VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
FLOKËVE SHKRIN DIELLI Tregim nga EDUART SULOLLARI E Enjte, 05.26.2011, 09:31am (GMT1)
E kotë. Gjysmë ore buzë liqenit me grepin bosh: Nervozizmi me kaploi hapur. Gati po këpusja fildispanjën kur dëgjova: -Provoje dhe një herë... Zëri erdhi gardhit me rrjetë teli. Elena, gjitonia e bukur mërguar dherave të Italisë?! -Ëhë-edhe një ton s'do më bënte punë... Fjalët fluturuan me vështrim hedhur liqenit. Elena preku rrjetën e telit. U aftua. Në duar grepi përsëri bosh. -Mos i tremba...? -Bukuria ndez vetëm zjarre. Jam gjegjur shpejt. Frymëmarrja e Elenës, vallzonajrit ngjyer me ëndërrime, pastaj buzëve të tulta vizatohet e qeshura, qepur mbi buzën e viteve... -S'po shoh Elion! Shpotitje e ëmbël. Dhe therëse. Gushti duart mbushur me vapë. Shumë vapë. Dita nisur me grepin bosh dhe lojra fjalësh. -Mbase mbrëmja... E para herë shikimet përplasen. -Menyja peshk... Elena ngre kurthe. -Nga deti...? Liqeni na dëgjon. Nuk zemërohet. Papritur kemi lënë takim. Horizonti të vret me pastërtinë. Lahet qielli blu. Elena me xhamat e thyer të syve. Flokëve shkrin dielli. -Të paska lodhur udhëtimi? -Shumë nga ç'mund të mendohet. Shumë?! Elena, bukuri e vrarë. Fytyra dridhet. S'ka ngelur asgjë prej qetësisë së ardhjes. Thërmuar në mijëra kokrriza rëre. Digjet. Vetmuar, varet dritares pjergulla e kurbetit. -Dashuri e re? -Shpotitja ime rrit kurbën. -Eh! Na mungon diçka gjithmonë! -Edhe kur e di që s'mund të kthehen! -Po ndërsa vazhdojmë t'i presim. -Shënkollit, re të vogla, si gonxhe pambuku shtyjnë njëra-tjetrën. Me këmbët e holla si të një vajze shkelin barin e kodrës. Fshihen herë pas herë bazilikës, mbirë si kërpudhë gjigande majës më të lartë. Dalin si lule të bardha, rrotullohen si balona, vrapojnë me krahët e butë drejt nesh. -Hip! -Kam shtyrë varkën shtegut të baçes të saj. Zgjas dorën. Elena gati sa nuk rrëzohet. Ze vend në ballë. U jap lopatave. Liqeni dergjet në qetësi llahtare. Elena humbur kujtimesh të ujshme. E largët si dëborërat. E avullt si historia e dashurisë të parë. Druhem t'i hap ato fletë. "Ajo ikën dhe bukuria e saj më plagos zemrën". Zëri i Ninit më thërret. Më shpon kujtesën. "Do shkojmë larg pa bërë përpara kurrë Elio. Bisedova me Apolinerin mbrëmë" I shtangur, gremisur në rrëfimin e pazakontë fundit të shtatorit. Sapo zbritur nga miniera, I lodhur. Nini i dehur. E shikoj ne sy. Nini i dashuruar dhe poet?! -Me merr për të dehur? Mbrëmja mësyn me fasha të gjëra. Derdhet fushës gojë hapur. Gëlltit copëra të mëdha. Bëj të largohem. -Dale, dale. Jam i rrëmbyer derqi ta hajë. Pse më shikove ashtu? -Që je i dashuruar. Poet. Brenga tënde më trishton. Habia s'ka kufi. Largohem. Nini, pijaneci i madh, dashuruar me vajzën më të bukur të fshatit, Elenen. Në çdo rrethanë do të më dukej absurd rrëfimi. Kureshtja përplaset në tokë. Qëndroja përpara Ninit. -S'beson? Nini i zemëruar, shushatja ime tkurr rrëfimin brilant. -Më le me gojë hapur! -Ç't'i thoja... Qeshi. -S'do të matohet. Budallaqja! Tregohem I rritur. Ai ka prekur të tridhjetat me kohë. -Jo tamam ajo... Gati na përplas urbani. Ditëve në vijim patëm vetëm përshëndetje rastësore. Historia e nisur ngeli në kornizën e harresës. Pema e kaltër e dashurisë do të çelte dhjetorit të atij moti. Xhirohej filmi "Tre veta kapërcejnë malin". Te rrapi shekullor. Banorët të tërë në rrugë. Mes turmës Nini. I dehur si nga hera. Mezi mbahej në këmbë. Një hënë e tharë përveç prozhektorëve të dritave u binte njerëzve që shtyheshin. Jo lag meje Elena me shikim flakëruar Ninit. "Po ky i ka mentë e kokës" gati ulërita. "pse nuk e shikon". Me vinte ta kapja për krahu, ti thërisja. Nga një qiell i dhimbshëm shikimi i tij ra mbi Elenën. Lëkundeshin degët. Dëbora qëmtonte me buzëqeshje dashurie, por Elena u martua ne jug të vendit. E rrëmbeu qyteti i gurtë... Shiheshim rralle. Takoheshim pa mundur të bisedonim, pa mundur ta pyesja...? -Jepet filmi "Tre veta kapërcejnë malin". Elena shkund dremitjen. Supave rrëshqet bluza e limontë. -Pasaj? -S'do ta shohësh? Po harroj gjithnjë e më shumë? Çudi. Vazhdonte të mbyllej brenda dhimbjes. Udhëtonte, me të. -As për Ninin. Në thellësi të zemrës, thikë futej ky emër. Qielli i kaltër-tokë që përgjaket. Ra përmbys, fundosur lumit me ujëra shpërthyes. Dielli iu var krabës se mbasdites kur dëgjova zërin e mbufatur të Elenës: -Mbrëmjes do të dalim nga varret... EDUART SULOLLARI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |