e dytë ishte zgjedha e veshjes dhe kostumi me të cilin do të paraqitej në mbrëmjen me maska. Ndërsa e treta ishte mënyra e vajtjes në pallatin kongresial ku do të zhvillohej mbrëmja e mbylljes së Kongresit.

Të dy problemet finale Hirushja i eliminoi duke eksploituar të njëjtin rezors, koneksionin direkt me një deputet, identitetin e të cilit nuk jemi të autorizuar ta ekspozojmë në kuadrin e kësaj historie. Deputeti në fjalë obsesohej nga pasione perverse, relevacioni i detajeve të të cilëve do të ofendonte direkt sensin e diskriminacionit elegant. Do të ishte sufiçente të aludonim në manierë transitive se objekt i këtyre pasioneve perverse ishte transformuar edhe Hirushja, e cila kishte inicuar ofrimin e çarmit të saj si rikambim për favore të karaktereve diversive.

Dy vështirësitë e fundit Hirushja i kapërceu duke shfrytëzuar të njëjtin burim, lidhjen e saj me një deputet të moshuar, të cilin nuk po e përmendim me emër për arsye që kuptohen. Deputeti ishte një kodosh plak i gatshëm të shiste çdo gjë për ca qefe të çuditshme seksuale, të cilat na vjen turp t'i përmendim këtu me hollësi, por që Hirushja ishte në gjendje t'ia plotësonte një për një. Hirushja ia kishte kuptuar mirë mendjen Deputetit dhe ishte e zonja të përfitonte ç'i deshte zemra nga pisllëqet e tij.

Deputeti akseptoi domandën e Hirushes për sigurimin e transportit me Mercedesin me penxhere obskure, me konditë që Hirushja të akseptonte kostumin që propozonte ai dhe dononuar prej tij për këtë okazion. Natyrisht, Hirushja e akseptoi propozimin, pasi dispozohej të prezantohej edhe nudo, nëse do t'i demandohej një eksentricitet i këtij karakteri.

Deputeti e pranoi pa kushte kërkesën e Hirushes për t'i gjetur një makinë. Ai premtoi se do t'i jepte Mercedesin e vet, me dritare të errëta, me kusht që Hirushja të pranonte që ai t'i përzgjidhte edhe kostumin me të cilin ajo do të paraqitej në mbrëmje dhe që ai do t'ia bënte dhuratë. Natyrisht, Hirushja e pranoi kushtin, pasi ishte gati të dilte edhe lakuriq.

Megjithëse Deputeti nuk demandoi prezantimin e saj nudo, kostumi i donuar ishte partikularisht aproksimativ me këtë koncept, ekstraordinarisht provokativ dhe unikalisht intrigues. Por le t'ia ofrojmë një skene alternative satisfaksionin e deskriptivimit të kostumit të Hirushes dhe suksesit konsekutiv të saj në celebrimin post-kongresial partiak.

Megjithëse Deputeti nuk shkoi deri aty sa t'i kërkonte që ajo të dilte lakuriq, kostumi që ai zgjodhi ishte shumë afër idesë së lakuriqësisë dhe jashtëzakonisht tërheqës. Por le t'ia lëmë ditës së mbrëmjes surprizën e këndëshme të përshkrimit të kostumit të Hirushes dhe suksesit të padiskutueshëm të saj në festimet pas-kongresiale.

* * *

Finalisht, u materjalizua edhe definicioni kalendarik i ballos ekstraordinare. Mama, Senjorja dhe Minorja u angazhuan që në matine me preparacionin respektiv, duke ferrifikuar kostumet, iluminuar skarpinat, perfeksionuar tualetin e aktivitete të tjera similare. Hirushja u auto-bllokua në seksionin e saj dhe interruptoi komplet komunikimin me adoptueset. Akt që u interpretua me satisfaksion nga trioja Mama-Senjorja-Minorja si debolesë dhe ekspresivitet i pa-kamufluar egoje, xhelozije dhe rizentimenti të palimituar. Ky konstatim ia elevoi partikularisht moralin trios, e cila e konsideronte këtë aventurë si objektiv për t'i animuar xhelozinë, egon dhe rizentimentin relatives inferiore dhe defiçente. Realizimi i objektivit motivoi konseguencialisht ekspresione pasionante satisfaksioni spiritual komun dhe, simultanisht, u transformua në incentiv eksplanativ për impotencën e para-sensibilizimit të posibilitetin të ndonjë prapa-skene organizuar nga Hirushja.

