VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ...ISHTE 22 MAJI I VITIT 1825Tregim nga ALEKO LIKAJ

                                                                                      

E Martë, 04.23.2024, 07:47am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

...ISHTE 22 MAJI I VITIT 1825

Tregim nga ALEKO LIKAJ


E Shtunë, 05.14.2011, 09:37am (GMT+1)

  

Në fillim u dëgjua një zë i mbytur që erdhi nga jashtë dhe Laskarina Bubulina, nuk e kuptoi se po e kërkonin atë çast. Rregulloi edhe një herë mbulesën e krevatit, ku do të flinte atë natë i biri me nusen, vajzën e fqinjit, e sapo marrë, të cilët do të ktheheshin nga Hidra, ishulli pranë ku jetonin disa kushurinj të saj, në atë mbrëmje e doli pastaj në koridor, për të zbritur në shkallët që të çonin në katin e parë, përdhesë. Nuk dëgjoi gjë. Mendoi se i kishin bërë veshët. Mund që të ishte edhe ndonjë iluzion.

Kishte merakun e Gjergjit, që i thërriste Skënderbe . Ishte i vetmi që i kishte mbetur në këtë jetë, pas vrasjes së burrit të saj , Dhimitrit dhe Janit, djalit të madh. Bashkë ishte edhe në luftë. E mbante në anijen e saj «Agamemnon». Trim edhe ai, si gjyshi i tij, babai e vëllai. Po Bubulina e shihte tani si dritë e syrit. Tri ditë më parë, së bashku me vajzën që donte prej dy vjetësh, kishin ikur që të dy. Babai i saj, Kosta, nuk donte që t'ia jipte për nuse. Ia kishte premtuar një të pasuri në Athinë. Nuk kishte arritur asnjë që t'ia mbushte mëndjen, që ti hapte udhë dashurisë së pastër të dy rinjve, as vetë Kapedania Laskarinë, që ishte bërë aq e famshme në të gjithë Greqinë e më gjerë, në luftën e saj në dete kundër turkut pushtues. Inatçi dhe hakmarrës kishte qëlluar ky komshi i heroinës. Kokëfortë. Por të rrinjtë vendosën që të bashkoheshin. Vajza, Vasillua, iku nga shtëpia e zbriti deri poshtë në Dapia, në skelë, atje ku ishte Gjergji i saj dhe morën anijen për në ishullin fqinj.

Të nesërmen, gruaja luftëtare do të shkonte të takonte vetë Kollokotronin, një nga udhëheqësit arvanitas, që drejtonte revolucionin dhe luftën për liri në çlirimin e gjithë Greqisë. Jam shqiptare dhe bijë shqiptari! , i kishte thënë atij kur e kishte njohur në fillim. Luftëtari kishte qeshur gjithë zemër. Të gjithë shqipo jemi moj kapedane dhe na ka bashkuar ideali për liri. Ta shporrim turkun bashkarisht në këto troje ku po jetojmë. Gruaja mendoi gjithë trimat arvanitas si Karaiskaqi, Marko Boçari, Foto Xhavella, Odise Andruco, Ali Farmaqi, Kosta Kanari, Mihauli...që ishin shokë të saj në atë luftë...

- Laskarinë ! u dëgjua përsëri zëri nga jashtë. Këtë herë ishte më i fortë dhe më inatçor.

Kapedania nuk e njihte atë zë. Kush do të jetë ? tha me vete, ndërsa nxitoi që të dilte në dritare. Mos i ka ndodhur gjë Gjergjit tim ? Vjen të sjellë ndonjê lajm.

Kanatet i hapi gati me një frymë. Hodhi sytë menjëherë jashtë dhe pa që dielli ishte mbytur në det dhe mbrëmja nën një gjysëm errësirë frymonte fresk. Ndjeu nje aromë portokallesh e limonash. Lulet kundërmonin. Në çast, diçka e nxehtë hyri menjëherë në ballë e më pas një krismë tronditi xhamat. Bubulina ia dalloi në një fragment të sekondës flakën pushkës që e goditi për vdekje, por jo njeriun që e shkrepi atë.

