E Premte, 03.29.2024, 02:37pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

NATA E PARË E MARTESËS ME SHI

Nga ALEKO LIKAJ


E Djelë, 05.22.2011, 04:41pm (GMT+1)

Dera e makinës u përplas lehtë nga pas. Marenglen Peka e mbante për dore nusen e tij të veshur krejtësisht në të bardha. Ajo buzëqeshte e sytë e mëdhenj blu të saj kërkuan ato të djalit dhëndër, nën ndriçimin e zbehtë të një shtylle neoni. Sapo e kishte nxjerrë prej andej. Makina, një « Varshave » e vjetër dhe e tejpërdorur e komitetit të partisë, e kishte sjellë çiftin që nga salla ku ishte bërë ceremonia e dasmës, duke lënë pas në çakërqejf e nën avujt e alkolit, dasmorët dhe të gjithë të ftuarit në atë gëzim.

- Sa qejf - tha ajo pa vazhduar mendimin të cilin po e bluante në kokë në atë çast, dhe u kujdes për fustanin e bardhë që i a shtyu një fllad i lehtë ere, por i ngrohtë, e cila lëpinte asfaltin si një qenie e padukshme. Në duar mbante një tufë me lule që i a kishin dhënë atje në sallë, kur u nis për në shtratin bashkëshortor.

U përplasën edhe dy dyer të veturës pasi i kishin thënë , « Hajt, me trashëgime tani, e jetë të lumtur. Na bëfshit fëmijë të bukur » Ishte shoferi i babait të Marenglenit, si dhe një kushëri i tij, që i kishin përcjellë për në folezën bashkshortore. U ndje gazi i saj dhe tymi i lehtë që la pas, e në çast u zhduk pas kthesës.

Dhëndri i ri zgjati kokën dhe e puthi në faqe nusen e tij. Vajza qeshi me një kukurisje të mbytur femërore. Ndjehej shumë e lumtur. Flokët gështenjë dukeshin krejtësisht të zeza.

Djali këtë radhë tregoi çelësin e shtëpisë, që mbante nëpër duar, dhe Ana qeshi lehtë, pa të keq, duke e shtrënguar në krah. Pastaj diçka i çuçuriti në vesh, dhe të dy hodhën hapat drejt hyrjes së pallatit, pesë metro më tej.

- Vajzë të lind nëna, por ama, grua të bën burri tha Ana Gjika, dhe qeshi sërish duke tundur gishtin tregues përpara njeriut që do të ishte këndej e tutje burri i ligjshëm i saj, si për ti thënë, « Ёshtë radha jote tani që të më ç'virgjërosh »

Marengleni ndali hapat një çast. Ishin në fund të shkallëve, ku më tej nxinte gjithçkah. E puthi. Pastaj tjetra e tërhoqi lehtë për dore sikur donte të nxitonte, për të hyrë në shtëpinë e re sa më parë. Dukej sikur mezi e kishte pritur këtë moment. Ngjitën shkallët me një frymë si dy të rinj të sapo dashuruar. I qeshnin njëri-tjetrit me një pafajësi fëmijërie.

Tek pushimi i dytë, Ana qëndroi. Kërkoi që të mbushej me frymë në një çast. Marengleni që kishte ngjitur dy shkallë u kthye. Zbriti.

- Ç'ke moj zemër ? i tha ngadalë

- Asgjë tha tjetra duke vënë dorën mbi gjoks. U lodha.

Kishin edhe një kat.

Ishin lidhur në një fejesë vetëm pak muaj më parë. Babai i Marenglenit, sekretari i partisë së qytetit e kishte kërkuar për nuse ditën e Vitit te Ri. At'herë Ana studionte në institut, në një qytet të veriut, për Histori-Gjeografi, ndërsa djali mbaronte për inxhinjeri kimike në universitetin e Tiranës. Prindërit e vajzes ishin gëzuar nga ky rast që po u vinte në derë pasi Bektash Peka ishte njeriu që kishte në duar krejt fatet e atij qyteti, që nuk i kalonte të pesë mijë banorët. Madje ai u a kishte nxjerrë edhe bursën vajzës së tyre. Ana , një vajzë me botë, edhe pse nuk kishte mundur që të simpatizonte e të lidhej me ndonjë djalë në jetën e saj, fillimisht nuk pranoi. « Do të të mbaj mësuese në qytet ky sekretari ynë, i tha e ëma. Do të rregullosh jetën e nuk do të bredhësh fshatrave, ku venë shoqet e tua. Nuk përballohet jeta ashtu. Pastaj kemi vajzën tjetër që ka radhën për shkollë të lartë. Do të të gjej shtëpi e do të jetosh e qetë duke bërë një jetë të rehatshme. I biri është i urtë dhe i sjellshëm. Do të punoj këtu në uzinë. Lum si ju pastaj. Unë e Vangjeli jemi punëtor të thjeshtë. Me turne gjithë jetën kemi punuar, pa asnjë çadëre e përkrahje. Këtej e tutje do të kemi një mburojë. Ёshtë ai sekretari që na ka trokitur.