Më në fund erdhi edhe dita e shumëpritur e mbrëmjes së jashtëzakonshme. Mama, e Madhja dhe e Vogla iu vunë punës që herët në mëngjes për t'u përgatitur, duke hekurosur veshjet, lustruar këpucët, duke u lyer e zhgryer me kujdes e duke u llangosur në të katër anët. Hirushja, nga ana e saj, u mbyll në dhomë dhe ndërpreu çdo marrëdhënie me të kushërirat. Veprim ky që u kuptua nga treshja si dobësi dhe shprehje e hapur e cmirës, inatit dhe tërbimit pakufi të Hirushes. Me këtë bindje në kokë ato ndjeheshin edhe më të lumtura për veprimtarinë që i priste dhe më të vendosura të vazhdonin deri në fund që t'ia ngrinin nervat kushërirës së tyre budallaqe. Këtij synimi i shërbenin edhe pasthirmat dhe shkëmbimet e shpeshta të urimeve dhe qefbërjeve për njëra-tjetrën. Nga ana tjetër kjo gjendje lumturie i bëri të paafta të parashikonin dhe të mendonin për synimet e vërteta të Hirushes, për mundësinë e ndonjë prapaskene nga ana e saj.

Për ballon, Mama kishte preferuar selektimin e një kostumi ursulo-feminor, i cili, supozonte ajo, korrespondonte perfektshmërisht me format e saj fizike dhe praktikisht kamuflonte posterioret e ekzagjeruara, bustin voluminoz dhe deformimet e pa-kontrollueshme të maturitetit.

Mama kishte planifikuar të vishej si Arushë, duke iu përshtatur kështu në një farë mënyre formave të saj të bëshme trupore. Ajo ishte e bindur se kostumi i Arushës do t'i mbulonte vithet e mëdha, gjoksin e varur dhe trupin e lëshuar.

Senjorja, indipendentisht nga obisiteti personal, kishte seleksionuar imitimin e mjelmes, sipas vizionit të kantautores famoze skandinave Bjorg në prezantimin e Avardeve Oscar. Natyrisht, në kostum ajo eliminoi prezantimin e ekspozuar fizik, duke utilizuar një fund të prolonguar, i cili, në aspektin horizontal, si racionale e defiçiteve sustanibile në dimensionin vertikal të Senjorjes, portretizonte në maniera aspak simpatizuese elementët e ekstensivitetit pozitiv obis.

E madhja, pavarësisht nga trashësia e trupit, ngulte këmbë në përdorimin e një kostumi që do ta bënte të dukej si mjelmë, duke u përpjekur të imitonte këngëtaren skandinave Bjorg në paraqitjen e çmimeve Akademike në Hollywood. Ajo deshi ta shmangte çfaqjen e tepruar të pjesëve të zbuluara të trupit që parakuptonte kostumi origjinal i skandinaves, dhe shtoi në kokë të vet një fund të gjatë, i cili e tregonte edhe më të gjërë se ç'ishte nga prapa dhe i jepte pamjen e një bullice.

Duke e kontempluar në gjeneralitet figurën e siblinges, Minorja konkludoi e konvincuar se ajo nuk do të recepsiononte suksesi] në ballo, prandaj u angazhua trankuile në perfeksionimin e kostumit personal që do ta prezantonte si Vegjetacion Solar. Për këtë objektiv ajo prokuroi një disk gjigand me petale, nga lokali central i të cilës asaj do të emergjonte fasada frontale testiale. Markimet e konxhestuara façiale façilitonin ekskluzivisht imazhin e Vegjetacionit Solar. Por, siç ekspektohej nga Senjorja, disku i superonte dimensionet e domanduara dhe realizonte një figurë komike hilaritare, që nuk korrespondonte aspak me objektivin që i kishte asenjuar vetes Minorja.

Duke parë me vëmendje të motrën, e Vogla u bind plotësisht se e Madhja nuk do të kishte pikë suksesi në mbrëmje, prandaj iu vu e qetë punës për përsosjen e veshjes së vet, me anë të të cilës do të paraqitej si Lule Dielli. Për këtë synim ajo kishte blerë një rrotull të madhe me petale që mendonte ta rraste në kokë, duke nxjerrë në pah fytyrën e saj si kulaç luledielli. Qukat dhe nishanet e panumërta në fytyrë e plotësonin më së miri figurën. Sipas mendjes së të Madhes, rrotulla i tejkalonte përmasat e kërkuara dhe i jepte të Voglës pamje qesharake, sa duhej të mbaje brinjët me dorë kur e shihje, teksa nuk arrije ta merrje vesh kurrë se kishe të bëje me kulaçin e lulediellit.