Ishte 22 maji i vitit 1825

 

***

 

 

 

Kishin ikur me qindra familje nga atdheu dhe u vendosen në ishujt grekë Hidra dhe Specia. Ishte kohë kur pushoi zemra e kryetrimit tonë,

Gjergj dhe hordhitë osmane të ardhur nga Turqia, pjesë pjesë, zunë toka e hapsira, pasi i shkatërruan dhe i dogjën në fillim ato. Pinoçët ishin me origjinë nga Palasa e Himarës...

Bubulina lindi në një burg të Stambollit. " "Kështjella e shtatë kullave", kështu e quanin në të gjithë perandorine turke të asaj kohe, atë vend të egër izolimi. Ishte mëngjesi i 11 majit të vitit 1771. Parashqevia, nëna e saj, ishte ndodhur aty të takonte burrin e saj, kapedanin Pinotis, që mbahej i burgosur, si një person nga më rrezikshmit. Ai kishte qenë një luftëtar i rezistencës greke. Në ato vite luftonte për çlirimin e Greqisë. Gruaja që vinte nga Hidra, mezi kishte mundur ta siguronte një leje që të takonte burrin e saj.

Por Stavri Pinoçin, babain e fëmijës së saj, që do të vinte në jetë, e gjeti të vdekur në qeli...

Shumë shpejt largohet nga foleza ku kishte jetuar me trimin e shkon në Specie. Edhe atje banorët ishin si ajo, arvanitas... flisnin arvanitika, pra shqip, në gjuhën tonë.

" Nëna, ati im dhe unë, jemi grekë pa qenë të tillë. Grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideale, grekë të sakrificës, sepse ne japim dhe jetën tonë për Greqinë, por jo grekë nga gjaku. Unë jam një arvanitase, me një fjalë, shqiptare. Që prej kohërash tepër të largëta, raca jonë ka patur emra të ndryshëm. Di vetëm se ne kemi ardhur në Ballkan që prej mijëra vjetësh dhe jemi shpërndarë nëpër koloni, pothuaj ngado nëpër Greqi. Hidra është shqiptare, Specia po ashtu...".

Laskarina, ishte një vajzë e bukur dhe shumë e gjatë. Që në moshën 17 vjeçe veshi rrobat e luftës dhe ato nuk i hoqi kurrë deri sa vdiq. Luftëtar ishte edhe i shoqi. Në fillim iu bë krahu i djathtë e i fuqishëm, burrit të saj në biznesin e tij me anijet. Bubulina e thirrën pas vdekjes heroike të burrit të saj, Bubulis. Gruaja u bë një person i rrahur mirë me detrat. e dashuruar, saqë për ata harronte gjithçka. Ndërtoi një anije lufte, që e quajti "Argamemnon", me të cilën mori pjesë në shumë beteja. Ajo ishte edhe "Kapitenia" . Si të ngiste kalin e saj të bardhë në mes të fushave të luftrave në dete. Në kohën e revolucionit grek, flota e Bubulinës u bë e tmerrshme në detin e Egjeut dhe në Mesdhe. Ajo luftonte kudo ku e thërriste Greqia: Në Tripolica, Navarin apo Monemvasia, në betejën e Karadros, ku u vra dhe biri i saj e kudo në brigjet e Peleponezit. Ishte grua krenare e optimiste, këmbëngulëse e trime. Bubulina udhëhiqte jo vetem shqiptaret e Çamërisë por edhe grekët e Peloponezit, në luftë kundër turqisë për çlirimin e Greqisë. Ajo u printe atyre si në tokë edhe në det. Grekët e admironin, por edhe e urrenin se ishte shqiptare dhe se shpesh ajo thoshte:- Jam shqiptare dhe bije shqiptari! Këtë nuk ta fal njeri, aq më tepër në Greqi.

 

Në 4 dhjetor 1821, ajo qëndronte në këmbë mbi kuvertën e anijes, duke urdhëruar sulmin mbi kështjellën e Nafplios. Por 300 topat e kështjellës e sprapsën sulmin e marinarëve të saj. Si një amazonë në zemëratë, Bubulina u thirri: "Jini gra apo jini burra të vërtetë?... Përpara!". Në rrethimin e Nafplios, ajo udhëhoqi forcat, që bllokuan një garnizon të tërë turk dhe i vrau ata të gjithë.

