VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ÇDO PERËNDIM MË VDES NGA PAK

Poezi nga THANI NAQO


E Martë, 05.10.2011, 05:52pm (GMT1)

 

 

Nuk kam hedhur mbrapa gurin,

As me kënd s 'kam lënë mëri.

Bukurosheve u shkelja syrin

Dhe kjo ishte çapkënlli.

 

Çdo perëndim më vdes nga pak,

Ditët treten një nga një.

Njëlloj e vitet... Atje larg,

Pyllit tim i shtojnë gdhënj.

 

Nëpër ëndrra zbardh dëbora,

Rënkojnë trarët nën çati.

Lëshon lotët pjergull' gjora,

Kra-kra-kra një korb i zi...

 

Nga përtej më bën ca shenja,

Flokëlëshuar, ç' më ngacmon?

Ç' djall t'i shpleksa ato krela,

Dhe gërshetat si vargonj?!

 

Mbrapa gurin nuk kam hedhur,

Një mëri unë s' lashë atje.

Veç meraku më ka brejtur,

T' ishim thinjur në Atdhe.

THANI NAQO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.