Asnjë nuk e mendonte se Marengleni do të lidhej me Ana Gjikën. Ishte rritur në atë qytet, por nuk kishte rënë në sy. I qetë e studiues. Moshatarët thoshnin për të se është tip vajze. I ndrojtur vinte dhe nuk para shfaqej në qytet, edhe pse ky ishte tepër i vogël në hapësirë. Kishte ca sy të bukur e jeshil e një pamje engjëllore. Ndryshonte kryekëput nga tipi i të atit, i cili kishte ardhur në rininë e tij nga një fshat i largët i krahinës për të punuar në uzinë. Fillimisht elektricist e pastaj mori e ngjiti shkallët e karierës. Kur bëri edhe shkollën e partisë në Tiranë, e sollën sekretar të komitetit të partisë. Dhjetë vjet pa lëvizur. Ai vendoste për gjithçka në qytet, me një pushtet gati të pakufizuar. I vrazhdët, kokëfortë e nevrik. Të gjithë i ruheshin këtij cenit të fundit të sekretarit. Të bënte gjëmën Bektash Peka në se të zinte lapsi i tij.

Ana Gjika, nuk rezistoi gjatë. U dorëzua. Në të vërtetë djali i pëlqente dhe i dukej krejt ndryshe nga tipat e meshkujve që njihte aty rreth. Lidhi fejesë me djalin e sekretarit. Kështu i flisnin në qytet. Ishte i vetëm.

Por atë që nuk bëri Ana, tentoi Marengleni. Në shtëpi për këtë lidhje ishte folur më shumë se një vit më parë, por djali kishte ngulur këmbë duke thënë se « nuk ishte i gatshëm për një hap të tillë ». Sekretari nuk mund që të priste. Vajzës së Vangjel Gjikës ia kishte vënë syun për këtë punë sapo ajo mbaroi gjimnazin dhe kur kërkonte bursë. Binte në sy për trupin e saj të kolmë. Kishte vërtetë një bukuri të veçantë që nuk e gjëje te ndonjë vajzë tjetër në qytet. Ishte qefli Bektashi dhe bukuria femrore nuk mund që t'i shpëtonte aq kollaj syrit të tij.

Dy muaj më vonë, djali tha përsëri jo. Bektashi këtë herë i kishte shkuar në universitet për ta takuar. Ishin darkuar në qendër të Tiranës, te "Peza". Por sekretari nuk mund që të humbte durimin. Për 1 Majin kur djali mbërriti në shtëpi, biseda u nis përsëri. Këtë herë ishte nëna që i u përgjërua duke derdhur lot. Por Marengleni nuk premtoi. Kërkoi që ta linin sa të mbaronte provimet, pastaj mund që të diskutonin përsëri. Marrëveshja funksionoi vetëm një muaj, se fejesa u servir sërish. Djali nuk po dorëzohej. Bektashi u vu në hall. Hynte e dilte në shtëpi e shfrynte. E shoqia, Zeqineja, nuk e duronte. Vuante dramën. Djali i thimbsej, sepse ai ishte dobësuar shumë kohët e fundit, por donte që ta shihte të lumtur.

- Nuk ka kala që të mos e marrin komunistët, Zeqine. Mblidhe mendjen. Do të bëhet se s'bën. Bektash Pekën e dëgjon dhe e ndjek pas një qytet i tërë dhe jo djali im që i kam bërë kokën.