 

Pastaj me ekipazhin e anijes së saj zbritën në Milos dhe furnizuan me ushqime garnizonin grek të këtij qyteti të rrethuar. Pas kësaj, kryengritja popullore greke mori më shumë hov, u zgjerua. Më vonë, ajo rrethoi e çliroi Tripolicën e Monemvasinë në Peloponez. Historianët tregojnë se, në Tripolicë Bubulina hyri e para hipur mbi një kalë të bardhë në krye të mijra ushtarëve. Pastaj shkoi e çliroi Nafplion, që u bë kryeqytet i përkohëshm i Greqisë në atë kohë.

 

Gjithëçkah bënte në luftë kjo heroinë, ishte e paramenduar mirë dhe e vendosur me shtabin qendror grek dhe me Komandantin e Përgjithshëm të saj, Kollokotronin. U bë frymëzuesja për ngritjen në luftë të gjithë bnorëve të Peloponezit kundër Perandorisë Turke

Laskarina Bubulina, ishte një femër joshëse, me një bukuri vajzërore dhe heroinë moderne për kohën. Dhe njerëzit e adhuruan, e donin dhe e nderonin si një mit këtë trimëreshë. Dhe ajo i donte që të gjithë. Pasurinë e saj, ajo e vuri në shërbim të luftës për lirinë.

Por dashuritë e saj të stuhishme s'do ta bëjnë asnjëherë të harrojë pasionin e vërtetë të saj: çlirimin e Greqisë.

 

 

 

* * *

 

 

 

Taso Kunupi u gjet i pari në shtëpinë e trimëreshës së detrave. Banonte aty pranë. E pa flakën e pushkës në atë gjysmë errësire mbrëmjeje dhe nxitoi që të vinte për ndihmë. I moshuar dhe tepër i plakur për të mbritur shpejt. Shtëpia e Bubulinës ishte në lagjen që quhej "Kunupica". Origjinën e kishte nga fjala shqipe "kunupi". Një shtëpi e rëndë dykatëshe, e bardhë, si gjithë shtëpitë e ishujve të tjerë, e mbuluar me tjegulla, ku dritaret e saj të mëdha shihnin kalldrëmet e ishullit dhe detin përtej. Oborri kuqëlonte nga lulet dhe aroma e tyre ishte dehëse. Një shtëpi, me katër dhoma të mëdha e sallone poshtë e sipër. Aty dikur kishte jetuar familja e burrit të saj Bubulis.

Bubulinën e gjeti të shtrirë, aty pas dere, poshtë dritares së hapur me kanata, në një pellg gjaku. E pajetë. Plaku vuri duart në kokë dhe nuk donte që t'u besonte syve atë çast. Klithi, duke nxjerë në fillim një zë të çjerë, e pastaj mbushi kraharorin e thirri ;

- E vranë, moreeee, e vranë. Iku kapedania, moreeee. Iku krenaria jonë dhe lavdia...!

Por nata ishte gojëprerë. Kosta Kunupi dëgjoi pastaj në gjuhën e tij arvanite disa ulërima grash, që vinin si vaje nga shtëpitë përreth. Nga jashtë u ndjenë këmbë që nxitonin. Një grusht burash u dhanë tek dera e shtëpisë dhe ata panë xha Kostën, që ishte gjunjëzuar para trupit të pajetë të heroinës së tyre e të revolucionit grek. Pas tyre mbrritën gratë. Kostën e ngritën dhe burrat u ngjitën për mort sipër, përmes shkallinës që harkohej aty tek dera. Zunë vend të gjithë në minder dhe në disa karrike aty, ku Bubulina priste miqtë. Nga pas një pasqyrë e madhe dhe e bukur veneciane. Më tutje gjendej një tavolinë franceze e objekte të tjera, vazo porcelani me figurina vajzash anonime si dhe një kasafortë e madhe që vite me radhë kishte qenë në kabinën e anijes së saj "Agamemnoni". Nuk mungonin aty as koburet e saj, pisqolla të vjetra në argjënd, kamat bizantine... armë të grabitura kushedi nga ç'betejë. Nga sipër një tavan i gdhendur dukej si në pikëllim, duke e bërê më të rëndë zinë qê kishte pllakosur shtêpinë e Bubulinës në Specia.

