VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Jodhaa Akbar fitoi trofetë e Bollivudit
E Djelë, 06.14.2009, 05:13pm (GMT1)

 

 

 

 

 

Voal-online - Filmi epik indian Jodhaa Akbar mori çmimet kryeore në versionin e Oskarëve në një ceremoni të zhvilluar në Makau të shtunën, njoftoi Reuters. Disa nga emrat më të mëdhenj të kinemasë indiane, përfshirë Amitabh Bachchan dhe Hrithik Roshan shkelën qilimin e kuq, teksa mijëra adhurues thërrisnin dhe merrnin autografe në çmimet vjetore të IIFA (International Indian Film Academy Akademia Indiane Ndërkombëtare e Filmave ).

 

Fituesi i madh i natës së çmimeve ishte filmi Jodhaa Akbar, rreth një perandori mysliman të Shekullit XVI që u martua me një princeshë të fesë Hindu. Filmi mori çmimet për filmin më të mirë, për regjisorin më të mirë - Ashutosh Gowariker -, ndërsa bukuroshi Hrithik Roshan fitoi si aktori më i mirë dhe A.R. Rahman si dirigjenti më i mirë.

 

Regjisori i filmit tha se tema qendrore e filmit është toleranca fetare si tejet vitale për shoqërinë bashkëkohore indiane.

"Po, ne kemi nevojë për një aleancë hindu-myslimane ... ne kemi nevojë për një Indi dinamike sekulare në Shekullin XXI," tha Gowariker.

 

India, atdhe i industrisë më prodhimtare të filmit në botë, është përpjekur ta përhapë jehonën ndërkombëtare të tij nëpërmjet çmimeve vjetore IIFA, mbajtur çdo vit në një qytet të ndryshëm.

 

 

"Çdo publik është i rëndësishëm për ne, dhe Kina është një treg gjigant, ne i adhurojmë filmat kinezë në Indi dhe shpresojmë se kinezët i pëlqejnë filmat tanë," tha aktori Abhishek Bachchan, i cili fitoi për rolin më të realizuar komik.

 

"Unë mendoj se kjo veprimtari po përhap kinemanë indiane në botë," tha Hemal Ghelani, 18 vjeç, një banor indian në Singapor, i cili erdhi me familjen për ta parë veprimtarinë. "Jemi shumë të kënaqur që ndodhemi këtu."

 

Çmimet janë një sfidë për Bollywood, emër popullor për industrinë gjigante indiane të filmit, në një periudhë kur në kinematë ndihet kriza. Një grevë nga producentët e filmit e tronditi këtë industri.

 

Aktorja më e mirë u shpall Priyanka Chopra për filmin "Fashion". Aishwarya Rai fitoi si aktorja më e mirë e dekadës.

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.