Në fund të verës dyshoi. «Po ç'ka ky i uruar që mbyll sytë përpara një bukurie të tillë si vajza e Vangjel Gjikës? I thuhet jo asaj? Nuk mund që të ketë asnjë arsye. Të jetë ndonjë vajzë tjetër në këtë mes? Po kësaj nuk i besonte. E njihte mirë të birin. Nuk dilte nga shtëpia, veçse lexonte aty në dhomën e tij. As me shokë të fëmijërisë nuk takohej, edhe pse ata vinin shpesh dhe e ftonin për të dalë jashtë.

E përcolli i pezmatuar për në shkollë. Djali i tha :

- Ky është viti i fundit baba. Më duhet që të përgatitem mirë. Pastaj, unë mendoj që të punoj disa vite. Pret kjo punë. Këtu jemi. Mbase edhe Ana deri atëherë nuk e ka gjetur fatin e saj dhe bëhet.

Gjatë vjeshtës Bektash Peka shkoi nëntë herë të takonte djalin në kryeqytet. Shfrytëzoi shërbimet në Tiranë. Marengleni e kthente bosh. Në fund të dhjetorit, sekretari solli nga fshati nënën e tij plakë, që rronte me vëllanë e vogël atje. Ishte e pamundur dhe e sëmurë.

- Kjo e ka jetën me ditë, por dëshiron që nipin ta shohë me nuse. Ti e di që të do fort e të ka mbajtur kur ishe i vogël. Mezi po pret. Do t'i a zgjatësh jetën edhe ca. Të gëzojë e të lumturohet edhe ajo, si gjyshe, që ka mbërritur ndershmërisht te shtatëdhjetat.- i tha Bektashi djalit kur ky u kthye për pushimet e fundvitit.

Marengleni nuk dha përgjigje dy ditë. Nuk vuri as gjumë në sy. Të tretën, i tha babait përballë.

- Mirë unë, ja po pranoj, po ajo, Ana e Vangjelit, a do të dojë vallë ? Ti ke dëshirën baba, por ajo vajzë mund që të këtë zgjidhje tjetër.

- Pse mendon ti që ka njeri në këtë qytet që tia prishë dëshirën Bektash Pekës ? Jam sekretar partie, o kokë. Vuri gishtin tregues mbi kapelen tip kineze që ishte vënë në modë nga drejtues partie kudo. Mblidhe mendjen, o djalë. Kjo krushqi do të bëhet se dua dhe e kërkoj unë. Ta kenë për nder.

Një natë më vonë trokiti te gjikajt. Ata, aty për aty, nuk i thanë gjë. Dy ditë më vonë i thane: "Kjo punë bëhet". Dasma u la për në vjeshtë, atëherë kur çifti nuk kishte më detyrime ndaj shkollës.

... Ana u duk se e mori veten. Ishte e gëzuar. Shkallët e mbetura deri te dera i ngjiti si një flutur, duke e ngritur paksa fustanin e nusërisë, për të mos e shkelur me këmbë që të rrëzohej. Sikur të ishte vënë në garë me Marenglenin, doemos që fituese do të ishte ajo. Tjetri erdhi nga pas me një frymë. Qëndroi një çast dhe i zgjati çelësin nuses.

- Hape, i tha brenda është jeta jote.

- Dhe e jotja, së bashku. Kështu si i ngjitëm shkallët sonte, të dy - tha vajza.

Marenglen Peka nuk foli.

Ajo i kërkoi një puthje, por djali nuk e kishte mendjen aty. Ana u ngjit pas buzëve të tij duke ia kapur kokën me dy duart që i dridheshin. Pastaj ia vendosi mbi supe. Tjetri nuk lëvizi. Vajza ishte tej e emocionuar. Ai ndjeu që kishte një fërgëllim të brendshëm dhe zemrën që i rrihte me vrull në kraharor.

- Vajzë të lind nëna, por grua ama...të bën burri. Do të më zhvirgjërosh. tha ngadalë në vesh. Të betohem Marenglen që e kam për të parën herë. Dua që të jem grua. Mezi pres që të bëjmë fëmijë. Do të jenë të bukur. Këtë e ndjej. I dua shumë, shumë. Por edhe ty të dua. Të kam ëndërruar, i miri im.