Dikush tha, se kishte parë në errësirë vrasësit, ndërsa ishin në ikje nëpër natën e zezë pis. Një tjetër fajsoi fqinjin, babain e Vasillos, i cili nuk kishte dashur kurrsesi që vajza e tij të martohej me Gjergjin, birin e mbetur të Laskarinës, trim e i pashoq në luftë. Por ai nuk kishte qenë i vetëm. Pra ishte një komplot, për të qëlluar mbi heroinën e revolucionit. Atë që se bënë dot turqit përgjatë dhjetra betejave në vite, e kishte bërë dora e tradhëtisë.

Taso Kunupi tundi kokën mendueshëm, atje në mes të divanit e kroi zërin. Të tjerët kthyen kokën nga ai.

- Një trime shqiptare e vdekur do t'u shërbejë me shumë grekëve, se një shqiptare e rrezikshme e gjallë.

Poshtë kishte nisur vaja. Gratë në gjuhën shqipe vajtonin sipas traditave të lashta :

 

 

 

Moj bilë, o Laskarinë

Heroinë e fshatit tënë

Ti që luftës i dhe dritë

E lirinë na dhe ndër vatër

Ty që turku nuk të tuti,

Mes furtunash e gjëmime

Tradhëtia s'të kish hatër

Qaj me lot , o zemra ime

Po ti s'vdiqe pëllumbeshë

Do jesh e gjallë midis nesh...

 

Por pas pak kënga e vajit u pre. Këtë herë në derê ishte shfaqur i biri, Gjergji, me nusen e tij, Vasillon. Djali, që e kishte dëgjuar fatkeqësinë sapo zbriti poshtë në liman, kur kthehej nga Hidra, u nis e erdhi me një frymë. Nuk donte që ta besonte këtë humbje. Shkoi menjëherë tek kapedania që ishte shtrirë dhe e rregulluar në mes të dhomës, e u përlot si një fëmijë.

- Ngrihu nënë, o bijë e ndritur e arvanitasve, ti që i dhe lavdi Greqisë, yll i lirisë, nuk mund që qëndrosh shtrirë dhe e gjakosur nga një dorë e pabesë mizore !

Laskarina Bubulina, bijë nga Hidra, gruaja nga Specia, luftëtaria e kapedania, nuk mund që të ngrihej më nga ai shtrat vdekje. Ajo nuk mund që t'i përgjigjej luftëtarit Gjergj, që ishte dalluar në betejat që kishin bërë së bashku për lirinê e një kombi.

Bubulina u varros nga 5 mijë luftëtarë në fshatin e saj Spece të Peloponezit, në kohën kur grekëve nuk u duhej më, se lirinë e kishin fituar.

http://aleko-likaj.blogspot.com/

ALEKO LIKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FAJTOR PA FAJKujtimit të shkencëtarit të shkëlqyer dhe artistit të madh Enriko VeiziTregim nga ZHULJANA JORGANXHI (05.11.2011)
ROLI I FILOZOFISË NË SHEKULLIN TONË ËSHTË I ANASHKALUARIntervistë me PETER SLOTERDIJK (05.11.2011)
ÇDO PERËNDIM MË VDES NGA PAKPoezi nga THANI NAQO (05.10.2011)
"THOR" KAMPION I FITIMPRURJES NË SHBA (05.10.2011)
SURPRIZA DHE DETAJE - ÇFARË DUHET TË DINI PËR EUROVISION 2011? (05.09.2011)
GRUAJA ME NALLANETregim nga ALEKO LIKAJ (05.08.2011)
ADEL HEDH NË TREG ALBUMIN E SAJ TË RI ME TITULL "21" (05.07.2011)
JA VIDEOJA "JUDAS" E LADY GAGA (05.07.2011)
KANDIDIME ME TONY AWARDS PËR "SISTER ACT" (05.05.2011)
NXITONI, NXITONI, PRA... Ç'PRISNI?Nga BEDRI ÇOKU (05.05.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]