Megjithatë, të dy siblinget, për xhentilesë dhe për të mos destruktuar humorin dhe spiritin festiv të evenimentit important, nuk i komentuan observacionet precedente. Në unison me Mamanë e tyre Ursuloze, ato ushituan nga rezidenca 3 orë para inicimit të evenimentit, pasi donin të siguroheshin se do të gjenin autobus dhe do t'i prezantoheshin në orar audiencës prej mijëra personash importantë.

Sidoqoftë, për mirësjellje, motrat nuk ia prishën njera-tjetrës qefin dhe nuk bënë asnjë vërejtje për veshjet. Së bashku me Nënë Arushën, ato dolën jashtë shtëpisë tre orë para fillimit të mbrëmjes, pasi donin ta kishin të sigurt që do të kapnin në kohë autobuzin e linjës dhe do të arrinin të paraqiteshin shpejt në atë ngjarje ku po mblidheshin paria e vendit.

Kur konstatoi negativizimin e aperturës portale pas ushitimit të adoptuesve Hirushja katapultoi nga materasoja dhe formuloi një numër në celular. Në ekstremin tjetër të linjës imagjinare ajrore respondoi vokali paternalizues i Deputetit, që po e anticiponte telefonatën në një kafene në distancë minimale me rezidencën e Hirushes. Pa tranzituar tre minuta, ai u prezantua te porta, me një kontenjer me përmasa mesatare. Në kontenjerin valixhor prezervohej kostumi i ballos i Hirushes, e cila e pozitivizoi imedialisht aperturën portuale, duke posibilituar entrancën e Deputetit, pa i konsumuar kohë stanjacionit jo esencial në pozicione ekspozuese dhe komprometuese paraportale.

Sa e mori vesh që dolën nga shtëpia, Hirushja kërceu nga shtrati dhe rrëmbeu celularin. Në anën tjetër të linjës ajrore u përgjegj zëri i ndënjur i deputetit i cili po e priste telefonatën ulur në një lokal pranë shtëpisë së Hirushes. Brenda tre minutash ai u çfaq në derë, me një pako në dorë. Në të ishte mbështjellë me shije të rrallë veshja që ai po i dhuronte Hirushes për mbrëmje. Hirushja hapi menjëherë derën dhe e ftoi Deputetin të hynte në shtëpi, duke shmangur skenat e tepërta dhe të panevojshme te pragu i derës, që mund të krijonin dyshime te fqinjët.

Me të entruar në interiorin e apartamentit, Deputeti, në vend që të dekoronte me kostumin e ri Hirushen, inicoi auto-anti-dekorimin, duke u prezantuar nudo në intervalin e disa sekondave. Surprizisht, Hirushja imitoi çdo aksion të tij, derisa u situuan të dy nudo dhe u angazhuan në një kopulim të prolonguar emocional. Partikularisht për deputetin, i cili respironte dhe turfullonte në maniera porkeriane, maniera që nuk prezantoheshin si problematike për Hirushen.

Kur hyri në shtëpi, Depueti, në vend që t'i vishte kostumin e ri Hirushes, filloi të hiqte të vetin, dhe në punë sekondash, doli cullak. Për çudi, Hirushja bënte të njëjtat veprime, derisa përfunduan të dy lenane dhe u kokolepsën duke rënkuar e psherëtirë. Veçanërisht Deputeti, i cili u mbulua nga djersët, turfullonte si derr, zhurmë që nuk e shqetësonte Hirushen, e mësuar siç ishte tashmë me shfkalafytje të tilla.

Finalisht, kur Deputetit nuk i kishte remanuar pikë energjie, djerse dhe substance esenciale në kolonën vertebrale dhe kur po konstatonte me alarm se vekjoja virtualisht dormirte me gërrhima, Hirushja determinoi se ishte momenti për preparacionet kostumore. Ç'paketoi substancën e konteinuar në valixhen që kishte konvejuar Deputeti dhe emetoi që aty kostumin surprizë.

Kur kur Deputetit i qenë tharë fare djersët, palca e kurrizit dhe gjithë lëngjet e tjera, domethënë kur e pa qartë se ai filloi të gërhiste i kapitur, Hirushja mendoi se kishte ardhur koha t'i vihej punës për përgatitje e kostumit të mbrëmjes me maska. Hapi me kujdes mbështjellësen e pakos që i kishte sjellë Deputeti dhe nxori që aty veshjen surprizë.

Deputeti kishte determinuar ta surprizonte Hirushen me kostumin e personazhit të ëndrrave të saj infantile: Marionetën Barbi. Hirushja u irracionalizua nga ekstaza momentale kur konstatoi substancën e paketës. Ajo u mat t'i dononte Deputetit si bonus edhe një akt tjetër kopulimi, por Deputeti e distancoi imediatisht i terrorizuar, pasi gjymtyrët inferiore i sensibilizonte totalisht të debuluara dhe nuk posedonte asnjë energji për ta akseptuar ofertën. Sidoqoftë, ai mori garancinë se do të kompensohej për këtë në një moment tjetër oportun.