I përkëdheli flokët në atë gjysmerrësirë ku drita e paktë e neonit nga jashtë futej nëpërmjet një dritareje në murin përballë, mes shkallëve që të ngjisnin një kat me lart. Pastaj e mori çelësin nga dora e djalit, mbledhur grusht e u kthye nga dera. Kërkoi brimën dhe e hapi shpejt. E tërhoqi Marenglenin dhe u mbështetën në korridor. Djali, që kuptoi se Ana ia kërkonte puthjen përsëri, e mbërtheu me dy duar në bel. Ajo i dha trupit përpara si në një gjysmë hark, duke u bërë njësh me trupin e tij. Ranë në dysheme. U kujtuan që kishin lënë derën ende hapur. U ngritën shpejt dhe e mbyllën. Përtej, pas derës përballë, në korridor u dëgjua një kollë. Dikush nga komshijtë ishte zgjuar nga zhurma që bënë të dy. Nuk e hapën dritën. Ana e dinte përmendësh planimetrin dhe vendosjen e gjithë orendive të shtëpisë. Tri ditë më parë i kishte rregulluar e sistemuar së bashku me motrën e saj e Marenglenin, i cili i ndihmonte në vendosjen e pajisjeve të mëdha. Këtë herë vinin për të filluar jetën të dy, si burrë e grua e për të jetuar përgjithmonë aty.

Ora kishte kaluar dy pasmesnate dhe po shkonte me nxitim te treshi. Dukej sikur nuk ndalej dot. Kështu kishte bërë ajo që me krijimin e ngjizjen e të parës farë të jetës në këtë botë. E pa. Ndërkohë një krismë që tronditi krejt apartamentin bëri që Ana të vejë duart instinktivisht në kokë dhe të shkoj me nxitim në dhomën e gjumit. Xhamat e dritareve lëshuan një tingull por nuk krisën. Jashtë një vetëtimë u duk se e çau qiellin e natës më dysh, si një urë zjarri që zbret vërtik nga qielli për të ndezur krejt qytetin. Marengleni e ndoqi nga pas dhe e gjeti nusen e re të trembur, të ulur në buzë të shtratit. E mori përdore dhe e ngriti sërish. E puthi lehtë në buzët e holla që ende dridheshin. Dukej krejtësisht e trembur.

- Erdhi kaq befasisht sa nuk e mendoja. Ka kohën. Vjeshtë është. Mirë që mbërritëm në shtëpi tha Ana Gjika dhe menjëherë iu hodh në qafe dhëndrit të ri. Këtë herë ishte ajo që kërkonte buzët e tij. Duart e saj pastaj shkuan e shkopsitën xhaketën e kostumit të dasmës, te njeriu me të cilin kishte vendosur që ta ndante jetën pas kësaj, por djali nuk shkëputej dot nga përqafimi, dhe nuk u la udhë duarve të Anës që të vazhdonin më tej

- Kemi kohë i tha, ndërsa me buzë shëtiste nëpër gushën e bardhë të nuses së tij.

Ana hoqi dorë nga mendimi se do të mund që të zhvisheshin shpejt për të shkuar në shtratin bashkëshortor. Rituali i zhvillimit të jetës kishte kohë për më vonë. Mund që edhe të priste disa çaste, ndonëse vajza i ndruhej, duke e konsideruar jo vetëm një mister. Përjetonte edhe një ndjenjë frikë. Eleni, vajza e xhaxhait që ishte martuar dy vjet më parë, e kishte pyetur Anën vetëm tri ditë para dasmës. "A je e prishur? Ua...! Nuk e ke bërë gjatë fejesës? Eh!... Çdo të heqësh natën e parë. Do të më kujtosh...Ke për ta parë moj korbë"

Marengleni zgjati dorën në një çast poshtë, në mes të shalëve të tij, si për të kontrolluar diçka që mendonte, se i kishte humbur. Kuptoi se ishte ende në gjumë. Nuk reagonte. Lëroi kollaren dhe i u duk se u mbush më mirë më frymë. Ndërkaq, një vetëtimë përflaku qiellin e natës së zezë pis, e drita e saj krijoi hijet e të dyve në mur. "Natyra kërkon që të ngjizë », tha me veten e tij djali. Ana u tremb. U mblodh menjëherë. U përkul.

Xhamat krisën nga një gjëmim që tronditi dritaren.

- Eja të shkojmë në shtrat, tha vajza që priste të bëhej grua atë natë. Në zërin e saj dallohej një ndjenjë frike. E kam zakon nga vegjëlia. Kështu bëja edhe atëherë. Fusja kokën nën jorgan sa herë që në mbrëmje shfaqeshin jashtë shigjetat e zjarrta dhe bubullima.

