VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Pas shumë vitesh Norvegjia nderon përsëri shkrimtarin e saj nobelist
E Mërkurë, 08.05.2009, 08:08am (GMT1)

 

Norvegjia po shënon 150 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të saj nobelist Knut Hamsun, duke e përkujtuar atë me pullë postare dhe një muzeum në fshatin e lindjes, pavarësisht nga simpatia e tij për nazizmin gjatë luftës së dytë botërore.

Muzeu Hamsun u hap dje në Hamaroey, fshati i fëmijërisë së autorit, përgjatë bregdetit norvegjez. I njohur për romanin e tij Uria më 1920, Hamsun fitoi çmimin Nobel për romanin Rritje e Dheut.

Para luftës së dytë botërore, Hamsun nderohej si hero në Norvegji. Në kohën e luftës, Hamsun kaloi në anën e Hitlerit. Gjatë luftës së dytë botërore, propaganda naziste e përdori Knut Hamsun dhe famën e tij si shkrimtar për të bërë të pranueshme politikat e veta. Madje Hitleri e ftoi atë në Berlin, takim që u shfrytëzua nga propaganda për t'u bërë thirrje norvegjezëve që të mos luftonin kundër nazizmit dhe qeverisë norvegjeze të kryeministrit Vidkun Quisling, i vendosur në pushtet nga nazistët.

Nga ana e tij, Knut Hamsun e shikonte Hitlerin e nazizmin si shpëtim të Norvegjisë nga ndikimi i mundshëm komunist sovjetik. Ai ushqente një ndjenjë jo miqësore edhe ndaj Britanisë dhe mendonte se një Gjermani e fuqishme ishte kundërpeshë ndaj ndikimit të Londrës në vendet skandinave.

Më 1945, kur u njoftua se Hitleri kishte vrarë veten, Hamsun shkroi rreth tij një artikull plot lëvdata. Pas luftës, Hamsun dhe bashkëshortja e tij, Marie, gjithashtu shkrimtare dhe përkrahëse Quislingut, u arrestuan nën akuzat për bashkëpunim me nazizmit dhe u gjykuan nga gjykata norvegjeze. Ndërsa Vidkun Quislingu u dënua me pushkatim, Marie Hamsun,  dënua me disa vjet burgim, ndërsa Knut Hamsun u dënua financiarisht dhe disa prona të tij u sekuestruan. Hamsun vdiq në vitin 1952, në moshën 92 vjeçare.

Që nga ajo kohë, a herë që afrohet 4 gushti, ditëlindja e tij, shoqëria norvegjeze përfshihet nga debate, duke shtruar pyetjen; a duhet kujtuar Knut Hamsun si shkrimtar nobelist apo si përkrahës i nazizmit?  Ministria norvegjeze e Kulturës thotë se nderimi për shkrimtarin Hamsun sivjet në 150 vjetorin e lindjes asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si përkrahje për mbështetjen morale që Hamsun i dha regjimit nazist./ZA
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.