Deputeti i kishte vënë qëllim vetes ta habiste Hirushen me veshjen e personazhit të ëndrrave të saj fëminore, Kukullës Barbi. Dhe vërtet, Hirushja sa s'luajti mendsh kur pa përmbajtjen e pakos. Ajo u bë gati t'i dhuronte Deputetit edhe një séancë, por Deputeti e shtyu tutje gjithë frikë, pasi ndjehej fare i këputur nga gjunjët dhe nuk kishte fuqi ta pranonte ofertën. Ai u sigurua që të merrte nga Hirushja premtimin se do t'ia jepte kënaqësinë në një kohë tjetër, më të përshtatshme.

Një paruke bjonde dhe tualeti ekstensiv realizoi similaritetin absolut façial midis Hirushes dhe personazhit të Marionetës Barbi. Bluza e kontraktuar në partin abdominal dhe ekstraordinarisht relevuese në bust, me dekoltenë karakteristike servirte gjenerozisht karakteristikat më të suksesshme të zvilupimit xhuvenil adoleshent të Hirushes. Ndërsa minifundi i ekzagjeruar në insufiçencën dimensionale, relevonte jo vetëm gjymtyrët e kompletuara dhe ekstensivisht të prolonguara, por edhe mutandinat xhalo prej nailoni. Kostumi kompletohej me një kopje skarpinash blansh, me taka ekstraordinarisht të elevuara, që amplifikonin dimensionin vertikal të Hirushes. Deputeti blasfemonte veten që s'ishte efiçent të kopulonte edhe një herë me këtë figurë kaq atraktive. Hirushja, që e komprehendoi imediatisht intencionin e tij, demandoi:

Një tufë flokësh fallco dhe një tualet i dëndur realizonte maskimin e fytyrës përndryshe brune të Hirushes dhe përngjasimin e saj me Kukullën Barbi. Pastaj, një bluzë shumë e ngushtë në bel, por tepër e hapur në gjoks, nxirrte në shesh zemërgjerësisht pjesët më epshndjellëse të trupit provokues të Hirushes. Veshja plotësohej nga një minifund fare të shkurtër, që linte të dukeshin qartë jo vetëm këmbët e gjata, të plota dhe të lëmuara, por edhe një palë mbathje të vockla prej nailoni të verdhë. E gjithë veshja shkonte për bukuri me këpucët e bardha me taka jashtëzakonisht të gjata, që ia shtonin edhe më gjatësinë shtatit edhe pa to të lartë të Hirushes. Kur e pa të veshur Deputeti mallkoi veten që s'kishte më fuqi t'i vërsulej edhe një herë asaj zoçke tërheqëse. Hirushja, që e kuptoi ç'po mendonte, e pyeti:

- Po makina?

- Po makina?

- S'ka problem, - respondoi Deputeti. Do progresosh me Mercedesin tim. Vetëm me një konditë: në orën mexo-nokturniale do ritornohesh në makinë, pasi shoferi le turnin dhe nuk mund të kontinjuojë asnjë sekondë më tej.

- Mos e vri mendjen për të, - iu përgjegj Deputeti. Do të ikësh me Mercedesin tim. Ka vetëm një kusht: duhet të kthehesh në orën dymbëdhjetë fiks, pasi shoferi le turnin dhe nuk mund të vazhdojë më tutje.

Hirushja ishte koshiente se shoferët, si rregull, janë potencialisht superiorë ndaj Deputetëve respektivë, pasi akseptojnë komanda nga partneret matrimoniale, prandaj e garantoi Deputetin se do të ritornohej në makinë në orarin e desinjuar. Ajo kalkuloi se, deri në mexo-noturno do të kishte tempo sufiçente të realizonte objektivat e saj dhe të divertitej në ballon nacionale partiake.

Hirushja e dinte mirë se, si rregull, shoferët kanë më tepër pushtet se deputetët të cilëve iu shërbejnë, pasi i marrin urdhërat drejtpërdrjet nga gratë e deputetëve. I dha fjalën Deputetit se do të kthehej në makinë në orarin e caktuar. Ajo llogariti se deri në orën dymbëdhjetë të natës do të kishte kohë të mjaftueshme të bënte qef në mbrëmjen e Partisë dhe të realizonte qëllimet që i kishte vënë vetes.

(Per cudi, vijon...)

ARBEN KALLAMATA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.