Dhëndri e tërhoqi nga dora dhe e mbështeti përsëri në murin që kufizohej me derën, pikërisht në momentin kur Ana mendonte se do ta çonte drejt e në shtrat. Kishte hequr me shpejtësi këmishën dhe pantallonat. Nusja mblodhi menjëherë dy duart në gjoks, si për të mos u bindur e kundërshtuar njeriun që kishte zgjedhur për shok jete.

- E dua ta bëj në shtrat tha Ana Gjika.

Mendoi se atij nuk i pritej tashmë. Kishte ndryshuar mendim në çast. Donte që ta bënte atë punë aty më këmbë. Por djali u përhumb. Nuk lëvizi. S'dinte se ç'farë të bënte tani. E kishte vënë pas murit gruan e jetës, pa e ditur se ç'mund që të bënte në atë moment. U ndje i penduar.

Ishte ajo këtë herë që e tërhoqi Marenglen Pekën drejt krevatit bashkëshortor. Në buzën e tij ajo u zhvesh menjëherë, duke e lënë që të binte deri në fund të këmbëve fustani e nusërisë. Kishte mbetur në këtë çast vetëm me sutienat dhe të mbathurat e holla rozë, krejt transparente. Këto i a kishte dhuruar një shoqia e saj e klasës në institut nga Durrësi. Dukeshin firmato. Ia kishte sjellë i ati. Ai punonte shofer me makinat që shkonin jashtë shtetit. Ana ishte mahnitur me dhuratën e veçantë dhe i ishte hedhur në qafë. Ta kam sjellë për natën e parë i kishte thënë durrsakja, të premten në mesditë, sapo kishte mbërritur si e ftuar në shtëpinë e Anës.

Marengleni treti vështrimin përtej dritares, e në çast iu duk se dëgjoi tingujt e ëmbël të një violine që luante "napolonin". Ishte qemania e Dalip Jevgut që pastronte pusetat e komunales. Dëgjohej me një zë të lodhshëm e të përvajshëm. Duhej që të ishte një dasmë që bëhej në apartamentin përbri, përtej rrugës. Me sa dukej, nuk kishin gjetur ndonjë nga lokalet e pakta në qytet.

Nusja kishte palosur fustanin duke e lënë hë për hë mbi komo, së bashku me sutienat, hoqi edhe mbulesën e shtratit, dhe u kthye nga Marengleni, si për t'i kujtuar atij detyrën që e priste para këtij çasti, që në jetën e një çifti, është dhe mbetet i shenjtë. Djali e soditi Anën në atë gjysmerrësirë me një ndjenjë pafajsie. E shihte për të parën herë të zhveshur vajzën që e kishte zgjedhur për shoqe jete. Ajo nuk e kishte aspak ndjenjën e turpi. Nuk u ndruajt si femër, kur zë e shfaq lakuriqsinë e saj të brishtë vajzërore, përpara një mashkulli. Marengleni kuptoi se ajo ishte e përgatitur mirë psikologjikisht për natën e parë të bashkekzistencës në çift. Madje dukej se mezi e priste këtë çast. Ai asnjëherë nuk ishte ndodhur përpara një femre në intimitetin e saj. Ana Gjika priti që ai ta përqafonte, ta përkëdhelte në të gjithë qenien e saj epshndjellëse, po shoku i jetës qëndronte i ftohtë.

- Ç'presim tha ajo, dhe i hodhi dy duart në qafë. U mbështet në gjoksin e tij, dhe e lëshoi paksa trupin. Të dy u rrokullisën në shtrat. Ajo u gjend lart, sipër. E puthi lehtë në buzë. Tjetri dukej se diç mendonte. Në një çast nuk reagoi, por pastaj, sikur të ishte zgjuar nga një gjumë i thellë, lodhës e rraskapitës, e pushtoi. U bënë njësh, si të ishin salduar aty prej shumë kohësh...

Marengleni u ndje i dëshpëruar. I ulur në krahun e djathtë të Anës kaloi dorën mbi kaçurelat e tij te zeza. Vajza e shikonte përmallshëm.

- Nuk ka gjë i dashur dhe i miri im. E ke nga emocioni. Kam lexuar që u ndodh shpesh burrave kur bien në kantaktin e parë me gratë. Do të kalojë. Ke për ta parë. Mos u shqetëso. Ne do ta provojmë përsëri. Do ta shikosh që do të bëhet. Pastaj...nata jona është. Qetësohu shpirt.

