JEHONË Poezi nga XHENC BEZHI
E Premte, 06.17.2011, 02:32pm (GMT+1)
Piskamat në qafa malesh
shtatë herë zanin
mbrapsht ta kthenin.
Dhen e dhi
curronin veshët,
as frymë merrnin
deri sa
zani tretej lugjeve.
Atëherë kumbona
prap tingllonte.
Sot thirr e çirru,
piskamën lësho,
a me krismë lajmin
po të duesh përcille;
asht e kotë.
Zani t' humbet
n'për të çame kullash
mbetun shkret,
si nanë pa djalë,
e djali gjallë.
S' dëgjohet kund
kumbonë,
as blegërimë qingjash,
as fëmijë të qajnë;
vorret
përjetëisht kanë ra
në heshtje.
Ku asht rrapi
ku dikur
mblidheshin burrat e fisit?
Si nuk thërret ma kush
Te dera e kullës?
Ç'asht kjo heshtje e verdhë
atje mbrenda?
Kullat që s'i luejtën
as hordhitë,
as llava e kuqe,
as tërmeti e stuhitë,
mbetë kanë
si plaka shekullore,
që edhe Zoti i ka harrue,
e dergjen
në këte vetmi ngjethëse
të "kohnave moderne".
XHENC BEZHI
|