Në një cep, aty pranë tij ishin të mbathurat e Anës. Të zhubrosura e të hedhura pa kujdes. Të tijat ndodheshin poshtë në dysheme. I kishte vënë shkujdesshëm, ndërsa mendonte të bënte detyrën e tij si mashkull e bashkëshort. Nuk ishte nxituar, pasi priste që të ndjehej burrë përpara gruas së tij. I ishte trembur impotencës. E kishte mbajtur fshehur nga të gjithë. Pas moshës tetë vjeç, kur sapo kishte kaluar një sëmundje të rënde infektive, nuk e kishte ndjerê për të gjallë organin e tij mashkullor. Ishte ndodhur në fshat atëherë, te gjyshja. Si në vegullimë i vinte ajo kohë kur dilte me djemtë e tjerë të fshatit në përrua. Atje bënin garë se kush e hidhte pipinë më larg. Kishte fituar disa gara... Pas sëmundjes që e kishte mbajtur mbi dy muaj, duke e shtruar deri në Tiranë, nuk e kishte ndjerë më të gjallë. Mjekët herë pas here e pyesnin gjatë seancave të shërimit në se ndihej ende mashkull i fortë, dhe ai kishte gënjyer. I vinte turp. Profesori, një burrë te gjashtëdhjetat, i kishte thënë Bektash Pekës. " E kaloi lehtë, dhe pa probleme të rëndësishme. Nuk ka ndodhur ajo që i trembeshim ne. Pastaj do të na duhej që të...Ndoshta do të na duhej që edhe ta nxirnim jashtë në një klinikë të specializuar. Por Marengleni nuk kishte guxuar që të thoshte më të vërtetën. Dhe nuk e tregoi asnjëherë në vitet e mëvonshme, askujt. Babait, kur ishte në adoleshencë, i kish thënë se "ishte në rregull". Më shumë se nga ndrojtja, ishte turpi në këtë mes që e kish bërë ta mbështjellë sekretin e tij me heshtje. Por shpresonte. Shpresonte tek çasti, kur të ish përballë një femre, të cilën do ta bënte të vetën, edhe pse kishte hezituar të kërkonte seksin, në shkollë e në universitet.

Ana u ngrit përgjysmë. Zgjati kokën dhe me majën e gjuhës i lëpiu qafën nga pas. Djali u ndje i bezdisur. E gjithë kjo gjendje e rënduar psikike nuk mund që t'i shpëtonte pa u vënë re nuses në shtrat. Vendosi brylat dhe gjysmë e kthyer nga ai, tha:

- Nuk ke pse të dëshpërohesh, shpirt. Ёshtë një çast kalimtar. Emocion. Do ta shohësh që gjithçka do të shkojë. Je i ndjeshëm, i miri im, xhan. Do ta provojmë përsëri. Qetësohu i dashur. Mos e ki mendjen aty.

Ana Gjika dukej si e vetme në atë dhomë bashkëshortore. Marengleni hodhi përsëri sytë nga dritarja. Përtej xhamave dalloi se kishte filluar të vesonte shi. Neoni poshtë në trotuar sillte fasho drite në dhomën e heshtur. U shtri dhe vuri ngadalë kokën në jastëk, në erësirën e natës gojëprerë. Brenda, poshtë çarçafit të bardhë si bora, ndjeu dorën e Anës që e ledhatoi në gjoks, ndërsa shpupuriste leshin e dendur aty." Duhet jetë shumë mashkullor" , mendoi. Kështu i kishte thënë dhe një herë e ëma, kur ishte ende adoleshente, një vit poshtë maturës. "Burrat leshator në gjoks janë potentë e të fuqishëm me gratë". Edhe Vangjeli, ashtu ishte, dhe për këtë nëna nuk dyshonte aspak.

- Nuk të shoh dot kështu i pëshpëriti në vesh. Kemi arsye të gëzohemi. Të jemi të lumtur, sonte e përgjithmonë. Të dua shumë, xhan.

"Ta provoj edhe një herë", i tha vetes Marenglen Peka pas përkëdheljes që mori nga Ana. Për të ndiente edhe pse nuk ishin lidhur në dashuri më parë. Kishte bukurinë dhe zgjuarsinë, së bashku. Ajo dallohej në atë qytet të vogël në buzë të maleve e që lagte këmbët në një lumë që rridhte në fund të tij. Këtë i a kishin thënë edhe shokët e vegjëlisë. Ana Gjika ishte ndryshe nga vajzat e tjera. U kthye nga ajo dhe e puthi. Vajza iu fut si një mace. E shtrëngoi fort në kraharor, e filloi i pari lojën erotike. Ana i u përgjigj menjëherë... Kur kishin kaluar mbi njëzet minuta, Marengleni u tërhoq përsëri. Por vajza fërgëllonte nga dashuria.

Uli këmbët e zbriti këtë herë nga krevati. Nuk ishte ndjerë sërish për burrë. Kjo e dëshpëroi më shumë. Eci në gjysmerrësirën e dhomës e qëndroi përballë dritares. Largoi më tej perden që nuk e kishte zënë plotësisht hapësirën.

- Mos u mërzit shpirt. tha Ana që kishte mbështetur dy brylat, gjysmë e ngritur. S'ka gjë, mund që ta bëjmë dhe nesër. Mbase je edhe i lodhur sonte. I stresuar, o i miri im...

Por Marenglen Peka, nuk foli. Shikonte jashtë, përtej xhamave, qytetin që flinte. Në pallatin përballë, aty ku dritat ndriçonin dy dritare, dalloi hije njerëzish. Poshtë në asfalt pa pikat e shiut që kishte zënë shtruar. Tani, nuk kishte më dyshim për veten. I erdhi keq për Anën. "Çfarë ti bëj unë kësaj?" pyeti veten. "Ёshtë ndezur plotësisht. Ka ardhur në afsh. E gjora, kërkon të bëj detyren time, atë të vazhdimit të jetës...Po ky që nuk kujtohet e nuk bëhet i gjallë?" Kaloi instinktivisht kurrizin e dorës së djathtë si për ta cekur dhe për të provuar në se ishte aty. "Eh, nuk jep asnjë shenjë për të më bërë burrë. Me turpëroi tmerësisht. Më lëndoi. Nuk ka asnjë shpresë...Po pse kalohet kështu ? Unë i besova...Unë besova se do të bëhej i gjallë përpara Anës sime. Edhe kur dhashë e mora puthjen e parë, por edhe kur u bëra njësh me të. Po ky nuk reagoi. Nuk dha asnjë shenjë. I besova këtij çasti. Këtij çasti kur duhej të më bënte mashkull, dhe pjesë të jetës e strukturës së saj, por as edhe tani...

Ana përtej priste e pafajshme, krejtësisht e zhveshur dhe e nderur mbi shtrat. Si qelqe drite tërë afsh jete...

"I trembesha edhe këtij momenti, ndaj edhe ngurova deri tani. Nuk jam më asgjë, për asgjë, pa asnjë funksion. Jam një hiç dhe i padobishëm. As mashkull.

- Eja - i tha vajza me një zë të ëmbël e të ngadaltë, - eja...Mos e vono...

Po pse e bëra? Plotësova një kërkesë të vazhdueshme të prindërve të mi. Po ata nuk më kanë asnjë faj. E ku ta dinin ? Në fund të fundit ky është gëzimi dhe qëllimi i jetës për çdo çift që lidhet në një martesë. Fryti i dashurisë së tyre ta ricikloj jetën për të tjerët. Oh !...Më vjen turp... jam një eunuk i patredhur, që nuk mund të shërbejë më për asnjë gjë.

Kjo gjë ishte veçse një ëndërr. Ёndërrat janë për ata që dinë t'i shikojnë.

Ktheu kokën pas. Në shtrat, Ana si një nimfë e sapo dalë prej ujit, qëndronte e heshtur në mes të shtratit bashkëshortor, pa ditur se ç'të thoshte. Trupi i saj i lakuriqtë, i përkorë dhe epshndjellës, i spërkatur me pak rreze drite, qe hyri me nxitim nga dritarja, e bëri Marenglenin të ndihet më keq se asnjëherë.

- Anë, dua që ti të jesh e lumtur.

Nusja e re nuk foli. Mbylli qerpikët sikur të kërkonte ëndrrën dhe djalin me të cilin po niste një jetë krejt tjetër. Ndërsa Marenglenit në çast i vetëtiu mendimi se, këtë thesar do ta përdorë tjetri ,dhe se kjo ide mjaftonte që ta çmendëte...ndërkaq. Nuk mund që ta duronte dot, që mbi atë statujë mishi prej drite, do ulet tjetri doemos...

Dhëndri tërhoqi dy kanatet ngadalë. S'donte të prishte qetësinë dhe intimitetin e atij mjedisi, në atë çast të magjishëm. Flladi tundi perdet e mëndafshta në ngjyrë trëndafili dhe shkoi e përkëdheli kofshët e gjoksin e vajzës nuse që priste të bëhej grua.

- Nuk është aq vapë i dashur. Eja. Sezon vjeshte. Fryn. - tha Ana Gjika me një zë të butë, përplot mirësi, e me ca sy të qeshur, që Marengleni nuk i a pa më.

Pastaj hoqi sytë për një çast andej nga dritarja e hapur, ku era tashmë gufonte gjithë masën e tyltë. U drodh. Zgjati duart në atë gjysmerrësirë dhome që mbante erë parfum, për të marrë çarçafin, dhe për t'ia hedhur përsipër lakuriqsisë në shtratin e ngrohtë. Në fillim ndjeu një zhurmë të lehtë, diçka si kërcitje të mbytur druri, në çastin ku masa e copës së bardhë i kishte mbuluar kofshët e kolme, e pastaj një trup i errët iu shfaq, ndërsa iu ngjit tej e tej hapësirës së dritares. Ndjeu një « oh ! » e trupi u duk sikur fluturoi përtej në flladin e vjeshtës.

Nuk kishte me kohë të mendonte. Maringleni nuk ekzistonte më në dhomë .

Në çast ishte ngritur përgjysmë. Rrëshqiti nga shtrati duke lënë çarçafin që u derdh pa zhurmë në dysheme dhe shkoi menjëherë te hapësira e dritares së hapur. Kapi leshrat e hodhi sytë poshtë në asfaltin e lagur. Trupi i burrit të saj, Marenglenit, ishte aty, i shtrirë, i pa lëvizur ... i pajetë. Përreth një pellg gjaku. Nën dritën e zbehtë të neonit dalloi disa fletë të zverdhura, si flutura nate, të zbritura nga pemët që ishin përreth, e që vallëzonin e lodronin nën flladin e lagur te vjeshtës mbi qytet. Përreth binin qetësisht pika shiu.

Nxori një zë si buçimë deti. Shqeu sytë, e klithi këtë herë në vaj.

- Oh!... i shkreti Marenglen! Ç'po më shohin sytë kështu...I miri im. Po pse, po pse?...Unë korba...Oh! ç'më gjeti mua të mjerën!

Pastaj ndjeu një gulç brenda kraharorit që erdhi dhe i mbeti në grykë. Kuptoi se nuk mund që të merrte më frymë. Ra e zalisur mbi dysheme.

...Nga larg vinte sërish tingulli i violinës së Dalipit. Atje po vazhdonte dasma e tjetërkujt. I gëzoheshin që të gjithë.

http://aleko-likaj.blogspot.com/

ALEKO LIKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DEUTSCHE WELLE - STRUKTURË E RE PROGRAMI NË PLATFORMË TRIMEDIALE (05.22.2011)
THUAJU ENGJEJVENga ANTIGONA MARKU (05.19.2011)
HAPAT E PARË NË UNIVERSITET - KUSHTET E PRANIMIT NË SHKOLLAT E LARTA GJERMANE (05.19.2011)
VLERËSIM NGA KRITIKA RUMUNE PËR LIBRIN "MAMAJA" TË VILHELME VRANARI HAXHIRAJPërgatiti: BAKI YMERI (05.15.2011)
...ISHTE 22 MAJI I VITIT 1825Tregim nga ALEKO LIKAJ (05.14.2011)
FAJTOR PA FAJKujtimit të shkencëtarit të shkëlqyer dhe artistit të madh Enriko VeiziTregim nga ZHULJANA JORGANXHI (05.11.2011)
ROLI I FILOZOFISË NË SHEKULLIN TONË ËSHTË I ANASHKALUARIntervistë me PETER SLOTERDIJK (05.11.2011)
ÇDO PERËNDIM MË VDES NGA PAKPoezi nga THANI NAQO (05.10.2011)
"THOR" KAMPION I FITIMPRURJES NË SHBA (05.10.2011)
SURPRIZA DHE DETAJE - ÇFARË DUHET TË DINI PËR EUROVISION 2011? (05.09.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]